Publicistikë

Cilat janë forcat e errta që pengojnë demokratizimin e shoqërisë sone
Nëpër faqet e shtypit po shprehet vazhdimisht shqetësimi i ligjshëm për disa "forca të errta", të cilat duan të pengojnë proceset demokratike që kanë filluar në vendin tonë.
Eshtë me vend që duke ruajtur gjakftohtësinë, duke iu drejtuar arsyes së shëndoshë, të bëhet analiza e gjendjes dhe të përcaktohen pastaj qartë këto forca, të izolohen dhe të përpiqemi që pjesëmarrja e tyre në zhvillimin e ngjarjeve të jetë me sa më pak pasoja.
Një analizë e tillë kërkon patjetër që t'i kthehemi të kaluarës. Thirrjet e ndryshme që t'i mbyllim dëfterët e së kaluarës nuk është e drejtë, sepse të vërtetat e fshehura nuk lejojnë që të gjenden zgidhjet optimale për të ardhmen, nuk i japin siguri shoqërisë se gabimet e së kaluarës nuk do të përsëriten më. Natyrisht, duke rikujtuar të kaluarën, do të na duhet të përjetojmë sërish peripecitë që kemi përjetuar, por kjo është e vetmja mënyrë për të arritur ataraksinë (qetësinë dhe ekulibrin shpirtëror). Ne, masat e gjera të popullit urojmë që pas këtyre peripecive, sikurse pas tragjedive greke, të ketë një komedi të gëzuar, që nuk siguron vërtet menjëherë lumturinë e shumëdëshiruar, por të paktën krijon premisat për të qenë më të lumtur.
Dhe populli shqiptar e meriton një jetë më të mirë, një jetë më të begatë, më të kulturuar dhe të lirë. Ai nuk ka kursyer kurrë as gjakun, as djersën, as mundin dhe, natyrisht, as ëndërrat.
"Forcat e errta" vërtet mund ta shpien popullin drejt humnerës së vëllavrasjes. Ato duhen identifikuar me gjakftohtësi, me urtësi. Duhen demaskuar dhe izoluar që të mos fusin pasjonet e tyre "gjaknxehta" në zgjidhjen e punëve të popullit dhe të kombit, të detyrohen t'i nënshtrohen vullnetit të popullit, t'ia nënshtrojnë interesat e tyre egoiste dhe meskine interesave të larta të atdheut.
Jemi duke përjetuar një krizë të rëndë ekonomike dhe politike.
Kriza ekonomike shprehet në shkrehjen e punës, boshatisjen e tregut, në faktin se nuk po kërkojmë më kredi, por ndihma humanitare. Nuk po përmendim këtu varfërinë, e cila prej disa vjetësh apo dekadash ka pllakosur vendin (thuhet se jemi midis vendeve të botës së katërt, gjë që nuk është përgënjeshtruar).
Kriza politike shprehet me faktin se pushteti shtetëror nuk funksionon më si më parë. Presidenti merr pushtete të jashtëzakonshme, krijohet një këshill presidencial, një qeveri stabiliteti, që zëvendësohet nga një qeveri teknike etj.
Mos vallë kjo krizë ishte pasojë e pluralizmit? Sepse në vështrimin e parë duket sikur të gjitha këto fenomene u shfaqën pas shpalljes së pluralizmit partiak. Besoj se të gjithë e kuptojnë se ishte pikërisht kjo krizë që shkaktoi nevojën e lindjes së pluralizmit partiak për të dalë në skenë ato forca, të cilat nuk pajtoheshin me gjendjen ekzistuese të gjerave. Prandaj duhet t'i kthehemi doemos qoftë edhe fare shkurt të kaluarës, për të parë çfarë ndodhi dikur në thellësi të saj, për të kuptuar se çfarë forcash veprojnë sot në skenën politike dhe cilat janë "forcat e errta".
Dhe po t'i kthehemi të kaluarës, nuk mund të mos flasim për veprimtarinë e Partisë së Punës (ish Partia Komuniste), e cila ka qenë protagonisti kryesor, demiurgu i gjithë asaj që u krijua në vendin tonë gjatë këtyre dyzet e pesë vjetëve.
Nuk ka asnjë dyshim se Partia Komuniste ka meritën që udhëhoqi popullin shqiptar në luftën për çlirimin e vendit dhe për nisjen e revolucionit demokratiko-borgjez në Shqipëri, dhe për këtë ajo pati përkrahjen e plotë dhe entuziaste të pjesës më të madhe të popullit. Por pastaj....
Pastaj nis edhe e keqja, pasojat e së cilës po shfaqen tani haptazi, megjithëse kanë ekzistuar prej kohësh.
Si pasojë e tendencave sektariste, që ishin vënë re tek Partia dhe ishin kultivuar dhe ruajtur me xhelozi (ose më mirë me gjak) prej saj gjatë kohës së luftës, por natyrisht dhe nga mosnjohja e ligjeve te zhvillimit të shoqërisë, në një vend si yni, ku shumica e popullsisë (90%) ishin pronarë të vegjël, bujqër në fshat dhe zanatçinjë në qytet, dhe që porsa nisi revolucionin demokratik, u vendos "Diktatura e Proletariatit" (pa patur asnjë proletar të mirfilltë) me misionin që të ndërtohej socializmi, domethënë të vendoseshin marrëdhëniet socialiste në prodhim. Dhe kjo u realizua sipas skemave më të gabuara, më të dhunëshme, në fillim titiste dhe pastaj staliniste. Marksi, si themelues i teorisë komuniste, e kishte përcaktuar teorikisht se revolucioni socialist është i mundur dhe i paevitueshëm vetëm atëherë, kur forcat prodhuese arrijnë një nivel të tillë zhvillimi, sa që ato nuk i durojnë më marrëdhëniet e pronësisë kapitaliste, dhe proletariati që përbënë shumicën e shoqërisë dhe është i zhveshur plotësisht nga pronësia mbi mjetet e prodhimit, bën shoqërizimin e tyre, menjëfjalë i kthen ato në pronë të të gjithë shoqërisë.
Natyrisht, këtu nuk është fjala për të diskutuar doktrinën marksiste dhe aq më tepër përjetshmërinë e saj. Marksi vërtet ishte politikan, por para së gjithash ishte shkencëtar dhe e parashikoi të ardhmen në atë masë që e mundësoi realiteti i kohës dhe që ai pati analizuar. Me teorinë e Marksit nuk mund të mos ndodhte ajo që ndodh me çdo teori tjetër, sado shkencore që të jetë për kohën. Teoritë vjetërohen. Kështu ndodhi me teorinë mekanike të Njutonit, kur Ajnshtajni zbuloi teorinë e relativitetit. Vetë dialektika marksiste (hegeljane) provon dhe predikon se nuk ka asgjë të përjetshme: fenomenet lindin, zhvillohen, plaken dhe vdesin (shuhen). Nuk dimë akoma se në çfarë mase postulati marksist i përmendur më lart mbi zëvëndësimin e marrëdhënieve kapitaliste me ato socialiste e ka humbur forcën e tij bindëse dhe drejtësinë e argumentit. Natyrisht, "teoria marksiste" dështoi plotësisht në kampin e lindjes me shembjen e të ashtuquajturit sistem socialist, por ruan akoma forcën në Perëndimin kapitalist, i cili është i detyruar vazhdimisht që të reformohet disi në favor të punëtorisë.
Edhe Lenini, që avancoi mundësinë e fitores së socializmit në një vend të vetëm, nuk guxoi realisht të bënte reforma që të dilnin jashtë kuadrit të reformave demokratike në Rusi, sidomos në fshat, megjithëse nuk u tregua aspak i butë, sikundër duan të thonë, në përdorimin e dhunës së diktaturës së kuqe.
Këtë e bëri Stalini, dhe e bëri me një dhunë të pashembulltë. Dhuna e tij dhe e sistemit që vendosi qe e vazhdueshme dhe masive. Kjo dhunë dhe ky sistem qenë një lëngim i thellë, çnjerëzues dhe i përhershëm i shoqërisë ruse, për shkak të të cilit ajo pagoi, po paguan dhe do të paguajë mbase edhe për një kohë shumë të gjatë një haraç të rëndë: të varfërisë, dëshpërimit dhe konfuzionit shpirtëror dhe shoqëror.
Ashtu sikundër e pagoi, po e paguan dhe me sa duket do ta paguajë për një kohë të gjatë këtë haraç edhe populli ynë.
Vendosja e "diktaturës së proletariatit" në fshat dhe në qytet, megjithë ndonjë arritje që siguron shoqërizimi i mjeteve të punës, pati si rezultat kryesor, sikundër del tani, frenimin e forcave prodhuese dhe proletarizimin e vërtetë të fshatarësisë dhe të zanatçinjëve të qytetit. Ky lloj "socializmi" bëri atë që në vendet e zhvilluara të Evropës dhe në Amerikë e pati bërë kapitalizmi fillestar.
Megjithëse thuhej dhe thuhet se kolektivizimi në bujqësi tek ne, në Shqipëri, u bë me bindje, gjithsesi nuk kishte si të mos bëhej vetëm me dhunë dhe sipas skemës staliniste. Pronari i vogël u zhvesh nga prona e tij. Nuk flasim këtu për industrinë, sepse ose nuk e kishim fare ose e kishim në format më fillestare. Kështu që ajo lindi që në fillim si industri shtetërore. Por edhe ajo u mbush me punëtorë që për nga origjina kishin qënë pronarë të vegjël tokash, fshatarë apo zanatçinjë nëpër qytete. Qytetet tona ishin krejt të pazhvilluara dhe ato nuk kishin fare pak ose aspak punëtorë por vetëm zanatçinjë. Këta pronarë të vegjël u transplatuan në "ekonominë socialiste" me të gjitha karakteristikat e një mikroborgjezi, dhe para së gjithash me dëshirën dhe zakonin për të zhvatur sa më shumë për vete. Për këtë qëllim, ky ish mikroborgjez përdori të gjitha mënyrat e mundshme. Njëra nga mënyrat më të leverdisshme dhe më komode, që për më tepër inkurajohej nga vetë Partia komuniste në pushtet, ishte futja në parti, në ushtri, në polici dhe në organet e sigurimit, zënia e funksioneve në të gjitha shkallët e partisë dhe të pushtetit. Dhe kjo ndodhte më tepër në formën e krijimit të klaneve të tëra në këto organizma, që ishin shprehje e mendësisë feodale dhe fisnore të vendit tonë. Kush nuk pati mundësinë ta bënte këtë, vidhte sa të mundëte nga prona dhe puna e përbashkët, në formën e kohës së punës, të parazitizmit, të vjedhjes së të mirave materiale etj.
E keqja tjetër është se karakteristikë e mikroborgjezit është se ai di të përshtatet dhe pajtohet me pushtetin në fuqi, pajtohet dhe përshtatet me çdo formë pushteti, mjafton që vija të shpjerë sa më shumë ujë në "parcelën" e tij. Pushtetarët komunistë mundën të bënin çfarë deshën me popullin për shkak të këtij pajtimi dhe bindjeje të plotë nga ana e një popullësie tejet "fshatare-mikroborgjeze". Dhe haraçin e këtij konformizmi, të "kësaj përshtatjeje" mikroborgjeze, po e paguan ekonomia, pushteti dhe më tepër vetë Partia e Punës, e cila u mbërthye dhe vazhdon të jetë e mbërthyer nga "këmisha e forcës" e një dogmatizmi dhe konformizmi skajor.
E vërteta është se ne sot jemi dëshmitarë të daljes nga partia të shumë "bukëshkalëve", që në të vërtetë janë bashkëpjesëmarrës aktivë në të gjitha ato që ndodhën në shoqërinë tonë. Nderi i tyre e kërkonte që të mos dilnin nga partia e tyre "e lavdishme", por të përpiqeshin ta ndreqnin dhe reformonin, ta demokratizonin dhe ta bënin një forcë pozitive në interes të zhvillimit të demokracisë së vendit tonë.
Skema staliniste sovjetike u imitua pikë për pikë edhe në politikë. Partia e shkatërroi edhe atë pak demokraci të brendshme që mund të kishte pasur në kohën e krijimit të saj. Vendimi nga lart ishte i padiskutueshëm për masën e komunistëve edhe kur u ishte parashtruar për shqyrtim. Vendimet e partisë ishin vendimet e shtetit. Ajo u kthye në mbishtet. Me hierarkinë e saj feodale bizantine, në krye është një sekretar i parë me atributet e kryeprofetit dhe të kryevasalit të pakundërshtueshëm, pastaj vijnë vasalët e tjerë me rradhë: anëtarët e byrosë politike, anëtarët e komitetit qëndror, sekretarët e rretheve, sekretarët e ndërmarrjeve etj. Partia vetë përqëndroi në duart e saj pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Ajo vendoste për planet e zhvillimit ekonomik e deri tek arrestimi e dënimi i "armiqve të popullit". Vendimet për dënimin e "kundërshtarëve politikë" mirreshin nga komitetet e partisë, proces-verbalet e plenumeve të komitetit qëndror shërbenin si dëshmi për arrestimin dhe dënimin e hierarkëve të partisë. Pushteti legjislativ dhe ekzekutiv nga qëndra dhe deri në hallkat më të ulta, këshillat popullore dhe komitetet ekzekutive të fshatrave dhe drejtoritë e ndërmarrjeve, nuk mund të bënin asnjë veprim pa udhëzimet dhe lejen e komitetit apo sekretarit të partisë. Kuadri ishte monopol i Partisë. Mbledhjet e partisë bëheshin me dyer të mbyllura. Zgjedhjet ishin formale, votohej për listat e aprovuara në komitetet e partisë dhe Ministrinë e brendshme.
Dhe poshtë kullave të këtij "socializmi feudalo-bizantin" ishin burgjet më të tmerrshme të Lindjes së kuqe për "armiqtë e klasës", por ku nuk munguan të bien nganjëherë edhe komunistët omnipotentë që bëheshin tepër të rrezikshëm.
Partia në pushtet kurrë nuk e rreshti luftën kundër "burokratizmit", "shfaqjeve të huaja" etj. Ajo zhvilloi fushata të panumërta "spastrimesh" për këtë qëllim. Por ajo asnjëherë nuk u kujtua ose nuk guxoi ta vinte gishtin tek shkaku i vërtetë i burokratizmit. Burokracinë nuk e përbëjnë nëpunësit e gjorë që mbajnë evidenca në çfarëdo fushe të administratës qofshin. Kjo lloj burokracie është e pashmangshme dhe e domosdoshme për çdo shtet dhe për çdo veprimtari shtetërore. Ngjarjet e vitit të kaluar në vendet e Lindjes ish socialiste dhe tani kohët e fundit në vendin tonë tregojnë se burokracia e vërtetë, ajo që e rrudh, e venit, i merr frymën dhe jetën shtetit është Partia moniste komuniste me kompetencat dhe fuqitë e saj të jashtëzakonshme mbishtetërore dhe mbiligjore.
Funksionarët e lartë të partisë, të pajisur me një pushtet të madh politik, sipas shkallës që zënë në hierarkinë partiake, me privilegje ekonomike që përbëjnë një kontrast të turpshëm me jetën tërë mundim dhe mjaft modeste, për të mos thënë të varfër, të shumicës dërrmuese të popullit, janë "forcat e errta" në procesin e demokratizimit të vendit, sepse janë ata që kanë se çfarë të humbasin nga demokratizimi, nga vendosja e shtetit juridik. Këto forca nuk kanë më asgjë të përbashkët me idealet e predikuara për një kohë të gjatë të barazisë dhe demokracisë, janë ato që kundërshtojnë me tërbim dhe pengojnë në të gjitha mënyrat luftën kundër burokracisë partiake (urojmë që kjo luftë të jetë e pandërprerë edhe në të ardhmen në partitë e porsakrijuara të "krahut demokratik", sepse çdo parti porsa merr pushtetin ka tendenencën t'i hipë në zverk shtetit dhe popullit). Këta duhen indikuar para të gjithëve si "forca të errta" që duan të pengojnë proceset demokratizuese.
Ekzistojnë edhe të ashtuquajturat "forca të errta" që indikohen nga shtypi i Partisë së Punës. Këta janë ish të burgosurit, ish të dënuarit nga ligjet drastike të diktaturës së proletariatit, viktimat e "luftës së klasave". Po, është e vërtetë se edhe këto forca mund ta pengojnë demokratizimin ose mund ta bëjnë atë të dhimbshëm, vëllavrasës me "hakmarrjen" e tyre. Ne nuk e dimë akoma se sa të dënuar me ligjet e shkruara dhe të pashkruara të diktaturës ka patur gjatë këtyre 45 vjetëve si pasojë e luftës së pamëshirshme që u zhvillua tek ne kundër "armikut të klasës" dhe ideologjisë borgjezo-revizioniste. Sepse me vendosjen e diktaturës së proletariatit në vend që të bënte politikën e pajtimit kombëtar dhe të tregohej një parti humane dhe demokratike, Partia Komuniste e Shqipërisë zhvilloi një nga luftrat më të ashpëra të klasës, që mund të krahasohet mbase vetëm me periudhën staliniste në B.S.
Këta "të dënuar" gjithashtu kanë motivet e tyre për të ndikuar në zhvillimin e ngjarjeve. Por fakti që demokracia nuk sjell për ta veç kushteve të barabarta për t'u inkuadruar në procesin e zhvillimit shoqëror është një arsye e fortë për të besuar se ata nuk ka pse të paraqesin rrezik. Krijimi i partive demokratike hap mundësitë e gjera që këta t'i drejtojnë energjitë e tyre në të mirë të zhvillimit demokratik të atdheut dhe të kombit. "Hakmarrja" e tyre le të zëvëndësohet me "fisnikërinë" e faljes. Mos të harrojmë shembullin e madh human dhe patriotik të Kosovës trime dhe të shumëvuajtur - faljen e gjaqeve.
Forca më e rrezikshme për demokratizimin e vendit janë ata funksionarë të partisë që nuk duan të pajtohen me demokracinë pluraliste, me humbjen e pushteteve dhe privilevegjeve të tyre. Mbase kanë frikë se duhet të paguajnë edhe për ushtrimin e pushtetit në tejkalim të ligjeve në fuqi. Veprimtaria e tyre është e dëmshme aq më tepër edhe për faktin se duke mos u bërë ende çpolitizimi i Ministrisë së brendshme, i ushtrisë, i gjykatave dhe prokurorisë, ata kanë akoma në dorë armët e tyre të verbëra për të demtuar procesin e zhvillimit demokratik. Në mënyrë të veçantë mund të jetë e dëmshme veprimtaria e Ministrisë së brendshme, me rrjetin shumë të degëzuar të punonjësve zyrtarë dhe të bashkëpunëtorëve të fshehtë apo të padeklaruar.
Përderisa Partia e Punës pranoi ekonominë e tregut, pluralizmin dhe krijimin e shtetit juridik, ajo duhet të reformohet edhe vetë, të demokratizohet edhe vetë nga poshtë lart. Eshtë koha që Partia e Punës t'u kthehet idealeve të Q. Stafës dhe V. Shantos. Vetëm demokratizimi i saj i vërtetë the thelbësor do të sigurojë demokratizimin e vendit tonë pa shkatërrim, pa gjak dhe me pajtim kombëtar.
(Ky artikull u shkrua në shkurt 1991 dhe u dha për botim në gazetën "Rilindja Demokratike" dhe "Republika", por botimi i tij u refuzua nga Frrok Çupi dhe Vangjush Gambeta, ish kryeredaktorë të këtyre gazetave).
Të konsolidojmë me ligj një shtyp të lirë dhe demokratik
Krijimi i shtypit demokratik është rezultati më real dhe i ndjeshëm i zhvillimeve demokratike në vendin tonë fill pas krijimit të partive politike. Vërshimi i mendimit të lirë në shtypin demokratik, etja me të cilën ai lexohet, ose më mirë përpihet nga masa e gjerë e popullit, na ngjason me vërshimin e një lumi jetëdhënës mbi një tokë të tharë, të përzhitur dhe të plasaritur nga thatësira prej një kohe shumë të gjatë. Sepse pushteti monist, si kuçedra e përrallave, i kishte zënë të gjitha vijat nga mund të vinte uji jetëdhënes.
Eshtë folur mjaft për dëmet dhe krimet që janë bërë kundër popullit nga pushteti totalitar i PPSH. Por, me siguri, ka ende mjaft për të thënë. Shtypja e pamëshirshme e shprehjes dhe e qarkullimit të lirë të mendimeve, mungesa e plotë e shtypit të lirë dhe ndalimi për të marrë informacion bashkëkohorë, është një nga aspektet më të errëta të veprimtarisë së këtij pushteti totalitar. Pasojat kemi për t'i ndjerë për një kohë të gjatë në fushat politike, social-ekonomike dhe kulturore.
Megjithëse nuk përmendej asgjëkundi në legjislacion fjala cenzurë dhe as ka qenë insstitucionalizuar me ligj ndonjë organ cenzure, ajo si një merimangë mëndjetharëse dhe shpirtvrasëse pështillte me pezhishkën e saj të gjitha mjetet e informimit publik, entet botuese, bibliotekat, tekstet dhe programet mësimore të shkollave, të gjitha botimet dhe prurjet e literaturës së huaj.
Fijet e kësaj cenzure të pashpallur drejtoheshin nga Hermesët-kasnecë të Zeusit në KQ. Zelli cenzurues arrinte deri në një absurditet të tillë, sa edhe buletinet informative të Redaksisë së jashtme të ATSH-së klasifikoheshin dhe shpërndaheshin sipas një protokolli të rreptë midis vetë hierarkëve të Partisë. Ishin të paktë ata që mund t'i lexonin të gjitha (vetëm anëtarë të caktuar të Byrosë Politike). Bëhej kjo nga frika apo dëshira për të patur rreth vetes njerëz sa të pakulturuar, aq dhe të painformuar?.
Në një shkallë më poshtë cenzura ushtrohej nga kryeredaktorët e organeve të shtypit, drejtorët e shtëpive botuese, shefat e redaksive që dhe postin e siguronin me "besnikërinë", "partishmërinë" e tyre më shumë se sa me përgatitjen kulturore dhe zotësinë profesionale.
Dhe, së fundi, ajo ushtrohej me autocenzurën. Mungesa e saj të shpinte në kthetrat e një merimange më ogurzezë, të sigurimit të shtetit, që zbatonte menjëherë dhe pa hezitim nenin për krimin e "agjitacionit dhe propagandës". Sepse mund të dënoheshe jo vetëm për veprat e botuara, por edhe për dorëshkrimet e paraqitura nëpër redaksitë e enteve botuese.
I cenzuruar në këtë mënyrë, i specializuar për të fshehur të vërtetën dhe për të mbuluar gënjeshtrën, për të dezinformuar opinionin publik, për të zbukuruar realitetin e mjerë, shtypi monist kultivonte tek "njeriu i ri" hipokrizinë sociale, përshtatshmërinë, konformizmin dhe servilizmin politik, dyzimin shpirtëror dhe intelektual, idhujtarinë, dhe për pasojë kultivonte shterpësinë mendore dhe shpirtërore.
Vetërrethimi politiko-shtetëror dhe vetizolimi ekonomiko-kulturor plotësoej me vetëburgosjen shpirtërore dhe mendonre.
Do të mbetet një nga veprat më të zeza të diktaturës së PPSH-së në fushën e kulturës kalimi në rezervat i një pjese të mirë të fondit të librave dhe të shtypit periodik të huaj (bashkëkohor kryesisht) nëpër biblioteka.
Intelektualët shqiptarë u detyruan të burgosin librat. Një pjesë të mirë edhe i ekzekutuan, duke i dërguar në fabrikën e letrës për t'u kthyer në karton. Ata u detyruan të burgosin vetveten. Të presin kordonin ushqyes për mendjet dhe shpirtërat e tyre. Nuk ka kulturë kombëtare jashtë kulturës gjithënjerëzore, sikundër nuk është i lirë një popull që nxitet të armiqësohet me të gjithë popujt e tjerë. Farën e armiqësisë e mbjellin dhe e kultivojnë tiranët pushtetmbajtës dhe kurrë popujt!
Me një fjalë, një cenzurë reale, dhe pse e padukshme, si një gardh i padepërtueshëm (si telat me gjemba përgjatë kufirit të vendosura për të penguar qarkullimin e lirë të njerëzve) pengonte të futej çdo libër apo botim që mund të nxiste mendimin e lirë.
Ç'mund të thuhet për gjymtimin e teksteve dhe programeve shkollore, që duhej t'i përshkonte si "një fill i kuq" ideologjia e Partisë dhe "mësimet e pavdekshme të sh. Enver Hoxha"? Ç'dëme kolosale i janë shkaktuar popullit, duke përgatitur në bazë të tyre breza të tërë shkollarësh gjysmakë?
Rezultatet i ndjejmë që tani. Duam të kalojmë në ekonominë e tregut dhe nuk kemi specialistë që t'i njohin ligjet e saj qoftë edhe teorikisht. Duam të ndërtojmë një shtet ligjor, një shtet juridik, një kushtetutë demokratike, bashkëkohore, dhe nuk kemi specialistë që të njohin mirë ligjet dhe nënligjet e shtetit juridik. A mund t'u vëmë faj specialistëve që nuk gjejnë asnjë literaturë nëpër biblioteka?
Kuvendi Popullor pluralist së afërmi do të shqyrtojë "Ligjin mbi shtypin". Shpresojmë se ai do të aprovojë një ligj që do të garantojë realisht të drejtën e çdo shtetasi jo vetëm për të shprehur lirisht mendimet dhe opinionet e tij në mjetet e informimit publik, por edhe të drejtën për t'u informuar lirisht me anën e mjeteve të mundshme (të arritshme) të informimit publik. Këto të drejta duhet të garantohen deri dhe me mundësinë e ndjekjes ligjore të realizimit dhe moscënimit të tyre.
Duhet të hapen të gjitha vijat e ujit jetëdhënës, që ai të vërshojë lirshëm mbi tokën arbërore, në mënyrë që të japin frutet e duhura farët e mbjella të demokracisë. Për këtë duhet të hiqet çdolloj cenzure (me përjashtim të botimeve a shkrimeve që nxisin për vepra, të cilat bien ndesh me Kushtetutën dhe cipën publike). Të marrë fund një herë e përgjithnjë monopolizimi i mjeteve të informimit publik, duke i dhënë të drejtën çdo shtetasi apo grupi shtetasish dhe jo vetëm partive politike për të hapur gazeta apo shtëpi botuese.
Duke konsoliduar me ligj një shtyp të lirë e demokratik, një shtyp të "së vërtetës", do të mbrojmë qeveritarët nga korrupsioni dhe gabimet, do të mbrojmë popullin nga qeveritarët e korruptuar, e sigurojmë dhe e bindim popullin se ai është i kulturuar dhe i denjë për të ecur në një hap dhe ballëlartë me të gjithë popujt e qytetëruar të Evropës dhe të botës, sikundër diti ai të bindë botën e qytetëruar se, megjithëqë jetoi për dhjetra vjet nën një diktaturë të egër, atij kurrë nuk iu shua etja dhe dëshira për liri dhe demokraci.
Duke konsoliduar me ligj një shtyp të lirë, demokratik, të çliruar nga çdo lloj cenzure, i vëmë një nga shtyllat kryesore godinës së shtetit juridik, që po përpiqemi të ndërtojmë.
"Rilindja Demokratike", Tiranë, Qershor 1991.
Çfarë ndodhi atë ditë në Durrës
Kisha vendosur të nisesha atë ditë marsi në Durrës me trenin e orës gjashtë, pasi trenat e tjerë vonojnë shumë gjatë rrugës dhe në vend të një ore udhëton më se dy orë.
Autobusat janë çrregulluar kohët e fundit, mendova me vete, dhe e mira është të shkoj në këmbë në stacion. Megjithëse binte shi, u nisa. Në stacion pranë arkës së vetme, që qëndronte hapur, kishte shumë njerëz. Ia dhashë paratë një të riu që të mirrte edhe për mua një biletë dhe po prisja nën strehën e madhe para stacionit. Por edhe aty shiu, i grumbulluar lart në çatinë prej llamarine, binte nga të çarat bile me pika edhe më të mëdha se përjashtë. Treni i orës gjashtë, për çudi, kishte shumë pasagjerë.
Vagoni, ku hipa, ishte me xhama të thyer, ndenjëse të lagura...Ndërrova vagonin. Edhe aty ishte njëlloj. Edhe tjetri, edhe tjetri. Në vagonin e fundit, shiu që binte pa ndërprerë hynte brenda.
U ula dhe do të kisha ndenjur rehat, i pështjellë me atë muzgun e errët dhe të lagështitur të atij mëngjesi, duke dremitur apo duke ëndërritur, siç bëj zakonisht kur shkoj në Durrës, duke kujtuar ndonjë ndodhi nga fëminia që kam kaluar këtu...
Pranë meje u ulën dy si bregdetas, që jepnin e merrnin njëri me tjetrin herë greqisht, herë shqip. Shqipen e flisnin shumë mirë.
Vagoni u mbush plot. Një dritë e zbehtë, që nuk e mundëte dot muzgun akoma të errët të mëngjesit, ishte nderur kudo. I pështjellur nga ai ajër i lagësht, por që tani ishte vakur nga frymët e njerëzve, zura një pozicion të rehatshëm dhe po mendoja si në dremitje.
Fqinjët e mi nuk kishin të pushuar. Flisnin me zë aq të lartë, sa nuk mund të mos i dëgjoje. Madje biseda e tyre të imponohej. Me sa mora vesh, kishin shkuar në Tiranë për të marrë vizat në ambasadën greke. Edhe në stolin tjetër, me të cilin na ndanin disa trupa njerëzish, po bëhej i njëjti muhabet. Tek e fundit, kjo ishte tema e ditës për të gjithë.
Më tepër për t'u dhënë të kuptonin dy bashkudhëtarëve të mi se edhe ne pa dashur po e dëgjonim bisedën e tyre, i them atij që ishte më i moshuar, një mesoburri babaxhan me flokë të zbardhur:
- Më falni, me sa po kuptoj, tani greku i jepka vizat pa fletë-garanci?
- Po, - m'u përgjigj, - nuk ka nevojë më për fletë-garanci.
- Ju i morët?
- Jo, por do t'i marrim.
- Vonojnë shumë?
- Varet. Një i njohuri im mori dhjetë viza brenda ditës. Varet, ti e kupton.
- Epo mirë, - i them, - të paktën tani mund të shkojnë si njerëz.
- Po, po, - vërtetoi ai.
M'u kujtuan ato që më kish thënë një shoku im. E shoqja kish qënë për vizitë në Greqi dhe kish parë shumë refugjatë shqiptarë. Kudo i shihnin me sy jo të mirë, kudo i paguanin shumë më pak se punëtorët grekë.
- Mor po, thonë se nuk i durojnë shqiptarët atje?
- Ashtu është, vërtet. Lloj-lloj njerëzish kanë shkuar.Por ata që duan të punojnë janë rregulluar mirë.
Se si më shkoi menjëherë në mendje dyndja e refugjatëve demokratë grekë nëpër tokën shqiptare. Isha i vogël atëherë, por më kujtohet fare mirë se si i pritën kudo me dhemshuri. Askush nuk shprehu shenjën më të vogël të përbuzjes për këta njerëz të gjorë që ishin të detyruar të braktisnin atdheun me gra, pleq e fëmijë.
M'u kujtua se si një ditë, në kampin e pionerëve buzë liqenit X, bashkë me ne po laheshin edhe disa fëmijë grekë që kishin ardhur tok me prindërit e tyre si mysafirë të kampit. Ata nuk dinin not dhe laheshin në cektinë. Njëri prej tyre, nja dhjetë vjeç, shkoi pak më thellë dhe ngeci në mes të barishteve. Ai ngrinte njërin krah lart duke u përpjekur t'i jepte trupit lart që të çlirohej nga barishtet dhe bërtiste. Bërtisnin edhe burrat e gratë që ishin në breg. Ndërkohë që ca nga shokët tanë më të rritur shkuan ta shpëtonin, ne shihnim me ankth se si djaloshi bërtiste dhe ngrinte njërin krah. Prisnim të pasonte ngritja e krahut tjetër, por krijohej një pauzë, kishte një lëvizje bosh. Kur e nxorën në breg ai ishte mavijosur dhe pamë se nga njëri krah kishte mbetur vetëm një cung. Ai kishte qënë me një dorë. Prindërit deshën ta rrihnin për tronditjen që u kishte shkaktuar, por shokët tanë ndërhynë dhe nuk i lanë. Të gjithëve na erdhi keq dhe na bëri përshtypje ashpërsia e tyre. Në drekë të gjithë i shpumë racionin tonë të biskotave.
Dhe ndërkohë bashkudhëtari im m'i ndërpret mendimet:
-Ata që nuk duan të punojnë, kudo e kanë pisk. Ja, djali im, iu shtrua punës. Mbledh portokalla. Këtu ishte pa punë. Dhe e di sa merr? Pesë mijë dhrahmi në ditë!
- E sa bëjnë pesë mijë dhrahmi? - e pyes si me mospërfillje.
- Pesë mijë lekë!
- Pesë mijë lekë? - më shpëtoi nga habia. Me siguri, shton shumë. Pak më shumë se pesë mijë lekë në muaj marr unë që kam punuar tërë jetën. Nuk më besohet. Megjithatë nuk e kundërshtoj. Baba është. Le të rrojë, tek e fundit, dhe ai me ca iluzione.
- Pesë mijë lekë, - më tha ai përsëri me bindje.
Më nuk fola. Kemi dëgjuar shumë kohet e fundit, mendova. Shtojnë dhe shumë.
Bashkudhëtarët e mi vazhduan bisedën e tyre. Po flisnin tani për ca të njohur që ishin rregulluar në vende të ndryshme të Evropës. Djali i Janit është rregulluar në Francë, Andonit i erdhi një pako nga Gjermania...
Ndërsa unë po tirja mendimet e mia. Po mendoja pa dashur për eksodin e përhershëm të popujve. Për eksodin e kafshëve të shkretëtirës. Kur fillon shpërngulja, kafshët nisin shpërnguljen e madhe. Të parat janë gazelet e gjora që ndjejnë mungesën e barit. Ato ngrenë turirin e lagësht dhe nuhasin vlagën e ajrit. Ku ka vlagë, ka dhe barë. Sa nisen kopetë e para, pastaj tufat e gazeleve nuk ndalen më dot. Nisen pastaj xhirafat, zebrat, të gjithë banorët paqësorë dhe barëngrënës të shkretëtirës. Dhe pas tyre menjëherë nisen mishngrënësit, luanët, tigrat, leopardët, dhe kërmëngrënësit - hienat, korbat... Jo se vuajnë nga thatësira, por nga që nuk rrojnë dot pa barëngrënësit paqësorë...
Kështu shpërngulen dhe popujt. Dynden. Dhe gjithnjë nga Lindja në Perëndim, nga Veriu në Jug. Sipas lëvizjes së Diellit, sikur thotë një shoku im. Edhe ata ikin nga thatësira dhe shkojnë atje ku ka barë të njomë. Dynden njerëzit prehistorikë gjatë ngrirjes e shkrirjes së akujve, dynden gotët, hunët, vikingët, sllavët, arabët, Azia e osmanllinjve që ngeci në trojet tona... Dhe çdo dyndje ndryshon pamjen e Evropës. Vetëm Shqipëria u tkurr në malet e saj të ashpëra e të paepura. Edhe në kohët moderne dynden italjanët në veri të Evropës, grekët në Evropë e Amerikë.
Mendoj për dyndjen e dhimbshme të shqiptarëve..."O e bukura More...". Mbushin shqiptarët Atikën, ishujt e Greqisë...pastaj Kalabrinë, Siçiljen.
Shkojnë kurbetlinjtë nëpër Lëndinën e Lotëve për të shtruar rrugët dhe hekurudhat e Evropës deri në Siberi dhe Amerikë. Marrin me vete nga një kulaç të fortë dhe një tufë borzilok të tharë si kujtim nga mëmëdheu... Dhe ja tani refugjatët, por pa kuleçë, pa një tufë me borzilok të tharë...
- Mund t'i hipësh tragetit në Sarandë. Kushton lirë, - i thotë babaxhani njërit që e pyet.
Saranda. Këtej besoj do të jetë nisur për në kurbet Naimi me të vëllezërit, Abdylin dhe Samiun..."O malet e Shqipërisë... që ju kam ndërmend ditë e natë!". Mesazhi më i thekshëm për mëmëdhenë. Iku Naimi dhe nuk u kthye më. Pse nuk u kthye? Mos vallë kishte frikë se mos prishte imazhin që kish krijuar për mëmëdhenë ? ... Nuk u kthyen as Vaso Pasha, as Samiu, as... U kthye Plaku i Vlorës, fitoi dhe iku për të mos parë dhembjen e humbjes...Noli nuk u kthye. Noli erdhi për të parën herë tek dheu i nënës dhe i babait, pastaj edhe ai iku dhe nuk u kthye më...
Jashtë filluan të vizatoheshin më shkoqur siluetat e objekteve që rrëshqisnin përgjatë trenit. Po zbardhte.
Kur sosëm në Durrës kishte zbardhur. Qielli tani ishte hapur, kishte lagështirë, por ishte mjaft ngrohtë. Marr rrugën për në shtëpinë e mikut, Kalova kafenenë para stacionit, Fermentimin dhe u futa në rrugën që të shpie në port. Po ecja pa e patur mendjen , si nëpër një rrugë që e ke shkelur shpesh herë, dhe do të isha përmendur nga mendimet, siç më ndodh zakonisht, kur të trokisja tek dera e apartamentit. Por, befas, se si hodha sytë përpara dhe shoh se në të dy anët e trotuarit nxiton një vargan jo i zakontë njerëzish. Vallë të shkojnë të gjithë në punë? Ku ? Puna ka filluar. As në shkollë nuk shkojnë, nuk shoh të kenë libra në duar. Kthej sytë prapa, e njëjta gjë. Një vargan tjetër me njerëz. Ngre kokën lart, dritaret dhe ballkonet janë të mbushura me njerëz. Mor po ç'është kjo punë? Nuk di që Durrësi të ketë sot ndonjë festë. Bri meje ecte një si fshatar me një torbë në dorë. Një vajzë e re tha me qesëndi:
- Edhe ky xhaja më duket dashka të iki ...
Shoqet e saj ia krisën të qeshurit. Pasi bëmë disa hapa më tutje, larg syve të vajzës hokatare, e pyes fshatarin:
- Si është puna? Ku shkojnë gjithë këta njerëz?
- Vallahi, nuk di gjo, - më përgjigjet si i gjorë.
Pyes një kalimtar tjetër, ai nuk më përgjgjet fare. Nxiton. Ndërkohë në mes të shakave, shpotive, dëgjoj fjalën "trageti, trageti". Aha, mendoj me vete, me sa duket sot vjen trageti nga Italia.
Miku im sa ishte ngritur dhe, pa e përshëndetur akoma mirë, e pyes:
- Si është puna? Ç'është kjo mori njerëzish që po shkon drejt portit? Po durrsakët pse kanë dalë të bëjnë sehir?
- O, nuk e di ti? - më thotë. - Kanë përhapur fjalë se do të vijnë tre tragete dhe mund të hipësh pa patur vizë. Disa kanë dy netë që flenë poshtë shkallëve të shtëpive. Disa kanë marrë dhe fëmijët me vete.
- E vërtetë është?
- Nuk e besoj. Pallavra, me siguri; -përgjigjet ai shkurt.
Miku më bëri një kafe të fortë. Nuk ndenjëm gjatë, sepse i thashë:
- Hajde dalim më mirë. Koha është e ngrohtë.
Marrim rrugën e bregdetit. Tek Banka është një kordon me policë. Nuk lejohet kalimi. Policët kanë mburoja dhe shkopinj, por janë të qetë. Rreth e qark në distancë ka plot njerëz.
është e qartë se kordoni është vendosur për të mos lejuar kalimin për në port. Trageti. Tre tragetët.
Fytyra të përgjumura, si të alucionuara, me rroba të zhubrosura dhe si të palarë e të parruar vërtiten në një ecejakje të vazhdueshme. Aty këtu disa grupe të vogla pensionistësh durrsakë. Kur kalojmë pranë njërit prej tyre, dëgjoj:
- Eme Qazimo, le të shkojnë çunat ma mirë të punojnë se të sorrollaten kot.
- Mirë thu tina, - përgjigjet me sa duket Qazimi. - Po ku i ke tragetët se! Trageti erdhi, shkarkoi pasagjerët dhe iku bosh. Kot e kanë zavallët. I kanë rrejtë.
Dhe, vërtet, trageti nuk është në vendin e tij. Ka ikur. Megjithatë, njerëzit vazhdojnë ecejakjen. Rrugicat sipër Kishës së vjetër ortodokse janë mbushur me njerëz, që enden andej këndej, pa gjetur dot një vend për t'u ngulur. Ka dhe sehirxhinjë. Dritaret, ballkonet dhe tarracat e shtëpive janë mbushur me soditës. Në krye të çdo rrugice që del në rrugën kryesore të portit ka nga një kordon me policë. Edhe para Komitetit Ekzekutiv. Ndërsa tek godina e Teatrit kordoni përshkon të gjithë sheshin e madh. Nga larg policët duken si luftëtarë të lashtësisë, me helmeta, mburoja dhe shkopinj në vend të shpatave. Atje turma është e distancuar. Kanë filluar të qëllojnë me gurë. Ushtarit të mesit i duhet të bëjë mrekullira akrobacie për t'u shpëtuar goditjeve. Kur ndonjë gur godit në shenjë, turma gjëmon, çfryn. Ndonjë polic i nevrikosur matet të qëllojë. Atëherë turma zbrapset me zhurmë. Polici lëshon gurin përtokë. Kanë urdhër të mos qëllojnë.
Tek Komiteti miku im i drejtohet një oficeri të policisë:
- Mor shok, më falni, por pse nuk i lajmëroni qytetarët se nuk ka traget. Nuk e shihni ç'po bëhet?
- Ke të drejtë, - i thotë polici. - Por me këtë merret tjetërkush. Unë kam urdhër të rri këtu.
Kalojmë sheshin dhe ngjitemi tek Klubi i rinisë, shkallët e të cilit janë mbushur me spektatorë. Që këtej duket si në pëllëmbë të dorës e gjithë rruga për në port dhe sheshi i madh. I ndarë nga kordonat e policëve, ai duket edhe më i madh.
Një dritë si e verdhë e kaltërt, e tejdukshme dhe e lehtë pështillte çdo gjë rretheqark. Një mot i tillë pas shiut shkakton një ngritje dhe një lehtësi të pakuptueshme shpirtërore. Dhe mbase kjo qe një nga shkaqet që atje u luajt me lehtësinë më të madhe një dramë e hidhur.
Përballë, në një farë distance, janë vendosur policët me helmeta e mburoja dhe turma. Të duket sikur je duke soditur përgatitjet e një beteje në lashtësi. Lufta e Trojës. Vetëm se më shkon në kokë një mendim absurd: grekët mbrojnë Trojën nga sulmet e trojanëve.
Pas kordonit të policëve plasi një bombë tymuese, e hedhur nga turma. Shpërthimi qe aq i papritur, sa disa policë u hodhën përpjetë. Turma shpërtheu në të qeshura. Gazi pushtoi gjithë sheshin. Qeshën edhe ata që ishin nëpër tarraca. Edhe vetë policët qeshën.
Një breshëri gurësh, të shkëputura nga Kalaja mijravjeçare u përplas me potere të madhe mbi makinën jeshile të policisë. Përsëri të qeshura. Sipër makinës kishte dhe altoparlant, por askush nuk i lajmëroi qytetarët se nuk kishte traget. E çuditshme! Logjika të thoshte se dikush duhej ta bënte këtë gjë. Madje duhej ta kishte bërë me kohë. Dhe ja tani ishte krijuar një gjendje pritmënie nga të dy palët, forcat e rendit dhe turma e popullit. Cila do të lodhej, cila do të mërzitej dhe do të ikte? Por asnjëra palë nuk i lëshonte pozicionet. Policia ruante gjakftohtësinë, turma maste pulsin me ndonjë gur dhe zbrapsej. Të dukej sikur po luanin lojën e shkeljes së gurit, e sharjes së nënës...
Një breshëri tjetër godet me rrapëllimë makinën misterioze ngjyrë jeshile, me perde, altoparlant dhe të armuar. Përsëri të qeshura.
Turma sikur është trimëruar pak si tepër. Dikush fillon të qëllojë xhamat e Komitetit Ekzekutiv. Njërit që kam afër dhe e shoh me gur në dorë i fola. I thashë: ç'faj kanë xhamat? Ai më pa një herë me inat, por shpejt e kuptoi se kisha të drejtë dhe nuk ia kisha me të keq. E hodhi gurin. Por, ndërkohë, një tjetër nga poshtë, që ishte rrekur disa herë ta godiste, më në fund ia arriti qëllimit dhe e bëri copë një xham të katit të sipërm. Turma bërtiti si e çliruar. Tabuja ishte shkelur... Mëllefi i gjatë filloi të zbrazej...Por kishte plot nga ata që vetëm bënin sehir. Disa shprehnin edhe pakënaqësi. Dëgjova mikun tim të thoshte:
- Mosni, mor djema! Ç'keni me ndërtesat. Janë djersa e gjaku i popullit. Asnjë qeveritar nuk i ngre godinat ku sundon me paratë e veta...
Tani loja kishte marrë fund. Guri ishte shkelur, nëna ishte sharë...
- Ikim më mirë, - më tha miku.
- Nuk rrihet më, -i thashë unë.
Kaluam përmes sheshit, ku përballë njëri-tjetrit qëndronte një rresht me djem populli, me helmeta, mburoja dhe shkopinj, dhe një turmë po me djem populli, e irrituar, buçitëse, që herë trimërohej e bënte përpara dhe herë tërhiqej e frikësuar, porsa ndonjë nga policët e zemëruar merrte gurin në dorë apo ngrinte shkopin lart...
Kaluam përmes këtij sheshi, ku të dy palët dukej sikur i kishin përfunduar përgatitjet për luftim. Dhe për rreth vetëm soditës. Asnjëri nuk u ngrit të thoshte: mor po ndaluni se jemi vëllezër,
nuk bën të vrasim njëri-tjetrin, nuk bën të shkatërrojmë.
Ikëm në shtëpi me parandjenjën e dhimbëshme të asaj që do të ndodhte dhe që asnjeri nuk u përpoq ta ndalte. Dhe ndodhi një shkatërrim i turpshëm...
Për një kohë të gjatë vrava mendjen për ato që ndodhën. Atyre që më pyetën për ngjarjet e Durrësit, u thashë se policia u tregua shumë e durueshme dhe korrekte, nuk bëri asnjë provokim. Bile u thashë se një polic, që e qëlluan keqas me gurë, në fillim ngriti shkopin i tërbuar, duke e bërë turmën të ikte me vrap. Por në çast ai vetë nisi të thërriste: "Kthehuni, kthehuni se nuk u bëj gjë!". Dhe nuk kam gënjyer. Kjo është më se e vërtetë. E pashë me sytë e mi.
Por u thashë edhe një të vërtetë tjetër, akoma edhe më të madhe. U vunë përballë njëri-tjetrit djemt e popullit. Asnjë nuk u përpoq ta ndalte lojën e shkeljes së gurit, të sharjes së nënës dhe të parandalonte përleshjen, shkatërrimin. Shkatërrimin e turpshëm. Përleshjen midis gazeleve që nuhatën vlagën jetike dhe kërkojnë bar, që duan, por s'dinë mbase si të shpëtojnë nga thatësira e lëndinës, për të cilën u thoshnin se ishte lëndina më e begatë në botë, dhe të atyre që u vënë pengesa, që u vënë gardh, i ndalin, dhe jo duke u kundërvënë personin e tyre, por vëllezërit e tyre të një gjaku.
Dhe gazelat, që e kishin nuhatur nga vinte vlaga, ku kishte bar, kur panë se u vunë barrierë, e çfrynë verbërisht, çnjerëzisht dufin e tyre, duke shkatërruar edhe vathën, ku banojnë dhe që është ndërtuar me aq mund e djersë...
Një shok më pati treguar diçka për të qeshur.Edhe atij ia kishin treguar. Por m'u betua se ishte e vërtetë.
Një person po kthehej nga një vizitë tek të afërmit në Greqi. Por me sa duket kushurinjtë "e pasur" nuk i kishin dhënë gjë. Afër kufirit kishte takuar një refugjat që e kishte të njohur. Dhe ai i kishte thënë: "Si të kthehesh në Shqipëri duarbosh?". E kishte marrë me vete dhe e kish çuar në një kishë, ku shpërndaheshin rroba për bamirësi. Duhej shënuar emri.Vizitori ishte shqetësuar. Si ta shkruaj emrin, kur nuk jam refugjat? "Mos u bëj merak, - i kish thënë refugjati. - Gjë që rregullohet". Dhe kur kishin vajtur në kishë, kish thënë:
- Ky është Simon Stefani! - duke shqiptuar kështu emrin e qeveritarit që dha urdhër për të qëlluar kundër popullit para ambasadave.
Vizitori kishte çakarritur sytë, por refugjati kishte thënë:
- Ta dinje ti sa vetë e kanë të shkruajtur emrin këtu! Të gjithë anëtarët e Byrosë Politike. Edhe Xhelil Gjoni, që na quajti tradhtarë.
Kjo, me siguri, është një hakmarrje e vogël. Marrin hak që atyre u prenë kordonin ushqyes me mëmëdhenë. Nuk i lanë të merrnin me vete dhimbjen e ndarjes, të kurbetit, tufën e borzilokut të tharë, një libër, një copëz mëmëdheu!
(Shkruar në Tiranë, Gusht 1991, botuar në Illyria, New York, Shtator 19920)
Dy Paradokse të demokracisë sonë
Paradoksi i parë: këto ditë presidenti i Shqipërisë nënshkroi traktatin e Helsinkit dhe Kartën e Parisit, për të cilat vite me radhë ai dhe propaganda puniste kishte vjellë vrerë. S'dihet sa dhe si e kuptoi ai domosdoshmërinë e "kthesës". Por përpjekja e parë ishte që ta paraqiste punën sikur në Shqipëri ka patur gjithnjë demokraci dhe shprehu edhe çudinë, përse Shqipërisë të mos i hapet menjëherë rruga për në KSBE, aq më tepër që fasadës së godinës i ishin bërë disa meremetime zbukuruese.
Të parin që dërgoi në Gjenevë si vëzhgues në sesionin e KSBE-së ishte Aranit Çela, shefi i drejtësisë shqiptare në periudhën e saj më të errët. Sa viktima pati grirë shpata e tij në ato vite të mbushura me fushata dënimesh, internimesh dhe dëbimesh!
Ta dinin përfaqësuesit e nderuar të këtij forumi të lartë të mbrojtjes së drejtave dhe lirive të njeriut se si i ka mbrojtur këto të drejta dhe liri ky zyrëtar i i lartë shqiptar, të cilit i dhanë dorën të parit!...
Dhe ja, erdhi "çasti i mbramë" - i përfundimit të kësaj karabinaje të demokracisë, ku gurin e parë e vuri Araniti. Atë e përfundoi bashkëluftëtari dhe nxënësi më besnik i "ideatorit" gjenial të Shqipërisë "së kuqe", Ramiz Alia. Çudi kur sheh se si ky njeri merr guzimin të nënshkruajë në emër të popullit shqiptar dy dokumenta, që kanë qenë krejt në kundërshtim me veprimtarinë e tij dhjetravjeçare. Mos është vallë ndjenja e "detyrës së partisë" që e shtyn këtë njeri të përpiqet me çdo kusht të vihet në krye të proceseve të demokratizimit të Shqipërisë për të shpëtuar atë çka mund të shpëtohet nga kaluara, para së gjithash "shoket" (e brenda tyre veten si "kryeshoku")? Kjo ka qenë strategjia dhe taktika e vijës së tij politike gjatë gjithë kësaj periudhe "lufte për demokraci". Por, ka mundësi që presidentit të mos i mungojnë dhe "brerjet e ndërgjegjes" për të kaluarën jo fort të lavdishme. Pamjet e dhëna nga televizori tregojnë pasiguri në gjestet dhe shprehjet e fytyrës së tij, ai duket më tepër sikur luan ndonjë rol duke kryer "detyrën e partisë" dhe e ndien se është ulur në një karrige që nuk është për të.
Të zihet fryma në këtë karabina që u nis nga A. Çela dhe u përfundua nga R. Alia.
Kemi dëgjuar dhe dëgjojmë plot gjera që na japin shpresa për të ardhmen, por po shohim dhe mjaft të tjera që nuk japin edhe aq shumë arsye për të qenë optimistë, sidomos në qoftë se demokracia do të vazhdojë të ecë në hullinë puniste me disa modulacione të sipërfaqshme.
Ndryshimet demokratike do të vazhdojnë të jenë gjysmake përderi sa do të kenë vulën puniste.
*
Paradoksi i dytë:
Disa ish të burgosur dhe të përndjekur politikë janë ngujuar në një grevë urie për të fituar të drejtat e tyre të ligjshme, sikur nuk u mjaftoi këtyre njerëzve vuajtja dhe uria nëpër birucat e hetuesisë, nëpër burgje e kampe, sikur nuk mjaftuan për ta poshtërimet, çnderimet publike, përpjekjet për t'u thyer karakterin, për t'i çnjerëzuar edhe brenda në burg, duke u orvatur t'i rekrutojnë si "minjë birucash" (sikundër i quanin në burg spiunët) kundër shokëve të tyre.
Nga ana tjetër, njerëz që kanë qenë bashkëpunëtorë të zellshëm të krimit kundër tyre jo vetëm shëtisin si zotërinjë të mirë në mes të Tiranës, por edhe japin "kontributin" e tyre në ndërtimin e "demokracisë sonë të re".
Kur pranojmë që ka njerëz të dënuar pa faj, atëherë duhet pranuar se ka edhe njerëz të tjerë që kanë gjykuar dhe dënuar njerëz të pafajshëm. Në rast se themi që pati viktima, duhet të pranojmë se pati dhe xhelatë! Një ish i burgosur tregon në gazetën "Republika" se si njerëz të shquar të drejtësisë sonë i kishin shkulur thonjtë për të pranuar të ashtuquajturat "faje".
Ndërkohë, xhelatët shëtisin të lirë, "të nderuar", u buzëqeshin miqve, mbase edhe ëndërrojnë për kthimin në kohërat "e lavdishme".
E pse jo? Ja, gjeneralët rusë ja bënë fora... Sa dolli do të jenë ngritur ato ditë tek ne! Por ç'e do, u ngecën në grykë atyre që i ngritën. Populli rus, me sa duket, po e bën më në fund revolucionin, por jo atë stalinist, sikundër shpresonin enveristët, por atë të demokracisë së vërtetë: kundër kampeve të përqëndrimit, kundër burgjeve, kundër çnjerëzimit. Zotërinjtë tanë stalinistë dhe enveristë, mos harroni këtej e tutje se e vetmja "gomë shpëtimi" që ju kishit nuk ekziston më!
Secili prej nesh njeh ndonjë nga ata që janë ngujuar.
Nuk mund të mos përmend një shokun tim të ndershëm të urtë, punëtor dhe patriot, i cili për shkak se tha disa fjalë kundër disa prej ish-udhëheqësve të Partisë (që pastaj vetë partia i flaku dhe i dënoi si "agjentë") u dënua me tetë vjet burgim. I shkatërruan familjen, i shkatërruan jetën... Kush e kallëzoi? Kush e dënoi? Enver Hoxha vërtet jepte vijën, por kishte të tjerë që e zbatonin atë "në mënyrë krijuese".
Pse të mos shpallet i pafajshëm shoku im? Shoqëria jonë, ligjet tona nuk mund t'i kthejnë më familjen e prishur, shëndetin e shkatërruar, vitet e humbura kot dhe në mundime, por nderin, dinjitetin mund t'ia kthejnë!
Përse u tregua kaq ngut për shpalljen e pafajësisë së Fadil Paçramit dhe të Dashnor Mamaqit? Dihet se ata kanë qenë funksionarë omnipotentë të partisë në pushtet. Sa lista me vendime burgimi, internimi, dëbimi kanë nënshkruar ata si sekretarë të komitetit të partisë?
Nuk më harrohet qëndrimi prej bajraktari dhe njerivrasës i F. Paçramit në mbledhjen e organizuar për diskutimin e romanit "Dasma" të I. Kadaresë. Aty diskutoi shkrimtari dhe poeti i talentuar B. Xhaferri. Mbase nuk kam qenë i një mendimi me mjaft gjera që ai shtroi, shumë gjëra ishin të diskutueshme apo nuk qëndronin. Por ai foli me guxim dhe hapur.
Dhe çfarë bëri F. Paçrami që ishte në presidiumin e mbledhjes? U ngrit dhe iu drejtua të pranishmëve si i xhindosur me fjalët më poshtëruese për të shkretin shkrimtar çam të persekutuar:
- E dini se kush është ky? Ky është i biri një armiku, të cilin ne e kemi pushkatuar.
Nuk më harrohet fytyra e zbehtë e Kadaresë, i cili nuk e priste një zgjidhje të tillë kaq brutale dhe arrogante dhe rrinte krejt i hutuar.
Ndërsa ish kryetari i Lidhjes, konformisti i regjur Dh. S. Shuteriqi, që ishte në krye të presidiumit, pa e hequr llullën nga buzët, i përgjigjej protestave dhe kundërshtimeve të dëshpëruara të shkrimtarit Bilalit në mënyrën më përbuzëse dhe poshtëruese:
- Dil jashtë, djalë! Na lër, tani ...!
Pas daljes së Xhaferrit nga salla, pasoi një heshtje ogurzezë. Aty nuk ishte dhënë vetëm vendimi për pushkatimin moral të një shkrimtari, por edhe të drejtës së shprehjes së mendimit të lirë ...
Mbase tani e kanë radhën të shpallen të pafajshëm ish gjeneralët, kasta më regresive që ka gjalluar në vendin tonë? Vërtet, ata mund të mos kenë bërë ato faje, për të cilat u dënuan, por dihet se kanë qenë shtruar për vite me radhë bukur mirë në sofrën që kullonte nga gjaku dhe djersa e këtij populli.
Po për njerëzit e thjeshtë, njerëzit e ndershëm, që nuk i kanë bërë keq asnjë njeriu, që kanë mbrojtur besimin, që kanë shprehur një mendim, një dyshim, ata që në një mënyrë apo në një tjetër nuk janë pajtuar me padrejtësitë që shihnin e me shtazërinë e ligjeve ekzistuese, ata që nuk kanë pranuar të bëhen spiunë? Për ata nuk u dashka të ketë pafajësi?
Një shok tjetër u dënua shtatë vjetë për agjitacion e propagandë, se nuk kishte pranuar të bëhej informator i sigurimit.
"Më thirri një burrë i veshur shik, i pudrosur dhe i lyer me kolonjë. Më foli për rreziqet që i kanosen vendit, për flotat amerikane dhe sovjetike ... Më foli për armiqtë e brendshëm që nuk rrinë duarkryq ... Duhet të jemi vigjilentë dhe me shokët... Më propozoi të bëhesha... "Të mësojmë ne si të provokosh. Shiko, ne nuk e kemi të vështirë të arrestojmë edhe për pakënaqësira që shprehin njerëzit në radhën e qumështit. Por ne duam të mësojmë gjëra të rëndësishme". I thashë se punën e spiunit nuk mund ta bëja dot. Nuk mund të afrohem me një shok dhe pastaj ta shes. Nuk mund të bëhem njeri me dy fytyra".
- Po ne ç'jemi? Spiunë? - u hodh kolonja.
- Më vishni edhe mua me uniformën tuaj, domëthënë më merrni në punë tek ju (e korigjova shpejt veten, sepse ata nuk kishin uniformë) dhe unë do të jem po aq i zellshëm sa edhe ju".
Kaloi ca kohë dhe atij vetë i ngjitën "një shok", i cili... Si përfundim atë që nuk desh të bëhej me dy fytyra e dënuan me shtatë vjet.
Një ditë, ndërsa ecnim rrugës, ma tregoi atë njeriun e pudrosur dhe të veshur shik, Kolonjën. Nga maja e kokës tek këmbët me rrobe të jashtme. Shëtiste apo nuk shëtiste bandilli! As që e vuri re shokun tim të gjorë që i kishte bërë gjëmën. Ai është një fytyrë e njohur në Tiranë, tani mund ta shikoni bile edhe nëpër lokale me ca udhëheqës të partive të porsakrijuara politike.
Dhe ja, pra, paradoksi tjetër: shëtisin bashkë ujku me qëngjin, bile qengjit ka rrezik t'i veshin lëkurën e ujkut (sepse ai mund të rrezikojë paqen sociale, unitetin e popullit), ndërsa ujkut t'i veshin lëkurën e qengjit (pse, ç'do të bëje ti në vendin e tij, ashtu e urdhëronin). Edhe zotin Ajhman e patën detyruar që të deportonte dhe shfaroste në masë çifutët, por, ama, e pagoi atë që duhej të paguante...
Nuk është fjala të paguajnë xhelatët dhe ndihmësit e tyre. Ata i damkosi historia. Bile disa edhe duhen mirëmbajtur, sepse janë arkivat e gjalla të krimit. Por, ama, edhe të pafajëshimit duhet të shpallen të pafajshëm, sikundër janë në të vërtetë. Atyre u duhen kthyer të gjitha të drejtat e humbura, të paktën ato që mund t'u kthehen, sepse shumë gjëra i humbën përgjithnjë. T'u kthejmë nderin, t'u kthejmë qetësinë, t'i fusim plotësisht në jetën shoqërore. T'i shpëtojmë nga maska e burgut që ende shihet në fytyrat e tyre (buzë të shtrënguara, muskuj të fytyrës që nuk lëvizin, sy që nuk mund të qeshin).
Tek e fundit ata qenë luftëtarët e parë të demokracisë, ata nuk u pajtuan me dhunën, nuk pranuan të quanin "parajsë" skëterrën enveriste. Edhe ne do të çlirohemi si popull nga faji ynë, sepse herë hapur, herë heshturazi, nga frika apo naiviteti, i mbështetëm apo nuk i kundërshtuam këto krime që u bënë në kurriz të vëllezërve tanë.
Ne duhet të krenohemi me ta, dëshmitarë të përhershëm që tregojnë se populli shqiptar kurrë nuk e rreshti luftën për një jetë të vërtetë, të lirë e demokratike. Ata i bëjnë nder të gjithë popullit tonë!
Botuar në "Rilindja Demokratike", Tiranë, 13 tetor 1991.
Problemet që duhen zgjidhur nga Partia Demokratike në Shqipëri
Triumfi i Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit në Shqipëri shënon de jure fundin e regjimit komunist në këtë vend.
Ky triumf përforcohet nga dorëheqja e Ramiz Alisë, President i Republikës gjatë periudhës së tranzicionit, i cili, me taktikat e tij për të shpëtuar atë që nuk mund të shpëtohej, e shpuri vendin thjesht në një falimentim të plotë ekonomik.
Kjo është arsyeja që partia e re e ardhur në pushtet do të përballojë shumë shpejt shumë probleme të natyrës politike, sociale dhe ekonomike që nuk mund të zgjidhen edhe aq lehtë.
Përgjegjesitë e partisë Demokratike rëndohen edhe nga fakti se ajo është partia e vetme demokratike që fitoi në zgjedhjet në Shqipëri (partitë e tjera ekzistuese janë tepër efemere, pasi kanë vetëm një komitet drejtues, një gazetë dhe një numër shumë të kufizuar anëtarësh, dhe kufizohen vetëm me përkrahjen e aktivitetit të Partisë Demokratike, për të mbrojtur interesat e tyre), por edhe nga fakti se brenda vetë Partisë Demokratike ekzistojnë më shumë se një tendencë lidhur me perspektivat e vendit në të ardhmen (të kujtojmë ish ministrat e Partisë Demokratike në qeverinë e koalicionit, Pashkon dhe të tjerët, që ishin të gatshëm t'ia jepnin pushtetin ekonomik ish klasës drejtuese të krijuar nga regjimi komunist në Shqipëri), dhe më në fund nga fakti se në Shqipëri gjendja ekonomike është shumë e rëndë.
Ekzistenca në Parlament e një partie që ka shumicën absolute dhe të një opozite të formuar nga deputete të Partisë së diskredituar Socialiste, eshtë e mbarrsur me rrezikun që në Parlament të gjitha vendimet do të aprovohen sipas direktivave të një partie të vetme, duke vënë në rrezik kështu natyrën pluraliste të demokracisë së dëshiruar.
E vetmja rrugë shpëtimi për ekonominë shqiptare është tani restaurimi i kapitalizmit që bën të mundur zhvillimin e ekonomisë së tregut të lirë. Kush do të jenë kapitalistët e rinjë në Shqipëri? A do t'u kthehen ish pronarëve të tokës dhe ish kapitalistëve të drejtat e tyre?
Nga ana tjetër deri më sot Partia Demokratike ka shprehur dëshirën dhe aspiratat e shumicës së popullit shqiptar: të çlirohet nga një regjim i ashpër dhe çnjerëzor, i ashtuquajtur komunist, dhe të jetojë në demokraci.
Por me restaurimin e kapitalizmit, Partia Demokratike interesat e cilës klasë do të shprehë në të ardhmen?
Një gjë është evidente: restaurimi dhe krijimi i raporteve kapitaliste do të sjellë një lëvizje dhe një ndarje të re në përbërjen klasore të shoqërisë shqiptare. Interesat e cilës klasë të re do të shprehë Partia Demokratike? Po partitë e tjera, duke përfshirë Partinë Socialiste? Shoqëria shqiptare, sikundër në të kaluarën, aspiron të jetë një shoqëri evropiane. Ajo dëshiron të besojë se Europa dhe Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë për të kapërcyer vështirësitë ekonomike. Megjithatë, duke pas qenë në të kaluarën një lodër në duart e vendeve evropiane, që kanë dashur dhe janë përpjekur gjithnjë ta ndajnë Ballkanin në sfera influence, duke e lënë këtë vend të vogël nën influencën e Lindjes (në fillim nën Turqinë dhe pastaj nën Rusinë, duke e venë nën rrezikun e vazhdueshëm të vendeve fqinje, tepër agresive dhe të mbështetur nga shteti carist apo sovjetik), ekziston midis popullit shqiptar një mosbesim i fshehur përsa i takon politikës së këtyre vendeve evropiane.
Më i keq është fakti se forcat që kanë qeverisur Shqipërinë në të kaluarën patën berë aleanca me forcat apo qeveritë e vendeve të huaja për interesat e tyre vetiake dhe jo për interesat e atdheut (Mbreti Zog mbështetej nga serbët, udhëheqësi komunist Hoxha u mbështet nga Jugosllavia, Rusia dhe Kina).
Me cilët popuj evropian aspiron të lidhet Partia Demokratike? I vetmi vend që nuk është diskredituar deri më sot në opinionin publik shqiptar janë Shtetet e Bashkuara, që kanë mbështetur gjithnjë integritetin e Shqipërisë dhe ku ekziston një diasporë shqiptare shumë e nderuar.
Çfarë natyre do të ketë kapitalizmi në Shqipëri? Shqiptarët do të aspironin të krijonin një tip kapitalizmi të reformuar si në vendet evropiane të Veriut, Zvicer, Suedi, Norvegji, Danimarkë dhe Belgjikë, por Shqipëria është tepër e papregatitur nga pikëpamja ekonomike dhe politike për këtë. Standarti i jetës dhe niveli i zhvillimit ekonomik janë sot për sot tepër të ulët. Marrëdhëniet e mira ekonomike dhe kulturale me këto vende do të ishin shumë fitimprurëse për Shqipërinë.
Me vendet fqinje Shqipëria aspiron të ketë marrëdhënie të mira, ajo aspiron të forcojë marrëdhëniet me Republikën Italiane. Ndihma e shtetit italian në këtë periudhë mjerimi është tepër e rëndësishme për popullin shqiptar. Sinqeriteti, me të cilin u dha kjo ndihmë, i ka pakësuar dyshimet lidhur me politikën italianë kundrejt Shqipërisë, dyshime që kanë lindur në mënyrë të natyrshme për shkak të qendrimit të Italisë gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.
Shqipëria dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me Jugosllavinë dhe Greqinë. Megjithatë problemet e minoriteteve shqiptare në këto vende, sidomos i tre milion shqiptarëve në Kosovë, por edhe pretendimet territoriale të këtyre vendeve kundrejt Shqipërisë, do të varen si shpata e Damokleut në të ardhmen mbi këto marrëdhënie.
Rindërtimi i ekonomisë shqiptare do të kapë një periudhë të gjatë kohe. Emigrimi dhe turizmi duhet të jenë një nga rrugëdaljet për zgjidhjen e problemeve ekonomike në një kohë të shkurtër. Por përsa i përket emigracionit, dyert e Evropës janë rreptësisht të mbyllura për shqiptarët, ndërsa për turizmin duhen investime nga ana e vendeve të tjera.
Muajt e ardhshëm do të jenë një provë e madhe, një grand test, jo vetëm për demokracinë shqiptare, por edhe për Europën, ndërkohë që Europa duhet të tregojë se inkurajon sinqerisht demokracinë në Shqipëri.
"Katundi Ynë" - Rivista italo-albanese di cultura e di attualita (Revistë arbëreshe për kulturë dhe aktualitet), Anno XXIII- n. 80 - 1992/2, Civita (Cosenza).
Zëri i shqiptarëve në dobi të mëmedheut tingëllon fuqishëm
po të jenë të bashkuar
Marrim shkas për të përsëritur edhe një herë të vërtetën e madhe se "zëri i shqiptarëve tingëllon i fuqïshëm në dobi të mëmëdheut", kur ata janë të bashkuar, nga demostrata e madhe e shqiptarëve të Amerikës që u mbajt ditën e hënë në United Plaza të New Yorkut, qëllimi i të cilës ishte që t'u bënte të njohur edhe një herë zyrtarëve të lartë të OKB-së, përfaqësuesve të shteteve-anëtare të kësaj organizate dhe opinionit publik amerikan kërkesat e shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve etnikë në Mal të Zi dhe Maqedoni.
Me zhvillimin e kësaj demonstrate të madhe lexuesi mund të njihet gjerësisht në informacionin dhe reportazhin e gazetës. Ajo tregoi edhe një herë këmbënguljen e shqiptarëve për të arritur në mënyrë paqësore realizimin e të drejtave të tyre njerëzore të patjetërsueshme dhe të garantuara nga të gjitha dokumentet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Komuniteti i shqiptarëve të Amerikës ka një traditë të shquar në luftë për çështjen kombëtare. Kjo traditë zë fill me themelimin e Konfederatës panshqiptare "Vatra", e cila mblodhi në gjirin e vet të gjithë shqiptarët e Amerikës pa dallim besimi dhe bindjeje politike dhe dha një kontribut të madh në njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe në konsolidimin e shtetit të parë shqiptar. Ajo, duke qënë një organizatë kombëtare monolite, ndikoi në shkallën më të lartë në opinionin publik amerikan dhe në qeverinë amerikane për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, në një kohë kur armiqtë shekullorë të shqiptarëve, ishin vërsulur që ta shqyenin dhe ta copëtonin në mes tyre. Dhe përkrahja e shtetit amerikan, këmbëngulja e presidentit Willson ishin një nga faktorët kryesorë që e shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi.
Tani para kombit shqiptar qëndrojnë dy probleme të mëdha: demokratizimi dhe përparimi i mëtejshëm i Shqipërisë dhe sigurimi i të drejtave dhe lirive themelore njerëzore për shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në ish Jugosllavi. Për të dyja një ndihmë të madhe mund të japë komuniteti i madh i shqiptarëve të Amerikës, nëse ai do të jetë i bashkuar, ashtu sikundër e ka patur për traditë gjithmonë dhe sikundër e tregoi për herë të fundit në demonstratën e madhe të së hënës.
Komuniteti shqiptar në Amerikë ka fatin të jetojë në një shtet, i cili duke qenë vetë shembulli i demokracisë, duke qënë vetë shembulli i respektimit të të drejtave dhe lirive njerëzore, i ka vënë vetes si qëllim që të bëhet mbrojtësi i tyre kudo që ato shkelen, duke u bërë kështu promotori kryesor i vendosjes së një Rendi të Ri botëror.
Komuniteti shqiptaro-amerikan, sikundër deklaroi para disa ditësh senatori Lieberman, me respektin që ka fituar ia ka hapur vetes rrugën për t'u dëgjuar nga qeveria amerikane.
Botuar si editorial në "Illyria", New York, 16 Shkurt 1993
A duhet të hapen dosjet ?
Rruga e ndërtimit dhe e konsolidimit të demokracisë nuk është e lehtë, aq më tëpër në një vend si Shqipëria, ku për një kohë të gjatë u punua për mbjelljen e armiqësisë nëpërmjet të të ashtuquajturës "luftë e klasave".
Natyrisht, demokracia vendoset nëse të gjitha forcat politike të vendit arrijnë konsensusin që nëpërmjet rrugës së dialogut politik, të veprimeve ligjore të ndërtojnë një shtet juridik, ku të gjithë të kenë mundësinë haptazi dhe me vullnet të lirë të kontribuojnë në zhvillimin e përparimin e shoqërisë.
Një pengesë e madhe në arritjen e këtij qëllimi mund të bëhen ata njerëz, të cilët me dashje, por ndoshta edhe pa dashje, kanë shërbyer si bashkëpunëtorë të padeklaruar në shërbimet sekrete të ish shtetit komunist. Ata mund të pengojnë për shumë arsye, midis të cilave mund të përmendim disa. Duke qenë se kanë një të kaluar jo të lavdishme, shumë prej tyre përpiqen ta mbulojnë atë me ekstremizëm, të tregohen si partizanët më të flaktë të demokracisë dhe antikomunistët më të vendosur, aq sa depërtojnë jo vetëm në radhët e partive të ndryshme, por nganjëherë të zënë ndër to edhe poste me mjaft përgjegjësi, duke u bërë kështu shkak i shumë luhatjeve brenda këtyre partive, i shfaqjes së ekstremizmave, që gjithnjë janë të dëmshme për zhvillimin demokratik të shoqërisë.
Përveç kësaj, bashkëpunëtorët e fshehtë të shërbimeve sekrete, kanë patur një organizim të përsosur dhe një lidhje mjaft të fortë me qendrën që i ka drejtuar. Kush mund ta sigurojë shoqërinë tonë se këto lidhje nuk mund të shfrytëzohen në çaste të caktuara, aq më tepër që drejtuesit e këtyre shërbimeve mund të përdorin edhe kërcënimin për zbulimin e bashkëpunimit të dikurshëm të këtij apo atij personi dhe në këtë mënyrë ta detyrojnë nën kanosjen e demaskimit të kryejë misionet që mund t'i ngarkohen. Ish shërbimet sekrete komuniste me rrjetin e gjerë të bashkëpunëtorëve të tyre të padeklaruar përbëjnë gjithnjë një rrezik potent për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri në të gjitha fushat, të politikës dhe të ekonomisë.
Çdo shtet ka shërbimet e veta sekrete, por shërbimi sekret i ish regjimit komunist ka qenë një aparat i pashembullt dhune psiqike dhe fizike, terrori dhe frike, duke dalë shpesh herë edhe mbi ish partinë komuniste që sundonte me të njëjtat metoda.
Hapja e dosjeve për t'i bërë të ditur opinionit publik shqiptar se cilët kanë qenë bashkëpunëtorët e fshehtë nuk duhet të bëhet për qëllime hakmarrjeje. Natyrisht, ata do të pësojnë moralisht, por bashkëpunëtorë të tillë është mirë që të njihen dhe kështu t'u hiqet mundësia për të patur funksione publike apo për t'u marrë me punët publike. Në të njëjtën kohë ky do të ishte edhe një shpëtim për ta, pasi asnjë kërcënim nuk mund t'i detyrojë më që t'u shërbejnë qëllimeve të errëta.
Botuar si editorial në gazetën "Illyria", New York, 2 mars 1993
"Illyria" është e hapur për të gjithë
Në dy emisionet e fundit të radios së Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, udhëheqësi i ligës dhe i radios akuzoi pa argumente politikën redaktuese të gazetës "Illyria".
Do të ishte e padobishme të polemizonim me udhëheqësin e kësaj radioje, por nuk do të ishte as dhe modeste për redaksinë të fliste për punën e saj.
Megjithatë, jemi të detyruar t'i shfaqim edhe një herë qëllimet e botimit të gazetës "Illyria".
Gazeta "Illyria", që nga numri i parë, i ka venë vetes si qëllim të ruajë dhe të konsolidojë traditat kulturore dhe patriotike të komunitetit shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndihmojë me të gjitha mundësitë zhvillimin dhe përparimin e atdheut tonë, Shqipërisë, si dhe të informojë opinionin dhe institucionet amerikane e ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës me rrethinë.
Gazeta "Illyria" është e ndërgjegjshme se problemet që përballon tani populli shqiptar janë të mëdha dhe të vështira. Me shembjen e regjimit komunist dhe fitoren e demokracisë në Shqipëri, para popullit tonë qëndron detyra shumë e vështirë e konsolidimit të rendit të ri demokratik nga pikëpamja politike dhe ekonomike. Detyrë e lartë patriotike e komunitetit tonë është që të mbështesë ato forca, që janë në pararojë të këtyre proceseve, që dëshirojnë të ndërtojnë një Shqipëri vërtet demokratike, të qytetëruar, perëndimore. Megjithëse peshën kryesore në këtë drejtim e kanë ato forca politike që veprojnë realisht në Shqipëri, sepse u takon atyre para së gjithash detyra që ta shpien para dhe ta ngrenë lart këtë proces të përtëritjes demokratike të atdheut, nuk ka asnjë dyshim se komuniteti mund të ndihmojë shumë, duke mbështetur forcat politike më progresive dhe demokratike.
Problemi i dytë i madh është ai i popullsisë shqiptare që jeton në trojet e veta, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë me rrethinë dhe në Çamëri. Komuniteti ka dhënë një kontribut të madh në njohjen e shtypjes dhe padrejtësive, të cilave u janë nënshtruar vellezërit tanë në këto vise, si në opinionin publik dhe administratën amerikane, ashtu dhe në opinionin botëror. Në këtë kontekst, gazeta "Illyria" tash dy vjet përpiqet që t'u japë krahë këtyre përpjekjeve, duke respektuar gjithnjë parimet demokratike të shtypit të lirë, ka qenë dhe do të jetë tribunë për shfaqjen e opinioneve të ndryshme, pavarësisht nga pikëpamjet politike, por që kanë për bazë dhe pikësynim afrimin, bashkimin e shqiptarëve. Ne besojmë se shtypi i lirë është mjeti më i mirë për të mundur diktatin dhe njëmendësinë politike.
Gazeta "Illyria" asnjëherë nuk ka rënë në kurthin e interesave grupore a personale dhe këtë nuk do ta bëjë as në të ardhmen, sepse interesat e popullit dhe të atdheut për të janë mbi interesat personale të kujtdo qofshin ato e aq më tepër të individëve egocentrikë që ia mveshin vetes kontributin atdhetar të dhënë nga i gjithë komuniteti.
Për të gjitha këto probleme, për të gjithë ata që duan të kontribuojnë për zgjidhjen e tyre, gazeta ka qenë, është dhe do të jetë e hapur gjithmonë!
Gazeta është përpjekur të pasqyrojë çdo aktivitet politik, kulturor dhe arsimor të komunitetit, të pasqyrojë ngjarjet më të rëndësishme në Shqipëri, në Kosovë dhe në viset e tjera, ku jetojnë shqiptarët, si dhe luftën e përpjekjet e tyre të pareshtura për të shpëtuar nga shtypja skllavëruese.
Mbështetja e komunitetit ka qenë, është dhe shpresojmë se do të jetë edhe në të ardhmen e pakursyer për të kontribuar sa më mirë të gjithë së bashku në zgjidhjen e këtyre problemeve. Gazeta "Illyria" ka lindur dhe gjallon për të pasqyruar jetën dhe aspiratat demokratike dhe liridashëse të komunitetit tonë shqiptar në SHBA. Ajo ka pasur fatin të shohë dritën në vendin më të madh demokratik të botës, në SHBA, dhe ky fakt na obligon edhe më shumë për tolerancë, dashuri dhe mirëkuptim.
Botuar si editorial në gazetën "Illyria", New York, 7 Prill 1993
Konsakrim i lirisë së besimit dhe demokracisë
Vizita e Shënjtërisë së Tij Papës Gjon Pali i Dytë në Shqipëri shënon kulmin e një etape të re në zhvillimin spiritual të shqiptarëve, të cilëve për më se pesë dekada iu mohua e drejta e besimit, liria e mendimit dhe e fjalës. Dhe kjo mund të thuhet jo vetëm për ithtarët e besimit katolik, por edhe për të gjithë besimtarët e tjerë, sikundër mund të thuhet me plot të drejtë edhe për ateistët, pasi edhe ata si të gjithë të tjerët ishin të cënuar në të drejtën e tyre për të menduar të lirë. Regjimi komunist duke shkallmuar besimet, duke robëruar mendimin, u përpoq të krijonte një besim të ri, i cili kishte për idhuj njerëz të korruptuar, egoistë, mediokër, që vinin interesat e tyre pushtetmbajtëse mbi interesat shpirtërore, morale dhe materiale të bashkëkombasve të tyre.
është një gëzim i madh që vjen për ta dëshmuar tabllonë e re të lirisë së mendimit dhe të besimit në kushtet e demokracisë së porsakrijuar në Shqipëri një luftëtar kaq i palodhur për të drejtat njerëzore dhe kundër shtypjes shpirtërore të regjimit komunist, siç është Shënjtëria e tij Papa Gjon Pali i Dytë, udhëheqësi i Kishës Katolike Botërore, i cili edhe nga vetë eksperienca e tij jetësore i ka njohur restriksionet dhe humnerat shpirtërore nën regjimin komunist.
Shënjtëria e Tij vjen në një vend, populli i të cilit ka qenë shembulli i tolerancës fetare, ku ithtarë të besimit katolik, orthodoksë dhe myslimanë kanë bashkëjetuar gjatë shekujve dhe kanë bashkëpunuar për lartësimin e qytetërimit të tyre.
Shënjtëria e Tij vjen në një vend, i cili është i pasur me traditat e besimit katolik, për të cilin kanë luftuar me penë dhe armë prelatë të tillë të Kishës dhe intelektualë të shquar të epokës së tyre, si Pal Engjëlli, Marin Barleti, Gjon Buzuku, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta dhe plot të tjerë.
Ai vjen për të shuguruar arqipeshkvët dhe ipeshkvët e rinj të kishës katolike shqiptare, që gjithashtu kanë kontribuar në ruajtjen dhe forcimin e besimit në besimtarët katolikë, dhe me shembullin e tyre, edhe tek besimtarët e feve të tjera.
Ky nuk do të jetë vetëm shugurimi i klerikëve të lartë të Kishës katolike, por do të jetë njëkohësisht edhe shugurimi i demokracisë së vërtetë që është duke u ndërtuar në Shqipëri. Prandaj dhe vizita e Shënjtërisë së Tij Papës Gjon Pali i Dytë do të pritet me gëzim jo vetëm nga besimtarët katolikë, por edhe nga të gjithë shqiptarët, pa dallim nga besimi i tyre.
I urojmë mbarësi Shënjtërisë së Tij Papa Gjon Pali i Dytë në këtë mision të shpalljes botërisht dhe të konsakrimit të përtëritjes shpirtërore të Shqipërisë.
Botuar si editorial në gazetën "Illyria", New York, 23 Prill 1993
Presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Hyrje
Duke filluar nga ky numër herë pas here do të botojmë biografinë e shkurtër të presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas rradhës që ata kanë shërbyer në këtë post të lartë.
Për të kuptuar natyrën e re dhe të ndryshme të këtij posti me atë të drejtuesve më të lartë në vendet e ndryshme të botës, në kohën e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, po citojmë një shënim të gazetës The Saturday Evening Post në vitin l931 lidhur me problemin që doli për mënyrën se si i duhej drejtuar presidentit:
"Vetë emri me të cilin i duhej drejtuar George Washington-it ngjalli një diskutim të zjarrtë. "Lartësia e tij, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbrojtës i tyre" u përzgjodh nga komiteti i Senatit, por meqë komiteti i Dhomës refuzoi ta pranonte këtë titull, që të kujtonte vendin amë, "Zoti President" u përcaktua si forma më korrekte një herë e përgjithmonë".
Për të kuptuar rëndësinë e madhe të atij që mban këtë post, si dhe përgjegjësitë e tij të mëdha, na lejoni të citojmë një thënie të Albert Atwood-it në gazetën Post të datës 3 qershor l933:
"Në ndryshim nga Kongresi, ai është gjithmonë në sesion. Ai është tendosja e pallogaritshme e udhëheqjes më të lartë dhe e përgjegjësisë finale njëherësh. Për të nuk ka alibi. Kur të gjithë ekspertët dhe këshilltarët të kenë ikur, ai duhet të mbështetet në mënçurinë e tij".
George Washington
Presidenti i parë i SHBA
(1732-1799)
George Washington është i njohur si "Babai i Kombit". Ai qe presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara dhe si i tillë i dha i pari tonin kësaj zyre.
Ai lindi më 22 shkurt të vitit l732 në Westmoreland Conty, në Virginia.
Në fëmijëri ai kishte qejf që kohën më të madhe ta kalonte jashtë shtëpisë, ndërsa në rini u shqua si kalërues i shkëlqyeshëm.
Në vitin l775 filloi Revolucioni Amerikan dhe ai u emërua Kryekomandant i Ushtrisë Amerikane.
Sot mendoht se ai ka qenë një gjeneral i mirë, por jo i madh. Ai humbi shumë beteja, por qe gjithnjë në gjendje ta mbante ushtrinë në fushë. Pavarësisht nga vështirësitë e shumta - uria, të ftohtit, mungesa e parave për të blerë armë dhe municion, George Washington-i qe në gjendje t'i frymëzonte njerëzit e tij dhe ata ishin të bindur se, të udhëhequr prej tij, nuk do të humbisnin kurrë.
Pasi përfundoi lufta, u bë e qartë shumë shpejt se shtetet e formuara sërishmi nuk mund të mbijetojnë si njësi të pavarura. Njerëz nga shtete të ndryshme u mblodhën dhe hartuan një plan për qeverisjen. Ky plan ishte Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara, që kërkonte një qeveri të fortë qendrore dhe një president për të përfaqësuar të gjithë popullin.
Në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u zgjodh George Washington-i. Ai u inaugurua si President i parë i Shteteve të Bashkuara në vitin l789 në Old City Hall në New York, që u bë kapitoli i parë i kombit.
George Washington-i zgjodhi një kabinet me njerëz të kualifikuar dhe çdo vendim që merrte e peshonte mirë. Ai e dinte se një qeveri, që të jetë e fortë, duhet të forcojë ligjet. Në të njëjtën kohë, ai dërgoi trupa në Pensilvani për të ndalur rebelimin që kishte nisur atje.
Washington-i u zgjodh president edhe për një mandat të dytë. Iu lutën që të shërbente edhe në një mandat të tretë, por ai nuk pranoi, duke besuar se dy mandate janë koha më e gjatë që një njeri mund të shërbejë në postin e presidentit. Ky vendim, për të shërbyer vetëm dy mandate, u bë një precedent për presidentët pasardhës dhe nuk u shkel vetëm se në vitin l940, kur Franklin D. Roosevelt u zgjodh për një mandat të tretë.
George Washington-i vdiq me l4 dhjetor l799 dhe është varrosur në Mount Vernon, në Virginia.
Botuar në ciklin "Presidentët e SHBA" në gazetën "Illyria", 17 Shkurt 1993
John Adams
Presidenti i dytë (1797-1801)
Presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara, John Adams, ka qenë një njeri i mësuar, i ndershëm dhe i mënçur. Ai u shqua më shumë si fillozof politike se sa si politikan. "Njerëzit dhe shtetet janë të përfshirë nga flakët e kundërshtimit" - pat thënë ai, me siguri, duke menduar për eksperiëncën e jetuar nga ai vetë dhe Amerika.
Adams lindi në Massachusetts Bay Colony në vitin 1735. Studjoi drejtësinë në Harward University dhe shumë shpejt u bashkua me çështjen patriotike. U zgjodh delegat në Kongresin e Parë dhe të Dytë Kontinental dhe u bë një nga udheheqësit në luftën për pavarësi. Ishte Adams ai që e propozoi Washingtonin për president dhe nguli këmbë që Thomas Jeffersoni të hartonte Deklaratën e Pavarësisë, për pranimin e të cilës luftoi pastaj me shumë këmbëngulje.
Gjate Luftës Revolucionare shërbeu ne Francë dhe Hollandë si diplomat dhe ndihmoi për të nënshkruar traktatin e paqes. Nga viti 1785 deri në 1788 ishte ministër në Oborrin e St. James dhe kur u kthye prej andej u zgjodh nënpresident nën George Washingtonin.
Ai u zgjodh dy herë si nënpresident dhe pësoi mjaft zhgënjim gjatë ushtrimit të kësaj detyre. Duke qenë një njeri me një intelekt të fuqishëm dhe sqimatar, një herë ai iu ankua së shoqes: "Vendi im me mençurinë e tij ka shpikur për mua detyrën më të parëndësishme që mund të shpikë apo mund të imagjinojë një njeri".
Kur Adams u bë president, lufta midis Anglisë dhe Francës po u shkaktonte vështirësi të mëdha Shteteve të Bashkuara në det dhe brenda vendit, për shkak se disa ishin përkrahës të Anglisë, ndërsa të tjerë të Francës. Adamsi arriti që ta mbante vendin e tij jashtë kësaj lufte. Adams anonte nga Franca, ku dërgoi edhe një mision per të nënshkruar paqe. Kjo bëri që Adams të mos rizgjidhej. Në postin e presidëntit u zgjodh miku i tij Jefferson.
Më 1 nëndor 1800, pikërisht para se të bëheshin zgjedhjet, Adams arriti në Kryeqytetin e ri për të vendosur rezidencën e tij në Shtëpinë e Bardhë (White House). Natën e dytë, duke banuar në dhomat plot lagështi e të parregulluara ende mirë, ai i shkruante së shoqes: "Para se ta përfundoj letrën, unë i lutem Qiellit që të dërgojë Bekimet më të mira për këtë Shtëpi dhe për të gjithë ata që do të banojnë tani e tutje këtu. Uroj që vetëm njerëzit e ndershëm dhe të mençur të qëverisin nën këtë çati".
Adams u tërhoq për të jetuar në fermën e tij, në Quincy. Këtu ai shkruajti letrat e tij të famshme drejtuar Thomas Jeffersonit. Këtu, më 4 korrik 1826, ai pëshpëriti fjalët e tij të fundit: "Thomas Jeffersoni jeton akoma". Por Jeffersoni pat vdekur disa orë më parë në Monticello.
Botuar në ciklin "Presidentët e SHBA" në gazetën "Illyria", New York, 4 Prill 1993
Thomas Jefferson
Presidenti i tretë l801-l809
Në konfliktin e mprehtë ndërmjet partive në vitin l800, Thomas Jeffersoni shkruante në një letër private: "Unë jam betuar para altarit të Zotit se do të kem armiqësi të përjetshme kundër çdo forme të tiranisë mbi mendjen e njeriut".
Ky avokat i fuqishëm i lirisë lindi në vitin l743 në Albemarle County, Virginia, duke trashëguar nga i ati, plantator, nja 5.000 akra tokë, dhe nga e ëma, që ishte nga familja Randolph, një pozitë të lartë shoqërore. Ai studjoi në College of William and Mary, pastaj studjoi drejtësinë. Në vitin l772 u martua me Martha Wayles Skelton, një vejushë, që e solli për të jetuar bashkarisht në shtëpinë akoma të papërfunduar në Monticello.
Me quka në fytyrë e flokë të verdhë, mjaft i gjatë dhe jo elegant, Jefferson ishte elokuent në të shkruar, por nuk ishte orator para publikut. Në Dhomën e Përfaqësuesve të Virginias dhe në Kongresin Kontinental ai kontribuoi më shumë me penën se sa me zërin e tij në kauzën atdhetare. Si "anëtar i heshtur" i Kongresit, Jefferson, në moshën 33-vjeçare, hartoi projektin e Deklaratës së Pavarësisë. Në vitet që pasuan ai punoi me ngulm që t'i bënte realitet fjalët e kësaj deklarate në Virginia. Ndër veprat e tij më të shquara ka qënë hartimi i një ligji, që vendoste lirinë fetare dhe që u aprovua në vitin l786.
Në vitin l786 Jeffersoni shkoi në vend të Benjamin Franklinit si ministër në Francë. Simpatia që kishte për Revolucionin francez e futi në konflikt me Alexander Hamilton, kur Jeffersoni ishte Sekretar i Shtetit në Kabinetin e Presidentit në Washington. Ai dha dorëheqje nga ky post në vitin l793.
Nisi një konflikt i mprehtë politik dhe u formuan dy parti të ndara politike, Federalistët dhe Republikanët-Demokratë. Gradualisht Jeffersoni u bë prijës i Republikanëve, të cilët ushqenin simpati për çështjen e revolucionit në Francë. Duke sulmuar politikën e Federalistëve, ai kundërshtoi një Qeveri të fortë të centralizuar dhe mbrojti të drejtat e shteteve.
Ai nuk fitoi në zgjedhjet presidenciale të vitit l796 vetëm për pak vota. Ai u bë Zëvendës President, mgjithëse kishte qenë kundërshtar i Presidentit Adams. Në vitin l800 zgjedhësit republikanë, duke u orvatur t'i zgjidhnin si Presidentin, ashtu edhe Zëvendës Presidentin nga partia e tyre, shkaktuan një votim plotësues për Jeffersonin dhe Aaron Burrin. Hamiltoni, që nuk donte as Jeffersonin dhe as Burrin, megjithatë kërkoi të zgjidhej Jeffersoni.
Kur Jeffersoni u zgjodh President, kriza në Francë kishte kaluar. Ai bëri shkurtime në Ushtri dhe Marinë, pakësoi buxhetin, hoqi taksën për uiskin që urrehej aq shumë në Perëndim, dhe reduktoi borxhin shtetëror në një të tretën. Ai dërgoi gjithashtu një skuadrilje amerikane për të luftuar kundër piratëve që nuk linin të qetë tregtarët amerikanë në Mesdhe. Më vonë, megjithëse Kushtetuta nuk parashihte blerjen e tokave të reja, Jeffersoni i la mënjanë skrupujt përsa i përket karakterit kushtetues të veprimeve të tij, kur iu paraqit rasti të blinte nga Napoleoni në vitin l803 Territorin e Louisian-ës.
Gjatë kohës së presidencës së tij, ai qe gjithnjë e më tepër i shqetësuar që të mos lejonte Kombin e tij që të përfshihej në luftërat napoleonike, megjithëse si Anglia, ashtu dhe Franca i shkelnin të drejtat neutrale të tregtarëve amerikanë.
Jeffersoni, pasi mbaroi afati presidencial, u tërhoq në Monticello dhe u muar me projekte të ndryshme, midis të cilëve me projektin e madh të Universitetit të Virginia-s.
Një fisnik francez pati thënë se Jeffersoni e pati vendosur shtëpinë dhe mendjen e tij "në një pozicion të lartë, nga i cili mund të sodiste universin".
Ai vdiq me 4 korrik l826.
Botuar në ciklin "Presidentët e SHBA" në gazetën "Illyria", 1 Prill 1993
Për një shkollë dygjuhëshe anglisht-shqip
Nga një herë ndodh që gati para syve tanë ndodhin ngjarje në dukje të vogla, të zakonshme dhe jo aq të rëndësishme, por të cilat me kalimin e kohës marrin një rëndësi dhe vlerë të dorës së parë.
E tillë ishte edhe mbledhja e prindërve të nxënësve të komunitetit shqiptaro-amerikan të Bronx-it të shtunën me datë 3 prill në Eight Public School të Bronx-it, e organizuar me inisiativën shumë të lavdërueshme të veprimtarëve të palodhur të këtij komuniteti, zotërinjve Pashko Camaj dhe Esad Rizaj, për të themeluar një shoqatë kulturore-arsimore, e cila do të ketë për qëllim kryesor jo vetëm ruajtjen e zhvillimin e traditës kulturore shqiptare, por edhe promovimin e kërkesës për krijimin mbi baza zyrtare të një shkolle dygjuhëshe shqip-anglisht në Bronx.
Në këtë mbledhje ndodheshin edhe ish kongresmeni Mario Biagi, mik dhe dashamirës i kahershëm i shqiptarëve të Amerikës, si edhe zoti James P. Sullivan, Drejtor i personelit mësimor të Distriktit l0 të Bronxit.
Sikundër tha zoti Esad Rizaj në fjalën e tij të hapjes, ne duam që fëmijët e shqiptarëve të lindur dhe të rritur në SHBA jo vetëm të mos e humbasin gjuhën e nënës, por ta mësojnë atë në shkollë, ku të marrin edhe njohuri shkencore për historinë dhe kulturën e atdheut tonë të parë, në mënyrë që të mos e ndiejnë veten të huaj dhe të pabarabartë me moshatarët e tyre kur të kthehen përkohësisht apo përfundimisht në vendlindjen e prindërve.
Ai foli për punën e lavdërueshme të grupit të arsimtarëve P.Velaj, H. Gjonbalaj, të drejtuar nga zoti Hasan Gashi, të cilët, vullnetarisht, pas kryerjes së punëve të tyre për sigurimin e jetesës, vijnë këtu çdo të shtunë dhe u mësojnë vazjave dhe djemëve shqiptarë gjuhën shqipe. Ai përmendi mjaft prindër atdhetarë, që kanë kontribuar për të paguar lokalin e shkollës si Rexhë Xhaklin (4 muaj), Rustem Gecin (2 muaj) etj.
Tani, tha zoti Esad Rizaj, është puna të themelohet një shkollë dygjuhëshe, e cila do të ketë trupën e saj arsimore të përbërë edhe nga mësuesë shqiptarë dhe që do të subvencionohet nga shteti amerikan. Por për këtë duhet që të gjithë prindërit me banim jo vetëm në Bronx, por edhe në rrethina, të regjistrohen dhe të marrin pjesë në zgjedhjet për këshillat e prindërve. Sa më tepër vota të kemi në këto këshilla, aq më të sigurt do të jemi për realizimin e këtij qëllimi.
Të pranishmit i përshëndeti ngrohtësisht ish kongresmeni Mario Biagi, i cili theksoi se populli shqiptar ka një kulturë të lashtë, me rrënjë më të thella se kultura romake dhe për këtë shqiptarët duhet të jenë krenarë.
Ai e këshilloi komunitetin të jetë kompakt, të ketë një udhëheqje unike për të realizuar plotësisht aspiratat e tij në shoqërinë amerikane. Ai e cilësoi krijimin e një shkolle të tillë si një mundësi të madhe që djemtë dhe vajzat e komunitetit tonë të përgatiten për të dhënë kontribute të shquara në jetën kulturore, shkencore dhe politike për shoqërinë amerikane dhe atë shqiptare.
Mbledhjen e përshëndeti edhe zoti James P. Sullivan, drejtor i personelit mësimor të Distriktit 10 të Bronxit. Ai transmetoi edhe përshëndetjen e përkrahësit dhe bashkëpromovuesit të palodhur të kësaj ideje dr. John ReeHill, Drejtor i arsimit për Distriktin l0 të Bronxit.
Zoti Pashko Camaj i bëri thirrje komunitetit shqiptaro-amerikan të Bronxit, që arrin në mbi l5 vetë, të bashkojnë përpjekjet për realizimin e këtij qëllimi dhe i ftoi që të japin kontributin e tyre, duke u regjistruar (brenda 8 prillit) për të marrë pjesë në zgjedhjet e këshillave të prindërve në shkolla.
Prof. Velaj, gjithashtu një ndër inisiatorët e këtij projekti, bëri të ditur se arsimtarët e diplomuar shqiptarë mund t'i paraqesin rezumetë e tyre brenda muajit në adresën ........ Ai tha se krijimi i kësaj shkolle do të shoqërohet edhe me formimin e një trupe pedagogjike shqiptare, pozicioni i të cilës do të formalizohet zyrtarisht.
Në përkrahje të kësaj ideje shumë të rëndësishme u shprehën në mbledhje kleriku i sektit bektashi zoti Ramaj, zotërinjtë H. Gashi, N. Prela, Xh. Kukaj, H. Prengjoni etj.
Dihet se komuniteti shqiptaro-amerikan në SHBA është përpjekur gjithnjë që t'i ruajë traditat gjuhësore, kulturore dhe shpirtërore, që e lidhin me dheun mëmë, ka botuar qindra gazeta, libra, revista, ka formuar shoqëri e shoqata kulturore, shkolla mbi bazat e vullnetit të mirë për mësimin e gjuhës shqipe, por nuk ka patur ende një shkollë të rregullt dygjuhëshe shqip-anglisht, ku në mënyrë sistematike të mësohet gjuha, historia dhe kultura shqiptare.
Theksojmë se kjo është hera e parë që po bëhet një përpjekje serioze për të përfituar nga ligjet demokratike të shtetit amerikan për të krijuar jo vetëm një shoqatë kulturore-arsimore, por edhe një shkollë dygjuhëshe shqip-anglisht, e cila do të subvencionohet nga shteti amerikan. Të gjithë shqiptaro-amerikanët mund dhe duhet të kontribuojnë për realizimin e kësaj ideje, që ka të bëjë me të ardhmen e komunitetit tonë dhe të brezave tanë të ardhshëm.
(Botuar në gazetën "Illyria", 4 Prill 1993)
Një ansambël për madhështinë e mendjes njerëzore
Në rast se shkon në Manhattan, pa dashur lumi i njerëzve që vërshon rretheqark teje, kudo që të kesh zbritur apo kudo që të ndodhesh, të merr me vete dhe të shpie drejt Rockfeler Center- kompleksin privat më të madh të ndërtesave e objekteve të tjera për biznes dhe pushim, jo vetëm në New York, por në të gjithë botën.
Ky kompleks përfshin l9 godina të mëdha, të ndërtuara në një sipërfaqe prej 22 akrash, që themeluesi i saj John D. Rockfeller Junior ia mori me qira Columbia University në vitin l928. Ai u konceptua si "një qytet brenda qytetit", domethënë si një kompleks urban i pajisur me të gjitha objektet e nevojshme për një qytet, duke përllogaritur tre elementët e domosdoshëm: ajrin, dritën dhe transportin.
Qendrën e këtij ansambli dhe ndërtesën e tij të parë e përbën qiellgërvishtësi G.E. Building, 70 katësh, 850 këmbë i lartë, i cili u mendua si "flamurmbajtës" për qiellgërvishtësit e tjerë që u ndërtuan dhe iu shtuan më pas, duke ruajtur gjithnjë raportet e hapësirës midis tyre. Vetëm veprat e artit, të punuara nga artistët më të njohur të kohës, arrijnë në l00, duke e bërë këtë ansambël "muzeun" më të madh "nën qiell të hapur" në Amerikë.
75.000 vetë punuan për ndërtimin e këtij kompleksi për dhjetë vjet me radhë (l931-l940).
Nëpër parqet, pranë shatërvaneve, kafeneve jashtë dhe brenda ndërtesave do të shikosh një mori të panumërt njerëzish të racave, kombësive dhe të moshave të ndryshme. Menjëherë e ndien veten sikur të ishe në një Romë apo Babilon të ri. Aq më tepër që të gjitha veprat e artit në këtë ansambël janë realizuar në frymën e mitologjisë greke, kryesisht, por edhe asaj të Lindjes. Atmosfera këtu është gjithnjë festive, jo vetëm për shkak të numrit dhe larmisë së madhe të vizitorëve, që lëvrijnë kudo, por edhe të flamurëve ngjyra-ngjyra që valviten rretheqark sheshit, midis të cilëve edhe flamuri i kuq me shkabën e zezë në mes.
Para G.E. Building ndodhet Rockfeler Plaza. Në Lower Plaza (Sheshi i Ulët), që është ndërtuar nën nivelin e sheshit të madh, ndodhet një shatërvan, i cili në verë flladit me freskinë e tij vizitorët e ulur nëpër tavolina, ndërsa në dimër sheshi mbulohet me akull dhe shërben për të rrëshqitur me patina. Në mbrëmje ai vezullon i gjithi nga dritat.
Në ball të shatërvanit spikasin vargjet e Eskilit të Madh:
"Prometeu, mësuesi i çdo arti, solli zjarrin që u bë për të vdekshmit një mjet për të arritur qëllime të madhërishme".
Ndërsa para shatërvanit është vendosur skulptura e famshme e "Prometeut" e punuar nga Paul Manship. Ky nuk është një Promete i përvuajtur, i ngrysur, nga dhëmbjet fizike dhe shpirtërore, i mbërthyer në majë të shkëmbit, sikurse e përfytyrojmë ne ballkanasit zakonisht me tragjizmin tonë të vrejtur. Jo, aspak. Ai është një djalosh i ri me një pishtar në dorë, i hepuar pak, duke fluturuar poshtë, në drejtim të tokës, në drejtim të njerëzve. është krejt i praruar. Dhe prej tij buron vetëm rini, bukuri, siguri e qetë dhe optimizëm. Një optimizëm karakteristik për popullin amerikan. Meqë ra fjala, me cilindo amerikan që të flasësh, do të shohësh se të gjithë janë të sjellshëm dhe të qeshur, kurrë nuk janë të ngrysur, megjithëse kurrë nuk kanë dëshirë ta zgjasin muhabetin. Të njëjtën gjë shikon tek politikanët, deri edhe tek spikerët e rrjetit të TV që buzëqeshin edhe kur transmetojnë lajme makabre. Kjo nuk do të thotë se popullit amerikan në rrugën drejt progresit e mirëqënies nuk i takoi që të përjetonte dramat e tij. Mjafton të shohësh tabllotë murale të piktorit Jose Maria Sert me titullin "Progresi amerikan" në hollet e katit përdhes të G.E. Building.
Sidoqoftë, të bën një përshtypje të pashlyeshme ky Promete i praruar në sfondin e këtij qiellgërvishtësi kaq të madh, provë e orvatjes titanike të njerëzve për të sulmuar qiellin.
Por nuk është vetëm Prometeu ai që të lidh me ëndrrën dhe aspiratën e përjetshme të njerëzve për dritë, për dituri. I gjithë ky ansambël është i mbushur me vepra arti, të cilat synojnë t'i thurin lavdi mendjes së guximshme njerëzore.
Tutje në sfond, mbi hyrjen e G.E. Building, në një basorelief është paraqitur një figurë shumë e ngjashme me Moisiun e Mikelanxhelos, dora e të cilit është vendosur mbi një libër dhe anash është shkruar: "Urtësia dhe Dija do të jenë qëndrueshmëria e Kohës tënde".
Edhe në pjesën e prasme të G.E. Building do të shohësh mozaikun e madh të Barry Faulkner "Mendimi", i cili ka në qendër një grua të përqëndruar në një mendim të qetë dhe ka anash Fjalën e Shkruar dhe Fjalën e Folur, që së bashku me të gjitha artet dhe shkencat që lindin prej tyre (politikë, filozofi, poezi, dramë etj.), gjithashtu janë të paraqitura në formën e grave engjellore që notojnë në një qiell të kaltërt. Në skajet e mozaikut janë paraqitur Varfëria, Injoranca, Frika dhe Mizoria, shkaktarët e lindjes së mendimit dhe armiqtë e tij vdekjeprurës.
Por ajo që e plotëson dhe e përfundon mendimin, që duhej të përshkonte me sa duket këtë ansambël, sipas krijuesve të tij, është mesazhi-kredo i John D. Rockfellerit, JR., pinjollit të familjes së miliarderëve amerikanë, i cili qe inisiatori dhe projektuesi i tij.
Për ne që kemi jetuar në sistemin komunist të Lindjes, ku nën parullat demagogjike të internacionalizmit dhe të së mirës së përgjithshme, të luftës kundër humanizmit mbiklasor shtypej liria e individit dhe shoqëria shkonte drejt rrënimit dhe varfërimit ekonomik e shpirtëror, është me interes ta lexojmë këtë mesazh, që është një këngë besimi për vlerat e individit dhe të shoqërisë të bazuar në drejtësi, të punës njerëzore, të lirisë dhe të lumturisë:
"Unë besoj në vlerën supreme të individit dhe në të drejtën e tij për të jetuar, për të qenë i lirë dhe për të kërkuar lumturinë
Besoj
se çdo e drejtë të ngarkon me një përgjegjësi; çdo mundësi është një obligim; çdo pasuri është një detyrë.
Besoj
se ligji është bërë për njeriun dhe jo njeriu për ligjin; se qeveria është shërbëtore e njerëzve dhe jo padrone e tyre.
Besoj
në dinjitetin e punës, qoftë ajo mendore apo fizike; se bota nuk ka për borxh t'i sigurojë askujt jetesën, por e ka për borxh t'i japë çdo njeriu mundësinë për të siguruar jetesën.
Besoj
se kursimi është i qenësishëm për një jetesë të rregulluar si duhet dhe se ekonomia është kërkesa e parë e një strukture të shëndetshme financiare, kudoqoftë, në qeveri, biznes apo në punët personale.
Besoj
se e vërteta dhe drejtësia janë themelore për një rend të qëndrueshëm social.
Besoj
në shenjtërinë e një premtimi, se fjala e dhënë e lidh njeriun; se karakteri - dhe jo pasuria, pushteti apo pozita - ka vlerën më të lartë.
Besoj
se kryerja e shërbimeve të dobishme është një detyrë e zakonshme e njerëzve dhe se vetëm në zjarrin pastrues të sakrificës digjet zgjyra e egoizmit dhe çlirohet madhështia e shpirtit njerëzor.
Besoj
në një perëndi që është më i mençuri dhe që i do të gjithë, me çfarëdo emri që ta quajnë, dhe se plotësia më e lartë e individit, lumturia e tij më e madhe dhe dobishmëria e tij më e gjerë duhet të jetojnë në harmoni me vullnetin e tij.
Besoj
se dashuria është gjëja më e madhe në botë; se vetëm ajo mund të mposhtë urrejtjen; se e drejta mund dhe duhet të triumfojë mbi forcën.
John D. Rockefeller, JR."
Pasi je shkëputur nga zallamahia njerëzore, nga ai vrap i nxituar për të parë çdo kënd e cep të këtij ansambli, kur shkëputesh nga madhështia e ftohtë e qiellgërvishtësve, ajo që të mbetet e pashlyeshme në mendje është se i gjithë ky ansambël është një himn për madhështinë e mendjes së njeriut, i aspiratës së tij të përhershme për dritë, liri dhe lumturi.
Botuar në gazetën "Illyria", New York, 28 Qershor 1993
Këmbana e Lirisë - "The Liberty Bell"
Megjithëse Philadelphia është një nga qytetet më të mëdha të Amerikës, kur vjen nga New-Yorku të duket sikur lëvizja e njerëzve e madje edhe e makinave është e ngadalësuar. Njerëzit duket sikur janë më të ngeshëm, edhe pse është një ditë e zakonshme pune. Duke hyrë në periferinë e qytetit, pasi ke udhëtuar nëpër rrugët e pastërta, të rrethuara anëve me barë e drunj të shumëllojshëm, menjëherë të bien në sy zhgarravinat nëpër muret dhe qepenat e dyqaneve, garbixhet me plehra të pështjella në thasë të zinj që presin të pastrohen. Këtu shihet më qartë fenomeni që ndodh tani nëpër qytetet e mëdha amerikane, banorët e hershëm largohen për të banuar në periferi - në "Upstate", dhe vendin e tyre e zënë emigrantët e rinj të ardhur nga të gjitha vendet e botës. Gjatë rrugës për në qëndrën e qytetit sheh mjaft godina të braktisura të fabrikave dikur të lulëzuara - shenjë kjo e rënies së përkohshme, që ka pllakosur këto vitet e fundit edhe ekonominë amerikane. Por ky vend ka provuar rënie edhe më të mëdha ekonomike dhe ka ditur jo vetëm t'i përballojë, por edhe të dalë me sukses prej tyre.
Philadelphia është ndërtuar buzë lumit të gjerë Delaware, i cili jo vetëm i jep hijeshi qytetit, por edhe e lidh me detin. Gjatë bregut të lumit ka shumë parqe, midis të cilëve dallojnë Pen Treaty Park, ku William Penny, guvernatori i Provincës së Pensilvanisë pati bërë paqe me fiset indiane, Delaware Park etj. dhe mjaft lokale për të pushuar dhe për të dëgjuar muzikë, ndërsa në shumë vende janë ankoruar anije të vogla dhe motobarka.
Në Philadelphia ka shumë objekte historike dhe kulturale me rëndësi jo vetëm për shtetin e Pensilvanisë, por mbarë vendin. Ato ndodhen kryesisht në qendrën e qytetit, e cila ruhet e pastër dhe e bukur. Qiellgërvishtësit me kupolat e ngjyrosura në blu i japin një pamje të bukur qendrës së Philadelphias, sidomos kur i kundron nga larg dhe ato duket sikur i kredhin majat e tyre lehtë e pa u kuptuar në kaltërsinë e qiellit.
Philadelphia është e njohur sidomos për qendrën e saj historike - City Hall ose Independence Hall, ku u shpall Deklarata e Pavarësisë e Shteteve të Bashkuara dhe Këmbanën e Lirisë "The Liberty Bell" në sheshin para saj, të cilët presin e përcjellin me mijëra vizitorë çdo ditë jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara, por nga e gjithë bota. I gjithë ky kompleks është ruajtur në pamjen që ai ka patur 200 e ca vjet më parë. Vetëm Këmbana e Lirisë nuk është më në kullën ku pati lëshuar tingujt festivë të Shpalljes së Pavarësisë, por në parkun para Independece Hall, e mbuluar me xham.
Nga qindra mijëra këmbana që kanë gjëmuar me tingujt e tyre për të lajmëruar lirinë apo për të grishur për luftë kundër armikut që rrezikon lirinë e atdheut, vetëm këmbanës së qytetit të Philadelphias i takoi të quhet Këmbanë e Lirisë që në lindje të saj dhe me këtë emër të njihet në të gjithë vendin.
Ciceronja që shpjegonte historikun e "Këmbanës së Lirisë", një vajzë e re shtatshkurtër, ishte shumë e emocionuar atë ditë, dhe e shpjegoi këtë me faktin se ne ishim të parët vizitorë që vinim pas përgatitjeve që ishin bërë për të pritur presidentin e Amerikës, Bill Clinton. Mbase ishte kjo arsyeja që ajo u përpoq të ipte shpjegime sa më të plota dhe emocionante, sikur të donte të bënte një provë para se të fliste para presidentit.
Në vitin l732 Provinca e Pensilvanisë filloi të ndërtonte State House, që tani quhet Indipendence Hall, ku do të mbaheshin mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme. Në vitin l740 asaj iu shtua një kullë me tulla bashkë me shkallët dhe në vitin l750 një kullë druri. Në vitin l751 Isaac Noris, pasanik dhe në atë kohë spiker i Asamblesë, propozoi që të instalohej në kullë një këmbanë, që u porosit të derdhej në Londër. Ai zgjodhi si mbishkrim për këmbanën një varg nga Bibla, pikërisht vargun e dhjetë, kapitulli njëzet e pesë të librit të Levitikusit: "Shpall Lirinë në të gjithë Vendin për të gjithë Banorët e saj kudo që janë". Dhe me shërbimin që bëri gjatë gjithë jetës së saj ajo e meritoi emrin "Këmbana e Lirisë". Ky varg i vjetër u zgjodh për të nderuar pesëmbëdhjetëvjetorin e shpalljes së Kartës së Privilegjeve që i kishte dhuruar popullit të Provincës pronari i saj William Pen.
Këmbana erdhi nga Londra në vitin l752, por që në goditjet e para pësoi një të çarë. Ajo u riderdh nga dy fondatorët e Philadelphias, John Stow dhe John Pass, të cilët vunë emrat e tyre në vend të emrave të fondatorëve londinezë. Emrat e tyre i lexon edhe sot sipër këmbanës. Por fondatorët kishin shtuar shumë bakër dhe tingëllimi dilte i dobët, kështu që të kritikuar shumë nga populli, u detyruan ta riderdhnin përsëri. Ajo u vendos përfundimisht në vend në qershor të vitit l753.
Kjo këmbanë nuk u ndërtua si një këmbanë për të kumbuar në një vend kulti dhe për të grishur besimtarët për lutje, ajo u ndërtua për të thirrur në mbledhje anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme, anëtarët e bashkisë së qytetit, për të dhënë alarmin në raste zjarri, për raste festash, për raste vdekjesh të njerëzve të shquar etj. Anëtarët e Asamblesë që nuk vinin ose vonoheshin për në mbledhje pasi binte këmbana gjobiteshin dhe gjobat shkonin në favor të Spitalit të Pensilvanisë.
Por Këmbana filloi të kumbonte fuqishëm kur filloi kriza në marrëdhëniet me Britaninë e Madhe. Ajo kumboi kur u mbyll porti i Bostonit, kur nisën beteja e Lexingtonit dhe Concordit që shënuan fillimin e Luftës Revolucionare. Ajo lajmëroi thirrjen e Kongresit Kontinental për t'i dhënë George Washingtonit komandën mbi Ushtrinë Kontinentale. Të gjitha këto ngjarje acaruan konfliktin me Britaninë e Madhe dhe shpunë në shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë. Tani filloi misioni i vërtetë i Këmbanës, e cila mbante mbishkrimin "Shpall Lirinë në të gjithë Vendin...".
Deklarata e Pavarësisë u adoptua nga Kongresi i Dytë Kontinental me 4 korrik l776, por për shtypjen e shpërndarjen e kopjeve të saj nëpër koloni u deshën disa ditë, kështu që si ditë për paraqitjen e saj për aprovim u caktua 8 korriku.
Ajo ishte një ditë plot dritë e diell. Turma të mëdha populli u mblodhën para State House. Anëtarët e Komitetit të Sigurimit shkuan në sallën e gjykatës,, ku Deklarata u lexua nga John Nixon, një anëtar në zë i Komitetit të Shpëtimit për Pensilvaninë. Pas leximit të Deklaratës, filluan të gjëmonin tingujt e "Këmbanës së Lirisë" dhe të të gjitha këmbanave të qytetit dhe të rrethinave midis brohoritjeve të njëzëshme të popullit. Pastaj nëpër shesh parakaloi milicia dhe u zbrazën bataret e pushkëve. Në mbrëmje manteli i mbretit të Anglisë, simbol i pushtetit të tij, u nxuar nga State House dhe u dogj në zjarr midis entuziazmit të papërshkruar të popullit.
Por si Ditë e Pavarësisë në vitet e mëpastajme u caktua 4 korriku, dita kur u adaptua nga Kongresi Deklarata, që qe kremtuar me tingujt e Këmbanës së Lirisë.
Edhe Këmbanës iu desh të provonte peripecitë e Luftës Revolucionare. Në vitin l777 për të mos rënë në duart e ushtrisë britanike që marshonte drejt qytetit, "Këmbana e Lirisë" bashkë me të gjitha këmbanat e tjera të qytetit u transportua me një karvan prej 700 qeresh në Allentown dhe vetëm një vit më vonë u kthye në vendin e saj.
Kjo Këmbanë njoftoi shumë ngjarje të Luftës për Pavarësinë.
Me 24 korrik l826 ajo njoftoi vdekjen e njëkohshme të Thomas Jeffersonit dhe John Adamsit, të dy nënshkrues të Deklaratës dhe ish presidentë të Shteteve të Bashkuara.
Të çarën e madhe, që shihet edhe në fotografi, këmbana e pësoi më 8 korrik l835. Ajo u meremetua dhe kumboi deri më 23 shkurt l846, kur e çara u thellua edhe më shumë dhe nuk lejonte që të dilnin më tinguj.
Por edhe pa kumbuar ajo u bë simbol i lirisë në vitin l840 për Shoqërinë Amerikane Kundër Skllavërisë dhe si e tillë shërbeu gjatë të gjithë kohës së Luftës Civile në Amerikë.
Duke filluar nga viti l852, ajo u vendos në sheshin para Indipendence Hall, ku ndodhet edhe tani, për t'u soditur nga vizitorët si simbol i lirisë. Ajo ka shëtitur nëpër të gjitha qytetet e mëdha të Amerikës, me rastin e ekspozitave të ndryshme.
Kur largohesh nga "Këmbana e Lirisë", kur kujton mbishkrimin e saj: "Shpall Lirinë në të gjithë Vendin për të gjithë Banorët e tij kudo që janë" na kthehet mendja tek bashkëvëllezërit shqiptarë që vuajnë akoma nën sundimin e huaj dhe mbushesh me shpresë se dhe për ata do të kumbojë një ditë "Këmbana e Lirisë".
When you step out of this place, where the Liberty Bell stays, you can not forget what is writen on it: "I declare the Liberty allover the country for all it inhabitants whenever they are", and we bring in mind our Albanian brethrens that are suffering and we are filled with the hope that somedays and for them will ring the Liberty Bell.
Botuar në gazetën "Illyria", New York, 4 Korrik 1993
Shqipëria është shtet sovran
Gjykimi i pesë minoritarëve grekë, qytetarë të Republikës së Shqipërisë, të akuzuar për lidhje me qarqe të caktuara qeveritare dhe shërbimet e fshehta greke për shkëputje të territorit të Shqipërisë, është incidenti i fundit në vargun e incidenteve të tjera midis Greqisë dhe Shqipërisë, i cili po shfrytëzohet pa skrupull nga propaganda greke në të gjitha nivelet për qëllimet e saj antishqiptare.
Nuk është hera e parë që propaganda greke, vegël e zellshme e qarqeve shoviniste greke, synon t'i paraqesë gjërat në dritën që i pëlqen. Këto qarqe harrojnë se Shqipëria është një shtet sovran dhe është e drejtë e saj të kërkojë prej të gjithë qytetarëve, qofshin këta edhe minoritarë, t'ia nënshtrojnë ligjit veprimtarinë e tyre dhe të japin llogari, në qoftë se kjo veprimtari shkon në dëm të interesave kombëtare.
Por qëllimi i vërtetë i kësaj propagande nuk është aq mbrojtja e të akuzuarve, se sa acarimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me Shqipërinë, krijimi i precedenteve për t'i lëne derë të hapur shovinizmit grek që të realizojë ëndërrën e kahershme të helenizimit të Shqipërisë së Jugut.
Për këtë ajo ka shfrytëzuar çdo incident, duke filluar nga akuzat për keqtrajtimin e minoritetit grek, në kohën që Greqia dihet botërisht se është shteti më intolerant ndaj minoriteteve (le të kujtojmë shqiptarët etnikë të Çamërisë, të dëbuar me dhunë nga tokat e tyre, shtypjen e çdo përpjekjeje të shqiptarëve në Greqi jo për t'u arsimuar në gjuhën shqipe, por për ta folur atë dhe për t'u identifikuar me emrin shqiptar. Po kështu ajo është sjellë me minoritetin maqedon, turk etj.).
Edhe në nivelin e politikës shtetërore, Greqia nuk ka ngurruar të bëjë presione e shantazhe, duke ndërmarrë veprime të ulta e meskine, si dëbimi me dhunë i shqiptarëve të punësuar përkohësisht në Greqi, keqtrajtimi i tyre çnjerëzor në pikat kufitare, kërcënimi i vazhdueshëm për dëbimin e emigrantëve ekonomikë etj. Në kohën që gjithë bota përpiqet të ndihmojë demokracinë e re shqiptare, Greqia, si kryetare e radhës së Bashkimit Evropian, bëri ç'është e mundur që Shqipërisë të mos i jepet huaja e caktuar nga ky institucion.
E përkdhelur nga Perëndimi, e rimbëkëmbur ekonomikisht prej tij, qarqet shoviniste greke tani e kanë kthyer timonin nga ana e Lindjes, nga aleatët e dikurshëm sllavo-bizantinë. Ato duan t'i rikthejnë vetes pozitën drejtuese që kishin në perandorinë sllavo-bizantine . Me ta e lidh Greqinë edhe endërra e vjetër për copëtimin e Shqipërisë. Prandaj, nuk na çudit aspak fakti që këto qarqe janë këshilltaret dhe ndihmësit më të devotshëm të qarqeve reaksionare shoviniste serbe me në krye Millosheviqin dhe politika e tyre në Ballkan është në unison. Një nga qëllimet e qarqeve shoviniste greke për mbajtjen në tension të marrëdhënieve me Shqipërinë, është edhe ndihma për aleaten e vjetër Serbinë, e cila është ballafaquar me zgjidhjen e problemit të Kosovës.
Por, qarqeve shoviniste greke dhe propaganduesve të tyre të zellshëm duhet t'u përsërisim edhe një herë se Shqipëria është një shtet sovran, që u krijua pa marrë parasysh pengesat e panumërta nga ana e fqinjëve të saj shovinistë. Shqipëria nuk është një vend ku ata mund të shijnë lëmë si të duan për arritjen e qëllimeve të tyre: helenizimin e Jugut dhe shpërbërjen e e saj.
Ligjet e shtetit shqiptar duhet të zbatohen me drejtësi ndaj të gjithë shtetasve pa ngurrim, pa marrë parasysh kërcënimet e shantazhet e shovinistëve grekë apo të kujtdo qoftë.
Botuar si editorial në gazetën "Illyria", New York, 18 Gusht 1994
Ladies and gentlemen,
I must thank so very much the "Enrico Fermi" Cultural Committee and my friend Paul Palombo, Professor at Fordham University, splendid admirer and renowened scholar of Dante's work and a man that is a beloved friend of the Albanian culture and albanians. By having organized this event they have created the possibility to have Dante's poetry recited not only in Italian but in Albanian as well.
I must also thank from my heart my italian and albanian friends that have, with their presence, honored me this evening.
This meeting is a tribute to the immortal masterpieces of Dante, a genius who is not only the pride of the Italian people but is also the pride of humanity in general.
I consider this meeting an additional source of pride because it is a further indication of the close ties that exist between the Albanian culture and European culture but mostly the close relationship to Italian culture.
I must confess that my translation of Dante's Inferno represents the most important achievement in a cycle of several European works which I translated and whose clear purpose was to exspose and resist tyranny, violence and fanaticism. This cycle, realized in the time of communist regime, includes: Aescylu's "Prometheus Bound" , Volter's "Zadig or La Destinè", Dostoyevsky's "Memories from the house of the dead", Saint-Ekzupery's "Wind, Sand and Stars" and "Novels of Kolyma" of russian dissident writer Shalamof, who better than any other writer had indicated the monstrous proportions of the violence and tyranny produced by the communist system.
My country, Albania, was the country in which this tyranny and this violence were applied to their most excesive levels, more than anywhere else.
I feel a great deal of emotions in reading Dante's Canto's in Albanian in front of such a distinguished public, particularly here, in America, where you are implementing the most daring and democratic attempt at realizing a harmonious society, composed by the people of diverse races, nationalities and religions, a society - free of all sorts of discrimination and with democratic tolerance for all.
Thank for your attention.
New York, May 25, 1995
Një krim i paramenduar kundër njerëzimit
Në numrin e fundit të gazetës "Illyria" datë 2-7 Prill 1999, u botua në gjuhën anglisht projekt-plani i parashtruar nga Voisllav Sheshel në tetor 1995 për spastrimin etnik të Kosovës. Voislav Sheshel është zevendës kryeministër dhe udhëheqës i Partisë Radikale të Serbisë.
Ky plan, i hartuar në bazë të memorandumit të Akademikut Çubriloviq "Kolonizimi i Kosovës dhe Dëbimi i shqiptarëve", që ai ja paraqiti qeverisë mbretërore të Stojadinoviçit në Beograd më 7 mars të vitit 1937, dhe që është aprovuar nga të gjithë pushtetarët shovinistë serbë, qofshin këta monarkistë, fashistë apo komunistë (vetë Çubriloviçi u shërbeu të gjithëve me besnikëri), tregon se tragjedia që po ndodh tani me popullin shqiptar të Kosovës, është paramenduar dhe planifikuar me kohë deri në hollësi. Fashisti Sheshel, që bashkë me vrasësit Millosheviq dhe Arkan, është bërë flamurtar i shovinizmit serb, parashtron me hollësi platformën e çpopullimit me forcë të Kosovës nga shqiptarët etnikë, e çpronësimit të tyre, duke sugjeruar edhe mjetet dhe mënyrat që duhet të përdoren për arritjen e këtij qëllimi, si shpërnguljen me hir apo pa hir të shqiptarëve, marrjen dhe zhdukjen e dokumentave të shtetësisë apo të pronës, mobilizimin e paraushtarakëve serbë, luftën psikologjike, eliminimin e intelektualëve dhe të udhëheqësve politikë nëpërmjet skandaleve, aksidenteve të kurdisura dhe deri në injektimin e tyre me virusin e AIDS-it.
Ngjarjet e kohëve të fundit, sidomos pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, tregojnë se ky plan është shpalosur plotësisht dhe po vihet në zbatim me nxitimin më të madh. Qëllimi është që çpopullimi i Kosovës nga shqiptarët të bëhet një fakt i kryer. Skenat tronditëse të shqiptarëve, pleq, gra dhe fëmijë, që po detyrohen me forcë të braktisin truallin e tyre amtar po u ngjethin mishtë telespektatorëve në të gjithë botën.
Ky nuk është vetëm krimi më i madh i paramenduar kundër shqiptarëve, por është edhe krimi më i rëndë kundër njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore.
Platforma e genocidit antishqiptar e hartuar sa me urrejtje, aq dhe me hollësi nga Shesheli dhe mësuesët e tij, niset nga gënjeshtra e madhe, me të cilën është ushqyer populli serb qindvjeçarin e fundit. Ja çfarë thotë ai në hyrje të planit të tij vrastar "Një mijë vjetë më parë, guri i themelit i shtetit serb, i ndërgjegjes dhe i kulturës së tij kombëtare, u krijua në Metohi. Deri në atë kohë, asnjë shtet ligjor nuk ka ekzistuar në Kosovë dhe Metohi. Nga të gjithë popujt që kanë jetuar dhe punuar në këto territore gjatë kësaj kohe, rrënjët e popullit serb janë më të thellat dhe më të shtrirat". Një gënjeshtër absurde, që rrëzohet nga faktet historike, që mund të gjenden në çdo tekst historie të vendeve evropiane. Dihet se sllavët e jugut janë të ardhur në Ballkan (midis shekujve V dhe VI), dhe ata nuk erdhën në një vend të zbrazët. Në zonat, ku ata u vendosën, banonin fiset ilire, të cilët ishin të përfshirë në Perandorinë Bizantine. Dikur këtu kishin lulëzuar shtetet e Dardanëve. Ardianëve, Molosëve, Epirotëve etj., të cilët pas luftrash të gjata, ishin futur nën sundimin romak. Serbët, që kanë kaq shumë nostalgji për të kaluarën e tyre, është mirë t'i kërkojnë rrënjët e tyre në humbëtirat e Siberisë, nga dhe kanë ardhur.
Në betejën e Fushë Kosovës në shekullin XIV kundër hordhive turke, që përbën altarin e kombit serb, përveç princit Lazar, morën pjesë edhe shumë princër shqiptarë dhe popuj të tjerë të Ballkanit. Shesheli harron se pati një ndryshim të madh në fatin e princërve dhe popujve që ata udhëhiqnin në atë kohë. Ndërsa princi Lazar u vra, serbët jo vetëm iu nënshtruan turqve, por edhe u bashkuan me ta në luftën për zgjerimin e kufijve në Perëndim. Për ta rregulluar sa më mirë politikën me sulltanët, princërit serbë nuk ngurruan të bënin edhe lidhje krushqie me sulltanët dhe u bënë furnizuesit kryesorë të haremeve të Sulltanit. Dhe ata dërgonin atje bijat dhe motrat e tyre. Zoti Sheshel duhet ta di edhe më mirë këtë, në qoftë se e di mirë historinë e knjazëve dhe kralëve të Serbisë. Varri i princit dhe humbja në këtë betejë shërbeu për të krijuar mitin më të vjetër të historisë së tyre. Ne e kuptojmë fare mirë këtë. Vetëm varret e bëjnë një mërgimtar që ta ndjejë veten dikushi në një vend të huaj. Ky varr u shërbeu serbëve për të mos e ndjerë më veten të huaj dhe të paemër në dheun e huaj, ku kishin ardhur si qifqinjë të Bizantit. Tani ata kishin një varr ku mund të qanin. Tani ata kishin një histori, që mund ta mbronin, kishin një humbje për të cilën mund të krenoheshin. Ata u bënë banorë të Ballkanit dhe harruan humbëtirat nga kishin ardhur.
Ne shqiptarët e kuptojmë këtë. Sepse edhe vetë krenohemi dhe i nderojmë të gjithë burrat që japin jetën për lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Por ajo që nuk pranohet është se ata harrojnë faktin se shqiptarët, banorë të stërlashtë të këtyre trojeve, kanë flijuar bijtë dhe bijat më të mira në luftë kundër invazioneve të pandërprera të agresorëve të huaj kundër trojeve të tyre, duke filluar nga romakët, vizigotët, ostrogotët, hunët, normanët, sllavët, turqit dhe përsëri serbët . Vërtet, princi Lazar, siç thuhet, luftoi kundër turqve, por muri ku u thyen hordhitë turke në vrullin e tyre kundër Perëndimit u bënë trojet shqiptare, u bë populli shqiptar me në krye Gjergj Kastriotin. Ndërsa princi Lazar është legjendë, edhe pse u vra vetëm një gjysëm shekulli më parë, bëmat e Gjergj Kastriotit Evropa i përjetoi dhe i mësoi në kohën që ato u bënë. 50 vjet më vonë nëpër Evropë qarkulloi me bujë libri i Marin Barletit "Historia e bëmave të Skënderbeut, princit të shqiptarëve". Dhe Gjergj Kastrioti u bë shëmbull frymëzimi për të gjithë evropianët e krishterë kundër agresionit turk.
Shqiptarët nuk u nënshtruan. Ata luftuan vite me radhë kundër hordhive turke dhe kundër bashibozukëve serbë që bashkoheshin me ta. Të cfilitur nga luftërat e gjata, të braktisur nga Evropa, për të mos u nënshtruar krejtësisht dhe për të mos humbur pushtetin, shumë princër shqiptarë pranuan nënshtrimin dhe konvertuan besimin: nga të krishterë u kthyen në myslimanë. Vonë shembullin e tyre e ndoqën dhe një pjesë e popullit të thjeshtë. Konvertimi në fenë myslimane në shkallë të gjerë nuk ka ndodhur më shumë se 150 vjet më parë.
Politika e egër antishqiptare e Perandorisë turke, propaganda e tërbuar sllavo-greke, intrigat e Fanarit kanë penguar gjithnjë që bota e qytetëruar të kuptonte faktin se shqiptarët janë muslimanë të konvertuar. Muslimanët shqiptarë janë ish të krishterë të kthyer në muslimanë për të shpëtuar jo më tepër nga dhuna turke, se sa nga politika asimiluese e shovinistëve fqinjë serbë dhe grekë, që bëhej kryesisht nga kisha ortodokse sllavo-bizantine dhe që është përkrahur dhe mbështetur gjithnjë nga politika sllavofile e Rusisë.
Fashistit Sheshel dhe të gjithë bandës kriminele që drejton tani shtetin serb u bëjmë të qartë se shqiptarët janë në trojet e tyre që prej kohësh që historia e shkruar nuk i mban mend. Dihet kur kanë ardhur grekët, romakët, sllavët, por nuk dihet se kur kanë ardhur ilirët, sepse ata kanë qenë banorë autoktonë. Dihet gjithashtu se në asnjë rast shqiptarët, pasaardhës të ilirëve, nuk kanë bërë asnjë agresion kundër të tjerëve, por kanë luftuar vetëm për të mbrojtur trojet e tyre.
Populli shqiptar i Kosovës që jeton në trojet e tij etnike në Kosovë nuk duron më të jetë një koloni në mes të Evropës së qytetëruar.
Ai dëshiron të hyjë i lirë dhe i pavarur në shekullin XXI. Dëshiron të vendosë vetë për fatin e tij. Dëshiron të fitojë kushtin e tij njerëzor, të cilin janë përpjekur t'ia mohojnë. Të ecë i lirë në rrugën demokratike krahas të gjithë popujve të lirë dhe demokratë të botës.
Bota e qytetëruar dhe demokratike po e sheh dhe po e kupton se shovinistët serbë janë duke kryer një krim të shëmtuar dhe të paramenduar kundër një populli që kërkon të jetojë i lirë në tokën e vet.
Më poshtë po japim disa ekstrakte nga Deklarata e zëvendeskryeministrit të Serbisë Voisllav Sheshel dhënë gazetës "Velika Serbia" (Serbia e Madhe) me 14 Tetor 1995.
Krijimi i Serbisë së Madhe
Për të riorganizuar shtetin dhe për të ndryshuar institucionet e federatës dhe të autonomive territoriale, që, sipas tij kanë qenë fatale për popullin serb, Shesheli deklaron se "Zgjidhja më e mirë do të jetë të ndërtohet një shtet i vetëm që do të përfshijë Republikën Serbe të Krajinës, Republikën Srpska, Republikën e Serbisë dhe Republikën e Malit të Zi".
Sipas tij, shteti serb do të ketë një president, një parlament, një qeveri, ndërsa "krahinat do të jenë ndermjetëse midis administratave lokale dhe qeverisë qendrore>
"Heqja e autonomisë ekzistuese të Kosovës dhe Metohisë, nga e cila është krijuar një pabarazi fatale në Serbi dhe janë pajisur shqiptarët me një bazë për të kërkuar ndarje, është elementi kryesor i realizimit të çështjes kombëtare serbe", thotë Shesheli.
Më poshtë ai thotë: "Përfshirja e plotë e Kosovës dhe Metohisë në një shtet unik serb është një çështje e brendshme dhe duhet të zgjidhet si e tillë pa arbitrazh të jashtëm nga i ashtuquajturi komunitet ndërkombëtar"
Cilat janë rrugët, sipas Sheshelit, për integrimin e Kosovës në shtetin serb?
Promulgimi i një ligji që privon shqiptarët nga shtetësia
Së pari, sipas tij, është e domosdoshme që parlamenti federal të adoptojë ligjin e shtetësisë. Ky ligj do të përcaktojë se të gjithë shqiptarët që kanë hyrë ilegalisht gjatë periudhës 1941-1987, numri i të cilëve sipas "statistikave të shpikura" të zotit Sheshel (sepse plot shqiptarë nga Kosova janë shpërngulur në Shqipëri dhe asnjë shqiptar nga Shqipëria nuk është shpërngulur në Kosovë gjatë kësaj periudhe) arrin shifrën 400.000, nuk do të marrin shtetësi dhe nuk do të mund të jetojnë në këtë vend. Në vend të tyre do të vendosen me ligj 400.000 refugjatë serbë nga republikat e shkëputura të Jugosllavisë.
"Dy rregulla, sugjeron Shesheli, do të aplikohen për të eleminuar emigrantët: ata që e kanë provuar se janë ekstremistë do të dëbohen menjëherë, ndërsa të tjerët duhet të kenë dokumentat përkatës, sidomos çertifikatën e shtetësisë, gjë që asnjëri prej tyre natyrisht nuk do ta ketë ... Mungesa e këtij dokumenti (e "çertifikatës së atdhetarisë" siç e quan ai) do të shërbejë si bazë për dëbim. Duhet të parandalohet riatdhesimi i shqiptarëve që janë me punësim të përkohshëm në vendet e huaja , sidomos i atyre që janë larguar gjatë periudhës 1990-1993 (vlerësohet se numri i tyre është rreth 300.000 vetë). Do t'u refuzohet punësimi disa njerëzve me profesion të caktuar, kështu që ata do të detyrohen të largohen... Këto masa së pari dhe mbi të gjitha do të prekin pjesën e arsimuar të popullsisë së tyre, kështu që pjesa tjetër do të manipulohet me lehtësi dhe nuk do të jetë në gjendje të bëjë rezistencë".
Zhveshja e shqiptarëve nga e drejta e pronësisë
" ... duhet të promolgohet një ligj special, në bazë të të cilit të gjitha tokat dhe pasuritë e tjera të shqiptarëve do t'u kthehen serbëve dhe Kishës Ortodokse Serbe të Kosovës dhe Metohisë... Duke zgjeruar tokat dhe pasuritë e tyre, manastiret do të realizojnë në një mënyrë të shkëlqyer misionin e tyre fetar, kultural dhe kombëtar..."
" ...Gjatë ngjarjeve që ndodhën në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, vetëm priftërinjtë serbë qenë ata që nuk lëvizën nga Kosova. Kështu që, në saje të patriotizmit të tyre dhe të së drejtës së tyre të trashëgimisë, ata meritojnë të kenë prona të mëdha.
... Tokat që u janë shitur shqiptarëve ose që në një mënyrë apo në një tjetër kanë rënë në duart e tyre, duhet t'u kthehen ish pronarëve serbë ose trashëgimtarëve të tyre ..."
... Ka plot toka të shtetit që mund t'u jepen apo shiten serbëve që do të vijnë nga jashtë Kosovës dhe Metohisë ...Shtojmë se tokat e kooperativave bujqësore janë të mjafta për të vendosur një numër të madh kolonistësh ...Eshtë fare lehtë që të përqendrohen në këto toka serbë, të cilat do të bashkëpunojnë ngushtë me qendra të tjera të këtij lloji për të dhënë ndihmë në zhvillim. Vendosja e një zinxhiri qendrash të tilla është e mundshme në zonat e Deçanit, Prizrenit dhe Suharekës, ku, pasi të dëbohen shqiptarët, një barrikadë e fortë mbrojtëse kundër Shqipërisë do të jetë e sigurt.
Ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë
"Kolonizimi i Kosovës dhe i Metohisë duhet të realizohet shpejt dhe përfundimisht. Nëpërmjet propagandës politike, kolonistët do të paraqiten si serbë që popullojnë tokën serbe dhe nuk ka rëndësi në ç'pjesë të vendit ata jetojnë, përsa kohë që jetojnë në vendin e tyre. Këta serbë do të pajisen me vegla dhe hua afatgjata, kështu që mund të kultivojnë tokën që u është falur, e cila do t'i bëjë të mos ikin".
Ligji i Ndalimit të Shitjes së Pronave të Patundshme do të respektohet plotësisht dhe do të bëhen të gjitha përpjekjet për zbatimin e dispozitave të tij në shkallën e plotë dhe të duhur. Në këtë drejtim, përgjegjesinë më të madhe e ka Ministria e tanishme e Financave e Republikës së Serbisë, e cila në fakt në shumicën e rasteve nuk e ka zbatuar këtë ligj.
Të gjithë shqiptarët që nuk janë shtetas, gjë që mund të provohet lehtë me anë të regjistrimit të popullsisë, do të pushohen nga puna. Të gjithë shqiptarëve që do të duan të ikin do t'u jepen pasaportat. Shqiptarët me shtetësi jugosllave por që jetojnë jashtë apo që janë të përfshirë në aktivitete secioniste duhet ta humbasin shtetësinë.
Duke marrë parasysh shpërndarjen e tanishme etnike (vetëm pak enklava rurale serbe dhe mbi 700 qendra thjesht shqiptare) ... ne mendojmë se kolonizimi duhet të realizohet në një mënyrë të organizuar, nëpërmjet krijimit të fshtrave, qendrave dhe qyteteve të vogla të reja ose të lagjeve të reja në qytetet ekzistuese.
Në këtë mënyrë populli mund të ndahet sipas linjës etnike, ndërsa popullsia serbe në minoritetet në lagjet e përzjera nëpër qytete do të kalojë gradualisht në enclavat e porsakrijuara, ide kjo që kërkon si mbështetje, ashtu edhe motivim. Me qëllim që enclavat serbe të jenë mbrojtura, një popullsi shqiptare prej 5 deri 10 përqind do të instalohet atje (një përzgjedhje familjesh të shquara dhe me autoritet).
"Enkalavat serbe do të varen kryesisht nga furnizimet e shtetit, ndërsa zonat shqiptare kryesisht nga firmat private ... furnizimi me energji elektrike dhe ujë për enkalavat shqiptare mund të ndërpritet për ta bërë jetën e tyre të padurueshme.
"Por në qoftë se serbët i gjejnë tërheqëse enklavat shqiptare fqinje (me dyqane private, vende dëfrimi etj.), kjo mund të eleminohetduke provokuar incidente në këto enklava, si rrahje dhe dhunë.
Duhen marrë të gjitha masat e nevojshme për të mos lejuar funksionimin e sektorit privat shqiptar nëpërmjet kufizimit të përhershëm të aktivitetit të tij, gjë që do të rezultojë në një kontroll të fortë të fondeve të partive të tyre politike... Nëpërmjet legjislacionit përkatës dhe politikës përkatëse tatimore, sasi të mëdha parash mund të mblidhen dhe të përdoren programe të tilla si kolonizimi.
Shqiptarët kanë qef të përdorin procedurat e tyre fisnore për zgjedhjen e grindjeve dhe e urrejnë ndërhyrjen administrative në ato sfera të jetës, që ata i quajnë të rëndësishme. Do të adaptohet një ligj i tillë që do t'i detyrojë shqiptarët të kërkojnë leje bile për të mbajtur edhe një lopë. Zbatimi i këtyre ligjeve do t'i detyrojë ata të ikin jashtë dhe të përballen me pengesa serioze në kufi kur të tentojnë të kthehen. Përsa u përket enklavave serbe procedurat do të jenë më pak të komplikuara, ndërsa në qytete ku shërbimet janë të përbashkëta për të gjithë komunitetin, si në Ministrinë e Punë të Brendshme, qytetarët e kombësive të ndryshme do të trajtohen në mënyra të ndryshme.
Këto procedura do të rezultojnë padyshim me pakënaqësira në komunitetin e tyre, që do të jetë një parakusht për një gatishmëri të gjerë për t'u futur në organizata të ndryshme, duke përfshirë ato terroriste. Prandaj individë nga sigurimi i shtetit mund "të infiltrohen" si agjentë që do të bëhen nxitës për organizimin e këtyre organizatave ilegale apo armiqësore, ose edhe të bëhen lider të këtyre grupimeve. Këto dredhi do të shfrytëzohen nga shteti si pretekst për ndërmarrë veprime të papajtueshme kundër të gjitha organizatave, që do të rezultojnë në tensione ndëretnike dhe çarje të mëtejshme në jetën e tyre paralele. Për këtë qëllim, gjithmonë e më shumë grupe do të duhen, ndërsa policia herë pas here do të shkatërrojë një prej tyre, që pastaj do të lejohet të konsolidohet përsëri dhe të duket si një organizatë e vërtetë dhe "bona fide" (e besueshme). Partitë politike të shqiptarëve duhet të krijohen nëpërmjet një legjislacioni të veçantë dhe në të njëjtën kohë duhet të krijohen skandale për t'i diskredituar ato. Kjo do të diskreditoj udhëheqësit e tyre në sytë e opionit publik vendas dhe të huaj, gjë që ka një rëndësi të veçantë për shqiptarët.
Individë të shquar që luajnë rol të rëndësishëm në jetën e tyre politike duhet të eleminohen nëpërmjet skandaleve ose duke inskenuar aksidente trafiku, vrasje nga xhelozia apo duke i infektuar me virusin e AIDS-it kur udhëtojnë jashtë shtetit. Infektimi i tyre do të zbulohet kur të kalojnë kufirin dhe ata do të futen në karantinë. Duke bërë propagandën e përshtatshme në masmedian e tyre ngjarje të tilla mund të krijojnë një tablo artificiale të një përqindjeje të padurueshme njerëzish të infektuar, që do të përdoret si pretekst për të izoluar grupe të mëdha njerëzish. Kjo do të ndihmojë për t'i paraqitur shqiptarët si një popull i infektuar.
Detyrat e organeve të informacionit dhe propagandës
Të transmetohen programe të radios dhe televizionit në gjuhën shqipe, që do të synojnë të çrrënjosin mentalitetin e tyre patriarkal dhe fisnor duke iu ofruar vlerat më dekadente të Perëndimit, që mund të adoptohen lethtë nga njerëzit primitivë. Enklavat serbe do të shpëtojnë nga këto programe kryesisht për shkak të pengesave gjuhësore, por edhe duke vendosur një televizion me kabllo ne godinat dhe banimet e ndërtuara për serbët.
Ka shumë rëndësi që të krijohet një makineri e fuqishme dhe efikase propagandistike për të ushqyer opinionin publik, diçka si ajo që tashmë është duke u përdorur.
Shqiptarëve duhet t'u refuzohet çdolloj asistence publike, sepse ajo ka lehtësuar lindjet e larta midis tyre. Përqindja e lindjeve midis minoriteteve të fesë muslimane ka rezultuar në një shtim të lartë të popullsisë në Kosovë dhe Metohi. Një gjë e tillë krijon një surplus demografik, prandaj emigracioni i shqiptarëve është i domosdoshëm dhe duhet të bëhet pandonjë presion nga autoritetet serbe.
Eshtë e domosdoshme që në Kosovë dhe Metohi të hapen shkolla dhe akademi ushtarake dhe të policisë, institucione plotësuse ushtarake dhe institucione të tjera që do të lejojnë të vendosen atje mijëra oficerë të ushtrisë, policë, nëpunës, bashkë me familjet e tyre dhe me infrastrukturën e nevojshme për jetën e tyre normale. Të gjithë serbëve që duan të jetojnë në këto zona duhet t'u jepet falas tokë pjellore, godina dhe lokale për bizneset e tyre private. Ata që do të kenë mbi 10 punëtorë do të lirohen nga taksat për 10 vjet dhe do të kenë lehtësi të tjera.
Oficerë në pension nga radhët e oficerëve, policëve dhe nëpunësve mund t'i zgjidhin problemet e tyre të banimit duke u dhënë apartamente të reja komode dhe sa më të gjera në rajonin e Kosovës dhe Metohisë. Brezi kufitar, minimumi 50 kilometra nga Shqipëria duhet të shfrytëzohet për vendosjen e Serbëve. ... Zona kufitare afër Shqipërisë duhet të banohet ekskluzivisht me serbë, ndërsa pjesa tjetër e tokës duhet të jetë pronë e ushtrisë jugosllave.
Në fushën e edukimit
Gjuhë e mësimit duhet të jetë serbishtja... Shkollat ku do të përdoret gjuha e minoriteteve duhet të trajtohen si private, ndërkohë që ai që do të ketë një punë duhet të provojë se ai ka kryer shkollën me një program të plotë shtetëror....
Universiteti shtetëro i Prishtinës ka bërë ndryshime radikale dhe është në rrugë të mbarë për të arritur rezultate të mëdha.
Duhet të bëhen përpjekje për të ruajtur dhe për inkurajuar më tej arsimin paralel ilegal të shqiptarëve, sepse në këtë mënyrë ata do t'i kenë dyert të mbyllura për punësim dhe për t'u futur në shoqëri. Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për ta shpërndarë këtë popullsi në të gjithë botën, duke përfshirë Maqedoninë dhe Shqipërinë.Këto aktivitete do të reaalizohen në një kohë me forma të tjera presioni dhe duke krijuar tek ata ndjenjën e pasigurisë...
Ligji ushtrinë, çetat guerilase çetnike
Ligji për ushtrinë do të jetë aq i rreptë sa do të detyrojë çdo shtetas të Jugosllavisë të kontribuojë për mbrojtjen e vendit, ndërsa anëtarët e pakicave kombëtare do të kontribuojnë me para ose punë.
Brenda ushtrisë është e domosdoshme të legalizohet veprimtaria e çetave guerilase çetnike, që do të vendosen në pika me rëndësi strategjike në Kosovë dhe Metohi.
Policia të mbrojë vetëm serbët
Forcat policore në Kosovë dhe Metohi do të përfshihen ekskluzivisht në mbrojtjen e banorëve serbë si njërëz të rrezikuar në këtë rajon.
Komunikacioni - të lidhet Serbia me detin Adriatik
Rruga, nëpër të cilën ushtria serbe u tërhoq në vitin 1915 ka përcaktuar në një mënyrë të qenësishme drejtimin e autostradës së ardhshme (Nish, Prishtinë, Podgoricë, Bar), që në një mënyrë të sigurtë do të lidhë Serbinë me Malin e Zi dhe Detin Adriatik, via Kosovë dhe Metohi.
Çarmatosja e shqiptarëve - lufta për Kosovën me të gjitha mjetet e mundshme
Gjendja e tanishme në Kosovë dhe Metohi mund të rezultojë me konsekuenca të paparashikueshme, sidomos në se faktorët e jashtëm do të duan ta zbatojnë një skenar të tillë. Prandaj një vemendje e veçantë duhet t'i kushtojmë aksioneve preventive, para së gjithash kapjes së çdo lloj arme, me leje ose pa leje, në mënyrë që të neutralizojmë të gjitha formacionet paraushtarake, parapolicore dhe paraterritoriale. Në rast se duhet të bëjmë luftë për të mbrojtur Kosovën dhe Metohinë, ajo duhet bërë me të gjitha mjetet e mundshme që të përfundojë sa më shpejt. Nuk do të fillojnë bisedime apo bëhen marrëveshje me përfaqësuesit e shqiptarëve para se ligji i shtetësisë të aprovohet dhe pa ditur numrin e saktë të atyre që njohin dhe pranojnë këtë shtet si shtetin e tyre.
Me ata shqiptarë që duan të jenë shtetas të Serbisë apo Jugosllavisë, shteti duhet të jetë më tolerant, dhe ata mund të përfshihen në institucionet shtetërore dhe politike, nëqoftë se ata pranojnë shtetin serb dhe ligjet e tij.
(Marrë nga "A statement by Serb Deputy Prime Minister Voislav Seselj in Velika Serbija, The Greater Serbia Journal, Belgrade, Oct. 14, 1995).
Botuar në gazetën "Illyria", New York, 8 Prill 1999
Intervistë me Presidentin e Shqipërisë, Zotin Rexhep Meidani
Illyria: Zoti President, Ju keni patur shume takime me personalitetet politike dhe përfaqësuesit e medias. Çfarë ju ka bërë përshtypje në qëndrimin e tyre ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve?
Presidenti Meidani: Kam zhvilluar takime të shumta me personalitetet politike dhe median. Jam takuar me senatorë dhe kongresmenë, nga të cilët veçoj kongresmenin Engel dhe kolegët e tij që janë përkrahës të flaktë të zgjidhjes së çështjes së shqiptarëve të Kosovës, me sekretaren e Departamentit të Shtetit, zonjën Allbright, jam takuar me liderë evropian, si kryeministrin e Britanisë së Madhe, zotin Tony Blair, do të takohem me Presidentin Clinton dhe presidentin francez Jak Chirack.
Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje në këto takime është jo vetëm interesimi për situatën e vështirë, nëpër të cilën po kalon populli shqiptar, veçanërisht shqiptarët e Kosovës, por edhe mbështetja dhe solidariteti i tyre i plotë njerëzor.
Këtë gjë e kam vënë re edhe në qëndrimin e medias amerikane. Çdo ditë më duhet të takoj me përfaqësuesit e medias, të shtypit dhe të televizionit amerikan, të marrë pjesë në programet televizive, si ai me Larry King.
Por ky interesim dhe solidaritet nuk shprehet vetëm nga politikanët apo media.
Ajo që më ka prekur më thellë është takimi me një grup nxënësish të një shkolle të Michiganit. Ata sollën edhe kontributin e tyre modest. Nuk ishte ndonjë shumë e madhe, një çek prej 7500 dollarësh, por përfaqësonte një pasuri shumë të madhe - ishte simbol i pastërt i solidaritetit dhe përkrahjes së gjithë popullit amerikan.
Illyria: Si e shpjegoni ju këtë solidaritet?
Presidenti Meidani: Mendoj se solidariteti dhe angazhimi i plotë për të na ndihmuar duhet shpjeguar para së gjithash me imazhin e lartë që Shqipëria dhe shqiptarët kanë krijuar për vete në të gjithë botën.
Kudo ka bërë një përshtypje të thellë qëndrimi i Shqipërisë dhe i të gjithë popullit tonë ndaj refugjatëve kosovarë. Ky vend, ky popull tepër i varfër i hapi dyert pa hezitim për refugjatët kosovarë dhe vëllazërisht ndau me ta çdo që ka: strehë, bukë dhe halle.
Jo të gjithë të huajt e njohin traditën e mikpritjes dhe fisnikërinë shpirtërore të shqiptarëve. Por le të kujtojmë vetëm fatin e ushtarëve italianë pas kapitullimit te Italisë fashiste. Italianët kishin ardhur si pushtues, por populli ynë me intuitën e tij të pagabueshme e kuptoi se ata nuk ishin fajtorë dhe i ndihmoi të shpëtonin nga ndjekjet e nazistëve. Të shumtë qenë italianët që u birësuan në familjet shqiptare. Ata u bën anëtarë të familjeve shqiptare, ata i shpëtoi fisnikëria shpirtërore e shqiptarëve. Po kështu ndodhi edhe me izraelitët. Populli ynë ka një traditë shekullore që të ndihmojë njerëzit në nevojë, qofshin edhe të huaj, kjo është një traditë që buron nga shpirtmadhësia dhe fisnikëria e tij shpirtërore.
Pritja zemërhapur e motrave dhe vëllezërve tanë kosovarë ështe një gjë krejt e natyrshme për popullin tonë. Ai u gjend pranë tyre kur ata u ndodhën në rrezik dhe në nevojë. Por me sa duket kjo shpalosi në një mënyrë disi të papritur para botës imazhin e vërtetë të popullit tonë.
Një arsye tjetër është edhe gatishmëria e Shqipërisë për të mbështetur pa asnjë hezitim SHBA-në dhe NATO-n. Në dispozicion të tyre ne kemi vënë të gjithë territorin shqiptar, të gjitha infrastrukturat. Këtë e kemi bërë jo vetëm në aspektin humanitar, për organizatat dhe organizmat që ndihmojnë refugjatët, por edhe në aspektin ushtarak. Nga të gjitha shtetet, vetëm Shqipëria i është përgjigjur thirrjes së NATO-s për të vënë në dispozicion territorin e saj për fushatën ushtarake kundër Jugosllavisë së Millosheviçit. Edhe në të ardhmen ne do të jemi të gatshëm t'u përgjigjemi kërkesave të tyre. Ne duam t'i forcojmë gjithnjë e më shumë lidhjet tona me SHBA-të dhe NATO-n. Ne duam të inkuadrohemi në Aleancën e Atllantikut të Veriut dhe këtë e shohim si një faktor të rëndësishëm stabilizues për të ardhmen e Ballkanit.
Illyria: Nga Millosheviçi mund të presësh gjithçka. Si do të reagonit ju ndaj një përpjekje të tij për shkallëzimin e luftës kundër Shqipërisë.
Presidenti Meidani: Gjatë provoakcioneve dhe ndërhyrjeve të fundit në kufirin tonë të veriut forcat serbe kanë marrë përgjigjen e merituar. Ne jemi të përgatitur për çdo agresion të mundshëm. Për këtë kemi edhe garancitë dhe mbështetjen e plotë të NATO-s.
Illyria: Ju keni parashtruar dhe mbroni idenë e vendosjes së protektoratit ndërkombëtar si zgjidhje të ndërmjetme për problemin e Kosovës. Mund të na thoni diçka për këtë?
Presidenti Meidani: Ideja e protektoratit ndërkombëtar për Kosovën është bërë tani një ide mbizotëruese. Unë e kam biseduar këtë çështje me zonjën Albright dhe me personalitete të tjerë të lartë , që janë gjithashtu të të njëjtit mendim.
Duhet kuptuar mirë se luftën që bëhet tani kundër Millosheviçit ne nuk e konsiderojmë si një luftë ndërmjet shteteve, një luftë për të ndryshuar kufijt. Kjo është një luftë për qëllime humane, për të shpëtuar një popull nga mizoritë e pastrimit etnik, për të rivendosur të drejtat e tij njerëzore, për të jetuar në paqe dhe për ta organizuar vetë jetën e tij shoqërore. Kjo është luftë për të rrëxuar një regjim shtypës dhe mizor.
Idenë e vendosjes së protektoratit ndërkombëtar mbi Kosovën ne e shohim si një zgjidhje ndërmjetëse. Vendosja e protektoratit ndërkombëtar ka dy komponentë, njërin ushtarak dhe tjetrin civil.
Në aspektin ushtarak, një kontigjent trupash ushtarake të drejtuar nga NATO do të vendoset në Kosovë dhe do të sigurojë kushtet e duhura për kthimin e të gjithë refugjatëve në shtëpitë e tyre.
Në aspektin civil, do të krijohen kushtet minimale njerëzore për rifillimin e jetës normale në Kosovë.
Tani Kosova është e shkatërruar, mbi 650 fshatra janë djegur, mbi 600.000 vetë janë shpërngulur, me dhjetëra mijë vetë janë masakruar dhe vrarë, mbi 100.000 vetë kanë humbur, midis të cilëve më shumë se 60% janë fëmijë. Jeta ekonomike është shkatërruar.
Prandaj aspekti civil i protektoratit do të përfshijë tri fusha: humanitar, institucional dhe ekonomik.
Gjëja e parë që duhet është ndihma humanitare, e cila do të jepet nga organizmat dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Pastaj nga ana e OSBE do të krijohen instuticionet shtetërore dhe sociale. Shtetet e Bashkuara, Grupi i të Shtatëve dhe Fondi Ndërkombëtar do të ndihmojnë për organizimin e jetës ekonomike.
Dhe, natyrisht, në Kosovë do të shkojnë dhe prokurorët ndërkombëtar, të cilët do të hetojnë krimet që janë kryer dhe do të nxjerrin para gjyqit ndërkombëtar ata që kanë kryer krime kundër njerëzimit.
Vendosja e protektoratit në Kosovë do të jetë një zgjidhje e përkohshme, e ndermjetme, deri në zgjidhjen përfundimtare. Protektorati do të sigurojë të gjitha kushtet politike dhe ekonomike për zhvillimin normal të jetës. Ky protektorat do të zbehet dhe do ta humbasë rolin e tij, do të shuhet kur populli të jetë plotësisht në gjendje të marrë vetë në duart e veta administrimin e vendit.
Illyria: Eshtë folur edhe për mundësinë e ndarjes së Kosovës?
Presidenti Mejdani: Ne jemi në mënyrë absolute kundër ndarjes së Kosovës. Ne jemi kundër ndryshimit të kufijve shtetërorë. Në gadishullin Ballkanik, ku ka një larmi të pafund etnish, ndarja e Kosovës do të ishte një precedent që do të shkaktonte një reaksion zinxhirë. Ne jemi për një zgjidhje multietnike të problemit. Vendin ta gëzojnë në mënyrë të barabartë të gjitha etnitë që banojnë në të.
Illyria: Ka patur probleme me shpërndarjen e ndihmave humanitare?
Presidenti Meidani: Fola edhe më lart për solidaritetin që ka treguar populli ynë për vëllezërit dhe motrat tona kosovare. Ky solidaritet e ka ngritur shumë lart imazhin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë kudo në botë.
Çdo shqiptar duhet t'i bëjë jehonë këtij solidariteti dhe në mënyrë të veçantë media.
Por nga ana e disa mediave ka patur spekullime lidhur me gjoja shpërdorimin e ndihmave. Këto janë përpjekje për ta zbehur imazhin pozitiv të vendit tonë në mënyrën më absurde. Flitet se ndihma humanitare kap shumën 96 milionë dollarë, kur në të vërtetë ajo arrin vetëm në 30 milionë, nga të cilat vetëm 10% janë administruar nga shteti shqiptar, kurse 90 përqind janë administruar nga organizatat humanitare ndërkombëtare.
Të vjen keq kur gatishmërisë të shtetit dhe popullit shqiptar disa politikanë dhe media i përgjigjen me manovra politike për të prishur imazhin e krijuar, për të prekur thelbin e tij.
Ne kemi krijuar një komision të madh parlamentar për verifikimin e shpërndarjes së ndihmave, por përfaqësuesit e atyre që i ngrejnë këto akuza i bojktojnë mbledhjet e tij, në vend që të vijnë të marrin pjesë dhe të ndihmojnë.
Natyrisht këto spekullime dhe manovra politike ndikojnë keq tek shqiptarët e Kosovës, me anën e mbjelljes së dyshimeve përpiqet të krijohet një hendek midis nesh dhe atyre, në kohën që ne po përpiqemi të afrohemi. Kjo lloj veprimtaria merr në një ngjyrë antikombëtare në kohën kur ne duhet të bashkohemi si një trup i vetëm për çështjen kombëtare shqiptare.
Tani është krijuar një rrjet ndërkombëtar për shpërndarjen e ndihmave i drejtuar nga URNC. Kontribut në këtë rrjet është duke dhënë edhe NATO në aspektin humanitar.
Illyria: Shkakton shqetësim disllokimi i forcave të NATO-s në Veri?
Presidenti Meidani: Disllokimi i forcave të NATO-s bëhet sipas nevojave. Kudo që ato të instalohen, për ne është njëlloj. Ne u kemi dhënë liri të plotë: të vendosen ku të duan në territorin e vendit tonë. Ne e shohim NATOn si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Prania e NATOs është garanci edhe për mbrojtjen e integritetit të vendit tonë.
Në kufi ne kemi njësitë tona. Çdo ndërhyrjeje ne i jemi përgjigjur dhe do t'i përgjigjemi si duhet.
Prania e NATOs në Shqipëri.është një garanci për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit tonë.
Ky nuk është një konflikt midis shtetesh, kjo është luftë kundër një regjimi që shkel mizorisht të drejtat e njeriut. Dhe në këtë luftë populli ynë është në plan të parë: si viktimë dhe si luftëtar. Por në këtë luftë po shpalosen virtytet e tij të trashëguara nga shekujt: stoicizmi dhe solidariteti njerëzor.
Intervista u muar në Washington, më 24 Prill 1999, dhe u botua në gazetën "Illyria", New York, 27 Prill 1999.
Dëshmi të gjalla të mizorisë serbe
"Në këto momente që ne po flasim këtu, nuk duhet të harrojmë se populli i Kosovës është në rrethim dhe po i nënshtrohet pastrimit etnik dhe gjenocidit", tha zonja Bianca Jaggard, aktiviste amerikane për të drejtat e njeriut, në një mbledhje të zhvilluar në "Bruno Ristorante" në Manhattan.
"Ne duhet të ngremë zërin dhe të kërkojmë të futen trupat tokësore në Kosovë sa nuk është vonë, të ndalet genocidi dhe Sllobodan Millosheviçi të dalë para gjyqit si kriminel lufte", tha ajo.
Në këtë mbledhje të organizuar nga shoqata shqiptaro-amerikane "Motrat Qiriazi", ku merrnin pjesë afro 100 vetë, prunë dëshmitë e tyre të gjalla mbi dëbimin masiv dhe me dhunë të shqiptarëve nga Kosova mjekja-pediatre Vjollca Dobruna dhe gazetarja Afërdita Kelmendi.
"Jemi ndër të parët që mund të themi diçka për ata që kanë mbetur të rrethuar në Kosovë", tha Vjollca Dobruna. "Pastrimi etnik dhe genocidi, - tha ajo, - kanë filluar para 8 vjetësh... Ishte muzikë për ne zhurma e bombardimeve ...Gjatë bombardimeve policët dhe ushtarët serbë fshiheshin nëpër strehime dhe ne nuk kishim frikë se na arrestonin ... Nuk dimë se sa shqiptarë janë pushkatuar".
Ajo foli për peripecitë e shqiptarëve që u detyruan me dhunë të linin shtëpitë, vendin e tyre, për fëmijët e pleqtë e sëmurë dhe të uritur që udhëtuan ditë të tëra drejt kufirit, marrjen dhe zhdukjen e dokumenteve të identifikimit, keqtrajtimet çnjerëzore nga policët dhe ushtarët serbë etj.
"Ne do ta rindërtojmë gjithçka është shkatërruar, por vetëm në Kosovën e lirë dhe kurrë më nën Serbinë", tha Dr. Dobruna.
"Kemi parë plot ato ditë, - tha gazetarja Afërdita Kelmendi. - Njerëz të maskuar që keqtrajtonin njerëzit, u merrnin dokumentat, u grabisnin paratë, i nxirrnin me forcë nga makinat.... Shumë njerëz u kthyen në Prishtinë dhe nuk dimë asgjë se çfarë ka ndodhur me ta".
Dr. Vjollca Dobruna dhe gazetarja Afërdita Kelmendi kishin qenë dje në Kongresin amerikan për të dëshmuar për mizoritë e policisë dhe ushtrisë fashiste serbe kundër shqiptarëve etnikë të Kosovës. Ato ishin takuar me udhëheqës të shtetit amerikan dhe kishin kërkuar që të futeshin sa pa qënë tepër vonë trupat tokësore për të shpëtuar Kosovën nga zbrazja, për të shpëtuar shqiptarët e mbetur në Kosovë. Ato kishin biseduar me zonjën Clinton, me zonjën Albright.
"Ne kishim hapur Radio-TV 21 dhe përpiqeshim të informonim popullin për ato që ndodhnin. Me 23 mars radioja u mbyll. Disa prej gazetarëve kanë ikur në Shqipëri apo Maqedoni, por shumica janë në Kosovë. Njëri prej tyre, Gazmend Berisha, u ekzekutua nga serbët", tha zonja Kelmendi.
Ato folën për gjendjen e refugjatëve, 30.000 prej të cilëve janë të sëmurë dhe kanë nevojë për ndihmën mjekësore, për fëmijët e humbur, për ndarjen e familjeve.
Shkrimtarja Shqipe Malushi dhe Dr. Anna Cohen, që ishin organizatoret kryesore të këtij takimi, na thanë se shoqata e tyre "Motrat Qiriazi" është mobilizuar si asnjë herë tjetër për të informuar median amerikane për mizoritë serbe kundër shqiptarëve të Kosovës dhe për të mbledhur ndihma për të shpërngulurit nga Kosova.
Botuar në gazetën "Illyria", New York, 21 Prill 1999
Qeveria e Përkohshme -qeveri e unitetit të popullit të Kosovës në luftën për liri
Intervistë me përfaqësuesin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, zotin Dino Asanaj
Illyria: Lufta dhe përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi kanë hyrë në një fazë të re. Opsioni paqësor ishte i pasuksesshëm. Cilat janë linjat bazë të qeverisë Thaçi?
Z. Dino Asanaj: Lufta e popullit tonë për liri e demokraci ka hyrë në një fazë të re dhe vendimtare. Ndërsa bombardimi i Serbisë nga forcat ajrore të NATOs vazhdon, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kanë intensifikuar fushatën e spastrimit etnik dhe të genocidit kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. Mbi një milion shqiptarë janë shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre, ndërsa rreth një milion të tjerë janë të zhvendosur brenda Kosovës. E ndodhur përballë një tragjedie të tillë kombëtare, dhe si qeveri e bashkimit kombëtar, Qeveria e Përkohshme e drejtuar nga kryeministri Thaçi ka në programin e saj mbrritjen e ketyre qëllimeve:
Të arrihet uniteti i të gjithë popullit të Kosovës pa dallim bindjesh politike dhe pa asnjë lloj paragjykimi tjetër. Ne jemi në një luftë në të cilën serbët nuk kanë treguar mëshirë as për familjet e kolaboracionistëve. Prandaj, bashkimi i të gjithë popullit shqiptar për shpëtimin e Kosovës është një synim kryesor i Qeverisë së Përkohshme.
Të gjitha partitë politike, shoqatat dhe organizatat shoqërore duhet t'i bashkëngjiten luftës për liri. Ne jemi një popull, i cili edhe në të shkuarën e ka treguar se di se si të qeverisë vetveten. Ata qe do te marrin votëbesimin e popullit nëpermjet zgjedhjeve te lira - do të kenë të drejtën të qeverisin Kosovën e lirë dhe demokratike. Atyre do t'íu bindemi të gjithë!
Por sot, vazhdimi i luftës së pakompromis për çlirimin e Kosovës është një linjë politike, të cilës Qeveria e Përkohshme i ka qëndruar dhe do t'i qëndrojë besnike deri në fund. Garancia më e mirë në mbrritjen e këtij qëllimi është lufta e bërë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, një ushtri me struktura të qëndrueshme dhe me një moral shumë të lartë.
Përparësi të madhe për Qeverinë e Përkohshme ka gjithashtu kujdesi për të zhvendosurit përbrenda Kosovës, të cilët janë nën mbrojtjen e njësiteve të UÇK-së. Por jo vetem kaq, Qeveria e Përkohshme vazhdon te kujdeset për refugjatët deri në Maqedoni dhe në Shqipëri. Ne jemi munduar ta kryejmë detyrën tonë brenda kushteve tona.
Qeveria e Përkohshme do të vazhdojë të funksionojë derisa të krijohen kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike në Kosovë.
Illyria: Nevoja për një qëndrim unik të shqiptarëve kërkon që të sheshohen mosmarrëveshjet. Pak fjalë mbi bazat legjitime të qeverisë së re. Përveç synimeve politike të çlirimit të Kosovës, a ka synime të tjera në platformën mbi të cilën ajo është krijuar?
Z. Dino Asanaj: Qeveria e Përkohshme është krijuar në bazë të Marrëveshjes midis përfaqësuesve të të gjitha partive politike me subjektin ushtarak të UÇK-së, perfshirë ketu: LDK-ne, LBD dhe përfaqësues të pavarur, marrëveshje që u nënshkrua në Rambouillet me 23 shkurt, 1999.
Neve na vjen shumë mirë që një delegacion i kryesisë së LDK-së, i kryesuar nga z. Naim Jerliu, nënkryetar i LDK-së, theksoi dje se legjitimiteti i Qeverisë së Përkohshme nuk është aspak në pyetje dhe se LDK-ja do të respektojë marrëveshjen e arritur në Rambouillet. Ajo që është në pyetje është sjellja e individëve të veçantë, të cilët, për arësye përsonale ose të tjera, nuk duan ta respektojnë këtë marrëveshje.
Përveç synimit për çlirimin e Kosovës, Qeveria e Përkohshme është krijuar edhe me synimet e mëposhtme:
1. Të krijojë mundësinë që Shqiptarët të flasin me një zë të përbashkët.
2. Të paraqitet populli i Kosovës në të gjitha marrëveshjet ose bisedimet e ardhshme me një Qeveri, e cila përfaqëson pjesën më të madhe të spektrit politik në Kosovë.
3. Të vihen të gjitha mjetet dhe kontributet e popullit të Kosovës të dhëna tash dhjetë vjet në shërbim të interesit të tij më të lartë - të Çlirimit të Kosovës.
4. Të vihet UÇK-ja nën kontrollin e autoritetit politik dhe civil.
5. Në kushtet e luftës, kjo Qeveri duhet të jetë aktive brenda në Kosovë, e kjo, sic e dimë te gjithe, do të thotë që ajo të veprojë nga zonat e çliruara.
Illyria: Janë përshëndetur të gjitha arritjet në punën e kryer nga Rugova dhe qeveria e tij për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Si e mendoni zgjidhjen e kalimit të detyrave qeverisë së re, pa shkaktuar kacafytje politike midis shqiptarëve, gjë që i shqetëson të gjithë, sepse i bën dëm çështjes?
Z. Dino Asanaj: Gjatë dhjetë viteve të shkuara, shqiptarët treguan se janë një popull me ndërgjegje të lartë qytetare dhe më aftësi të rralla vetëqeverisëse. Nuk ka asnjë popull në botë që të paguajë taksat vullnetarisht siç ka bërë populli i Kosovës. Por ne kemi dhënë tre përqind kontribut dhe kemi marrë tre përqind liri. Strukturat e krijuara gjatë këtyre viteve u fshinë nga faqja e dheut për një natë. Megjithatë, Qeveria e Përkohshme ka marrë të gjitha masat për rikrijimin e administratës në zonat e çliruara, në kampet e refugjatëve, në mërgim, si dhe në ëmërimin e përfaqësive politike në botën e jashtme.
Nuk ka as edhe një arësye që Shqiptarët të kenë kacafytje politike. Kur vjen puna tek ndërtimi i administratës shtetërore të Kosovës, ajo që vendos se kush do të emërohet në një post nuk janë lidhjet e bindjet politike, por aftësia e tyre profesionale dhe dedikimi ndaj çështjes së Kosovës. Megjithatë në kushtet e Luftës për Çlirim, shumë prej njerëzve më me dije kanë ndenjur mënjanë ose nuk janë aktivizuar. Qeveria e Përkohshme u bën thirrje të gjithë profesionistëve dhe njerëzve të shkolluar të dalin në skenën politike dhe t'i bashkëngjiten asaj. Kosova nuk është e një njeriu, ajo është e të gjithëve dhe të gjithë duhet të japim aq sa kemi mundësi.
Illyria: Çfarë mbështetje gëzon UÇK-ja nga ana e popullit dhe e partive politike?
Z. Dino Asanaj: UÇK-ja është ushtri e popullit të Kosovës, ajo është ushtria e Kosovës dhe pa mbështetjen e popullit ajo as që do të kishte mundur të ekzistonte. Populli i Kosovës e ka kuptuar fort mirë, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e vetmja forcë, që mund t'i sjellë atij lirinë.
Mbështetja e popullit ka qënë në tre plane të ndryshme.
Së pari, populli ynë i mrekullueshëm ka dhënë një shembull të shkëlqyer patriotizmi duke nisur bijtë e vet më të mirë vullnetarë për t'iu bashkëngjitur rradhëve të UÇK-së.
Së dyti, populli ynë i ka mbështetur pa asnjë hezitim njësitet e UÇK-së në terren.
Së treti, populli ynë, dhe posaçërisht bashkësitë e Shqiptarëve në mërgim, kanë hequr kafshatën e gojës për lirinë e Kosovës. Më këtë rast dua të theksoj edhe një herë se çdo dollar ndihmë që është dhënë për fondin "Vendlindja Thërret" ka shkuar në shërbim të çështjes dhe se Qeveria e Përkohshme dhe Komanda e Përgjithshme e UÇK-së kanë marrë masa shumë të rrepta që asnjë dollar të mos shkojë dëm ose të shpërdorohet. Çdo dollar që është dhënë ndihmë është kthyer në plumb për armikun.
Dhe së fundi, mbështetja më e madhe UÇK-së i ka ardhur në planin moral. Edhe në kushtet më të vështira të masakrave dhe të genocidit serb, populli ynë e ka treguar se është një popull me shumë vlera të mëdha, dhe ky ka qënë frymëzimi më i madh për ushtarët dhe eprorët e UÇK-së. Populli ynë ka treguar se kjo është lufta për çlirim e një populli, që nuk mund përçahet as nga dallimet fetare, as nga bindjet politike, as nga ideologjitë.
Sa për mbështetjen e partive politike, ajo nuk ka munguar aspak dhe ka ecur krah për krah me përkrahjen e popullit. UÇK-ja është ushtri e jo parti politike. Në rradhët e saj luftojnë bij e bija të popullit të Kosovës që në një kohë ose në një tjetër kanë qënë aktivë në LDK, LBDSH, PPK, PDK, PSD, PLK dhe në të gjitha partitë e tjera.
Eprorët ushtarakë e kanë të ndaluar të merren me politikë. Kush dëshëron të merret më politikë duhet të largohet nga Ushtria dhe të kërkojë përkrahjen popullore vetë.
Illyria: Njerëzit e shikojnë UÇK-në me shpresë ... Na thoni diçka për efektivin e saj, për pjesëmarrjen e popullit, gjendjen fiziko-morale dhe arsenalin e saj luftarak.
Z. Dino Asanaj: Sot është bërë e qartë se UÇK-ja është e vetmja forcë që mund t'i sjellë lirinë Kosovës, e vetmja shpresë që ka populli I Kosovës që një ditë të kthehet në vatrat e veta.
Sot UÇK-ja është më e fortë se kurrë, morali i saj është shumë i lartë dhe në rritje të vazhdueshme. Kjo është ofensiva e pestë serbe që kur ka filluar lufta, dhe çdo here UÇK-ja ka dalë edhe më e fortë se më parë.
Në krye të UÇK-së janë vënë oficerë shumë të kualifikuar dhe me përvojë të madhe luftarake, si Komandanti i Përgjithshëm, Gjeneral-Brigade Agim Çeku, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Kolonel Bislim Zyrapi. Strukturat komanduese janë shumë të stabilizuara. Edhe pse këto javët e fundit situata ushtarake ka qënë shumë e vështirë, struktuart e UÇK-së e kanë përballuar fluksin e madh të vullnetarëve dhe të rekrutëvë që i janë bashkëngjitur Ushtrisë. Gjendja morale e UÇK-së është e shkëlqyer dhe fitoret ne betejat e fundit e kanë rritur ndjeshëm besimin e popullit dhe të efektivit tek Ushtria dhe forca e saj.
Sa për armatimin, edhe pse ne nuk e kemi armatimin e kundërshtarit tonë, prapëseprapë, ushtarët tanë po arrijnë që të përdorin me shumë efikasitet armatimet që kanë. Ne kemi kërkuar të hiqet embargoja e armëve dhe të na jepet ndihmë ushtarake. Ne mund të bëjmë shumë, dhe mund të arrijmë shumë, në se na jepet ndihma e duhur nga NATO.
Illyria: Ku janë përqëndruar më shumë operacionet luftarake të UÇK-së?
Z. Dino Asanaj: Operacionet luftarake të UÇK-së janë të përqëndruara më shumë në zonën Operative të Llapit, të Shalës, të Drenicës, të Dukagjinit dhe të Nerodimës. Atje janë zhvilluar luftime të rrepta, në të cilat armiku, në pamundësi për të thyer njësitet e UÇK-së, ka përdorur edhe gazëra helmues e armë kimike. Ushtarët e UÇK-së po luftojnë me një heroizëm të paparë në mbrojtje të territoreve të çliruara dhe të popullatës, e cila gjendet ende atje.
Illyria: Si është bashkëpunimi i UÇK-së me NATO-n?
Z. Dino Asanaj: UÇK-ja ka qënë dhe është e gatshme që të bashkëpunojë me NATO-n dhe strukturat e saj. Qeveria e Përkohshme dhe UÇK-ja gjithnjë kanë deklaruar se bashkëpunimi me NATO-n jo vetëm qe është i mundshëm por është edhe i dëshëruar.
Illyria: Në lëvizjet politike të NATOs, a shihni të mundur një rol më të madh të UÇK-së? A mund t'i ngarkohen asaj detyra më të mëdha, të ripajiset ajo dhe të ketë sukses?
Z. Dino Asanaj: Pa dyshim. UÇK-ja, si forca e vetme në terren mbetet një element me shumë peshë në çfarëdo iniciative ushtarake që ndërmerr NATO. Nuk ka dyshim se UÇK-ja ështe e gatshme të marrë detyra edhe më të mëdha në të ardhmen. Po të na jepen armët që ne këmi aq shumë kohë që i kemi kërkuar, kemi besim të plotë se UÇK-ja do të vazhdojë të jetë ajo forcë e rëndësishme ushtarake, e cila do të mund të japë kontributin vendimtar në çlirimin e Kosovës nga thundra serbe.
Illyria, 4 maj 1999
Mbledhje solidariteti dhe ndihme për shqiptarët e Kosovës
Asnjë nga ne nuk është i lirë përsa kohë që Kosova
nuk do të jetë e lirë
BRONX
"Asnjë nga ne nuk është i lirë përsa kohë që Kosova nuk do të jetë e lirë", tha këshilltari i Bronxit, Josè Rivera, duke parafrazuar fjalët e demokratit të madh amerikan Martin Luther King, në një mbledhje të komunitetit të Bronxit për solidaritet dhe ndihmë për shqiptarët e Kosovës.
Kjo mbledhje u zhvillua të shtunën, më 1 maj, në sheshin e vogël para parkut "Christopher Columbus", me inciativën e presidentit të distriktit të Bronxit, Fernando Ferrer, dhe të këshilltarit të Bronxit, Josè Rivera.
Ky shesh i vogël në "Little Italy" të Bronxit, ku banojnë dhe kanë bizneset e tyre apo vijnë për të bërë pazarin gjatë uikendit shumë shqiptarë, jehoi për disa orë me radhë nga thirrjet "Free Kosova", "UÇK", "USA".
Në shesh ishte ngritur një tribunë provizore, në të cilën ishin varur flamurët amerikan dhe shqiptar, si dhe parrullat: "Të shpëtojmë fëmijtë e Kosovës", "Ndalni genocidin në Kosovë", "Ne mbështesim NATO-n" etj.
Reverend Monsinjor John A. Ruvo i Kishës Our Lady of Mt. Carmel, e cila frekuentohet nga shumë shqiptarë, duke e bekuar këtë mbledhje, tha midis të tjerash: "I lutemi zotit që të shpëtojë vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë nga vuajtjet I lutemi zotit të na ndihmojë që me zemërgjerësi dhe bujari të presim dhe të ndihmojmë shqiptarët nga Kosova, të cilët së shpejti do të jenë midis nesh. Ne i lutemi zotit që të vendoset paqja në Ballkan dhe shqiptarët të kthehen në trojet e tyre të dashura".
Në fjalën e tij lutëse, presidenti i Organizatës së Klerikëve Hispanikë të New Yorkut, reverend Ruben Diaz, iu lut gjithashtu zotit që të vendosë drejtësinë dhe të shpëtojë popullin shqiptar nga vuajtjet.
Këngëtarja e mirënjohur Merita Halili këndoi pastaj himnin kombëtar amerikan dhe atë shqiptar.
Këshilltari Rivera, që ishte iniciatori kryesor dhe drejtuesi i kësaj mbledhjeje së bashku me presidentin Fernando Ferrer, dha që në fillim një njoftim, që u prit me brohori gëzimi :
"Ju njoftoj, tha ai, se tre ushtarët amerikanë janë liruar" . "Ne jemi të gëzuar që ata janë liruar dhe kthehen në shtëpi. Por ne duam që edhe vëllezërit e motrat tona kosovare të shpëtojnë nga vuajtjet dhe të kthehen në shtëpitë e tyre".
Pastaj këshilltari Josè Rivera tha midis të tjerash në fjalën e tij se "Millosheviçi vazhdon genocidin e filluar para shumë vjetësh kundër shqiptarëve të Kosovës".
"Ai shfrytëzoi bisedimet e paqes, - tha zoti Rivera, - për të grumbulluar forcat ushtarake dhe për të bërë genocidin në Kosovë. Ne kërkojmë nga shteti ynë dhe NATO që të vazhdojnë presionet mbi Millosheviçin deri sa ai të mos ketë larguar trupat nga Kosova, që shqiptarët të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të gëzojnë të drejtën për vetëvendosje".
"Populli i New Yorkut që ka përkrahur dhe mbështetur luftën për liri të popullit të Afrikës së Jugut dhe të Irlandës së Veriut, përkrah dhe mbështet sot luftën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë në një Kosovë të lirë", tha duke përfunduar zoti Rivera.
Mbledhjen e përshëndeti presidenti i distriktit të Bronxit, zoti Fernando Ferrer, i cili ndërmjet të tjerash tha:
"Ne e dimë kontributin e madh që keni dhënë ju shqiptarët për komunitetin tonë, prandaj edhe jemi mbledhur sot këtu. Gjenocidi që po ushtrohet në Kosovë ka zemëruar të gjithë botën. Prandaj dhe Shtetet e Bashkuara vendosën të ndërhyjnë".
Pastaj ai tha se shqiptarët e Kosovës "kanë nevojë për veshmbathje, për ngrohtësi dhe për ushqime. Ata kanë nevojë për ndihmën tonë që të ndalet genocidi".
Ai përgëzoi spitalin e St. Barnabasit që dhuroi një makinë të ndihmës së shpejtë dhe 20 mijë dollarë medikamente, farmacinë Mont Carmel që dhuroi 2000 dollarë medikamente dhe bëri thirrje që të ndiqet shembulli i tyre.
Presidenti Ferrer tha se ne do ti themi Organizatës së Kombeve të Bashkuara se i presim krahëhapur refugjatët shqiptarë, por ne duam që ata të kthehen sa më shpejt në vendin e tyre, në Kosovën e lirë.
"Ne përkrahim presidentin Clinton dhe NATOn në fushatën e tyre të bombardimeve kundër Jugosllavisë", tha zoti Fernando Ferrer, presidenti i distriktit të Bronxit.
Zoti David R. Kuhn, i cili punon avokat në New York, tregoi shkurt për eksperiencën e tij në Shqipëri, ku ai kaloi të gjithë kohën e pushimeve të tij duke ndihmuar refugjatët shqiptarë në zgjidhjen e problemeve të tyre.
Në mbledhje folën dhe shprehën solidaritetin dhe përkrahjen e tyre për popullin shqiptar të Kosovës edhe këshilltarë dhe asamblistë të tjerë të Bronxit dhe të distrikteve të tjera të New Yorkut, si zotërinjtë: Josè Morales, Jeff Klein, Stenley Schlein, Madeleine Provenzano etj.
Në mbledhje folën edhe mjaft shqiptaro-amerikanë, si zotërinjtë Gani Perolli, Esad Rizai, Marian Cubi, ish botuesi i "Illyrisë" Hajdar Bajraktari, Shaqir Gjonbalaj etj. Ata falenderuan liderët e qytetit të New Yorkut, presidentin Clinton për solidaritetin dhe mbështjen e popullit shqiptar në këto ditë të vështira.
Nga të pranishmit u mblodhën 1560 dollarë për të blerë medikamente, si dhe mjaft veshmbathje dhe ushqime për refugjatët shqiptarë të Kosovës.
Këshilltari i Bronxit, zoti Josè Rivera tha se mbledhje të tilla solidariteti me popullin shqiptar të Kosovës do të zhvillohen edhe në distriktet e tjera të New Yorkut.
Botuar në gazetën "Illyria", New York, 4 Prill 1999