SKËNDER SHKUPI

 

 

" DITA" DHE "NATA" E NJE JETE

 

Shënime për librin e Adelina Ginës, "Ku e çuat Shpëtimin"

Gazeta Albania, prill 2002

 

 

… Ajo ishte një familje si shumë të tjera ku lumturia e fatkeqësia, kënaqësia e brenga, gëzimi e hidhërimi ishin mpleksur aq fort midis tyre sa shpesh nuk prisnin radhë. Ato derdheshin te shkujdesura mbi fatet e njerëzve duke i ngritur ata herë-herë mbi kreshtat e dallgëve ngazëlluese apo, më shpesh, duke i fundosur në humnerat e dëshpërimit. Midis atyre njerëzve që ishin si gjithë të tjerët jetonte një djalosh që nuk ishte si gjithë të tjerët. Ai ishte Shpëtimi i cili, në moshën 21-vjeçare shkroi një dramë që nuk ishte si të tjerat : një himn që i kushtohej humanizmit. Ky himn ishte një zë i bukur në shkretëtirën e tërbimit inatçor të luftës së klasave. Kakofonia e mllefit ilogjik e mbyti atë zë harmonik qysh në gjenezë. E pas një "dite" të shkurtër, një rinie të saponisur të Shpëtimit, pas një ndriçimi meteorik që u ndez e u shua sakaq, pasoi "nata" e gjatë e një jete të këputur në mes për familjarët e tij më të afërt, për motrat, vëllanë dhe babanë fatkeq, "natë" e cila u ngërthye në pyetjen e ankthshme që s’mori kurrë përgjigje : "Ku e çuat Shpëtimin" ?

Ky është edhe titulli i librit të fundit të Adelina Ginës, motrës së Shpëtimit e cila, ndonëse me natyrë tejet modeste, dëshmon realisht, me këtë vepër, një fuqi të jashtëzakonshme artistike. Ata që e njohin Adelinën nga afër, meqenëse ajo flet vazhdimisht për talentin e madh të një vëllai që nuk arriti ta kultivojë plotësisht atë pasi u nda nga jeta në moshën 23-vjeçare, janë të predispozuar të gabojnë në mënyrë të pavetëdijshme në vlerësimin e së motrës. Ndërkohë që vetë Adelina është një talent i padiskutueshëm.

Libri është kronika e një jete, me shumë peripecira, e dy njerëzve tepër të lidhur me njeri tjetrin, e një vëllai dhe e një motre. Ndonëse autorja flet në vetë të parë dhe, pa dyshim, përbën një personazh shumë të rëndësishëm të librit, megjithatë, figura kryesore është Shpëtimi i cili vazhdon të mbisundojë ritmin e rrëfimit nëpërmjet angazhimit, shqetësimit, dëshpërimit, investigimit dhe ankthit të së motrës që gjatë gjithë vëllimit ndjek fatin e tij. Ajo, pas "ditës" së bukur të shkurtër të të vëllait,, ndjek "natën" e jetës së tij me një vullnet, përkushtim dhe këmbëngulje të pabesueshme. Ajo nuk pajtohet dot me mungesën e tij, ajo e kërkon atë të rishfaqet në jetë, ajo ndjen dhe beson se i vëllai nuk mund t’i braktisë njerëzit e tij të dashur kaq shpejt, kaq papritmas, kaq dhimbshëm. Dhe endja nëpër "natën" e jetës së Shpëtim Ginës është po aq interesante sa edhe gëzimi i shkurtër i bredhjes gazmore në "ditën" e jetës së tij. Madje fatkeqësia misterioze që ndan në mes "ditën" e shkurtër nga "nata" e gjatë nuk është ekran ndarës por çernierë lidhëse e dy pjesëve organike të një rrëfimi shumë prekës.

Karakteristikë dalluese e autores është fakti që ajo nuk krijon ngjarje por i përcjell ato te lexuesi me një besnikëri të plotë ndaj realitetit, pa ndryshuar, pa shtuar e pa hequr asgjë. Pyetja që mund të shtrohej në këtë rast është e vetvetishme : mos vallë kemi të bëjmë me një ditar ?

Natyrisht që libri në fjalë nuk është ditar. Atje ngjarjet vërtetë nuk krijohen nga Gina, ato vërtetë janë zhvillime të mirëfillta por, nga ana tjetër, ato rikrijohen artistikisht. Dhe pulsi i artistit rreh në çdo faqe, në çdo pasazh, në çdo rrëfim. Ndërkohë bindja se po lexon një histori të vërtetë ia rrit shumë interesin lexuesit i cili e ndjek Ginën në të gjithë aventurën e saj të gjatë, të lodhshme e sfilitëse në kërkim të së vërtetës.

Subjekti është i thjeshtë. Shpëtimi, një i ri shumë i talentuar, i cili ndjek fillimisht Fakultetin e Gjuhësisë dhe më pas kalon në Degën e Gazetarisë, shkruan një dramë. Titulli i saj, "Armiqtë", për ata që nuk e kishin çfletuar e nuk dinin se ç’thuhej në të, ngjante në pajtim me frymën e kohës, atë të afër mesit të viteve’70-të kur Partia e Punës bënte pastrimet e mëdha në art-kulturë, ekonomi dhe mbrojtje. Mirëpo censorët tepër vigjilentë zbuluan papritmas se ky djalë 21-vjeçar jo vetëm që nuk i përbuzte e nuk i urrente armiqtë ashtu siç porosiste Partia por, përkundrazi, i shihte marrëdhëniet me ta në një këndvështrim humanist duke pranuar madje që edhe matanë barrikadës paska…. qenie njerëzore.

Drama, e pëlqyer në fillim, u ndalua në prag të shfaqjes dhe për autorin e saj filluan ditë të vështira. Megjithë njohjet që pat krijuar dhe simpatitë e përftuara ndërmjet artistëve, shkrimtarëve dhe regjisorëve të njohur, veprimtaria krijuese e Shpëtimit shndërrohet në një vrapim me pengesa. Atë e pengojnë, përpiqen ta shmangin, nuk i venë pjesët e tij në skenë. Me sa dukej, emri i tij ishte qarkuar me rreth të kuq. Megjithatë ai punonte, krijonte dhe i ngjiste shkallët e mjeshtërisë artistike me vendosmëri. Në këtë sfond të hirtë ndodh edhe një fatkeqësi në familje — vdekja e nënës. Një goditje për të katër fëmijët e për babanë e tyre por sidomos për Shpëtimin që ishte aq i ndjeshëm dhe i tronditur nga lufta thuajse e hapur që i bënin në Tiranë ata që i kishin hipur kalit të kuq të kinezëve revolucionarë të revoltuar, të atyre kinezëve që sapo i kishin zbritur atij kali. E pikërisht aty kemi edhe kulmimin e tregimit.

Shpëtimi në stërvitjen e detyruar ushtarake. Atje diçka e kobshme përgatitet me kujdes. Në një ditë pushimi dikush e josh për t’u larë në lumë. Janë dy të rinj që venë të lahen në një pellg buzë lumit. Njeri zhytet në ujë dhe del nga uji për t’u tharë në shkëmb. Tjetri zhytet por nuk del më. Ç’ndodhi ? Sipas Komandës: "një vdekje për asfiksi brenda në ujë". I vetmi dëshmitar i pranishëm, shoku i tij, përgjigjet e nuk përgjigjet, thotë e çthotë, pohon e nuk pohon për t’u zbehur dalëngadalë deri në neutralitet, deri në jo-dëshmitar. Të tjerët i largohen të vërtetës për ta arkivuar atë që ndodhi, me çdo lloj mënyre e mjeti, deri në harrim. Por nuk pajtohet me këtë skenar të dyshimtë e motra, Adelina. Nis një anabas i vërtetë i saj në kërkim të fakteve, të provave, të dëshmive për të zbardhur një realitet të mbuluar me një vello të trashë. Ata rezistojnë, mbrohen, kërcënojnë. Por autorja — personazh nuk zmbrapset, ajo e ka nisur luftën e saj për të nxjerrë të vërtetën në shesh pa pyetur për pasojat. E ndonëse e vetme, një femër e re dhe pa përkrahje, kundër një Qeverie të tërë që organizonte, mbështeste dhe kamuflonte terrorin, ajo diti t’i verë ata në vështirësi. Madje arriti në pragun e zbulimit të krimit monstruoz : jo, Shpëtimi nuk kishte vdekur nga asfiksia nën ujë, atë e kishin vrarë ata që patën filluar ta ndiqnin, ta sabotonin, ta persekutonin për mendimin e tij të lirë, për shpirtin e tij të papajtueshëm me shtypjen, për rrezikun që ai paraqiste për të ardhmen e Diktaturës. Ishte një veprim mafioz, i kryer me gjakftohtësinë karakteristike të kriminelëve. Ishte një shembëlltyrë kriminale e atyre ekzekutimeve që organizohen rëndom në të ashtuquajturat "romane të verdha".

Ajo që të bën përshtypje në faqet e fundit të rrëfimit të Ginës është informacioni i saj i papritur që dramën "Armiqtë" të Shpëtimit, të botuar në vitet e pluralizmit nën kujdesin e së motrës, edhe pas shembjes së Diktaturës përzgjedhësit e repertoreve të teatrove të Shqipërisë ngurojnë ta venë në skenë. Përse ? Gina nuk na e thotë. Ajo vetëm pyet veten se "cilët janë ata" ? Mos vallë janë po ata ? Mbetet një pyetje pa përgjigje të cilën mund ta gjejë ndonjë lexues më i informuar se Adelina Gina për atë që ndodh në Shqipëri.

 

* * *

 

Rrëfimi i Ginës, nga pikëpamja stilistike, është vibrant. Me një lakonizëm, ndofta pak të skajshëm, faqet fluturojnë e lexuesi e ndjen fizikisht atmosferën e ngjarjeve. Gina është shumë e kursyer në shprehje, mbase më shumë se duhet. Ajo është kujdesur të thotë sa më shumë me sa më pak fjalë. Libri ka 78 faqe ndonëse i njëjti material rrëfimtar mund të shtrihej qetësisht në 178 faqe. Por me sa duket autorja ka pasur frikë nga njëfarë rënie e ritmit të tregimit nëse do ta shtrinte atë në një hapësirë më të gjerë.

Faqet e para kanë një lirizëm të thellë, një ngrohtësi e sinqeritet të veçantë që është llogaritur me mprehtësi nga Gina për të rritur kontrastin e për ta vënë më në pah dramën e ardhshme. Kulminacioni i rrëfimit është, pa dyshim, vdekja e Shpëtimit. Linja e tregimit ka një simetri të plotë. Në vëllimin prej 78 faqesh, ai kulminacion vjen pikërisht në faqet 38-39-40, në mesin e këtij rrëfimi tepër të ngjeshur e konçiz. Ndofta është një rastësi, madje ka shumë mundësi që Gina as e ka menduar ta masë me "metrin e ustait" shtrirjen e dramës që rrëfen për ta vendosur kulmin e saj pikërisht në mes. Ai kombinim ka ardhur natyrshëm, në pajtim me ligjet stilistike të cilat Gina i njeh mirë. Ndërkohë duhet theksuar që ndonëse intensiteti i tregimit i ngjan ngjitje — zbritjes në një piramidë, gjithësesi, pjerrësia e saj nuk është e madhe. Vetë baza e piramidës është ngritur mbi një kuotë të lartë. Kështu, intensiteti i madh i ngjarjeve dhe përshkrimeve është i pranishëm që në faqet e para e deri në fund të librit.

Ajo që mund të shtohet në fund të këtyre shënimeve është një pohim i thjeshtë që një njeri i cili e njeh nga afër Ginën, mund t’i thotë asaj : "Adelina, nuk e prisnim prej teje !". Vallë ky pohim është "fyerje", thënë disi tërthoras, por sidoqoftë, një cënim dinjiteti i Ginës ? Në asnjë mënyrë. Një nënvizim i tillë është një virtyt plus i autores së këtij libri të mrekullueshëm që dëshmon për modestinë e saj të pazakontë, për mënyrën e thjeshtë të komunikimit me njerëzit, për preferencën e saj që në vend të një monologu për veten, të flasë vepra e shkruar për të.

Dhe pa pikë dyshimi Gina ia ka arritur këtij pikësynimi në mënyrën më të shkëlqyer të mundshme.

 

-----------------------------7d637a77d0196 Content-Disposition: form-data; name="userfile"; filename="" Content-Type: application/octet-stream