Antoine de Saint-Exupery
"TOKA E NJERËZVE"


Dy fjalë për botimin e këtij përkthimi
"Toka e njërëzve" e shkrimtarit francez Antoine de Saint-Exupery u përkthye në vitin 1964 dhe u dorëzua për botim në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri" së bashku me "Princin e Vogël" po të të njëjtit autor. Përkthimi i "Princit të Vogël", sipas punonjësve të kësaj shtëpie botuese, humbi, ndërsa përkthimi i "Tokës së njerëzve" m'u kthye si i papërshtatshëm ("i parakohshëm"?) për botim. "Toka e njerëzve" u botua në vitin 1986 në një përmbledhje të veprave të de Saint-Exuperisë, me rekomandimin e poetit Xhevahir Spahiu, i cili në atë kohë ishte sekretar i kolegjumit të revistës "Nëntori". Redaktori i këtij përkthimi ka qenë ish shefi i redaksisë së letërsisë së huaj në atë kohë Pirro Misha. Meqë libri iu nënshtrua një censure të rreptë nga ana e tij, me këmbënguljen time, në krye u vu shënimi: "Botohet me shkurtime".
Pasi origjinali mbeti në Shqipëri, m'u desh t'i përktheja edhe një herë pjesët e shkurtuara (natyrisht, më saktë "të censuruara"), jo vetëm për të rivendosur tërësinë e tekstit, por në të njëjtën kohë edhe për të treguar konkretisht se si vepronte censura në atë kohë dhe sa të zellshëm kanë qenë censorët. Ky zell shpjegohet me shumë arsye, por më kryesorja është se shumica e bënin për të qenë brenda (nga frika), por nuk përjashtohet që kishte edhe nga ata që e bënin për t'u treguar "më fanatikë se Papa", për qêllime karrieriste. Censura ushtrohej kryesisht në zyrat e shtëpive botuese, ku ishin vendosur njerëz shumë të besuar për këtë qëllim. Del se mjaft prej këtyre njerëzve madje paskan menduar krejt ndryshe. Mbaj mend se në një mbledhje të përkthyesve në vitin 1991 në Lidhjen e shkrimtarëve për të krijuar Shoqatën e përkthyesve, Pirro Misha, insiatori i kësaj mbledhjeje dhe drejtuesi i saj, duke harruar se para pak vjetësh kishte censuruar më kot një shkrimtar antifashist dhe tejet demokrat, ndërsa foli për kufizimin e lirisë së mendimit dhe të përkthimit nga regjimi i Enver Hoxhës, tha midis të tjerave përse të mos përkthehen veprat e shkrimtarëve si Ezra Paund? Sikundër dihet, Ezra Paund, shkrimtar amerikan, ka qenë propagandues fanatik i fashizmit dhe është i ndaluar kategorikisht madje dhe në shkollat amerikane. Këto luhatje ekstreme kanë karakterizuar e karakterizojnë kalimet e bëra në Shqipërinë e viteve të fundit në të gjitha fushat, politike, ekonomike dhe kultorore, nga regjimi komunist në të ashtuquajturin regjim demokratik. Dhe çudia është se personat veprues në përgjithësi janë po ata.
Pjesët e censuruara janë dhënë me shkronja të zeza dhe para tyre në kllapa me të gjelbërta shkruhet "shkurtim".
VI
NË SHKRETËTIRË
1
Këto kënaqësi ishin të ndaluara për ne, kur për javë, muaj dhe vite të tërë ne ishim pilotë të linjës së Saharës, të burgosur të rërës, dhe fluturonim nga një fortesë në tjetrën pa u kthyer më. Kjo shkretëtirë nuk ofronte asnjë oaz të tillë: kopshtet dhe vajzat ishin një legjendë! Me siguri, diku tepër larg, atje ku ne mund të shkonim për të jetuar përsëri pasi të kryenim plotësisht detyrën, me mijëra vajza ishin duke na pritur. Me siguri, atje larg, midis mangustave apo librave të tyre, ato po formonin me durim një shpirt të këndshëm. Me siguri, ato po zbukuroheshin...
Por unë e njoh vetminë. Tre vjetët në shkretëtirë ma kanë mësuar shijen e saj. Njeriu në shkretëtirë nuk vuan aspak për rininë që po i ikën në një peizazh prej rëre e gurësh, por këtu i duket se, larg tij, e gjithë bota është duke u plakur. Pemët kanë formuar kokërra, toka ka rritur grurin, gratë janë bërë të bukura. Por koha fluturon, duhet nxituar për tu kthyer ... Koha fluturon, ndërsa ty të mbajnë larg ... Dhe të mirat e tokës rrëshqasin midis gishtërinjve si rëra e hollë e dunave.
Rrjedha e kohës zakonisht nuk para ndihet nga njerëzit. Ata jetojnë në një paqe të përkohshme. Por ja ku ne e ndiejmë atë porsa arrijmë aeroportin, kur mbi ne rëndojnë ato erërat elize
që fryjnë papushim. Ne ngjajmë me atë udhëtarin e trenit ekspres, të cilit i jehojnë veshët nga zhurma e rrotave që trokëllasin midis natës dhe i cili e kupton nga fashat e dritës që shpëmdahen andej-këndej prapa dritareve se pranë tij po kalojnë fushat, fshatrat dhe vendet amtare magjepsëse, por ai është në rrugë dhe asgjë nuk mund ta ndalë. Edhe ne, të gjallëruar nga një ethe e lehtë, me veshët që ende na buçasin nga zhurma e fluturimit, e ndiejmë veten se jemi akoma duke udhëtuar, me gjithë qetësinë që sundon në aeroport. Dhe zbulojmë se dhe ne gjithashtu po mbartemi drejt një të ardhmeje të panjohur, pa marrë parasysh qëllimin e erërave, nga të rrahurit e zemrave tona.Shkretëtirës i shtoheshin kryengritësit. Netët e Kep Xhubit çdo një çerek ore ndërpriteshin si nga të rënat e një kambane sahati : në intervale të shkurtëra rojat sipas rregullores komunikonin njëri me tjetrin me anën e britmave. Porti spanjoll i Kep Xhubit, i përhumbur midis kryengritësve, mbrohej kështu nga rreziqet që kurrë nuk e nxirrnin kurrë kokën në shesh. Edhe ne, pasagjerët e kësaj anijeje të verbër, i dëgjonim gjithnjë e më pranë këto britma që vërtiteshin sipër nesh si të ishin një shpend deti. Megjithatë ne e patëm dashur shkretëtirën.
Në qoftë se në fillim s'është veçse e shkretë dhe e heshtur, kjo ndodh për shkak se ajo nuk u jepet dashnorëve vetëm për një ditë. Bile dhe një fshat i ynë i vogël nuk e zbulon veten menjëherë.
Në rast se ne nuk heqim dorë për hir të tij nga e giithë pjesa tjetër e botës, po nuk u futëm në traditat e tij, në zakonet e tij, në rivalitetet e tij, ne nuk e kuptojmë pse ai është atdhe për dikë. Për më tepër, ai njeri që dy hapa larg nesh është i mbyllur brenda mureve të qelisë së vet dhe jeton në bazë të disa rregullave që për ne janë të panjohura, ai është futur vërtet në një vetmi tibetiane dhe është kaq larg nesh, sa asnjë avion nuk mund të na shpjerë ne tek ai. E përse ta vizitojmë qelinë e tij?! Ajo është bosh. Bota e njeriut është brenda tij. Kështu dhe shkretëtirën nuk e bëjnë as rëra, as tuaregët, as maurët e armatosur me pushkë...
Por ja që sot ne patëm etje. Dhe puset që ne njohim, vetëm sot na bënë të kuptojmë, vetëm sot, se ata ndriçojnë çdo gjë përreth. Një grua e padukshme mund të magjepsë kështu një shtëpi të tërë. Një pus të tërheq që larg si dashuria.
Rëra në fillim është e shkretë, pastaj vjen një ditë, kur duke patur frikë afrimin e një mësymjeje, ne mësojmë të lexojmë në palat e mantelit të madh me të cilin ajo është e mbështjellë. Kështu mësymja e shndërron pamjen e rërës.
Ne i pranuam rregullat e lojës, dhe loja na formon sipas imazhit të saj. Sahara e tregon veten brenda nesh. Të njihesh me të nuk mjafton aspak të vizitosh një oaz, por të arrish të bësh një çezmë besimin tënd.
2
Që në udhëtimin tim të parë e pata njohur shijen e shkretëtirës. Ne, Rigeli, Gijomeja dhe unë, pësuam një avari pranë fortinës Nautshat. Kjo postë e vogël e Mauritanisë ishte atëhere po aq e izoluar nga jeta sa edhe një ishullth i humbur midis detit. Një rreshter plak jetonte i mbyllur aty brenda bashkë me pesëmbëdhjetë senegalezë. Ai na priti si të dërguar të qiellit:
- Ah! Sa emocionohem kur ju dëgjoj të flisni... Ah! Sa emocionohem.
Ai ishte emocionuar vërtet, pasi po qante.
- Ju jeni të parët pas gjashtë muajsh. Një herë në gjashtë muaj më sjellin fumizime. Herë vjen togeri, herë vjen kapiteni. Herën e fundit erdhi kapiteni...
Ne e ndienim veten akoma të trullosur. Dy orë larg Dakarit, ku na kishin përgatitur drekën, u thye kuzhineta dhe na ndryshoi fatin e rrugës. Ajo u bë shkaku që u shfaqëm ashtu pa pritur para një rreshteri plak që qante.
- Ah! Pini, kam kënaqësi kur ju gostis me verë! Pa mendoni pak! Kur erdhi kapiteni nuk kisha asnjë pikë për ta gostitur,
Unë kam treguar për këtë në një libër, por kjo nuk do të thotë se e kam shpikur nga mendja. Ai na tha:
- Herën e fundit nuk kisha verë as për të çokitur gotat. Dhe më erdhi aq turp, sa i kërkova të më zëvendësonte.
Të çokasësh! Të çokasësh një herë gotën me një tjetër, që kërcen poshtë nga deveja i mbuluar me djersë! Gjashtë muaj me radhë e presin këtë çast. Qysh një muaj përpara fshihen armët dhe pastrohet çdo gjë, që nga kullat deri tek qilarët. Pastaj ditë me radhë, duke ndier afrimin e ditës së bekuar, ata përgjojnë vazhdimisht nga maja e taracës horizontin për të shquar atë re pluhuri që do të mbështjellë, kur të shfaqet, njësitin e lëvizshëm të Atari
.Por nuk ka verë: takimi nuk mund të kremtohet. Nuk u çokitën gotat. Ti e ndien se je çnderuar...
- Mezi pres që ai të vijë përsëri. E pres...
- Ku është ai tani, rreshter?
Dhe rreshteri, duke bërë shenjë nga rëra:
- Ku ta dish, kudo ndodhet kapiteni ynë!
Ka qenë reale edhe ajo natë që unë kalova në taracën e fortinës duke folur për yjet. Nuk kishe se ç'të sodisje tjetër. Ata ishin atje, të gjithë, si në avion, por të palëvizshëm.
Në avion, kur nata është shumë e bukur, e lë avionin të fluturojë vetë, nuk e piloton, dhe ai pak e nga pak pjerret nga e majta. Kujton se ai është ende në pozicion horizontal, kur nën krahun e djathtë sheh një fshat. Në shkretëtirë nuk ka fshatra. Atëherë duhet të jetë një flotilje peshkatarësh në det. Por në të gjithë hapësirën e Saharës nuk ka asnjë flotilje peshkatarësh. Atëherë? Atëherë qesh me gabimin tënd. Drejton dalëngadalë avionin. Dhe fshati zë vendin e vet. E var edhe një herë në vendin e vet konstelacionin që kishe lënë të binte. Fshat? Po. Fshat yjesh. Por nga maja e fortinës nuk sheh gjë tjetër veç shkretëtirës që duket e ngrirë dhe valët e rërës pa lëvizje. Konstelacionet rrinë varur në vendet e tyre. Dhe rreshteri na flet për to:
- Mos ki frikë! Unë i njoh mirë orientimet...
Mbaje kursin në drejtim të këtij ylli dhe ke për të mbërritur në Tuniz.
- Ti je nga Tunizi?
- Jo. Kushërira ime është andej.
U bë një heshtje shumë e gjatë. Por rreshteri nuk guxonte të na fshihte gjë:
- Një ditë kam për të shkuar në Tuniz.
Sigurisht, nëpër ndonjë rrugë tjetër nga ajo që shkon drejt këtij ylli. Po qe se në një ditë ekspedicioni ndonjë pus i tharë nuk do të hedhë në krahët e poezisë së përçartjes. Atëherë ylli, kushërira dhe Tunizi do të përzihen. Atëherë do të fillojë ajo ecje e frymëzuar që kush nuk e njeh kujton se është plot dhimbje.
- I kërkova një herë kapitenit leje për në Tuniz. Lidhur me atë kushërirën. Dhe ai m'u përgjigj...
- Dhe ai mu përgjigj?
- Dhe ai mu përgjigj: "Bota është e mbushur me kushërira". Dhe, meqënëse ishte më afër, më dërgoi në Dakar.
- Dhe ishte e bukur ajo, kushërira jote?
- Ajo e Tunizit? Sigurisht. Ajo ishte bjonde.
- Jo, ajo e Dakarit.
Rreshter, ne të patëm përqafuar për përgjigjen tënde pak si të mërzitur dhe melankolike:
- Ajo ishte zezake...
Ç'është Sahara për ty, rreshter? Një zot që ecën vazhdimisht drejt teje. Eshtë gjithashtu ëmbëlsia e një kushërire bjonde pas pesëmijë kilometrash me rërë.
Ç'është shkretëtira për ne? Është ajo që lindi tek ne. Ajo që mësuam për veten tonë. Edhe ne atë natë ramë në dashuri me një kushërirë dhe një kapiten...
3
I vendosur në kufi me territoret e panënshtruara, Port-Etjeni nuk është qytet. Atje gjenden një fortinë, një hangar dhe një barakë prej dërrasash për ekuipazhet tona. Shkretëtira përreth është kaq absolute, saqë me gjithë pajisjet e dobëta ushtarake, Port-Etjeni është pothuajse i papushtueshëm. Për ta sulmuar atë duhet kaluar një brez i tillë rëre dhe vape përvëluese, saqë kryengritësit mund ta arrijnë vetëm kur atyre tu jenë shterur forcat dhe tu jenë mbaruar rezervat e ujit. Megjithëkëtë, diku në Veri, me sa mbahet mend nga njerëzit, gjithmonë ka patur një çetë kryengritësish në marshim kundër Port-Etjenit. Sa herë që kapiteni, komandanti i fortinës, vjen tek ne për të pirë një gotë çaj, na tregon në hartë marshimin e saj, sikur të tregonte përrallën e së bukurës së dheut. Por kjo çetë kryengritësish, që gëlltitet nga rëra porsi një lumë, nuk arrin kurrë deri tek ne, prandaj dhe e quajmë një çetë fantazmë.
Granatat dhe fishekët që na ndan komanda në darkë, flenë brenda në arka në këmbët e krevateve tona. Dhe ne nuk kemi armik tjetër kundër të cilit duhet të luftojmë, përveç se heshtjes, të mbrojtur para së gjithash nga mjerimi ynë. Dhe Luka, shefi i aeroportit, ditë e natë bën të vërtitet pllaka e gramafonit që, duke qenë larg nga jeta, na flet në një gjuhë gjysmë të harruar dhe na shkakton një melankoni pa shkak që ngjan çuditërisht me etjen.
Atë natë ne e patëm ngrënë darkën në fortesë dhe kapiteni, komandanti i saj, na tregoi kopshtin e tij. Ai pati marrë në fakt nga Franca tre arka me dhe të vërtetë që kishin bërë në këtë mënyrë katër mijë kilometra rrugë. Kishte mbjellë tri gjethe të gjelbërta, të cilat ne i ledhatonim sikur të ishin gurë të çmuar. Kapiteni kur fliste për to, thoshte:
- Ky është parku im.
Dhe porsa fillonte të frynte era e shkretëtirës, që thanë çdo gjë, parkun e zbrisnin në bodrum.
Ne banojmë një kilometër larg fortesës dhe pas darkës kthehemi në shtëpi nën dritën e hënës. Në dritën e hënës rëra është ngjyrë rozë. Ne e ndjejmë që na mungojnë shumë gjëra, por rëra është ngjyrë rozë. Ndërkohë një britmë e rojes rivendos ndjenjën e shqetësimit në botë. E gjithë Sahara është e shqetësuar nga hijet tona dhe na pyet kush jemi tek kalojmë, sepse një çetë kryengritësish është në marshim.
Klithmës së rojes i jehojnë të gjithë zërat e shkretëtirës. Shkretëtira nuk është më një shtëpi bosh: një karavan maur e magnetizon natën.
Mund të mendojmë se jemi të sigurt. Por më kot! Sa rreziqe na kërcënojnë: sëmundje, aksidente, kryengritje! Njeriu në tokë është nishan për qitësit e fshehur. Por na përmend, si të ishte profet, një rojë senegalez.
Ne përgjigjemi: Jemi francezë! dhe kalojmë para engjëllit të zi. Dhe fillojmë të marrim frymë më lehtë. Sa fisnikë na bën ky rrezik...Ah! Akoma aq i largët, aspak urgjent dhe aq i zbutur nga gjithë kjo rërë. Megjithatë bota nuk është më ajo që ishte. Kjo shkretëtirë bëhet përsëri madhështore. Një çetë kryengritësish që marshon diku dhe që nuk do të arrijë kurrë e bën atë të hyjnueshme.
Tani është ora njëmbëdhjetë e natës. Luka kthehet nga radiostacioni dhe më njofton se në mesnatë vjen avioni nga Dakari. Në bord çdo gjë është në rregull. Në orën dymbëdhjetë e dhjetë në avionin tim do të mbartin postën dhe unë do të nisem për në Veri. Rruhem me kujdes para një pasqyre të thyer. Herë pas here, me peshqirin e lidhur në qafë, vete deri tek porta dhe vështroj rërën e zhveshur: është mot i mirë, por era ëshë duke rënë. Kthehem tek pasqyra, ëndërroj. Një erë që ka fryrë muaj më radhë, po të bjerë, çrregullon nganjëherë të gjithë qiellin. Dhe tani marr pajimet: lidh në brez llambat e sigurimit, lartësimatësin, lapsat. Vete deri tek Neri që kësaj nate do të jetë radisti im. Edhe ai po rruhet. E pyes: "Çdo gjë është në rregull?". Tani për tani çdo gjë është në rregull. Ky operacion paraprak është më i lehti i fluturimit. Por unë dëgjoj një kërcitje të lehtë, një pilivesë përplaset në llambën time. Pa e kuptuar as vetë sepse, ajo ma këput shpirtin.
Dal përseri dhe vështroj: çdo gjë është e pastër. Një shkëmb në fund të fushës çan qiellin sikur të ishte ditë. Në shkretëtirë mbretëron një heshtje e madhe si në një shtëpi ku sundon rregulli. Por ja që një flutur e gjelbër dhe dy pilivesa godasin llambën time. Dhe unë provoj rishmas një ndjenjë të mbytur që ndoshta është nga gëzimi, ndoshta nga frika, por që vjen nga thellësia e vetes sime, akoma mjaft e turbullt dhe që porsa ka nxjerrë krye. Dikush më flet që nga shumë larg. Mos është instinkti? Dal përsëri: era ka pushuar fare. Vazhdon të bëjë fresk. Por unë kam marrë një paralajmërim. Unë e marr me mend, më duket se e marr me mend atë që jam duke pritur, por a kam të drejtë? As qielli, as rëra nuk më kanë dhënë asnjë shenjë, por dy pilivesa më folën e bashkë me to një flutur e gjelbër.
Ngjitem mbi një dunë dhe ulem me fytyrë nga Lindja. Po të kem të drejtë, "ajo" nuk do të vonojë shumë. Ç'kërkojnë këtu këto pilivesa, qindra kilometra larg oazeve të brendshme?
Ca mbeturina të vogla të nxjerra në plazh provojnë se një ciklon po bën kërdinë në det. Kështu, këto insekte më tregojnë se është duke u afruar një shtrëngatë rëre, një shtrëngatë nga Lindja që i ka shkretuar palmishtet e largëta dhe i ka lënë pa pilivesa të gjelbëra. Shkuma e saj më preku tashmë. Dhe era e lindjes nis e ngrihet madhërishëm, pasi ajo është një provë, ngrihet madhërishëm, pasi ajo është një kërcënim i rëndë, ngrihet madhërishëm, pasi ajo përmban një shtrëngatë. Me zor arriti gjer tek unë psherëtima e saj e dobët. Unë jam kufiri i fundit që lëpiu dallga. Njëzet metra prapa meje as edhe një perde nuk pati 1ëvizur. Afshi i erës më mbështolli një herë, vetëm një herë, me një ledhatim si të vdekjes. Por unë e di mirë se gjatë sekondave që vijnë Sahara do të fillojë të marrë frymë rishmas dhe do të psherëtijë për të dytën herë. Se nuk do të kalojnë as tri minuta dhe flamuri mbi hangarin tonë do të valëvitet. Se nuk do të kalojnë as dhjetë minuta dhe rëra do të mbushë qiellin. Ndërkaq ne do të fluturojmë midis këtij zjarri, midis këtyre flakëve të shkretëtirës.
Por nuk ishte kjo ajo që më preku. Ajo që më mbushi me një gëzim të egër ishte se kisha kuptuar me një gjysmë fjale një gjuhë të fshehtë, se kisha nuhatur një gjurmë si një njeri primitiv qe e parashikon të ardhmen me anën e ca zhurmave të dobëta, se e kisha lexuar këtë zemërim në rrahjen e krahëve të një pilivese.
4
Ne ishim atje në kontakt me maurët e panënshtruar. Ata dilnin nga thellësitë e territoreve të ndaluara, të atyre territoreve që përshkonim ne gjatë fluturimeve tona; ata guxonin të vinin në fortesat e Xhubit apo Cisnerosit për të blerë peta sheqeri ose pak çaj, pastaj kridheshin persëri në misterin e tyre.
Dhe kur ata vinin ne
përpiqeshim të bënim për vete ndonjërin prej tyre.Kur ishte fjala për ndonjë prijës me influencë, në bazë të udhëzimeve të kompanisë, ne e hipnim gjithnjë në aeroplan për ti treguar botën. Ishte puna që të shuanim krenarinë e tyre, sepse ata i vrisnin robërit që zinin më tepër nga përbuzja se sa nga urrejtja. Në rast se qëllonte që të na kryqëzoheshin rrugët jashtë fortesave, ata nuk na ngacmonin. Vetëm se ktheheshin mënjanë dhe pështynin. Dhe këtë krenari ata e nxirrnin nga iluzioni që kishin për forcën e tyre. Sa vetë midis tyre më patën përsëritur, pasi kishin ngritur në këmbë një ushtri prej treqind pushkësh: Keni fat ju, në Francë, që jeni më larg se njëqind ditë marshim që këtej...
Kështu pra ne i shëtisnim ata, dhe ndodhi që tre prej tyre ta vizitonin këtë Francën e panjohur. Këta ishin nga raca e atyre që pata shoqëruar unë një herë në Senegal dhe patën qarë kur panë për herë të parë pemët.
Kur pata shkuar pastaj në çadëret e tyre, ata flisnin me admirim për muzik-hollet, ku femrat e zhveshura lakuriq kërcejnë midis luleve. Këta ishin njerëz që nuk kishin parë kurrë as pemë, as shatërvanë dhe as trëndafilë, që dinin vetëm nga Kurani se ka kopshtije, ku rrjedhin lumenj plot ujë, dhe që quhen parajsë. Këtë parajsë dhe këto robina të bukura ata i fitojnë me një vdekje të hidhur mbi rërë nga plumbi i ndonjë kaurri, pasi bëjnë për tridhjetë vjet me radhë një jetë të mjerë. Por Zoti i mashtron ata, sepse ai nuk kërkon si shpërblim nga francezët, të cilëve u ka dhuruar gjithë këto thesare, as etje dhe as vdekje. Për këtë arsye kanë rënë tani në mendime prijësat e vjetër. Për këtë arsye, duke menduar se Sahara shtrihet e shkretë rreth e përqark çadëreve të tyre dhe deri në vdekje nuk u jep vetëm se ca kënaqësi të vogla, ata fillojnë të flasin në mirëbesim.
"E di Zoti i francezëve Ai është më bujar për francezët se Zoti i maurëve për maurët!".
Para disa javësh ata kishin shëtitur nëpër Savojë. Shoqëruesi i tyre i kishte çuar përballë një katarakti të zhurmshëm, që ishte si një shtyllë e ngjeshur uji dhe që të shurdhonte me uturimën e tij.
- Provojeni, - u kishte thënë ai.
Dhe ky ishte një ujë i ëmbël. Ujë! Sa orë marshim duhen këtu për të arritur pusin më të afërt, dhe në qoftë se ai gjendet, sa orë duhen për të gërmuar rërën, me të cilën ai është mbushur, deri sa të nxirret një si llum i përzier me urinën e devesë! Ujë! Në Kep Xhubi, Cisneros, Port Etjen, maurët e vegjël nuk lypin para, por me një kuti konserve në dorë ata kërkojnë ujë:
- Më jepni pak ujë, më jepni
- Po të jesh i urtë.
Uji që vlen më shumë se ari, uji që dhe me bulëzat më të vogla bën të shpërthejë nga rëra shkëndija e gjelbërt e biskut të barit. Në rast se diku ka rënë shi, një eksod i madh e gjallëron Saharën. Fiset nisen drejt barit që ka shpërthyer treqind kilometra larg... Dhe ky ujë, aq dorështrënguar, që nuk ka rënë asnjë pikë gjashtë vjetët e fundit në Port-Etjen, gurgullon atje poshtë sikur nga një cisternë e shpuar të zbrazen të gjitha rezervat e botës.
- Nisemi tani, - u thotë shoqëruesi.
Por ata nuk lëvizin nga vendi.
- Na lër edhe pak...
Ata heshtin, shohin gojëkyçur shpalosjen e këtij misteri të madhërishëm. Ajo që rrjedh kështu nga barku i malit është jeta, është vetë gjaku i njerëzve. Prurjet e një sekonde do të kishin ringjallur karavane të tëra, që, duke qenë të dehur nga etja, u mbytën përgjithmonë në pafundësinë e liqejve të kripës dhe të mirazheve. Këtu Zoti manifeston veten e tij, ata nuk mund täi kthejnë kurrizin. Zoti ka hapur portat dhe do të tregoj fuqinë e tij: tre maurët kanë qëdruar si të ngrirë.
- Çfarë doni të shikoni më? Shkojmë...
- Të presim pak.
- Çfarë të presim?
- Fundin.
Ata donin të prisnin që Zoti të lodhej nga marrëzia e tij. Ai do të pendohet shpejt, ai është dorështrënguar.
- Por ky ujë ka njëmijë vjet që rrjedh kështu!...
Kështu, atë mbrëmje nuk duan të flasin për kataraktin. Është më mirë të heshtësh shpesh herë për mrekullitë. Madje është më mirë të mos ëndërrosh, pasi mund të mos kuptosh gjë prej gjëje. Pasi mund të dyshosh në Zotin...
- E di, Zoti i francezëve...
Por unë i njoh mirë miqtë e mi barbarë. Ata janë atje, të lëkundur në besimin e tyre, të hutuar dhe gati këtej e tutje të dorëzohen. Ata ëndërrojnë të furnizohen me elb nga intendenca franceze dhe tu garantohet siguria nga trupat tona të Saharës. Dhe është e vërtetë se porsa të nënshtrohen ata do të fitojnë mjaft të mira materiale.
Por ata janë që të tre të një gjaku me El Mamunin, emirin e Tarzës. (Mendoj se po gaboj lidhur me emrin e tij).
Unë e pata njohur atë kur pati qenë vasali ynë. I rrethuar me nderime zyrtare për shërbimet e bëra, i pasuruar nga guvernatorët dhe i nderuar nga tributë, dukej sikur atij nuk i mungonte asnjë nga pasuritë e dukshme. Por një natë, pa pritur e pa kujtuar, ai masakroi oficerët që e shoqëronin në shkretëtirë, mori devetë, pushkët dhe u bashkua me tributë e panënshtruara.
Dikush e quan tradhti këtë revoltë të papritur, këtë arratisje heroike dhe të dëshpëruar njëherësh të një shefi të shpallur jashtë ligjit në shkretëtirë, këtë lavdi të shkurtër që shuhet menjëherë si të ishte një roketë që në përplasjen e parë me njësitin e lëvizshëm të Atarit. Dhe njerëzit çuditen me këtë marrëzi.
Megjithatë historia e El Mamunit është edhe historia e plot arabëve të tjerë. Ai po plakej. Kur një njeri plaket, ai fillon të mendojë. Kështu ai zbulon një natë prej netësh se ka tradhtuar Zotin e Islamit dhe se ai ka ndotur dorën duke shtrënguar duart e të krishterëve për të arritur një marrëveshje, nga e cila ai pati humbur gjithçka.
Dhe në fakt, çrëndësi kanë për të elbi apo paqja? Luftëtar i mundur dhe i kthyer në bari, ja tek i kujtohet se pat banuar në një Saharë ku çdo palë e rërës ishte e pasur me rreziqe të fshehura, ku kampet e avancuara në terrin e natës nxirrnin rojet për të vigjiluar, ku lajmet që tregonin për lëvizjet e armikut bënin që të të rrihte zemëra pranë zjarreve të natës. Atij i kujtohet aroma e detit të hapur, që po u thith një herë nuk harrohet më kurrë.
Sot ai endet pa lavdi në një hapësirë të nënshtruar dhe krejt pa nder. Vetëm sot Sahara është një shkretëtirë.
Oficerët që ai do të vriste ndoshta e nderonin. Por dashuria për Allahun është mbi të gjitha.
- Natën e mirë, El Mamun
- Zoti të ruajtë!
Oficerët rrotullohen në shtrojet e tyre, të shtrirë gjatë e gjerë mbi rërë, si mbi një trap, me fytyrën nga yjet. Ja dhe të gjithë yjet që vërtiten ngadalë, një qiell i tërë që shënon kohën tek kalon. Ja dhe hëna që përkulet në drejtim të rërës, duke shkuar drejt hiçit me vullnetin e të Plotfuqishmit. Të krishterët shpejt ka për ti zënë gjumi. Pas disa minutash vetëm yjet kanë për të ndritur. Atëherë, që fiseve të poshtëruara tu kthehet shkëlqimi i kaluar, që ato të nisin përsëri të ndjekin armikun, e vetmja gjë që mund ti kthejë shkëlqimin rërës, do të mjaftojë klithma e dobët e këtyre të krishterëve, të cilët do të mbyten në gjumë... Edhe pak sekonda, dhe nga e pandreqshmja do të lindë një botë...
Dhe ata i masakrojnë togerët e bukur në gjumë.
5
Sot në Xhubi Qemali dhe vëllai i tij Mujani më kanë ftuar mysafir dhe unë po pi çaj në tendën e tyre. Mujani më vështron i heshtur dhe mban, me rubën bojë qielli mbi buzë, një qëndrim të rezervuar prej njeriu të egër. Vetëm Qemali më flet dhe më bën nderimet e shtëpisë:
- Tenda ime, devetë e mia, gratë e mia, robinat e mia janë të tuat.
Mujani, pa mi shqitur sytë për asnjë çast, përkulet nga i vëllai, shqipton disa fjalë, pastaj zhytet përsëri në heshtje.
- Çfarë thotë ai?
- Ai thotë: Bonafu i ka grabitur një mijë deve RGujbatit.
Unë nuk e njoh këtë kapitenin Bonafu, që komandon një njësit meharistësh të kavalerisë së Atarit. Por unë e kam dëgjuar legjendën e tij të bujshme nga maurët. Ata flasin me zemërim për të, por në të njëjtën kohë sikur të ishte një farë zoti. Prania e tij i jep kuptim rërës. Edhe sot, nuk dihet se si, ai duhet të shfaqet prapa kurrizit të kryengritësve që po marshojnë drejt jugut, duke u grabitur devetë, duke i detyruar të luftojnë kundër tij për të mbrojtur pasuritë e tyre, të cilat kujtonin se i kishin të siguruara. Dhe tani, duke e shpëtuar Atarin me këtë shfaqje prej arkangjeli, duke zënë vend me kampin e tij në një rrafshlartë shtufe, ai qëndron atje si një pre për tu kapur dhe rrezatimi i tij është i tillë që i detyron fiset të nisin marshimin drejt shpatës së tij.
Mujani më vështron edhe më i ngrysur dhe vazhdon të flasë.
- Çfarë thotë?
- Ai thotë: Ne do të nisemi nesër në luftë kundër Bonafusë. Treqind pushkë.
Unë e pata kuptuar se po ndodhte diçka. Devetë që kanë tri ditë me radhë që poi i çojnë për të pirë në pus, fjalët që këmbejnë, ethet që vihen re kudo. Duket sikur janë duke përgatitur një anije të padukshme me vela. Dhe era e fuqishme që do të fryjë velat ka nisur të fryjë. Për shkak të Bonafusë çdo hap drejt jugut kthehet në një hap plot fitore. Dhe unë nuk jam në gjendje të kuptoj më nëse në këto marshime ata janë të shtyrë nga urrejtja apo dashuria.
Është një luks të kesh në botë një armik të tillë për të vrarë. Atje ku ai shfaqet, fiset e afërme palosin tendat, ngarkojnë devetë dhe ikin, duke pasur frikë se mos përplasen me të kokë më kokë, por fiset që janë më afër i pushton një maramendth si ai i dashurisë. Ata shkëputen nga qetësia e tendave, përqafimet e grave, gjumi i lumtur, duke e kuptuar se nuk ka asgjë më të lumtur në këtë botë se sa pas dy muaj marshimi rraskapitës drejt jugut, pas një etjeje përvëluese, të pritjes skrupull nën erën e shkretëtirës, të hidhesh pa pritur e pa kujtuar në të zbardhur të ditës kundër njësitit lëvizës të Atarit dhe atje, po desh Zoti, të vrasësh kapitenin Bonafu.
- Bonafu është i fortë, - pranon Qemali.
Unë e di tani sekretin e tyre. Si ata burrat që dëshirojnë një femër, të cilën e shohin në ëndërr duke shetitur pranë me një hap mospërfillës, dhe vetë rrotullohen e rirrotullohen tërë natën e gjatë, të plagosur e të djegur nga kjo shëtitje mospërfillëse që i ndjek vazhdimisht në ëndërr, çapitja e largët e Bonafusë ata i torturon. Duke shmangur forcat kryengritëse të dërguara kundër tij, ky i krishter i veshur si maur, në krye të dyqind piratëve maurë, ka depërtuar në thellësi të rajoneve kryengritëse, atje ku ushtari i tij më i fundit, i çliruar nga prangat franceze, mund të shpëtojë pa u ndëshkuar nga skllavëria dhe ta bëjë fli atë për nder të Zotit të vet mbi një altar guri, atje ku ata i përmban vetëm prestigji i tij, ku ata madje edhe dobësia e tij i tremb. Dhe kësaj nate, midis një gjumi të shqetësuar, ai kalon e kalon mospërfillës dhe hapi i tij tingëllon deri në zemër të shkretëtirës.
Mujani është zhytur në mendime, gjithnjë i palëvizshëm në fund të tendës, si një basorelief prej graniti blu. Vetëm sytë e tij përshkëndisin dhe thika e tij e ergjentë që nuk është më një lodër. Sa ka ndryshuar që kur është bashkuar me kryengritësit! Ai e ndien më shumë se kurrë në vetëvete fisnikërinë e tij dhe më dërrmon me përbuzjen e vet. Sepse ai do të luftojë kundër Bonafusë, sepse nesër në agim ai do të niset në marshim, i shtyrë nga një urrejtje që ka të gjitha shenjat e dashurisë.
Ai përkulet edhe një herë nga i vëllai, flet me zë të ulët dhe vështron nga ana ime.
- Çfarë thotë?
- Ai thotë se do të të qëlloj në rast se të takon larg fortesës.
- Pse?
- Ai thotë: Ti ke avionë dhe radio, ti ke Bonafunë, por ti nuk ke të vërtetën.
Mujani i palëvizshëm me atë rubën blu si pala statuje më gjykon:
Ai thotë: Ti ha sallatë si dhitë dhe mish derri si derrat. Gratë e tua tregojnë fytyrën pa pikë turpi. Ai i ka parë me sytë e tij. Ai thotë: Ti nuk fale kurrë. Ai thotë: Çtë duhen ty avionët, radioja dhe Bonafuja yt, kur ti nuk ke të vërtetën?
Unë e admiroj këtë maur që nuk mbron lirinë, sepse në shkretëtirë ti je gjithnjë i lirë, që nuk mbron ca pasuri të padukshme, sepse shkretëtira është e zhveshur, por që mbron një mbretëri të fshehtë. Në heshtjen e shkretëtirës së vagëlluar, Bonafuja e drejton njësitin e tij si një pirat i vjetër dhe për hir të tij ky kamp në Kep Xhubi nuk është më një zjarr barinjësh të ngeshëm. Shtrëngata e Bonafusë është drejtuar kundër krahut të tyre, prandaj për shkakun e tij ata i kanë shtrënguar tendat sonte njëra me tjetrën. Kjo heshtje në jug është shumë therëse: ajo është heshtja e Bonafusë! Dhe Mujani, gjuetar i vjetër, dëgjon se kush ecën nëpër erë.
Kur Bonafu të kthehet në Francë, armiqtë e tij në vend që të gëzohen, përkundrazi do të qajnë sikur largimi i tij ti heq shkretëtirës së tyre një nga polet e saj, ekzistencës së tyre pak prestigj, dhe do të më thonë:
- Përse po ikën Bonafuja yt?
- Nuk e di...
Ai ka luajtur me jetën e tij kundër tyre, dhe kjo për disa vjet me radhë. Ai i bëri të vetat rregullat e tyre. Ai fjeti duke e mbështetur kokën mbi gurët e tyre. Gjatë ndjekjeve të përhershme ai pati njohur sikundër dhe ata netët biblike, vetëm me yjë dhe erë. Dhe ja tani ai tregon duke ikur se loja që luajti nuk pati qenë aq serioze. Ai u largua nga tavolina mospërfillës. Maurët, të cilët ai i la të luanin vetëm, e humbën besimin ndaj jetës në kuptimin që ajo nuk mund ta rrëmbejë një njeri deri në fund. Megjithatë ata duan të besojnë në njëfarë mënyre.
- Ai Bonafuja yt do të vijë.
- Nuk e di.
Ai do të vijë, mendojnë maurët. Lodrat e Europës nuk do ta kënaqin për një kohë të gjatë, as ato në brixh me shokët e garnizonit, as gradimet, as femrat. Ai do të vijë për të gjetur fisnikërinë e humbur, atje ku çdo hap e bën zemrën të rrahë më fort si një hap drejt dashurisë. Ai ka menduar se këtu ka përjetuar këtu vetëm një aventurë dhe se do të gjejë atje atë që është më kryesorja, por do të zbulojë me përbuzje se të vetmet pasuri të vërteta ai i pati këtu, në shkretëtirë: prestigjin e rërës, natën, heshtjen, atdheun e erës dhe të yjeve. Dhe në rast se Bonafuja do të kthehet një ditë, ky lajm do të përhapet që natën e parë në zonat e panënshtruara. Ai do të jetë duke fjetur diku në Saharë, midis dyqind piratëve të tij. Atëherë ata do të fillojnë të çojnë devetë për të pirë në puse. Do të përgatisin rezervat e elbit. Do të kontrollojnë shulat e pushkëve. Të shtyrë nga urrejtja apo dashuria.
6
Më fshih në një aeroplan për në Marakesh.
Çdo mbrëmje, në Xhubi, ky skllav i maurëve më drejtonte lutjen e tij të shkurtër. Pastaj, pasi kishte bërë çdo gjë të mundur për të jetuar, ulej këmbëkryq dhe më përgatiste çajin. Pasi i ishte besuar, sikundër mendonte ai, të vetmit mjek që mund ta shëronte, pasi i ishte lutur të vetmit zot që mund ta shpëtonte, ai ishte i qetë për atë ditë. Tani, i përkulur mbi çajnik, ai mund të përtypte e ripërtypte imazhet e thjeshta të jetës së tij, tokat e zeza të Marakeshit, shtëpitë ngjyrë rozë, ato plaçka të pakta që kishte humbur. Ai nuk më donte për heshtjen time, as për vonesën time në pörpjekjet për ti kthyer jetën: unë nuk isha një njeri si ai, por një forcë që duhet vënë në lëvizje, diçka e ngjashme me një erë të favorshme dhe që mund të lëvizë një ditë fatin e tij nga vendi.
Por duke mos qenë tjetër veç se një pilot i thjeshtë, shef i aeroportit për disa muaj në Kep-Xhubi, duke mos patur pasuri tjetër veç se një barakë të mbështetur në fortesën spanjolle dhe, brenda në këtë barakë, një legen, një brokë me ujë të kripur, një shtrat shumë të shkurtër, unë nuk kisha dhe aq iluzione për pushtetin tim:
- Të shohim, Bark...
Të gjithë skllevërit i quajnë Bark, kështu që dhe atë e quanin Bark. Megjithëse kishte katër vjet në robëri, ai akoma nuk ishte dorëzuar: ai nuk harronte se kishte qenë mbret.
- Çfarë bëje ti, Bark, në Marakesh?
Në Marakesh, ku me siguri jetonin akoma gruaja dhe tre fëmijët e tij, ai kishte ushtruar një zanat të mrekullueshëm.
- Unë isha bari dhe më quanin Muhamed!
Kaidët e atjeshëm e ftonin:
- Kam ca qe për të shitur, Muhamed. Shko ti kërkosh në mal.
Ose:
- Kam një mijë dele në fushë, shpjeri lart në kullota.
Dhe Barku, i armatosur me një skeptër ulliri, drejtonte shtegëtimin e tyre. Përgjegjës i vetëm për këtë popull delesh, duke ngadalësuar më të shkathtat për shkak të qingjave që duhej të lindnin, dhe duke nxitur dembelet, ai ecte midis besimit dhe bindjes së të gjithave. Vetëm ai e dinte në çtokë të premtuar po i shpinte, vetëm ai dinte të lexonte rrugën me anë të yjeve, i ngarkuar me një shkencë që nuk e njohin delet, ai vendoste vetë me mënçurinë e tij se kur ato duhej të pushonin, se kur duhej të pinin ujë. Dhe tërë natën më këmbë midis bagëtisë që flinte, i pushtuar nga dhimbsuria për të gjitha këto qenie të paditura e të dobëta, i zhytur në lesh gjer në gju, Barku, mjek, profet dhe mbret, lutej për popullin e tij.
Një ditë i qenë afruar ca arabë:
- Hajde me ne të kërkojmë bagëtinë në Jug.
Patën ecur për një kohë të gjatë dhe kur, pas tri ditësh, qenë futur në një monopat të thepisur në male, në kufi me fiset kryengritëse, thjesht i vunë dorën në sup, e pagëzuan Bark dhe e shitën.
Pata njohur dhe skllevër të tjerë. Çdo ditë shkoja nëpër çadra për të pirë çaj. I shtrirë atje këmbëzbathur mbi qilimin me thekë të gjatë, që është luksi i nomadëve dhe mbi të cilin ata
ndërtojnë për disa orë shtëpitë e tyre, unë shijoja rrugën që bënte dita. Në shkretëtirë e ndien rrjedhën e kohës. Nën zhegun e diellit njeriu vijon rrugën drejt mbrëmjes, drejt asaj ore të
freskët që të shpëlan gjymtyrët dhe të heq të gjithë djersën. Nën zhegun e diellit kafshët dhe njerëzit ecin përpara drejt këtij lugu të madh, po aq të sigurt sa edhe drejt vdekjes. Kështu që as prehja nuk është kurrë e kotë. Dhe të gjitha ditët të duken të bukura si ato rrugët që të shpien në det.
Unë i njihja ata, skllevërit. Ata futen në çadër kur udhëheqësi i fisit ka nxjerrë mangallin, çajnikun dhe bardhakët nga sënduku me thesare, nga ai sunduk i rëndë plot sende të kota: brava pa çelësa, vazo pa lule, pasqyra që shiten për ca qindarka, armë të vjetra, që, të shpërndara mbi rërë, të kujtojnë mbeturinat e një anijeje të mbytur.
Atëhere skllavi i heshtur mbush mangallin me kërthija të thata, i fryn zjarrit, mbush çajnikun, bën lëvizjet e një goce të vogël me ata muskujt e tij që mund të shkulnin një kedër. Ai është i qetë. Ai është i rrëmbyer nga loja: të bëjë çajin, të kujdeset për devenë, të hajë. Në zhegun e ditës të ecë drejt natës dhe nën akullin e yjeve të zhveshur të ëndërrojë për zhegun e ditës. Janë të lumtura vendet e Veriut, ku stinët e vitit thurin në verë një legjendë per dëborën, në dimër një legjendë për diellin, janë të trishtuar tropikët, midis avujve të të cilëve asgjë nuk ndryshon shumë, por është e lumtur dhe Sahara, ku dita dhe nata i hedh njerëzit nga njëra shpresë në tjetrën.
Nganjëherë skllavi i zi i kalon orët e mbrëmjes ulur galiç para portës. Në këtë trup të rëndë prej robi kujtimet nuk kanë më vend. Atij mezi i kujtohet çasti i rrëmbimit, goditjet, klithmat dhe ata krahë njerëzish që e kumbisën në këtë natë skllavërie. Që nga ky çast ai u zhyt në një gjumë të çuditshëm, ku, si një i verbër, nuk sheh më lumenjtë e qetë të Senegalit apo fshatrat e bardhë të Marokut të Jugut, ku si një shurdh nuk dëgjon më zërat e njohur. Sonte ai nuk është fatkeq, ai është i sakatuar. I futur një ditë me zor në ciklin e jetës së nomadëve, i lidhur me shpërnguljet e tyre, i gozhduar nga jeta në rrathët që ata përshkojnë në shkretëtirë, ç'gjë të përbashkët mund të ketë ruajtur ai tani me një të kaluar, me nje vatër familjare, me një grua dhe me fëmijët që për të tanimë janë po aq të vdekur sa dhe të vdekurit?
Njerëzit që kanë jetuar për një kohë të gjatë me një dashuri të madhe dhe pastaj e kanë humbur atë lodhen nganjëherë prej vetmisë së tyre fisnike. Ata i afrohen të përunjur jetës dhe një dashuri mediokre e bëjnë mirëqenien e tyre. Atyre fillon tu duket mirë të heqin dorë nga gjithçka, të bëhen servilë dhe të futen në qerthullin paqësor të gjërave. Krenaria e skllavit bëhen kongjijtë e të zotit.
- Na, merre, - i thotë i zoti nga një herë skllavit.
Ky është çasti kur padroni është i mirë për skllavin për shkak se tani e kanë lënë prapa lodhjen e nxehtësinë përvëluese dhe për shkak se po futen krah për krah në freskinë e mbrëmjes. Dhe ai i jep një gotë çaj. Dhe skllavi, i shushatur nga mirënjohja, i pushton gjunjët të zotit për këtë gotë çaj. Skllavi nuk lidhet kurrë me pranga. Nuk ka nevojë. Ai është kaq besnik! Ai ka dhënë dorëheqjen me mënçuri si mbret i zi i çfronëzuar, ai nuk është më gjë tjetër veç se një skllav i lumtur.
Por një ditë ai do të çlirohet. Kur të bëhet shumë plak dhe nuk do tia vlejë barra qiranë ta ushqejnë apo ta veshin, atij do ti japin një liri të pakufizuar. Gjatë tri ditëve ai do të bredhë më kot, duke propozuar shërbimet e veta nga tenda në tendë, çdo ditë e më i dobët, derisa në fund të ditës së tretë, pa e humbur asnjëherë urtësinë, do të shtrihet mbi rërë. Kështu i kam parë skllevërit në Xhubi duke vdekur lakuriq. Maurët shtynin njëri-tjetrin me bërryla dhe sodisnin këtë agoni të gjatë, por pa u treguar të egjër, dhe të vegjëlit e maurëve luanin afër këtyre mbeturinave të zymta dhe çdo mëngjes vinin me vrap për të parë me sy nëse lëvizte akoma shërbëtori plak, por pa u tallur me të. Kjo ishte brenda rregullit të natyrshëm të sendeve. Ishte njëlloj sikur ti kishin thënë: "Ti ke punuar mirë, ti ke të drejtë për gjumë, shko të flesh tani". Dalëngadalë ai shkrihej me dheun. I tharë nga dielli, i mirëpritur nga dheu. Tridhjetë vjet punë pastaj kjo e drejtë për gjumë e për pak dhe.
Të parin që takova nuk e dëgjova të qahej, pasi nuk kishte kundër kujt të qahej. Kuptova tek ai një farë pajtimi të turbullt, si pajtimi i atij malësori, që ka humbur rrugën, i kanë shterur forcat dhe pastaj shtrihet në dëborë, i mbështjellë nga ëndrrat dhe dëbora. Nuk ishin vuajtjet e tij që më mundonin. Për këtë nuk shqetësohesha aspak. Ajo që më shqetësonte ishte se me vdekjen e një njeriu vdes një botë e panjohur, dhe e pyesja veten se cilat ishin ato imazhe që shuheshin tek ai. Cilat plantacione të Senegalit, cilat qytete të bardhë të Marokut të Jugut po zhyteshin pak e nga pak në harresë? Unë nuk jam në gjendje të kuptoj në se në këtë masë të zezë po shuhen vetëm halle të vogla: çaji që duhet përgatitur, kafshët që duhen çuar për të pirë... nëse po bie në gjumë një shpirt skllavi apo i ringjallur nga një afsh kujtimesh, ky njeri po vdes në të gjithë madhështinë e tij. Kocka e fortë e kafkës ishte për mua e ngjashme me një arkë të vjetër që ruan brenda një thesar. Nuk e dija ç'mëndafshra ngjyra-ngjyra, ç'imazhe festash, çmbeturina krejt të padobishme, krejt të panevojshme këtu, në shkretëtirë, kishin shpëtuar nga mbytja. Arka ishte atje, e mbyllur dhe e rëndë. Unë nuk e dija se cili vis i botës po çbëhej tek njeriu gjatë gjumit gjigandesk të ditëve të fundit, cili vis po çbëhej në këtë vetëdije dhe këtë mish që, pak e nga pak, po bëhej përsëri natë e rrënjë.
"Unë kam qenë bari delesh dhe më quanin Mohamed..."
Barku ishte i pari skllav i zi midis atyre që pata njohur, i cili kishte rezistuar. Nuk kishte aspak rëndësi që maurët e kishin përdhunuar lirinë e tij, e kishin zhveshur atë brenda një dite më lakuriq sesa një të porsalindur. Më shumë se pasurinë, maurët kërcënonin personalitetin e tij. Por Barku nuk u përkul, ndërkohë që shumë skllevër të tjerë e lanë të vdiste brenda vetes së tyre atë bari të varfër bagëtish, që gjithë vitin duhej të punonte për bukën e gojës!
Barku nuk u pajtua me skllavërinë, ashtu sikundër pajtohen njerëzit kur lodhen së prituri një lumturi të rëndomtë. Ai nuk donte të siguronte gëzime skllavi nga mirësitë e një zoti
skllevërish. Ai ruante në krahëror për Mohamedin që mungonte atë shtëpi që kishte pasë banuar ky Mohamed. Një shtëpi të trishtuar, sepse tani ajo ishte bosh, por në të cilën nuk banonte askush tjetër. Barku shëmbëllente me atë rojtarin e zbardhur flokësh, i cili vdes nga besnikëria midis barit të parkut dhe mërzitjes së heshtjes.
Ai nuk thoshte: "Unë jam Mohamed ben Lhausin", por: "Mua më quanin Mohamed", duke ëndërruar për ditën kur ky personazh i harruar do të ringjallej, duke e zbuar me këtë ringjallje pamjen prej skllavi. Nganjëherë, në heshtjen e natës, i vinin të gjitha kujtimet, me plotësinë e një kënge të fëminisë. "Në mes
të natës, - më tregonte përkthyesi ynë maur, - në mes të natës, ai foli për Marakeshin dhe qau". Askush nuk u shpëton në vetmi këtyre kujtimeve të së kaluarës. Ai tjetri zgjohej brenda tij, pa e paralajmëruar, shtriqej brenda gjymtyrëve të tij, kërkonte gruan në krah të tij në këtë shkretëtirë, ku asnjë femër nuk të afrohet kurrë. Barku dëgjonte të këndonte ujët e krojeve atje, ku nuk rridhte asnjë krua. Dhe Barku, me sytë mbyllur, kujtonte se atje, ku njerëzit banojnë në shtëpi lëkure dhe rendin pas erës, banonte në një shtëpi të bardhë që çdo mbrëmje ndodhej nën të njëjtin yll. I ngarkuar me këtë dashuri të vjetër, misteriozisht të gjallëruar, sikur poli i saj magnetik të kishte qenë fare afër, Barku vinte tek unë. Ai donte të më thoshte se ishte gati, se e gjithë dhimbsuria e tij ishte gati dhe ai mund ta shpëmdante atë vetëm duke u kthyer në shtëpi. Dhe mjaftonte një shenja ime. Dhe Barku qeshte, më tregonte planin për të cilin unë pa dyshim nuk kisha menduar akoma:
- Nesër është posta... Ti do të më fshehësh në aeroplanin që shkon në Agadir...
- I shkreti xha Bark!
Si mund ta ndihmonim të arratisej, kur ne jetonim midis kryengritësish? Të nesërmen arabët do të hakmerreshin për këtë grabitje dhe fyerje. Unë isha përpjekur ta blija me ndihmën e mekanikëve të aeroportit, Laubergut, Marshalit dhe Abgralit. Por maurët nuk ndeshen çdo ditë me evropianë që duan të blejnë një skllav. Ata ngrenë çmimin.
- Njëzetmijë franga.
- Mos do të tallesh me ne?
- Shiko sa krahë të fortë që ka...
Dhe kështu kalojnë muajt.
Më në fund pretendimet e maurëve u ulën dhe i ndihmuar nga miqtë në Francë, të cilëve u kisha shkruar, unë qeshë në gjendje ta blija Barkun plak.
Bëmë një pazar të këndshëm. Vazhdoi tetë ditë. Pazarin e bënim pesëmbëdhjetë maurë dhe unë të ulur mbi rërë në formë rrethi. Një mik i pronarit, që ishtë dhe miku im, Zin Ould Rhatari, një kusar, më ndihmonte fshehurazi:
- Shite, ti prapëseprapë do ta humbasësh, - i thoshte ai sipas këshillave të mia. - Ai është i sëmurë. Sëmundja në fillim nuk shihet, por ajo është brenda. Do të vijë një ditë dhe ai papritur do të fryhet. Shitja shpejt francezit.
Unë i kisha premtuar shpërblim edhe një banditi tjetër, Ragiut, po qe se do të më ndihmonte për të bërë pazarin, dhe Ragiu e tundonte pronarin:
- Me këto para ti do të blesh deve, pushkë, fishekë. Atëherë ti mund të shkosh në fushatë dhe të bësh luftë kundër francezëve. Ti do ti marrësh Atarit tre ose katër skllevër fare të rinj. Hiqe qafe këtë plakun.
Dhe ai ma shiti Barkun. E mbylla me çelës në barakën tonë gjashtë ditë me radhë, pasi po të bridhte jashtë barakës para se të vinte aeroplani, maurët mund ta kapnin përsëri dhe ta shisnin prapë akoma më larg.
Por unë e çlirova nga gjendja prej skllavi. Edhe kjo qe një ceremoni e bukur. Erdhën një morabu, pronari i dikurshëm dhe Ibrahimi, kaidi i Xhubit. Këta tre piratë, që me gjithë qejf do ti kishin prerë kokën atij po ta zinin njëzet metra larg murit të fortesës vetëm e vetëm për të bërë një shaka me mua, e përqafuan nxehtësisht dhe nënshkruan një akt zyrtar.
- Tani e tutje ti je biri ynë.
Sipas ligjit ishte dhe i imi. Dhe Barku i përqafoi të gjithë këta baballarë.
Ai jetoi në barakën tonë një skllavëri të ëmbël deri në çastin e nisjes. Ai na detyronte ti përshkruanim njëzet herë në ditë udhëtimin e lehtë që do të bënte. Ai do të zbriste nga aeroplani në Agadir dhe në aeroport do t'i jepnin një biletë autobuzi për në Marakesh. Barku luante rolin e njeriut të lirë, sikundër një fëmijë luan rolin e eksploratorit: udhëtimi drejt jetës, autobuzi, turmat e njerëzve, qytetet që do të shihte...
Laubergu erdhi të më takonte në emër të Marshalit dhe Abgralit. Nuk duhej që Barku të vdiste urie kur të zbriste nga aeroplani. Ata më dhanë për të një mijë franga. Në këtë mënyrë Barku do të mund të kërkonte punë.
Dhe më shkonte mendja tek ato damat plaka të shoqërive mirëbërëse që "bëjnë një vepër bamirësie", duke dhënë njëzet franga, dhe kërkojnë pastaj mirënjohje. Laubergu, Marshali dhe Abgrali, mekanikë avionësh, duke dhënë njëmijë nuk e bënin këtë për mëshirë dhe aq më pak për të kërkuar mirënjohje. Ata nuk vepronin kështu nga keqardhja, si ato damat plaka që ëndërrojnë për lumturinë. Ata thjesht ndihmonin për ti kthyer këtij njeriu dinjitetin e tij njerëzor. Ata e dinin fare mirë, sikundër dhe unë, se me të kaluar dehja e kthimit, i pari mik besnik që do ti dalë Barkut përpara do të jetë varfëria dhe se ai pa kaluar as tre muaj do të thyejë kurrizin në ndonjë sektor të hekurudhës, duke shkulur traversat. Ai do të jetë më pak i lumtur se në shkretëtirë tek ne. Por ai ka të drejtë të jetë i zoti i vetes midis njerëzve të vet.
- Atëhere, xha Bark, udhë e mbarë e bëhu njeri.
Avioni dridhej gati për tu nisur. Barku u përkul edhe një herë në drejtim të shkretëtirës së pafund të Kep-Xhubit. Para avionit ishin grumbulluar dyqind maurë për të parë se ç'pamje ka një skllav para portave të jetës. Po të rrëzohej aeroplani ata do ta kapnin që ta shisnin përsëri, veç ca më larg.
Dhe ne i bënim shenja lamtumire të porsalindurit tonë pesëdhjetëvjeçar, pak të turbulluar nga guximi që kish marrë për të dalë në botë.
- Lamtumirë, Bark!
- Jo!
- Si, jo?
- Jo. Unë jam Mohamed Ben Lhausin.
Për herë të fundit morëm lajme për të nga arabi Abdulla, i cili me kërkesën tonë e ndihmoi Barkun në Agadir.
Autobuzi nisej në darkë, kështu që Barku kishte një ditë të tërë përpara. Në fillim ai u end për një kohë të gjatë dhe pa thënë asnjë fjalë nëpër këtë qytet të vogël, saqë Abdullai, duke e parë të shqetësuar, u prek:
- Çfarë ke?
- Asgjë...
Barku, i hutuar nga hapësira e gjerë e kësaj lirie të papritur, akoma nuk po e ndiente ringjalljen. Ai provonte vërtet një gëzim të turbullt, por përveç këtij gëzimi nuk kishte asnjë
ndryshim midis Barkut të djeshëm dhe Barkut të sotëm. Pasi këtej e tutje ai kishte po aq të drejtë sa dhe njerëzit e tjerë për këtë diell dhe për tu ulur këtu, nën tendën e kësaj kafeneje arabe. Ai u ul. Porositi çaj për Abdullain dhe për vete. Ky ishte gjesti i parë i një njeriu që është zot i vetes; ky pushtet duhej ta kishte transformuar. Por kamerieri ia shërbeu çajin pa ndonjë habi, sikur ky gjest të ishte i zakonshëm. Ai nuk e ndiente se tek hidhte çajin, po thurte himne për një njeri të lirë.
- Shkojmë në ndonjë vend tjetër, - kishte thënë Barku.
Ata ishin ngjitur në Kasaba, e cila mbizotëron të gjithë Agadirin.
U qenë afruar disa valltare të vogla berbere. Ato u treguan kaq të dashura dhe ledhatuese, sa Barku mendoi se po ringjallej: ishin ato që, pa e ditur as vetë, po e pranonin në jetë. Pasi e zunë për dore, ato i ofruan pastaj çaj, plot mirësjellje, por ashtu siç bënin me të gjithë. Barku donte të tregonte për ringjalljen e vet. Ato buzëqeshnin ëmbël. Ato gëzoheshin për të, përderisa ai ishte i kënaqur. Ai shtoi si për ti mrekulluar: "Unë jam Mohamed ben Lhausin". Por ato nuk u mrekulluan aspak. Të gjithë njerëzit kanë një emër dhe të shumtë janë ata që kthehen nga larg....
Ai e shpuri Abdullain përsëri në drejtim të qytetit. U end para dyqaneve të vegjël të çifutëve, vështroi detin, mendonte se mund të shkonte ku ti donte qejfi, se ishte i lirë... Por, kjo liri iu duk e hidhur: ajo i zbuloi, mbi të gjitha, se i mungonin lidhjet me botën.
Atëherë, tek po kalonte një fëmijë, Barku i ledhatoi faqet. Fëmija buzëqeshi. Ky nuk ishte një fëmijë zotnie, që do ti bëjnë qejfin. Ky ishte një fëmijë i dobët, të cilit Barku i dhuroi një përkëdheli. Dhe ai po i buzëqeshte. Ky fëmijë e zgjoi Barkun, dhe Barku u bë pak më i rëndësishëm mbi tokë për shkak të një fëmije të dobët që ai e kishte bërë të buzëqeshte. Ai po fillonte të mendonte diçka dhe po ecte tani me hapa të mëdha.
- Çfarë kerkon? - e kishtë pyetur Abdullai.
- Asgjë, - ishte përgjigjur Barku.
Por kur u ndesh në kthesën e një rruge me një grup fëmijësh që po loznin, ai u ndal. Tamam këtu ishte. Po i vështronte në heshtje. Pastaj shkoi tek dyqanet e çifutëve dhe u kthye me duart të mbushura me dhurata. Abdullai ishte inatosur.
- Budalla, ruaji paratë!
Por Barku nuk ia kishte vënë veshin. Hijerëndë, ai ia bëri secilit me shenjë. Dhe duart e njoma u zgjatën drejt lodrave, byzylykëve dhe papuçeve të qëndisura me ar. Dhe çdo fëmijë, me të marrë thesarin që i takonte, ikte me vrap si ndonjë njeri i egër.
Fëmijët e tjerë të Agadirit, porsa merrnin vesh lajmin, vinin tek ai me vrap: ai i mbathte me papuçe të arta. Fëmijë të tjerë të rrethinave të Agadirit, që e kishin dëgjuar gjithashtu këtë lajm, ngriheshin dhe vinin me britma tek ky Zot i Zi dhe, duke u kacavarur në rrobat e tij të vjetra prej skIlavi, kërkonin pjesën e tyre. Barku po falimentonte.
Abdullai e quajti "të çmendur nga gëzimi". Por unë mendoj se për Barkun nuk ishte puna që ai ta ndante me të tjerët një gëzim të bollshëm.
Ai gëzonte, tani që ishte i lirë, të mirat kryesore, të drejtën për të dashur, për të ecur drejt Jugut apo Veriut dhe për të fituar bukën e gojës me punën e vet. Ç'i duheshin paratë?... Tani që, ashtu siç ndiejmë një uri të thellë, po provonte nevojën për të qenë një njeri midis njerëzve, i lidhur me njerëzit. Valltaret e Agadirit ishin treguar të dashura me Barkun plak, por ai ishte larguar prej tyre pa vështirësi, njëlloj siç kishte ardhur; ato nuk ia kishin nevojën. Shërbëtori i kafenesë arabe, kalimtarët nëpër rrugë, të gjithë respektonin tek ai njeriun e lirë, e ndanin barabar bashkë me të diellin, por asnjeri prej tyre nuk kishte treguar se kishte nevojë për të. Ai ishte i lirë, por pafundësisht i lirë, aq sa nuk e ndiente më peshën e vet mbi tokë. I mungonte ajo peshë e marrëdhënieve njerëzore që vështirëson ecjen, i mungonin lotët, lamtumirat e ndarjeve, qortimet, gëzimet, të gjitha ato që njeriu i ruan me dashuri apo i shqyen dhe i bën copë e çikë sa herë që përvijon një gjest, ato mijëra nyje që e lidhin me të tjerët dhe e bëjnë të rëndojë mbi tokë. Por mbi Barkun rëndonin tani mijëra shpresa...
Dhe mbretërimi i Barkut niste me këtë madhështi të diellit që po perëndonte mbi Agadir, me këtë freski që për një kohë të gjatë kishte qenë për të e vetmja kënaqësi që mund të priste, i vetmi strehim. Dhe tek po afrohej ora e nisjes, Barku ecte përpara duke notuar midis këtij tallazi fëmijësh. Sikundër kishte bërë dikur midis tufave të dhenëve, duke hapur hullinë
e vet të parë në botë. Nesër ai do të kthehet në varfërinë e familjes së tij, përgjegjës ndoshta për më shumë frymë nga sa mund të mbanin me bukë krahët e tij të plakura, por tani ai rëndonte këtu me peshën e vet të vërtetë. Si një kryeëngjëll që është tepër i lehtë për të jetuar në mes të njerëzve, dhe që prandaj duhet të varë pesha plumbi në brez, Barku po bënte hapa të vështira i tërhequr drejt tokës nga mijëra fëmijë, të cilët kishin kaq nevojë për papuçe të arta.
E tillë është shkretëtira. Një Kuran, që nuk është gjë tjetër veç se një rregull loje, e kthen rërën në një Perandori. Në sfondin e Saharës që do të ishte krejt bosh, po të mos luhej një dramë e fshehtë që nxit pasionet e njerëzve. Jeta e vërtetë e shkretëtirës nuk përbëhet nga eksodet e fiseve në kërkim të barit të ri për kullotje, por nga lodrat që do të luhen akoma. Çndryshim ka midis rërës së panënshtruar dhe asaj të nënshtruar! Dhe a nuk është kështu për të gjithë njerëzit? Përballë kësaj shkretëtire të transformuar më kujtohen lodrat e fëminisë sime, kopshti i zymtë dhe i praruar që ne e kishim populluar me perëndi, mbretëria e pafund që ne kishim përftuar nga një kilometër katror, të cilin kurrë nuk e patëm njohur deri në fund, kurrë nuk e patëm hetuar deri në fund. Ne kishim formuar një qytetërim të lidhur ngushtë, ku çdo hap kishte një shije, ku çdo send kishte një kuptim që nuk ishte i lejuar në asnjë vend tjetër. Çfarë ka mbetur, kur ti bëhesh burrë dhe ke jetuar sipas ca ligjeve të tjera, nga ky park plot me hije të magjishme, të akullta, përvëluese të fëminisë, tani kur ti je kthyer dhe i bie rreth e përqark me një farë dëshpërimi, nga përjashta, këtij muri të ndërtuar me ca gurë gri, duke u mrekulluar se si ka qenë e mundur të mbyllej në një hapësirë kaq të ngushtë një mbretëri e pafund dhe duke e kuptuar se në këtë pafundësi ti nuk ke për tu futur më kurrë, pasi ti duhet të futesh në lojë dhe jo në park?
Por tani nuk bëhet më fjalë për viset e panënshtruara. Kep Xhubi, Cisneros, Puerto Cansado, Saguet-El-Samara, Dora, Smarra, nuk kanë më mistere. Horizontet drejt të cilave ne patëm rendur janë shuar njëri pas tjetrit, si ato insektet që humbin ngjyrat e tyre porsa zihen robër midis duarëve të shtrënguara. Por ata që i ndoqën ato nuk ishin lodër e një iluzioni. Ne nuk u mashtruam kur rendëm drejt këtyre zbulimeve. Nuk u mashtrua as Sulltani i Një Mijë e Një Netëve, që përpiqej të gjente diçka të bukur e të brishtë, kur robinat e tij të bukura shuheshin në agim njëra pas tjetrës në krahët e tij, pasi kishin humbur, me tu prekur, arin e krahëve të tyre. Ne qemë ushqyer me magjinë e rërës, ndërkohë që të tjerët hapnin puset e naftës dhe pasuroheshin me mallin e tyre. Por ata patën ardhur tepër vonë. Sepse palmishtet e ndaluara apo pluhuri kozmik i guaskave na e patën dorëzuar neve pjesën e tyre më të çmuar: ato nuk ofrojnë veç se një orë pasioni të zjarrtë dhe këtë e patëm përjetuar vetëm ne.
Shkretëtira? Një herë m'u dha rasti ti afrohem zemrës së saj. Gjatë një udhëtimi për në Indokinë, në vitin 1935, u gjenda përsëri në Egjipt, në kufi me Libinë, ku ngeca në rërë si në zamk dhe pandeha se mbarova. Ja historia .
____________________
Antoine de Saint - Exupery - Toka e Njerëzve. Përktheu nga origjinali Çezar Kurti. Shtëpia Botuese "Naim Frashëri", Tiranë, 1986
Copyright©1986 by Çezar Kurti