Dante Aligeri

"KOMEDIA HYJNORE - FERRI"

Kushtuar Adelinës

 

 

Kënga e tretë

Portat e Ferrit. - Ata që s’kanë bërë as mirë as keq.- Akeroni.- Varka e Karontit.

 

"KËTEJ TI SHKON NË NJË QYTET TË VUAJTUR,

KËTEJ TI SHKON NË DHEMBJEN E PAMATË,

KËTEJ TI SHKON TEK NJERËZ KREJT TË SHUAJTUR;

U SHTY NGA DREJTËSIA KRIJUESI I LARTË; 4

FUQIA HYJNORE DHE DREJTËSIA E KULLUAR

MË STISËN TOK ME DASHURINË E PARË;

VEÇ SË PËRJETSHMES ASGJË S’QE KRIJUAR 7

PËRPARA MEJE; UNË RROJ JETË E MOT;

KUSH HYN KËTU MË S’KA PËR TË SHPRESUAR!"

Ja fjalët që lexova në një portë 10

me bojë fare t’errët sipër shkruar.

I them: "Mësues, kuptimin s’kapkam dot!"

Ma ktheu ai si një njeri i zgjuar: 13

"Këtu do lënë prapa çdo dyshim,

këtu çdo ligësi do shpejt harruar.

Siç të kam thënë, tek ai vend do vijmë, 16

ku njerëz sheh që dhembja aq i tret,

sa mendjen humbin e çdo gjykim".

Pastaj mbi timen dorën e pështet, 19

për të më dhënë mua pak kurajë,

dhe qetësisht më fut në botn’ e fshehtë.

Aq psherëtima, klithma, kujë e vaj 22

ushtonin nën një qiell pa yje-sterrë,

sa në fillim ia nisa shpejt të qajë.

Të ndryshme gjuhë, të folme tmerr, 25

plot fjalë dhembjesh, zemërim i thellë,

përplasje duarsh tok me zë të çjerrë

s’pushonin kurrë nën të fëlliqtin qiell. 28

Arrinte zallahia n’atë shkallë,

sa dukej rërën ngrinte lart pështjellë.

Prej frikës mendja vinte krejt vërdallë, 31

prandaj i them: "Mësues, ç’është ky tmerr?

 Ç’mundim i ndrydh të shkretët vallë?".

Dhe ai më tha: "Në gjendje kaq të mjerë 34

i kanë shpirtrat veç ata fatzinj

që mirë as keq nuk bënë as një herë.

Me ta përzihen shpirtrat e këqij 37

të engjëjve që s’qenë rebeluar,

por që as besë s’patën n’perëndinë.

Qiejt i dëbuan për të mos u shëmtuar, 40

as ferr’ i thellë s’i pranoi kurrë,

shkak s’patën djajt për t’i mëshiruar".

I them: "Mësues, ç’është kjo torturë, 43

që i mundon kaq fort sa derdhin lotë?"

M’u gjegj ai: "Dhe aq gjatë s’po e thur.

Këta as vdekjen s’e kërkojnë dot. 46

Për ta kjo jetë është aq e ligë,

sa luten për një fat tjetër krejt më kot.

Në botë s’lanë gjurmë që s’u fik, 49

mëshirë s’meritojnë, as drejtësi,

nuk po ta zgjas më, por shiko dhe ik".

Tek po vështroja, shoh si me shpejtësi 52

shkon si flamur një duke u vërtitur,

aq sa dhe vrapin si ta ndalë s’di.

Një mizëri vjen pas duke roitur, 55

sa kurrë s’do ta kisha pas besuar,

që vdekja aq fatzinj të kish goditur.

Pastaj, kur ca ndër ta pata dalluar, 58

shpejt njoha unë hijen e atij

që post të madh prej frike pat lëshuar.

Shpejt e kuptova se ky me siguri 61

ish sekti i formuar nga të dënuarit,

që s’i desh zoti, as armiqt’ e tij.

S’u bënë gjallë kurrë të mallkuarit, 64

prandaj, ashtu të zhveshur për munxyrë,

i mbytnin miza e grerëza së kafshuari.

U rridhte gjaku çurk nëpër fytyrë 67

që thithej tok me lotët i përzjerë

te këmbët nga ca krimba fort të ndyrë.

Me që më la të shoh një copë herë, 70

ca njerëz bregut lumit pashë unë.

"Mësues, lejomë, - i thashë atëherë, -

të di se cilët janë e çfarë i shtyn 73

përtej me kaq nxitim për të kaluar,

siç shoh në dritën që aq dobët hyn".

Dhe ai më tha: "Shpejt ke për ta kuptuar, 76

kur ne t’i kemi ndalur hapat tanë

në lumë t’Akerontit të trishtuar".

I shpura sytë e turpshëm unë mënjanë 79

prej frikës mos nga pyetjet u mërzit

dhe heshta lumit sa i vajtëm pranë.

Një varkë vjen drejt nesh, që e vozit 82

një plak i zbardhur pleqërie së thellë.

Bërtet ai: " Mjerë ju me këtë shpirt!

Më mos shpresoni që të shihni qiell! 85

T’ju shpie erdha tek ai breg përballë,

që akull ka dhe terr e zjarr veç vjell.

Dhe ti që je këtu, o shpirt i gjallë, 88

Shpejt ndahu nga këta që kanë vdekur!".

Kur pa se nuk po merrja vesh me fjalë,

"Kjo s’është rrugë a port ti për të prekur 91

në breg, - më tha. - Këtej s’ke pse kalon!

Gjej varkë tjetër rrugën për të ndjekur!".

I thotë prijsi : " Mos u nxeh , Karon! 94

Kështu të bëhet lart u përcaktua,

ku bëjnë ç’duan. Tjetër kot kërkon!".

Fytyra e kërleshtë iu qetua 97

varkarit të kënetës së lerosur,

që sytë i kish me flakë e zjarr qarkuar.

Por shpirtrat, lakuriq e handakosur, 100

kërcitën dhembët e ndërruan ngjyrë

me fjalët vrerë porsa i pat kanosur.

Mallkonin Zotin, prindërit e tyre, 103

gjininë njerëzore, vend e farë,

dhe orën që i lindi për munxyrë

Pastaj u mblodhën gjithë duke qarë 106

në breg të atij lumi të mallkuar

që pret kë s’çan për Zotin kokën fare.

Ky djall Karon, me sy të flakëruar, 109

të gjithë i grish, i mbledh duke bërtitur,

me rremë e godet çdo të vonuar.

Sikur në vjeshtë, vyshkur e venitur, 112

bie gjethi një për një dhe trung’ i tharë

sheh petkat dheut hapur e ronitur,

dhe e Adamit e mallkuara farë 115

një e nga një u ngjit në breg aherë,

si zogjt që ndjell në kurth një zog këngëtar.

Ata u dyndën nëpër dallgët sterrë 118

dhe, para se në breg të kishin zbritur,

u mblodh një turmë tjetër menjëherë.

"Im bir, - më tha mësuesi zemërndritur, - 121

këta që Zoti s’pat me sy të mirë

këtu nga tërë vendet kanë arritur.

Dhe s’e kalojnë lumin me pahir, 124

sepse hyjnorja drejtësi i shtyn

që frika shpejt t’u kthehet në dëshirë.

Këtu një shpirt i mirë kurrë s’hyn, 127

prandaj nëse Karoni t’është akërruar,

kupto kjo sjellje ku e ka arsyen".

Lëndin’ e errët, ai me të mbaruar, 130

nga dridhj’ e fortë befas qe tronditur.

Më dirset balli duke e kujtuar!

Një erë dheu e vaji pati ngritur 133

që dritën e përskuqi aqë shumë

sa ndjenjat shpejt m’i pat fashitur.

Dhe rashë siç bie një që vdiq për gjumë. 136

___________

V. l-9. Mbishkrim mbi portat e Ferrit. Sipas doktrinës së krishtere, Ferri u krijua nga Trinia e Shenjtë: Ati (fuqia hyjnore), Biri (Urtia e kulluar) dhe Shpirti i Shenjtë (Dashuria e parë). U krijua enkas për të ndëshkuar Luciferin. Para tij s’qe krijuar asgjë veç së përjetshmes (qiellit, tokës dhe engjëjve). V. 32. ç’është ky tmerr? - Poeti sheh midis portave të Ferrit dhe brigjeve të Akerontit një hapësirë të mbushur me shpirtrat e atyre që nuk bënë as mirë as keq. Mu për këtë arsye ata nuk meritojnë as të dënohen, as të shkojnë në Parajsë. V. 37. Me ta përzihen shpirtrat e këqij - Janë shpirtrat e engjëjve që s’u bashkuan as me Perëndinë, as me Luciferin, kur ky ngriti krye. V. 59. hijen e atij - Papa Çelestin V që u zgjodh në këtë post në vitin l294, kur ishte 79 vjeç. Ai dha dorëheqje pas pesë muajsh i shtyrë nga kardinali Benedeto Kaetani, i cili e trashëgoi me emrin e Bonifacit VIII. Ky e futi Çelestinin në burg dhe e mbajti aty gjersa vdiq. V. 78. Akeronti - Në botën antike lum i përtejvarrit. Ai rrjedh edhe në Ferrin e Dantes. Në fillim ai quhet Akeront (gr. lumi i trishtimit) dhe pështjell rrethin e parë të Ferrit. Pastaj zbret poshtë dhe formon kënetën e Stigjes (gr. i urryer), në të cilën ndëshkohen zemërakët. Më tutje ai kthehet në Flegjeton (gr. përvëlues). Pasi përshkon me këtë emër pyllin e vetëvrasësve dhe shkretirën, ku bie shiu i zjarrtë, ai bie si një katarakt plot zhurmë dhe derdhet në thellësi. Në qendër të tokës ai kthehet në liqenin e ngrirë të Kocitit.V. 83. një plak i zbardhur - Karonti, që transportonte shpirtrat në botën antike të përtejvarrit. Të njëjtën gjë bën ai edhe në ferrin e Dantes. V. 93. Gjej varkë tjetër - Me që Dante nuk është i dënuar, Karonti mendon se ai duhet të udhëtojë me një varkë tjetër, më të lehtë, që i shpie shpirtërat në Purgator.

 

Back to Top

 


Dante Aligeri — "Komedia Hyjnore — Ferri" — Shqipëroi Çezar Kurti, Kurti Publishing, New York, 1996.

Copyright©1996 by Kurti Publishing.

 

 

-----------------------------7d61d413c01c6 Content-Disposition: form-data; name="userfile"; filename="G:\geocities2\dak5.html" Content-Type: text/html Kënga e pestë

Dante Aligeri

"KOMEDIA HYJNORE - FERRI"

Kushtuar Adelinës

Kënga e pestë

Rrethi i dytë. - Minosi. - Mëkatarët e epshit.

Dhe zbritëm ne nga rrethi i parë

në rreth të dytë. Vend më pak ai zinte,

por dhembjet shpirtrat bënin për të qarë.

Tek porta Minosi i frikshëm rrinte, 4

ckërrmitej kur gjykonte vdekatarët,

dënonte dhe në terr me bisht i shpinte.

Kur dilnin para tij ata qyqarët, 7

secili fajet një për një rrëfente,

në ferr të zi një vend për mëkatarët

ky njohës i mëkatit vrik e gjente. 10

Pështillte veten ai me bisht aq herë

sa rrathë poshtë t’i hidhte i pëlqente.

Përpara tij plot njerëz ka përherë, 13

me rradhë vijnë ata për t’u gjykuar,

flasin, dëgjojnë e flaken në humnerë.

"O ti që vjen në strehën e mjeruar", - 16

më thotë Minosi sa sheh të afrohem

dhe lë mënjanë punën e mallkuar.

"Shih si po hyn dhe kujt po i besohe! 19

Mos u gënje nga port’ e gjerë tepër!".

Por prijsi im i tha: "Pse i akrrohe?

As rrugën mos ia zër, se fati i epër 22

ia ka caktuar. Kjo u vendos në qieje,

ku bëjnë atë që duan. Mos pyet gjë tjetër!".

Ofshama dhembjesh veshi nis të ndiejë, 25

sepse tani tek vendi paç arritur,

ku vaj i madh fillon që të shpërthejë.

Ky vend i zi, që drita nuk ka ndritur, 28

gjëmon e shfryn si deti prej shtrëngate

nga erëra të kundërta i goditur.

Duhi e ferrit kurrë nuk tulatet 31

dhe bart me vete shpirtrat në pështjellë,

i tund, i shkund, sa i cfilit të ngratët.

Dhe kur arrijnë mu mbi hon të thellë 34

ata bërtasin, qajnë edhe gjëmojnë,

ata mallkojnë zotin lart në qiell.

Më thotë prijsi se kështu ndëshkojnë 37

ata që veç mëkate bëjnë epshore

dhe që arsyen pasionit ia nënshtrojnë.

Si gargujt që në mot të keq dëbore 40

në rresht të dendur enden krahëhapur,

kështu përplasen shpirtrat mëkatnore,

sa poshtë-lart nga era hallakatur. 43

Nuk kanë shpresa që t’i ngushëllojnë,

as falje kurrë s’kanë për të patur.

Si krillat që me britma qiellin shpojnë 46

tek ecin bashkë në një varg të gjatë,

kështu i sheh të çirren, të vajtojnë

të mjerat hije në atë shtrëngatë. 49

Dhe pyes: "Pse erë e zezë i bitisi,

më thuaj, mësues, ç’kanë bërë ata të ngratë?".

"E para, - mua që lart më foli prijsi, 52

mes hijesh, për të cilat do njoftime,

perandoreshë qe mbi popuj, fise.

Aq shumë u zhyt ndër epshe e dëfrime 55

sa gjithë qejfet la me ligj të lira,

veç të mos kish nga populli qortime.

Kjo është bash ajo Semiramira, 58

që Ninon trashëgoi dhe burrë pati.

Tani Sulltani i ka ato mbretërira.

Ja Didoja që fjalën s’i pat mbajtur 61

Sikeut dhe veten vrau nga dashuria.

Ja dhe Kleopatra në epsh e papërmbajtur.

Helenën shih, që pru’ mbi dhè me mija 64

të zeza, dhe Akilin trim me vlerë,

që u mposht në jetë veç nga dashuria.

Parisin shih, Tristanin" dhe të tjerë, 67

me mijra hije ai me gisht tregoi,

që dashuria nga jeta ndau përherë.

Kur prijsi im me emër më dëftoi 70

plot burra, gra, dikur me nam të mirë,

e humba krejt, mëshira më pushtoi.

Ia nisa prapë: "Poet, me sa dëshirë 73

flas me ata të dy që tok po shkojnë

dhe era lehtë duket se i prir".

Dhe ai më tha: "Ti prit sa të shikojmë 76

t’afrohen dhe lutju për dashurinë

që lehtë i bart, ata do të dëgjojnë".

Drejt nesh kur i shtyu era-suferinë 79

u bëra zë: " O shpirtra të dëshpëruar,

të flasim ejani po s’pat ndalime".

Porsi pëllumbat mallit përvëluar 82

drejt çerdhes s’ëmbël qiellit flur lëshohen

me krahët e shpalosur e shtrënguar,

kështu nga çet’ e Didos vrik largohen 85

dhe vijnë ata mes ajrit të fëlliqur,

aq fort nga thirrj’ e dhemshur përgjërohen.

" O shpirt plot hir, bujar e zemërndritur, 88

që vjen të shohësh nëpër errësirë

ne që me gjak e patëm dheun vaditur,

sikur ta kishim mik ne perëndinë, 91

për paqën tënde fort e kishim lutur,

se paske për të gjorët ne mëshirë.

Në paç gjë për të thënë a për të pyetur, 94

ty gati jemi për të t’u përgjigjur,

ndërkohë, e sheh, dhe era është zbutur.

Në breg të detit unë u pata lindur, 97

n’atë krahinë ku Poi ndal rrëmbimin,

ku përrenjtë e malit bëhen krejt të bindur.

Nga dashuria, që prek çdo zemër trimi, 100

u lidh ky fort pas trupit tim të bukur,

aq kobshëm vrarë sa më zë trishtimi.

Dhe dashuria , që s’lë dashnor pa zbutur, 103

me të më lidhi, dhe asnjë përpjekje

prej tij më kurrë s’ka për të më shkëputur.

Kjo dashuri na çoi të dy në vdekje. 106

Në Kainë vaftë kush na la pa jetë!".

Kështu na thanë dhe ranë në heshtje.

Kur e dëgjova atë shpirt të shkretë, 109

e ula kokën poshtë e më s’e ngrita.

Pyet prijsi: " Çfarë po mendon, vërtet?".

Kur u përgjigja: "Vaj-medet!, - thërrita, - 112

kushdi ç’mendime t’ëmbla, sa dëshira

i shtynë atje ku vdekja vinte prita!".

Pastaj nga an’ e tyre unë u prira. 115

"Françeskë, - i thashë, - për këto mjerime

me lot’ të hidhur qaj nga dhemshuria.

Por thuaj, midis të ëmblash psherëtime 118

qysh vallë dashuria ju pat mësuar kaq lehtë

të ndanit ju dëshirat nga dyshimet?".

"S’ka dhembje më të madhe, - tha, - në jetë 121

se të mendosh për kohën e gëzuar

në fat të keq. E di dhe prijsi vetë.

Meqë të dish si rrënjët pat lëshuar 124

kjo dashuria jonë ke aq kureshtje,

po bëj si ai që flet duke lotuar.

Lexonim ne një ditë, kot për prehje, 127

për Lançelotin, si u dashurua,

krejt vetëm ishim e dyshim s’na brente.

Vështrimi ynë shpesh u kryqëzua, 130

fytyra nga leximi na qe skuqur

dhe mendja në një çast u turbullua.

Kur ne lexuam si ai dashnor pat puthur 133

fytyrën që i blatonte lumturinë,

ky, që prej meje kurrë s’është shkëputur,

më puthi buzët me aq drithërimë. 136

Galeot qe libri dhe ai q’e shkroi.

S’lexuam më tutje ne as dhe një grimë!".

Kur njëri shpirt këto mua m’i tregoi, 139

ai tjetri qau. Kaq dhembja më pat prekur

sa shpejt m’u duk se fryma më mbaroi

dhe rashë përdhe porsi një trup i vdekur. 142

____________

V. 4. Minosi - mbret dhe ligjvënës i Kretës së Lashtë, që kishte famën e një njeriu të drejtë. Në Ferrin e Dantes u cakton dënimin mëkatarëve. V. 58. Semiramida - mbretëreshë e Asirisë (l356 - l3l4 p. e. s.). La të lira me ligj martesat sipas dëshirës. U martua vetë me të birin. V. 61. Didona - mbretëreshë e Kartagjenës, e veja e Sikeut, të cilit i kishte premtuar se nuk do të martohej më. ra në dashuri me Eneun, u braktis prej tij dhe vrau veten. V. 63. Kleopatra - mbretëreshë e Egjiptit, dashnore e Mark Antonit. Kur ky u mund nga Oktavian Augusti, helmoi veten me anën e një gjarpëri. V. 64. Helena - e shoqja e Menelaut, mbretit të Spartës. Rrëmbimi i saj nga Paridi u bë shkaku i shpërthimit të Luftës së Trojës. V. 65. Akili - më i shquari i herojve grekë në luftën e Trojës. Ai vdiq nga dashuria për Poliksenën, të bijën e Priamit, mbretit të Trojës. Në kohën kur do të martoheshin e vrau Paridi. V. 67. Parisi (Paridi ) - I biri i Priamit. E vrau Pirroja, i biri i Akilit, për rrëmbimin e Helenës. Tristani - kalorës i tavolinës së rrumbullakët. U vra nga Marku, mbreti i Kornovajës, për shkak se i kishte ngashënjyer të shoqen, Izoldën. V. 74....me ata të dy që tok po shkojnë... Janë hijet e Françeska da Riminit dhe Paolo Malatestës. Françeska ishte e bija e Guido da Polentës, sundimtarit të Ravenës. Aty nga viti l275 u martua me Xhançoto Malatestën, babai i të cilit ishte udhëheqës i guelfëve të Riminit. Ai ishte i shëmtuar dhe i çalë. Kur mori vesh se e shoqja kishte lidhur dashuri me vëllanë e tij më të vogël, Paolon, ai i vrau që të dy. V. 97. Në breg të detit - në Ravenë. V. l07. Në Kainë vaftë kush na la pa jetë! Në Kainë, në rrethin e nëntë, janë dënuar vëllavrasësit.V. l28. Lançeloti - hero i romanit mesjetar francez me të njëjtin emër për kalorësit e tavolinës së rrumbullakët (shek. XIII). Romani tregon për dashurinë e Lançelotit me mbretëreshën Gjinevra, të shoqen e mbretit Artur. V. l36. Galeot qe libri dhe ai që e shkroi - Galeoti ishte kalorësi që ndihmoi afrimin e Lançelotit me Gjinevrën. Rolin e Galeotit luajti libri mbi Lançelotin, që e shtyu Paolon të puthte Françeskën.

 

Back to Top

 


Dante Aligeri — "Komedia Hyjnore — Ferri" — Shqipëroi Çezar Kurti, Kurti Publishing, New York, 1996.