Antoine de Saint-Exupery
"TOKA E NJERËZVE"


Dy fjalë për botimin e këtij përkthimi
"Toka e njërëzve" e shkrimtarit francez Antoine de Saint-Exupery u përkthye në vitin 1964 dhe u dorëzua për botim në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri" së bashku me "Princin e Vogël" po të të njëjtit autor. Përkthimi i "Princit të Vogël", sipas punonjësve të kësaj shtëpie botuese, humbi, ndërsa përkthimi i "Toka e njerëzve" m'u kthye si i papërshtatshëm ("i parakohshëm"?) për botim. "Toka jonë" u botua në vitin 1986 në një përmbledhje të veprave të de Saint-Exuperisë, me rekomandimin e poetit Xhevahir Spahiu, i cili në atë kohë ishte sekretar i kolegjumit të revistës "Nëntori". Redaktori i këtij përkthimi ka qenë ish shefi i redaksisë së letërsisë së huaj në atë kohë Pirro Misha. Meqë libri iu nënshtrua censurës, me këmbënguljen time, në krye u vu shënimi: "Botohet me shkurtime".
Pasi origjinali mbeti në Shqipëri, m'u desht t'i përktheja edhe një herë pjesët e shkurtuara (natyrisht, më saktë "të censuruara"), jo vetëm për të rivendosur tërësinë e tekstit, por në të njëjtën kohë edhe për të treguar konkretisht se si vepronte censura në atë kohë dhe sa të zellshëm kanë qenë censorët. Ky zell shpjegohet me shumë arsye, por më kryesorja është se shumica e bënin për të qenë brenda (nga frika), por kishte edhe nga ata që e bënin për t'u treguar "më fanatikë se Papa", për qêllime karrieriste. Censura ushtrohej kryesisht në zyrat e shtëpive botuese, ku ishin vendosur njerëz shumë të besuar për këtë qëllim. Del se mjaft prej këtyre njerëzve madje paskan menduar krejt ndryshe. Mbaj mend se në një mbledhje të përkthyesve në vitin 1980 ose 1981 në Lidhjen e shkrimtarëve për të krijuar Shoqatën e përkthyesve, Pirro Misha, insiatori i kësaj mbledhjeje dhe drejtuesi i saj, duke harruar se para pak vjetësh kishte censuruar më kot një shkrimtar antifashist dhe tejet demokrat, ndërsa foli për kufizimin e lirisë së mendimit dhe të përkthimit nga regjimi i Enver Hoxhës, tha midis të tjerave përse të mos përkthehen veprat e shkrimtarëve si Ezra Paund? Sikundër dihet, Ezra Paund, shkrimtar amerikan, ka qenë propagandues fanatik i fashizmit dhe është i ndaluar kategorikisht madje dhe në shkollat amerikane. Këto luhatje ekstreme kanë karakterizuar e karakterizojnë kalimet e bëra në Shqipërinë e viteve të fundit në të gjitha fushat, politike, ekonomike dhe kultorore, nga regjimi komunist në të ashtuquajturin regjim demokratik. Dhe çudia është se personat veprues në përgjithësi janë po ata.
Pjesët e censuruara janë dhënë me shkronja të zeza dhe para tyre në kllapa me të gjelbërta shkruhet "shkurtim".
VIII
NJERËZIT
1
Edhe një herë çika një të vërtetë që nuk e kisha kuptuar. Kisha menduar se isha i humbur, kisha menduar se kisha arritur fundin e dëshpërimit dhe, porsa u pajtova me këtë, gjeta qetësinë. Në këtë çast të duket se zbulon vetveten dhe bëhesh miku i vetes. Asgjë nuk mund të krahasohet me këtë ndjenjë plotësie që kënaq tek ne kushedi se çfarë nevoje thelbësore, të cilën ne nuk e njohim. Mendoj se Gijomeja, kur ishte mbi dëborë, e pati njohur këtë qetësi shpirtërore. Si mund ta harroj se si unë vetë, i zhytur gjer në zverk në rërë dhe i torturuar dalëngadalë nga etja, ndieja kaq ngrohtësi në shpirt nën pelerinën e yjeve?
Si mund ta ndihmojmë këtë lloj çlirimi brenda vetes?
Dihet mirë se çdo gjë është paradoksale tek njeriu. Dikujt i sigurojnë bukën për ti krijuar mundësi që të krijojë dhe ai bie në gjumë, pushtuesi fitimtar çburrërohet, zemërgjeri po u pasurua bëhet dorështrënguar. Çrëndësi kanë doktrinat politike që pretendojnë se sigurojnë lulëzimin e njeriut, në rast se ne nuk e dimë që më përpara se çfarë tipi njerëzish ato lulëzojnë. Kush ka për të lindur? Ne nuk jemi bagëti për tu majmur, dhe lindja e një Paskali të varfër peshon shumë më tepër se lindja e ndonjë anonimi të lulëzuar.Thelbësoren ne nuk dimë ta parashikojmë. Secili prej nesh i ka provuar gëzimet më të mëdha atje ku nuk ia priste mendja. Ato na kanë lënë një mall të tillë, sa na vjen keq bile edhe për fatkeqësitë, po qe se fatkeqësitë na kanë dhënë të tilla gëzime. Ne të gjithë kemi provuar, kur kemi takuar shokët, magjepsjen e kujtimeve të ngrysura.
Çfarë dimë ne, përveç asaj që ka disa kushte të panjohura që na bëjnë pjellorë?
Ku qëndron e vërteta e njeriut?E vërteta nuk është aspak ajo që shfaqet. Në rast se në këtë tokë dhe jo në një tjetër portokajt hedhin rrënjë të forta dhe mbushen me fruta, atëherë kjo tokë është e vërteta e portokajve. Në rast se kjo kulturë, në rast se kjo shkallë vlerash, në rast se kjo formë aktiviteti dhe jo kjo tjetra i sigurojnë njeriut plotësinë shpirtërore, çlirojnë tek ai një njeri të madh, të cilin as ai vetë nuk e di, atëherë kjo shkallë vlerash, kjo kulturë, kjo formë aktiviteti janë e vërteta e njeriut.
Logjika? Mirë është që ajo të çlirohet për të kuptuar më mirë jetën.
Gjatë gjithë këtij libri unë kam përmendur disa prej atyre qe i janë nështruar, me sa duket, një thirrjeje sovrane,
që kanë zgjedhur shkretëtirën ose linjën, sikundër të tjerë patën zgjedhur manastirin; por unë e kam tradhtuar qëllimin tim, në rast se del që ju kam shtyrë të admironi në radhë të parë këta njerëz. Ajo që duhet admiruar para së gjithash është terreni që i formoi ata.Nuk ka dyshim se prirja luan një farë roli. Disa mbyllen në dyqanin e tyre. Të tjerë e çajnë me këmbëngulje rrugën e tyre në atë drejtim që duan. Në vetë historinë e fëminisë së tyre
ne gjejmë në embrion ato hove shpirtërore që shpjegojnë fatin e tyre. Por historia, e lexuar shkel e shko, të ngjall iluzione. Këto hove shpirtërore i gjejmë gati tek të gjithë. Ne të gjithë kemi njohur dyqanxhinj që në një natë anijëmbytjeje apo zjarri e kanë treguar veten më te mëdhenj se çjanë. Ata nuk gabohen aspak lidhur me atë plotësi shpirtërore që patën provuar: kjo natë zjarri do të mbetet e paharruar në jetën e tyre. Por, duke mos pasur raste të tjera, duke mos patur terren të favorshëm, duke mos pasur një besim kërkues, ata bien përsëri në gjumë pa i besuar madhështisë së tyre. Natyrisht, prirjet e ndihmojnë njeriun të çlirohet: por është njëlloj e domosdoshme që të çlirohen edhe vetë prirjet.
Netët e fluturimeve, netët e shkretëtirës... Ka atje ca raste te rralla që nuk u jepen të gjithë njerëzve. Dhe megjithatë, kur rrethanat i frymëzojnë, të gjithë tregojnë se kanë po ato nevoja. Unë nuk do të largohem aspak nga subjekti im po qe se do t'ju rrëfej për një natë në Spanjë që ma mësoi këtë gjë. Kam folur si shumë për disa dhe do të desha të flisja për të gjithë.
Kjo ndodhi në frontin e Madridit, ku unë kisha shkuar si reporter. Atë mbrëmje unë po haja darkë në fund të një strehimi të nëndheshëm, në tavolinën e një kapiteni të ri.
2
Ishim duke biseduar, kur ra zilja e telefonit. Nisi një dialog i gjatë. Ishte fjala për një sulm lokal, për të cilin urdhëronte P.K. (1), një sulm absurd dhe i dëshpëruar për të pushtuar në këtë lagje punëtorësh disa shtëpi të shndërruara
në fortesa prej betoni. Kapiteni ngriti supet dhe u kthye prapë tek ne në tryezë. "Ata, që do të dalin të parët nga ne ... " - tha ai, pastaj zgjati dy gota me konjak, njërën për një rreshter që ndodhej aty pranë, dhe tjetrën për mua.
- Ti do të dalësh i pari, bashkë me mua, - i tha ai rreshterit. - Pije dhe shko të flesh.
Rreshteri vajti të flinte.
Jemi nja dhjetë vetë që rrimë të zgjuar rreth tryezës. Në këtë dhomë të mbyllur mirë, ku nuk futet asnjë rreze drite, ndriçimi është kaq i fortë, sa unë pulis sytë. Pesë minuta përpara pata hedhur një vështrim nga frëngjia. Duke ngritur perden që maskonte frëngjinë, pashë të zhytur në dritën e hënës, e cila përhapte një ndriçim ogurzi, gërmadhat e ca shtëpive të banuara nga hijet. Kur e lëshova prapë perden në vend, m'u duk sikur e fshiva rrezen e hënës si të qe një curril vaji. Edhe tani e kam para syve pamjen e atyre fortesave të murrme.
Këta ushtarë me siguri nuk do të kthehen, por ata heshtin nga turpi. Ky sulm është brenda rregullit të sendeve. Për atë merren njerëzit nga rezervat. Merren farët nga farishtja. Hidhet një grusht me farë për ti mbjellë.
Dhe ne pimë konjak. Nga e djathta ime po bëjnë një lojë shahu. Nga e majta bëjnë shakara. Ku ndodhem? Një njeri, gjysmë i dehur, futet brenda. Ai fërkon mjekrrën e shpupurisur dhe na hedh një vështrim të ëmbël. Vështrimi i tij rrëshqet mbi konjakun, largohet, vjen përsëri tek konjaku, largohet përsëri dhe i drejtohet, lutës, kapitenit. Kapiteni qesh me zë të ulët. Qesh dhe njeriu të cilit i ngjallen shpresat. Një e qeshur e lehtë pushton të gjithë të pranishmit. Kapiteni largon mengadalë shishen, vështrimi i njeriut shpreh dëshpërim dhe nis kështu një lodër fëminore, një lloj baleti i heshtur, që, nëpërmjet tymit të dendur të cigareve, të lodhjes së natës së bardhë, imazhit të sulmit të ardhshëm, duket si ëndërr.
Dhe ne luajmë, të mbyllur në hangarin e ngrohtë të anijes sonë, ndërsa jashtë dyfishohen shpërthimet që ngjajnë me shkulmet e detit.
Këta njerëz do të pastrohen së shpejti nga djersa, alkooli, ndryshku i pritjes duke u larë në ujin mbretëror të natës së luftës. Unë e ndiej se ata janë gati-gati të pastruar. Por ata përpiqen ta vallojnë sa të mundin më gjatë baletin e të dehurit dhe të shishes. Ata do të përpiqen ta zgjasin sa më tepër që të mundin këtë lojë shahu. Ata e zgjasin jetën aq sa mund ta zgjasin. Por ata kanë ngritur një sahat me zile që mbretëron mbi një raft librash. Së shpejti zilja do të bjerë. Atëhere këta njerëz do të vishen, do të tërheqin dhe shtrëngojnë rripat. Kapiteni do të heqë atëhere revolen nga gozhda. I dehuri do të vijë atëhere në vete. Atëherë të gjithë do të përshkojnë pa u ngutur korridorin që vjen duke u ngritur butë deri tek një katërkëndësh i kaltëryer nga hëna. Ata do të thonë ndonjë gjë të thjeshtë si "Sulm i mallkuar"... ose: "Qenka ftohtë!". Pastaj do të hidhen në sulm.
Erdhi ora dhe unë pashë zgjimin e rreshterit. Ai rrinte i shtrirë në një krevat hekuri midis hedhurinave të një bimce. Dhe e vështroja tek po flinte. Më dukej se e njihja kënaqësinë e këtij gjumi pa ankthe dhe kaq të lumtur. Ai më kujtonte ditën e parë në Libi, gjatë së cilës Prevoi dhe unë, pa ujë dhe të dënuar, mundëm që para se të provonim një etje shumë të madhe, të flinim një herë, një herë të vetme, për dy orë rresht. Unë pata ndjenjën, kur më zuri gjumi, se po shfrytëzoja një pushtet të mrekullueshëm:
pushtetin e heqjes dorë nga bota rreth e përqark. Pronari i një trupi që
më kishte lënë akoma të qetë, me të fshehur fytyrën në duar, asgjë nuk e dallonte më për mua atë natë nga një natë tjetër e lumtur.Kështu po pushonte edhe rreshteri, i mbledhur kulaç, sikur të mos kishte formë njerëzore, dhe kur ata që erdhën për ta zgjuar patën ndezur një qiri që e ngulën në grykën e një shisheje, në fillim nuk dallova asgjë në këtë masë pa formë përveç këpucëve me qafa. Ca këpucë të mëdha me gozhda e pafta, këpucë argati apo dokeri.
Ky njeri ishte pajisur me vegla pune dhe në trupin e tij nuk kishte asgjë tjetër veç këtyre veglave: vezme, revolverë, rripa lëkure, një brez. Ai mbante samar, fre, të gjitha pajisjet që ka një kalë pune. Në fund të bimcave të Marokut mund të shohësh gurë të mëdhenj mulliri që vërtiten nga kuaj të verbuar. Këtu, në dritën e dridhur dhe të kuqërremtë të qiririt, zgjuan gjithashtu një kalë të verbër që të shkonte për të tërhequr rrotën e tij.
- Hej! Rreshter!
Ai lëvizi ngadalë, duke treguar fytyrën akoma të përgjumur dhe se çbelbëzoi diçka. Pastaj ai u kthye përsëri në thellësitë e gjumit si në prehjen e qetë të barkut të nënës, si nën ujëra të thella, duke shtrënguar grushtet që i hapte dhe i mbyllte sikur të kapej pas ndonjë alge të zezë. U desh që tia lironin gishtat. U ulëm në shtratin e tij, njëri nga ne i kaloi lehtë dorën nën qafë dhe duke qeshur i ngriti kokën e rëndë. Dhe kjo ishte si butësia e ca kuajve në një shtallë të ngrohtë që përkëdhelin njëri-tjetrin duke u qafuar.
"Ej, shok!" - nuk kam parë asgjë më prekëse në jetën time. Rreshteri bëri përpjekjen e fundit për tu zhytur përsëri në ëndërrat e lumtura, për tu shkëputur nga bota jonë e dinamitit, e lodhjes dhe e netëve të kallkanta, por ishte tepër vonë. Diçka vinte nga jashtë dhe i imponohej. Kështu dhe kamabana e internatit zgjon të dielën mengadalë nxënësin e dënuar. Ai i ka harruar bankën me libra, tabelën e zezë dhe dënimin. Ai sheh në ëndërr lodrat në fshat. Por më kot. Kambana vazhdon të bjerë dhe e kthen prapë pa asnjë mëshirë në padrejtësinë e njerëzve. Sikundër dhe ai, rreshteri, dalëngadalë ndien trupin e tij të dërrmuar nga lodhja, atë trup që nuk do të donte ta kishte dhe që midis të ftohtit të zgjimit ka për të njohur pas pak dhimbjet e trishtuara në kyçe, pastaj peshën e pajimeve, pastaj atë vrapin e rëndë dhe vdekjen. Jo dhe aq vdekjen se sa atë zamk gjaku, ku do të zhysë duart për tu ngritur; atë frymëmarrje të rëndë dhe atë acar përreth; jo dhe aq vdekjen sesa sikletin që ndien kur vdes. Dhe tek e vështroja, mendoja vazhdimisht për zgjimin tim, për etjen e rëndë që më ishte kthyer përsëri, për diellin, për rërën, për jetën e kthyer sërishmi, këtë ëndërr që askush nuk e zgjedh dot.Por ja tek u ngrit ai në këmbë dhe po na vështron drejt e në sy:
- Erdhi koha?
Ja këtu shfaqet njeriu. Këtu ai u shpëton të gjitha parashikimeve të logjikës: rreshteri po buzëqeshte! Ç'është ky tundim, pra?
Më kujtohet një natë në Paris, kur Mermozi dhe unë, pasi kishim festuar me disa miq nuk di ç'përvjetor, u gjendëm në agim në prag të një bari, duke ndier neveri që kishim folur aq shumë, që kishim pirë aq shumë, që ishim lodhur ashtu kot. Dhe ndërsa qielli tashmë po zbehej, Mermozi befas më shtrëngoi dorën kaq fort, sa ndjeva thonjtë e tij. "E di, tani është koha, kur në Dakar ...". Ishte ora kur mekanikët fërkojnë sytë dhe u heqin këllëfët helikave, kur piloti shkon të marrë të dhënat e stacionit meteorologjik, kur toka është e populluar vetëm me shokë. Qielli tashmë ka marrë ngjyrë, tashmë mbaruan përgatitjet për festën, por një festë e të tjerëve; tashmë u shtrua mbi tavolinë mbulesa e një gostie, në të cilën ne nuk do të jemi të ftuar. Të tjerë do të rrezikojnë...- Ç'batak është këtu ... - përfundoi Mermozi.
Po ti, rreshter, në çfarë banketi ishe ftuar që e vlente të vdisje?
Ti ma pate hapur zemrën. Ti ma pate treguar historinë tënde. Një llogaritar i vogël diku në Barcelonë, ti llogarisje shtylla me shifra pa u shqetësuar shumë për dasitë politike në vendin tënd. Por një shoku yt shkoi vullnetar, pastaj një i dytë, pastaj një i tretë, dhe ti vure re me habi se kishe pësuar një shndërrim të çuditshëm. Pak e nga pak preokupimet e tua tu dukën një gjë pa vlerë. Qejfet e tua, hallet e tua, mirëqenia jote e vogël i përkisnin një kohe tjetër. Ato nuk kishin asnjë rëndësi. Më në fund vjen lajmi i vdekjes së njërit prej shokëve të tu, që u vra në breg të Malagës. Nuk ishte puna aspak për një mik, të cilit do të doje ti merrje hakun.
Për sa i përket politikës, ajo ty nuk të kishte shqetësuar kurrë. Dhe megjithatë ky lajm kaloi sipër teje, sipër botës tënde të ngushtë, si një shkulm i erës së detit. Një shok të kishte parë atë mëngjes dhe të kishte pyetur:- Shkojmë?
- Shkojmë.
Dhe ju patët "shkuar".
Mua më vjen ndërmend një imazh që e shpjegon këtë të vërtetë që ti nuk dije ta shprehje me fjalë, por që me siguri sundonte mbi ty.
Kur kalojnë rosat e egra në kohën e shtegtimit, ato provokojnë batica të çuditshme në territoret ku fluturojnë. Rosat shtëpijake, sikur ti tërhiqte ky fluturim i madh në formë trekëndëshi, bëjnë një kërcim të ngathët për tu shkëputur nga toka. Thirrja e egër zgjon kushedi çfarë mbeturinash egërsie tek ato. Dhe ja, rosat e fermës të shndërruara për një minutë në zogj shtegtarë. Dhe ja, në kokat e tyre të vockëla e të forta, ku bredhin imazhe të varfëra të pellgjeve, krimbave dhe kotecëve, papritmas zhdërvillohen gjërësitë kontinentale, shija e erërave të hapësirave dhe gjeografia e detrave. Kafsha nuk e dinte që truri i saj ishte aq i gjerë sa të nxërë gjithë këto mrekullira, dhe ja tek rreh krahët, përbuz farët, përbuz krimbat dhë dëshiron të bëhet rosë e egër.
Por kam para syve sidomos gazelat e mia. Unë pata rritur gazela në Xhubi. Në të gjithë rrisnim atje gazela. I mbanim të mbyllura ndër vatha të rrethuara me rrjetë teli, në ajër të pastër, pasi gazelat kanë nevojë për lagështirë korente të erërave. Nuk ka gjë me të brishtë se gazelat. Megjithatë, kur kapen të vogla, ato jetojnë dhe ta marrin ushqimin në dorë. Të lenë ti përkëdhelësh dhë ta fusin turirin e lagët në pëllëmbën e dorës. Dhe ti kujton se ato janë zbutur. Kujton se i ke ruajtur nga pikëllimi i panjohur që i vret pa zhurmë gazelat dhe e bën vdekjen e tyre kaq prekëse... Por vjen një ditë kur i gjen ato me brirët e tyre të vogla mbështetur në rrjetën metalike, të kthyera nga shkretëtira. Ato janë të magnetizuara. Nuk e dinë se duan të ikin. Qumështin që u shpie vijnë dhe e pinë. Të 1ënë prapë ti përkëdhelësh, ato e fusin akoma më me dëshirë turirin në pëllëmbën e dorës tënde... Por me ti lëshuar, shikon se pas një revani, që duket i gëzuar, ato kthehen përsëri tek rrjeta metalike. Dhe po nuk ndërhyre, qëndrojnë atje me zverkun të përthyer, bile pa u përpjekur që të luftojnë kundër pengesës, por vetëm duke peshuar mbi të me brirët e tyre të vegjël deri sa të ngordhin. Mos është kjo stina e dashurisë apo është nevoja e thjeshtë për një revan te madh deri sa tu zihet fryma? Ato nuk e dinë. Atyre nuk u ishin hapur ende sytë, kur i patën zënë. Ato nuk e njohin fare lirinë e rërës, sikundër dhe erën e mashkullit. Por ju jeni shumë më i zgjuar se ato. Ju e dini se ç'kërkojnë ato. Vetëm hapësira mund tua bëjë jetën të plotë. Ato duan të bëhen gazele dhe të vallojnë vallen e tyre. Duke ecur njëqind e tridhjetë kilometra në orë, ato duan të dinë ç'është vrapimi në vijë të drejtë, i ndërprerë nga kërcime të befasishme herë këtej, herë andej, sikur nga rëra të shpërthenin flakë. Pak rëndësi kanë çakejt, kur e vërteta e gazeleve është që të shijojnë frikën, e cila i detyron të kapërcejnë mundësitë e tyre dhe të bëjnë kërcime sa më të larta! Çrëndësi ka luani, kur e vërteta e gazeleve është që të çahen nga kthetrat e tij nën rrezet e diellit! I shikon dhe mendon me vete: ato i ka zënë malli. Malli kjo është dëshira për diçka që nuk e përcakton dot as vetë... Ai ekziston, objekti i dëshirës, por nuk ka asnjë fjalë për ta shprehur.
Po neve, çfarë na mungon neve?
Çfarë gjete këtu ti, rreshter, që të krijoi bindjen për të mos e tradhtuar më fatin tënd? Ndoshta atë dorë vëllazërore që të ngriti kokën e përgjumur, ndoshta atë buzëqeshje të ëmbël që nuk shpreh ankim, por bashkësi fati? "Ej, shok...". Të të vijë keq do të thotë se akoma janë dy vetë. Do të thotë se akoma jemi të ndarë. Por ka një shkallë të tillë të lartë marrëdhëniesh, kur mirënjohja, sikundër dhe keqardhja, e humbasin kuptimin e tyre. Atëherë ne marrim frymë si një i liruar nga burgu.
Ne e patëm njohur këtë bashkim kur përshkonim në ekipe prej dy avionësh Rio de Oron
, para se ta kishim nënshtruar. Kurrë nuk kam dëgjuar që viktimat e katastrofave ajrore të falënderonin shpëtimtarët e tyre. Madje më shpesh ne shaheshim gjatë mbartjes së lodhshme të thasëve të postës nga një avion në tjetrin:"I poshtër! Për fajin tënd pësova avari, për shkak të dëshirës sate të çmendur për të fluturuar në lartësinë dy milje me të gjithë shpejtësinë midis rrymave të kundërta! Po të kishe fluturuar pas meje pak më poshtë, tani do të ishim në Port-Etjen!" dhe tjetrin, që kishte vënë në rrezik jetën e tij, e zinte turpi që ishte treguar i poshtër. Dhe përse duhej ta falënderonim? Edhe ai kishte të drejta mbi jetën tonë. Ne ishim degët e së njëjtës pemë. Dhe unë isha krenar për ty që më shpëtoje!Përse ti vijë keq për ty, rreshter, atij që të përgatit për vdekjen? Ju rrezikoni jetën për njëri-tjetrin. Në këtë çast zbulon atë bashkim që nuk ka më nevojë për fjalë. Unë e kuptoj vajtjen tënde në ushtri. Në rast se në Barcelonë ishe i varfër, ndoshta, i vetmuar pas punës, në rast se trupi yt nuk gjente asnjë strehim, këtu ti provoje ndjenjën e plotësisë, ti bashkoheshe me të përbotshmen: ja pra se si ty, paria
(2), të priti dashuria.Unë as që dua ta di nëse ishin të sinqerta apo jo, të logjikshme apo jo, fjalët e mëdha të politikanëve që patën hedhur farën tek ti. Në qoftë se ato zunë tek ti, sikundër mund të zënë farët, kjo ndodhi pasi ato u përgjigjeshin nevojave të tua. Vetëm ti mund të gjykosh për këtë. Janë tokat ato që dinë të dallojnë drithin që u duhet.
3
Vetëm atëherë ne marrim frymë lirisht, kur jemi të lidhur me vëllezërit tanë nga një qëllim i përbashkët dhe që ndodhet jashtë nesh, dhe përvoja na tregon se të duash nuk do të thotë të vështrosh njëri-tjetrin, por të vështrosh bashkërisht në të njëjtin drejtim.Vetëm ata janë shokë që kapen në të njëjtin litar, duke u ngjitur drejt së njëjtës majë. Përndryshe, përse të provojmë, bile në shekullin e komfortit, një gëzim kaq të plotë duke ndarë midis nesh ushqimet e fundit në shkretëtirë?
A nuk vlen kjo kundër parashikimeve të sociologëve? Të gjithë atyre midis nesh që patëm marrë pjesë në ekipet e shpëtimit në Saharë çdo gëzim tjetër na është dukur i kotë.Kjo ndodh mbase ngaqë bota sot ka filluar të lëshojë kërkëllima shembjeje rreth nesh. Çdokush mrekullohet nga fetë që premtojnë një plotësi të tillë. Të gjithë me fjalë kontradiktore shprehim të njëjtën aspiratë shpirtërore. Ne ndahemi nga njëri tjetri vetëm nga metodat që janë frut i arsyetimeve tona jo nga qëllimet, të cilat janë të njëjta.
Prandaj nuk duhet të çuditemi. Kush nuk dyshon se një i panjohur fle brenda vetes së tij, por e ndien se si ky zgjohet një herë në një bimcë të anarkistëve në Barcelonë për shkak të një flijimi, të shpëtimit të shokut, të një imazhi të ashpër të drejtësisë, ai nuk do të njohë vetëm një drejtësi, drejtësinë e anarkistëve. Dhe kush bën roje një herë për të mbrojtur një turmë murgeshash të vockla të gjunjëzuara, të trembura, në një manastir të Spanjës, ai do të vdesë për Kishën.
Po ti kishit kundërshtuar Mermozit, kur ai u krodh në shpatet kiliane të Andeve me fitoren në zemër, duke i thënë se ai gabohej, se ndoshta nuk ia vlente të rrezikonte jetën për letrën e një bakalli, Mermozi do të kishte qeshur me ju. E vërteta është njeriu që lindi tek ai, atëherë kur kapërceu Andet.
Në rast se doni ta bindëni për tmerret e luftës dikë që nuk është kundër luftës, mos e trajtoni atë kurrë si një njeri të egër. Përpiquni ta kuptoni para se ta gjykoni.
Le të marrim atë oficerin e Jugut, i cili komandonte në kohën e luftës së Rifit
(3) një postë të përparuar, të vendosur në një cep midis dy maleve me kryengritës. Një mbrëmje ai priti disa parlamentarë që zbritën nga masivi i perëndimit. Ata ishin duke pirë çaj, sikundër është zakoni, kur shpërthyen të shtënat. Fisi i masivit të lindjes sulmoi postën. Parlamentarët armiq i thanë kapitenit që po dilte për të luftuar: Sonte ne jemi mysafirët e tu. Zoti nuk na e lejon që të të braktisim.... Ata u bashkuan me të zotët e shtëpisë, shpëtuan postën dhe shkuan pastaj në folenë e tyre të shqiponjave.Por në vigjilje të ditës kur ata nga ana e tyre po bënin përgatitje për të sulmuar, i çuan ambasadorët kapitenit:
- Atë mbrëmje ne të ndihmuam...
- Po, është e vërtetë...
- Ne shpenzuam për ty treqind fishekë...
- Është e vërtetë.
- E drejta e kërkon që të na i kthesh.
Dhe kapiteni, që ishte një zotni i madh, nuk mund të përfitonte nga fisnkëria e tyre. Ai ua ktheu fishekët që ata do ti shfrytëzonin kundër tij.
E vërteta për një njeri është ajo që e bën atë njeri. Kush ka njohur këtë dinjitet marrëdhëniesh, këtë besnikëri ndaj rregullave të lojës, këtë dhunti reciproke të një respekti që e zbukuron jetën, kur e krahason këtë lartësim, që mundi të provonte, me atë mirësinë mediokre të një demagogu, i cili ua shpreh ndjenjat e veta vëllazërore po këtyre arabëve me ca të rëna zhurmuese në shpatulla, duke iu bërë qejfin dhe në të njëjtën kohë duke i poshtëruar, ai nuk do të ndjejë gjë tjetër kundrejt jush, në rast se do të përpiqeni ta kundërshtoni, përveç se një keqardhje pak përbuzëse. Dhe është ai që do të ketë të drejtë.
Por edhe ju do të keni po aq të drejtë për ta urrejtur luftën.
Për të kuptuar njeriun dhe nevojat e tij, për të njohur më të qenësishmen tek ai, nuk duhen vënë kundër njëra tjetrës dëshmitë e të vërtetave tuaja. Po, ju keni të drejtë. Ju keni të gjithë të drejtë. Logjika i provon të gjitha. Madje ka të drejtë edhe ai që ua hedh fajin për të këqijat e kësaj bote gungaçëve. Në rast se do tu shpallnim luftë gungaçëve, ne do të mësonim shpejt si ta mbushnim veten me urrejtje. Ne do të hakmerreshim për krimet e gungaçëve. Dhe me siguri që gungaçët gjithashtu do të kryenin krime.
Duhet që për të gjetur të qenësishmen të harrojmë për një çast dallimet, që po u pranuan një herë, krijojnë të gjitha bashkë një Kuran të vërtetash të palëkundshme bashkë me fanatizmin që rrjedh prej tyre. Njerëzit mund të ndahen në të djathtë dhe në të majtë, në gungaçë dhe jo gungaçë, në fashistë dhe në demokratë, dhe këto ndarje janë të pakundërshtueshme. Por, sikundër e dini, e vërteta është ajo që e thjeshtëzon botën dhe jo ajo që krijon kaos. E vërteta është ajo gjuhë që ndihmon të gjendet e përgjithshmja. Njutoni nuk zbuloi aspak një ligj të fshehur për një kohë të gjatë në mënyrën si zgjidhet një rebus
(4). Njutoni kreu një operacion krijues. Ai krijoi një gjuhë njerëzore që mund të shprehë në të njëjtën kohë si rënien e mollës mbi bar ashtu dhe lindjen e diellit. E vërteta nuk është aspak ajo që provon, por ajo që thjeshtëzon.Çfarë dobie ka të diskutojmë për ideologjitë? Në rast se të gjitha provohen, në të njëjtën kohë të gjitha mund të kundërshtohen dhe këto diskutime bëjnë që të humbasësh shpresën për të shpëtimin e njerëzve. Dhe kjo në një kohë kur njerëzit, kudo rreth nesh, tregojnë se kanë të njëjtat nevoja.
Ne duam të jemi të çliruar. Ai që i bie kazmës dëshiron të dijë kuptimin e kësaj goditjeje me kazëm. Dhe goditja me kazëm e të burgosurit, që e poshtëron të burgosurin, nuk është e njëjtë me goditjen me kazëm të gjeologut, që e
larton gjeologun. Burgu nuk është atje ku njerëzit punojnë me kazëm. Tmerret nuk janë diçka fizike. Burgu është atje, ku goditjet që jep njeriu me kazëm nuk kanë asnjë kuptim, atje ku këto goditje nuk e lidhin këtë njeri me tërë shoqërinë njerëzore.
Dhe ne duam të shpëtojmë nga burgu.
Janë dyqind milionë njerëz në Europë, të cilët bëjnë një jetë pa kuptim dhe do të donin të rilindnin. Industria i ka shkëputur ata nga gjuha që kishin folur brez pas brezi si fshatarë dhe i ka mbyllur në ca geto jashtëzakonisht të mëdha, të cilat ngjajnë me stacionet e seleksionimit të mbushura me vargje vagonësh të zinj. Nga thellësia e qytezave të punëtorëve ata dëshërojnë të rizgjohen.
Ka të tjerë njerëz të përfshirë në ingranazhin e profesioneve më të ndryshme, të cilëve u janë ndaluar gëzimet e zbuluesit,
gëzimet e besimtarit, gëzimet e dijetarit. Ndokush mendonte se për ti rritur ata shpirtërisht mjafton që ti veshësh, ti ushqesh, tu përgjigjesh të gjitha nevojave që kanë. Dhe kështu pak e nga pak formuan prej tyre mikroborgjezin e Kurtëlinit (5), politikanin. e fshatit, teknikun pa një jetë të vetën të brendshme. Ata i stërvisin mirë, por nuk i edukojnë aspak. Ka një mendim të gabuar mbi kulturën ai që kujton se ajo qëndron në mbajtjen mend të disa formulave. Një nxënës i keq i kursit të matematikës speciale di më shumë për natyrën dhe ligjet e saj se sa një Dekart (6) apo një Paskal (7). Por vallë është i aftë ai të ketë të njëjtat vrulle mendore si ata?
Të gjithë, pak a shumë turbull, ndiejnë nevojën për të rilindur. Por ka zgjidhje që të gabojnë. Është e vërtetë se njerëzit mund të gjallërohen po të vishen me uniformë. Atëherë ata do të këndojnë himnet e tyre luftarake dhe do ta ndajnë bukën e tyre me shokët. Ata do ta gjejnë atë që kërkojnë - shijen e të përgjithshmes. Por nga ajo bukë që u kanë dhënë, ata do të vdesin.
Mund të çvarrosen idhujt prej druri dhe të ringjallen mitet e vjetra që keq apo mirë e kanë kaluar provën e tyre, mund të ringjallet mistika e pangjermanizmit apo e Perandorisë Romake. Mund të budallallepsen gjermanët me dehjen se janë gjermanë dhe bashkëpatriotë të Bethovenit. Mund t'i dehësh kështu të gjithë gjer tek marinari më i thjeshtë. Kjo, natyrisht, është një gjë më e lehtë se të zbulosh nj
ë Bethoven tek pastruesi i oxhaqeve.Por këta idhuj janë idhuj mishngrënës. Kush vdes për përparimin e njohjes apo shërimin e sëmundjeve, ai i shërben jetës edhe në kohën që vdes.
Ndoshta është gjë e bukur të vdesësh për zgjerimin e një territori, por lufta e tanishme ka shkatërruar atë që pretendon të favorizojë. Nuk bëhet më fjalë sot për të sakrifikuar pak gjak për të gjallëruar të gjithë racën. Një luftë, përveç që ka të bëjë me përdorimin e avionit dhe të ipritit, nuk është gjë tjetër veç se një kirurgji e përgjakshme. Secili është futur në një strehim me mure betoni, secili, duke mos gjetur zgjidhje më të mirë, dërgon natë për natë skuadrilje për ta goditur tjetrin mu në zorrët e barkut, për të hedhur në erë qëndrat e tij vitale, për të paralizuar prodhimin dhe komunikacionet. Fitorja është e atij që do të shkatërrohet i fundit. Dhe të dy kundërshtarët do të shkatërrohen bashkarisht.
Në një botë të kthyer në shkretëtirë, ne jemi të etur për të gjetur shokët tanë: shija e bukës së ndarë midis shokëve na ka bërë të pranojmë vlerat e luftës. Por ne nuk do të kishim nevojë për luftë që të gjenim ngrohtësinë e supave fqinjë në një rrugë drejt të njëjtit qëllim. Lufta na ka mashtruar. Urrejtja nuk i ka shtuar asnjë gjë të vyer ekzaltimit të kësaj rruge.
Përse ta urrejmë njëri tjetrin? Ne jemi solidarë, na mbart i njëjti planet, jemi ekipazh i të njëjtës anije. Dhe në rast se është mirë që qytetërimet të ballafaqohen për të favorizuar sinteza të reja, është një gjë monstruoze që ata të hanë njëri-tjetrin.
Sepse që
ne të çlirohemi, mjafton të na ndihmojnë të bëhemi të vetëdijshëm për një qëllim që do të na lidhte njëri me tjetrin dhe ta kërkojmë atë atje ku ne jemi të gjithë të bashkuar. Kirurgu që bën vizitën nuk dëgjon ankimet e atij që viziton: nëpërmjet tij është njeriu që ai përpiqet të shërojë. Kirurgu flet një gjuhë të përbotshme. Kështu dhe fizikanti, kur mediton për ekuacionet gati hyjnore, me anën e të cilave ai kap njëherësh thelbin e atomit dhe të mjegullnajave. Dhe kështu është gjer edhe tek bariu më i thjeshtë. Sepse ai që ruan me modesti disa dele nën qiellin me yje, në rast se bëhet i vëtëdijshëm për rolin e vet, zbulon se është më shumë se një shërbëtor. Ai është një rojë. Dhe çdo rojë përgjigjet për të gjithë perandorinë.Mos kujtoni se ky bari nuk do që të bëhet i vetëdijshëm për rolin e vet? Unë pata vizituar në frontin e Madridit një shkollë të vendosur pesëqind metra larg transhesë, prapa një muri të vogël me gurë, sipër një kodre. Një kapter jepte mësim botanike. Duke treguar me dorë organet e brishta të një lulkuqeje, ai tërhiqte brenda ca shtegtarë mjekëroshë, të cilët mezi çanin baltën përreth dhe vinin në pelegrinazh tek ai, pa marrë parasysh predhat e artilerisë. Me tu grumbulluar rreth kapterit, ata dëgjonin të ulur si rrobaqepës, me mjekrën të mbështetur në dorën e mbledhur grusht. Ata rrudhnin vetullat, shtrëngonin dhëmbët; shumë gjëra nga mësimi nuk i kuptonin, por ai u kishte thënë: "Ju jeni xhahilë, ju porsa keni dalë nga strofkat tuaja, duhet arritur njerëzimi". Dhe ata vraponin me hapat e tyre të rëndë për ta arritur.
Kur ne të bëhemi të vetëdijshëm për rolin tonë, qoftë ky dhe më i parëndësishmi, vetëm atëherë ne do të jemi të lumtur. Vetëm atëherë ne mund të jetojmë në paqë dhe të vdesim në paqë, sepse ajo që i jep kuptim jetës, i jep kuptim edhe vdekjes.
Vdekja është kaq e ëmbël kur është e natyrshme, kur fshatari plak i Provansës në fund të mbrëtërimit të tij u dorëzon në ruajtje bijëve të vet ca dhi e ca ullinj, me qëllim që këta, nga ana e tyre, tua transmetojnë ato fëmijëve të tyre. Njeriu vdes vetëm përgjysëm në një familje fshatare. Çdo qenie çahet si një bishtajë dhe lëshon farët e veta.
Jam ndeshur një herë me tre fshatarë të ulur pranë shtratit të vdekjes të nënës së tyre.
Natyrisht ishte një gjë e dhimbshme. Për të dytën herë u ishte prerë kërthiza. Për të dytën herë ishte zgjidhur një nyjë: ajo që lidh një brez me një tjetër. Këta tre djem befas e kuptuan se ishin të vetmuar, se akoma duhej të mësonin gjithçka tani që kishin humbur sofrën familjare, ku mblidheshin ditët e festave, tani që kishin humbur polin që i grumbullonte të gjithë. Por unë zbulova gjithashtu në këtë këputje se jeta mund të jepet për të dytën herë. Edhe këta djem do të bëhen baballarë djemsh, qëndra grumbullimesh dhe patriarkë, deri në çastin, kur dhe ata, nga ana e tyre, do tia lënë komandën kësaj pjelle vogëlushësh që po luajnë tani në oborr.
Vështrova nënën, këtë fshatare plakë me fytyrë të qetë dhe të ashpër, me buzë të shtrënguara, këtë fytyrë të shndërruar në një maskë guri. Dhe njoha tek ajo fytyrën e të bijëve. Kjo maskë kishte shërbyer për të derdhur fytyrat e tyre. Trupi i saj kishte shërbyer për të derdhur trupat e tyre, këto modele të bukura burri. Dhe tani ajo pushon si një lëvozhgë e çarë, së cilës i kanë hequr kokrrat. Nga ana tjetër, bijtë dhe bijat e saj do të derdhin nga mishi i tyre fëmijë të vegjël. Në këtë fermë nuk vdesin. Vdiq nëna, rroftë nëna!
E dhimshme, vërtet, por njëkohësisht dhe kaq e thjeshtë është kjo shëmbëlltyrë e trungut të familjes fshatare, që braktis gjatë rrugës njërën pas tjetrës lëvoren e bukur të këtyre të vdekurve flokëbardhë, duke marshuar përmes metamorfozave të veta drejt një të vërtete të panjohur.
Kjo është arsyeja që po këtë mbrëmje mu duk se kambanat e vdekjes të fshatit të vogël nuk shprehnin dëshpërim, por një ngazëllim të përmbajtur dhe të butë. Ato që kremtojnë me të njëjtin zë varrimin dhe pagëzimin, njoftuan edhe një herë për zëvendësimin e një brezi nga një tjetër. Dhe njerëzit përjetonin një paqëtim të madh tek dëgjonin të këndonin për martesën e një plake të varfër me dheun.
Ajo që transmetohet kështu nga brezi në brez, me ngadalësinë që rritet një pemë, është jeta, por është edhe vetëdija. Çfarë ngjitjeje misterioze! Nga një lavë e vluar, nga një brum yjesh, nga një celulë e gjallë, që lindi si një mrekulli, dolëm ne dhe pak nga pak u lartuam aq shumë sa të shkruajmë kantata dhe të masim Kashtën e Kumtrit.
Nëna nuk transmetoi vetëm jetën: ajo u mësoi të bijëve një gjuhë, u besoi atyre një bagazh të grumbulluar kaq me ngadalë gjatë shekujve, trashëgiminë shpirtërore që ajo vetë e kishte marrë dikur në dorëzim, atë pasuri të vogël traditash, konceptesh dhe mitesh që përbëjnë të gjithë atë ndryshim që ndan Njutonin apo Shekspirin nga njeriu i egër i shpellave.
Ajo që ne ndiejmë kur kemi uri, atë uri që i shtyn ushtarët e Spanjës të shkojnë nën predhat e armëve në mësimin e botanikës, që e shtyu Mermozin drejt Atlantikut të Jugut, që shtyn të tjerë drejt poemës së tyre, është se gjeneza e njeriut nuk ka përfunduar aspak dhe se ne duhet të bëhemi të vetëdijshëm për veten dhe për gjithësinë. Ne duhet të hedhim ura nëpër natë. Vetëm ata, që urtësinë e shohin tek indiferenca, të cilën e quajnë egoizëm, nuk duan t'ia dinë për këtë. Por gjithçka e përgënjeshtron këtë
urtësi! Shokë, shokët e mi, ju thërres dëshmitarë, më thoni, kur e kemi ndier ne veten të lumtur?
4
Dhe ja që m'u kujtuan, në faqen e fundit të këtij libri, ata nëpunësit e plakur që na shërbenin si kortezh në agimin e fluturimit të parë, kur ne përgatiteshim të burrnoheshim, duke patur fatin të na caktonin pilotë të postës. E, pra, ata ishin të ngjashëm me ne, por nuk e dinin aspak se kishin uri.
Ka shumë njerëz që i lenë të flenë!
Para disa vjetësh, kur po bëja një udhëtim të gjatë me tren, unë desha ta shikoja këtë shtëpinë time me rrota, ku qeshë mbyllur tri ditë, të tri ditët rob i një zhurme zajesh të rrokullisur nga deti. U ngrita dhe një orë të tërë shëtita në mëngjes nëpër tren. Vagonat e fjetjes ishin bosh. Vagonat e klasit të parë gjithashtu ishin bosh.
Por vagonat e klasit të tretë ishin mbushur plot e përplot me qindra punëtorë polakë që po largoheshin nga Franca dhe po ktheheshin në Poloni. Dhe unë kaloja nga një vagon në tjetrin duke kapërcyer trupa njerëzish. Ndalesha për të parë. Nën dritën e llambës së natës unë pashë në këtë vagon pa perde, që ngjante me një han dhe vinte erë kazerme apo seksioni policie, një mizëri njerëzish të hutuar dhe të tronditur nga
lëkundjet e trenit ekspres. Një mizëri njerëzish të zhytur në ëndërra të këqija dhe që po ktheheshin përsëri në varfërinë e tyre. Koka të mëdha të rruara rrokulliseshin nëpër dërrasat e bankave. Burra, gra, fëmijë, të gjithë ktheheshin sa majtas-djathtas, të sulmuar nga gjithë këto zhurma, nga gjithë këto tronditje që i kërcënonin në përhumbjen e tyre. Ata nuk kishin gjetur mikpritjen e një gjumi të mirë.
Dhe ja, mua më dukej se ata i kishin humbur përgjysmë vetitë njerëzore, të përplasur nga një cep i Evropës në tjetrin nga korentet ekonomike, të shkulur nga shtëpia e vogël në Nor (8), nga kopshti mikroskopik, nga tre poçet me barbarozë që unë kisha parë shpesh herë në dritaret e minatorëve polakë. Në dengjet e lidhura keq dhe të grisura gjithandej ata kishin mundur të mblidhnin vetëm enët e kuzhinës, jorganët dhe perdet. Por të gjitha ato që ata kishin përkëdhelur, që kishin dashur, të gjitha ato që ata kishin zbutur e bërë për vete gjatë atyre katër apo pesë vjetëve, që kishin ndenjur në Francë, qenin, macen dhe barbarozën, duhej t´i flijonin, dhe me vete po merrnin vetëm këto enë kuzhine.
Një fëmijë thithte gjirin e një nëne aq të lodhur, sa dukej sikur të ishte duke fjetur. Jeta transmetohej midis absurditeteve dhe rrëmujës së këtij udhëtimi. Vështrova babanë. Një kafkë e rëndë dhe e lakuriqe si një gur. Një trup i palosur në një gjumë të parehatshëm, i burgosur ne rrobat e punës, tërë gunga e shenja plagësh. Burri ngjante si një shuk balte. Kështu natën nëpër bankot e parqeve dergjen ca partalla që s'kanë më asnjë formë. Dhe unë mendoja: problemi nuk qëndron në këtë varfëri, në këtë ndyrësi, as në këtë shëmti. Por po ky burrë dhe po kjo grua u njohën një ditë prej ditësh, dhe me siguri burri i buzëqeshi gruas dhe padyshim pas punës i solli lule. I druajtur dhe i ngathët, ai ndoshta dridhej nga frika se mos e përbuzin. Por gruaja, lozonjare nga natyra, e sigurt për hiret e saj, kishte qejf ndoshta ta shqetësonte pakëz. Dhe tjetri, që sot nuk është më veçse një makinë për të gërmuar apo thyer qymyrin, provonte atëherë në zemrën e vet një ankth të ëmbël. Është mister se si u shndërruan ata në një shuk balte. Në çfarë forme të kenë kaluar vallë që i ka stampuar kështu porsi një presë? Edhe një kafshë e plakur e ruan hirin e saj. Përse të jetë prishur vallë kështu ky argjil i bukur njerëzor?
Dhe vazhdova udhëtimin tim midis këtyre njerëzve, gjumi i të cilëve ishte i shqetësuar si në një vend të përdalë. Aty endej një zhurmë e turbullt, e shkaktuar nga gërrhimat e ngjirura, rënkimet e shurdhëta, kërcitjet e këpucëve të atyre që, të lodhur në një brinjë, ktheheshin në brinjën tjetër. Dhe vazhdimisht në surdinë dëgjohej avazi i pareshtur i zajeve të rrëkëllyera nga deti.
U ula përballë një çifti. Midis burrit dhe gruas një fëmijë kishte bërë, mirë apo keq, djepin e vet dhe po flinte. Por ai u kthye në gjumë, dhe në dritën e llambës së natës unë pashë fytyrën e tij. Ah! Çfarë fytyrë e mrekullueshme! Ky çift kishte lindur një fryt të praruar. Nga këta gji të rënë kishte lindur kjo kryevepër bukurie dhe hiri. U përkula mbi këtë ballë të lëmuar, mbi këto buzë të fryra lehtë dhe thashë me vete: ja fytyra e një muzikanti, ja Moxarti fëmijë, ja një premtim i bukur i jetës. Princat e vegjël të përrallave s'ndryshonin aspak prej tij. E çfarë s'mund të bëhet ai po ta mbrojnë, edukojnë dhe të përkujdesen për të! Kur për shkak shndërrimesh të ndryshme në kopsht lind një trëndafil i ri, të gjithë kopshtarët emocionohen. Marrin dhe e veçojnë trëndafilin, e rrisin dhe i krijojnë të gjitha kushtet. Por për njerëzit nuk ka kopshtar. Moxarti fëmijë do të ketë, sikundër dhe të tjerët, vulën e presës. Gëzimi më i madh i Moxartit do te jetë një muzikë e qelbur midis kutërbimit të një kafeneje me orkestër. Moxarti është i dënuar.
U ktheva në vagonin tim. Nuk është bamirësia këtu që më torturon. Nuk është puna të prekesh nga një plagë që smbyllet kurrë. Këtu është puna se i gjithë fisi njerëzor dhe jo vetëm individi është i plagosur, është i gjymtuar. As që besoj në keqardhjen. Eshtë pikëpamja e kopshtarit që më mundon. Ajo që më mundon nuk shërohet me supën për varfanjakë. Ajo që më mundon nuk janë as plagët, as gungat, as shëmtia. Ajo që më mundon është se tek seicili nga këta njerëz është vrarë pakëz Moxarti.
Vetëm Fryma, po qe se prek baltën, mund të krijojë Njeriun.
____________________
1 -
P.K. Postë komanda2 - Paria - tek indianët, njeri i shtresës më të ulët, pa asnjë të drejtë.
3 -
Rif (Er Rif ) Zonë kodrinore në bregdetin e Marokut të veriut. Popullsia berbere e kësaj krahine ruajti me krenari pavarësinë deri sa u nënshtrua nga forcat franceze dhe spanjolle (1925-1926).4 -
Rebus paraqitje e fjalëve në formë pikturash apo simbolesh, që shpesh formojnë gjë e gjëza.5 -
Courteline, Georges Moinaux (1858-1929) shkrimtar e dramaturg francez.6 - Descartes Rene. 1596-1650. Matematicien dhe filozof francez. Konsiderohet si babai i gjeometrisë analitike, ai formuloi sistemin kartezian të kordinatave. Filozofia e tij mbështetet në premisën racionale: "Unë mendoj, prandaj ekzistoj".
7
- Pascal Blaise. 1623-1662. Filozof dhe matematicien francez. Midis arritjeve të tij janë shpikja e një makine ndihmëse dhe zhvillimi i teorisë moderne të probabilitetit.8 - Nor - Pellg qymyrguror i Francës
__________________
Antoine de Saint - Exupery - Toka e Njerëzve. Përktheu nga origjinali Çezar Kurti. Shtëpia Botuese "Naim Frashëri", Tiranë, 1986
Copyright©1986 by Çezar Kurti