KAPITULLI I GJASHTË

NËPËR OQEANIN E QETË

Il

Një anije zbavitëse --Me barkë gome midis oqeanit - Një pakujdesi e rrezikshme - Kaltërsia e pafund - Midis oqeanit në një kasolle bambuje - Në meridianin e ishullit të Pashkëve - Misteri i ishullit të Pashkëve - Gjigantët prej guri - Paruket prej guri të kuq -"Veshëgjatët" - Tiki - si hallkë ndërmjetëse - Emrat gjeografikë kuptimplotë - Ne kapim një peshkaqen me duar - Papagalli - Sinjalet e L 12B - Lundrimi në bazë të yjeve - Tri dallgët - Shtrëngata - Banja e përgjakshme në oqean - Banja e përgjakshme në trap - Një njeri bie nga trapi - Edhe një shtrëngatë tjetër - -´Kon-Tikiª plaket - Lajmëtarët e Polinezisë.

 

Kur deti nuk kishte shumë stuhi, dilnim shpesh me barkën e vogël prej gome dhe bënim fotografi. Kurrë nuk do ta harroj provën e parë. Oqeani ishte kaq i qetë, sa që dy vetëve prej nesh ju shkrep të lëshonin barkën e vogël, që ngjante me një balonë ajri, në ujin e oqeanit dhe të ngisnin pak lopatat. Me t'u larguar nga trapi, ata lanë lopatat dhe filluan të qeshnin me gjithë shpirt. Rryma po i çonte gjithmonë e më larg dhe ata herë zhdukeshin midis dallgëve, herë dukeshin dhe, porsa e hidhnin vështrimin nga ne, qeshnin me të madhe, aq sa zërat e tyre shungullonin mbi oqeanin e shkretë. Ne shihnim me dyshim përreth dhe nuk shikonim asgjë komike, me përjashtim të kokave leshatore dhe fytyrave me mjekër të njëri-tjetrit. Po, meqenëse të dy shokët që ndodheshin në barkë duhej të ishin mësuar me këtë pamje, ne dyshuam se mos luajtën mendsh. Ndoshta, u kishte rënë dielli në kokë. Të dy djelmoshat hoqën shumë sa u kthyen në ´KonTiki", krejt të pafuqishëm nga të qeshurit dhe, duke marrë frymë me vështirësi, kërkonin të na mbushnin mendjen që të dilnim edhe ne me barkë dhe të shikonim vetë.

Unë dhe një shok tjetër hipëm në barkën prej gome që po kërcente mbi ujë. Një dallgë na mori me vete dhe na largoi nga trapi. Ne u shembëm menjëherë në ndenjësen e barkës dhe filluam të qeshnim me të madhe. Na u desh të ktheheshim sa më shpejt në trap dhe të qetësonim ata që kishin qenë në barkë. Vetë ne dhe anija jonë krenare të bënin një përshtypje shumë komike, kur i shikoje për herë të parë që nga larg. Deri tani asnjëherë nuk kishim pasur rastin të shikonim nga larg trapin tonë në oqeanin e hapët. Trungjet zhdukeshin madje edhe prapa dallgëve më të vogla dhe ne shihnim, në qoftëse kishim mundësi të shihnim ndonjë gjë, vetëm kabinën e ulët me derën e gjerë dhe çatinë prej gjethesh si lëkura e iriqit, që kërcente midis valëve. Trapi ngjante me një mullar norvegjez kashte, që lundronte i pafuqishëm gjatë rrymës në Oqeanin e Qetë, me një mullar të shtrembër kashte, që kishte strehuar ca endacakë të nxirë e me mjekër. Po kështu do të kishim shpërthyer ne padashur në gaz, po të shikonim se ndokush lundron me një vaskë nëpër oqean. Madje edhe dallga më e zakonshme, që rrukullisej nëpër cepin e trapit, e mbulonte deri në gjysmë largësinë midis bortit dhe murit të kabinës e dukej sikur edhe pak dhe ujët do të futej pa pengesë në derën e gjerë të hapur, pas së cilës, rrinin shtrirë, duke gogësitur, endacakët me mjekër. Pastaj mullari qesharak me bar çfaqej përsëri në sipërfaqe dhe endacakët në kabinë vazhdonin të rrinin shtrirë po ashtu të thatë, leshatakë dhe shëndoshë e mirë si dhe më parë. Nëqoftëse vërsulej ndonjë dallgë më e lartë, atëhere kabina, vela dhe i gjithë direku mund të zhdukeshin pas malit me ujë, po pas një çasti kabina me endacakët çfaqej menjëherë në sipërfaqe.

Pamja ishte jo aq e mirë dhe ne nuk e kuptonim dot se si shkonte mirë e bukur çdo gjë në bortin e anijes sonë origjinale.

Një herë tjetër, kur u larguam me barkë nga trapi për të qeshur një çikë me veten tonë, për pak sa nuk ndodhi një fatkeqësi. Era dhe dallgët ishin më të forta nga ç'mendonim dhe "Kon-Tiki" po ecte nëpër dallgë me një shpejtësi shumë të madhe. Për të shpëtuar jetën, duhej të punonim me lopatat me sa forcë që kishim, duke u përpjekur të arrinim trapin mëndjemadh, që as nuk ndalej, as nuk priste, as nuk kthehej prapa. Madje edhe atëhere, kur shokët tanë në bortin e "Kon-Tikit" ulën velën, era frynte me kaq forcë në kabinën e bambusë, saqë trapi prej balse po ecte drejt perëndimit me po atë shpejtësi, që mund të kishte barka jonë e rrumbullaktë me lopatat e vogla, si lodra fëmijësh, që vallzonte sipër dallgëve. Secili prej nesh mendonte vetëm për një gjë: duhej të ishim përsëri bashkë. Ne kaluam në oqean minuta të tmerrshme, para se të arrinim trapin, që po ikte, dhe para se të ngjiteshim sipër tij dhe të ndodheshim në shtëpi, midis shokëve.

Që nga ajo ditë u ndalua rreptësisht largimi me barkë gome nga trapi, pa e lidhur që më parë barkën me një litar të gjatë, në mënyrë që, në rast nevoje, ata që mbeteshin në kuvertë të mund ta tërhiqnin. Prandaj nuk largoheshim asnjëherë nga trapi, me përjashtim të rasteve, kur era ishte shumë e dobët dhe sipërfaqja e oqeanit ishte e rrudhosur lehtë. Kur trapi ndodhej në gjysmë të rrugës për në Polinezi, deti ishte i qetë. Oqeani madhështor shtrihej në të gjitha anët e horizontit. Tani mund të largoheshim të qetë nga "Kon-Tiki" dhe të lundronim në hapësirën e kaltër midis qiellit dhe oqeanit. Menjëherë e ndjenim veten të vetmuar, kur shikonim se silueta e qenies sonë, duke u larguar, bëhej gjithnjë e më e vogël, ndërsa vela e madhe shndërrohej në një katror të zi, që mezi dukej në horizont, Oqeani shtrihej tutje, i kaltër në qiellin e kaltër, dhe atje, ku uji dhe qielli bashkoheshin, kaltërsia e tyre bëhej një dhe kufiri midis tyre zhdukej. Na dukej sikur qëndronim në hapësirë dhe na rrethonte një botë e shkretë e kaltër. Nuk kishte asgjë ku mund të ndalej vështrimi ynë përveç diellit tropikal, të verdhë dhe të nxehtë, që na digjte qafën. Pastaj vela e largët e trapit të vetmuar në horizont na tërhiqte si magnet. Ne vozisnim, dhe ktheheshim përsëri në trap, ku na dukej sikur ishim kthyer në shtëpi, në botën tonë, në trapin tonë, që ishte për ne një tokë e fortë dhe e sigurtë. Ndërsa brenda në kabinën prej bambuje na priste hija dhe kundërmimi i bambusë dhe i gjetheve të thara të palmës. Ajo copë kaltërsie e ndritur nga dielli, që shikonim përmes murit të hapur të kabinës, ishte tani plotësisht e mjaftueshme për ne. Ne ishim mësuar me këtë pamje dhe ajo na kënaqte plotësisht.

Është për t'u habitur se çfarë veprimi psikologjik ushtronte mbi ne kabina e lëkundshme prej bambuje. Ajo ishte 2,5 x 4 m dhe, për të pakësuar presionin e erës dhe të dallgëve, e kishim ndërtuar kaq të ulët, saqë asnjëri prej nesh nuk mund të qëndronte drejt, madje edhe nën kulmin e çatisë. Muret dhe çatia ishin bërë prej kunjash të fortë bambuje, të lidhur midis tyre dhe të fiksuar me litarë; ata pështilleshin me një thurje të plotë prej filizash bambuje. Kjo thurje në ngjyrë të gjelbër dhe të verdhë me gjerdanë gjethesh, që vareshin nga çatia, ishte për sytë tanë shumë më e këndshme se sa një kabinë e lyer me të bardhë. Dhe, megjithëse muri prej bambuje nga ana e djathtë, në një të tretën e gjatësisë së tij, ishte i zbuluar, ndërsa çatia dhe muret lejonin të depërtonin rrezet e diellit dhe të hënës, kjo strofkë primitive ngjallte te ne ndjenjën e një sigurie, që nuk do të mund të na e jepnin në këto kushte perdet e bardha si dëbora dhe dritaret e mbyllura. Ne u përpoqëm ta shpjegonim këtë fakt interesant dhe erdhëm në këtë përfundim. Për ndërgjegien tonë ishte një gjë krejt e pazakontë që të bënim një përgjasim midis banesës prej bambuje të mbuluar me gjethe palme dhe lundrimit nëpër det. Nuk egzistonte asnjë lidhje e natyrshme dhe harmonike midis oqeanit të madh, që rrukulliste dallgë të mëdha, dhe kasolles prej palme plot me vrima të errëta, që lundronte sipër këtyre dallgëve. Prandaj ose kasollja duhej të na dukej krejt pa vend midis dallgëve, ose dallgët duhej të na dukeshin krejt pa vend rreth kasolles. Sa kohë që gjendeshim në trap, kasollja prej bambuje, me kundërmimin e saj të xhunglave, qe për ne një realitet i zakonshërn, ndërsa dallgët që ngriheshin pa pushim, na dukeshin si diçka jo dhe aq reale. Po, kur ndodheshim në barkën prej gome, dallgët dhe kasollja ndërronin rolet. Trungjet prej balse rrëshqisnin si pulëbardha nëpër dallgë duke kulluar ujin që godiste pupën, dhe kjo na ngjallte një besim të patundur për atë vend të thatë midis trapit, ku ndodhej kabina. Sa më tepër që zgjaste udhëtimi, aq më të sigurtë e ndjenim veten në strofkën tonë të rehatshme. Ne i shikonim kreshtat e bardha të dallgëve që vallzonin para derës së kabinës me një ndjenjë të tillë, sikur ky ishte një film emocionues, i cili nuk paraqet asnjë rrezik për ne. S'ka gjë pse dera e zbuluar ndodhet vetëm një metër e gjysmë larg këndit të pambrojtur të trapit dhe vetëm gjysmë metri mbi nivelin e detit. Me t'u futur brenda në kabinë, e ndjenim veten sikur udhëtonim nëpër tokë disa milje larg detit dhe sikur ndodheshim në ndonjë kasolle pylli, larg të gjitha rreziqeve të oqeanit. Në kabinë mund të shtriheshim në kurriz të shikonim lart çatinë zbavitëse, e cila lëkundej si degët nga era dhe të kënaqeshim me kundërmimet e drurit të freskët, të bambusë dhe të gjetheve të vyshkura të palmave.

Nganjëherë largoheshim me barkën prej gome për të parë se si dukej trapi ynë natën. Dallgë të zeza katran grumbulloheshin nga të gjitha anët, ndërsa mirjada yjesh tropikalë, që vezullonin, pasqyroheshin dobët në planktonin që ndodhej në sipërfaqen e ujit. Para nesh, natën, ngrihej nga dallgët "Kon-Tiki" dhe përsëri ulej prapa masave të zeza të ujit, të cilat ngriheshin midis nesh dhe trapit. Në dritën e hënës, trapi pështillej nga një atmosferë e veçantë. Trungjet e trasha dhe të ndritshme me theka algesh, konturet katrore të velës së zezë të vikingëve, kasollja prej bambuje e fryrë si iriq dhe me dritën e verdhë të fenerit me vajguri prapa - të gjitha këto ngjanin më tepër me tablonë e një përralle magjike, se sa me realitetin e vërtetë. Herë pas here trapi zhdukej fare prapa dallgëve të zeza; pastaj ai dukej përsëri dhe silueta e tij vizatohej në dritën e yjeve, ndërsa nga trungjet rridhnin currila të ndritshëm uji.

Kur vështronim natën trapin tonë të vetmuar, mund të përfytyronim pa vështirësi se, kur njerëzit filluan të çanin për herë të parë rrugën përmes këtij oqeani, lundronte një flotilje e tërë me anije të tilla, të rreshtuara në formë elpazeje, që të kishte më shumë mundësi ta shquante tokën. Pak kohë para ardhjes së spanjollëve, inkasi Tupak Jupanki, i cili pushtoi Perunë dhe Ekuadorin, i shoqëruar nga disa mijëra njerëz, lundroi nëpër oqean me një armatë të tërë trapesh prej balse për të kërkuar ishujt, që ndodheshin, sipas fjalëve që qarkullonin, diku në Oqeanin e Qetë. Ai gjeti dy ishuj; disa mendojnë se këta ishin ishujt Galapagos; pas një mungese prej 8 muajsh, ai dhe vozitësit e tij të shumtë mezi u kthyen në Ekuador. Natyrisht, edhe Kon-Tiki me bashkudhëtarët e tij, disa shekuj më parë, kishin lundruar po në këtë formacion, po, meqenëse ata zbuluan ishujt e Polinezisë, nuk kishin

përse të provonin të ktheheshin përsëri.

Kur hipnim përsëri në trap, uleshim shpeshherë rreth fenerit me vajguri në kabinën prej bambuje dhe bisedonim për lundërtarët e Perusë, të cilët, 1500 vjet më parë, kishin provuar të njëjtën gjë. Feneri hidhte mbi velë hijet e mëdha të njerëzve me mjekër dhe ne mendonim për njerëzit e bardhë me mjekër, gjurmët e të cilëve i gjejmë në mitologii dhe arkitekturë në të gjithë hapësirën nga Meksika deri në Amerikën Qendrore dhe në pjesën veriperëndimore të Amerikës së Jugut deri në Peru. Atje, qytetërimi misterioz, para ardhjes së inkasve, zhduket si me magji dhe po aq papritmas çfaqet në ishujt e vetmuar në perëndim, drejt të cilëve po lundronim. Mos vallë i përkisnin këta mësues endacakë atij populli të lashtë e të qytetëruar, që jetonte përtej oqeanit Atlantik dhe që në kohë shumë të lashta kishte ardhur këtu me një mënyrë po kaq të thjeshtë, duke shfrytëzuar rrymën oqeanike të perëndimit dhe pasatin, që i kishte sjellë nga ishujt Kanare në gjirin e Meksikos? Natyrisht, kjo distancë ishte shumë më e shkurtër se sa ajo që po përshkonim ne, dhe nuk besonim më se oqeani është një faktor izolues absolut. Shumë studjues, duke u mbështetur në argumenta të shëndoshë, kanë thënë se qytetërimet e mëdha indiane, duke filluar nga actekët në Meksikë dhe deri te inkasit në Peru, u çfaqën si rezultat i dallgëve të papritura të emigracionit, që vinin nga përtej oqeani, nga lindja, ndërsa indianët amerikanë janë në tërësi fise gjuetarësh dhe peshkatarësh aziatikë, të cilët, gjatë 20 mijë vjetëve, ose madje për një kohë edhe më të gjatë, depërtuan në Amerikë nga Siberia. Padyshim duhet të na habisë fakti që nuk gjejmë asnjë gjurmë të zhvillimit shkallë-shkallë të qytetërimeve të mëdha, që kanë qenë përhapur dikur që nga Meksika deri në Peru. Sa më të thella kanë qenë gjurmimet e arkeologëve, aq më e lartë ka qenë kultura që kanë gjetur ata, derisa arrinin një kufi të caktuar, i cili tregonte qartë se qytetërimet e lashta kanë lindur pa pasur asnjë rrënjë në kulturat primitive.

Dhe qytetërimet kanë lindur atje, ku afrohej rryma atlantike - midis shkretëtirave dhe xhunglave të Amerikës Qendrore dhe Jugore - dhe jo në rajonet me klimë më të moderuar, ku kushtet për zhvillimin e qytetërimit, si në lashtësi, ashtu dhe në kohën tonë, kanë qenë shumë më të favorshme.

Të njëjtën gjë vërejmë edhe në ishujt e Detit të Jugut. Gjurmët më bindëse të qytetërimit i gjejmë në ishullin e Pashkëve, që ndodhet më afër Perusë, megjithëse toka në këtë ishull të vogël është e thatë dhe jo pjellore dhe megjithëse ky ishull qëndron më larg nga Azia se gjithë ishujt e tjerë të Oqeanit të Qetë.

Kur kaluam gjysmën e rrugës, kishim bërë një distancë të barabartë me atë, që ndan ishullin e Pashkëve nga Peruja, dhe ky ishull legjendar ndodhej në jugun tonë.

Me të kaluar gjatësinë perëndimore 110º, u gjendëm në rajonin oqeanik të Polinezisë, meqenëse ishulli polinezian i Pashkëve ishte tani më afër Perusë se sa neve. Ne ndodheshim në një meridian me avanpostin e parë të ishujve të Detit të Jugut, një qendër e qytetërimit shumë të lashtë ishullor. Në mbrëmje, kur sfera e skuqur udhërrëfyese ulej në drejtim të horizontit dhe e shoqëruar nga të gjitha ngjyrat e spektrit zhdukej në oqean në perëndim, një pasat i lehtë ringjallte tregimet mbi enigmat e jashtëzakonshme të ishullit të Pashkëve. Qielli i natës shuante çdo koncept të kohës dhe krerët e gjigantëve me mjekër vizatoheshin përsëri në velë.

Po larg, në jug, në ishullin e Pashkëve, qëndrojnë më këmbë koka edhe më gjigante, me mjekër me majë dhe me tiparet e fytyrës si të njerëzve të bardhë, të skalitura prej guri. Ata qëndrojnë dhe mendojnë për misteret e shekujve. Kështu qëndronin ato, kur evropianët e zbuluan këtë ishull në vitin 1722 dhe kështu qëndronin ato njëzet e dy breza polinezianësh më parë, kur paraardhësit e banorëve të. tanishëm zbarkuan me kaiket e tyre dhe çfarosën gjithë burrat e rritur të atij populli të qytetëruar misterioz që banonte në ishull. Që nga ajo kohë, kokat gjigante prej guri në ishullin e Pashkëve konsiderohen si një nga misteret e pazbuluara të lashtësisë. Kudo nëpër shpatet e kodrave të këtij ishulli pa pyje ngriheshin drejt qiellit statuja të mëdha - kolosë prej guri, figura madhështore njerëzish, të skalitura në një copë monolite shkëmbi, të lartë sa një shtëpi tri apo katërkatshe. Si kanë mundur njerëzit e lashtë të skalitin, të mbartin dhe t'i vendosin në këmbë këta kollosë gjigantë prej guri? Dhe, sikur kjo të mos mjaftonte, ata vendosnin në kokat e disa statujave, në lartësinë 12 metra mbi tokën, një copë shkëmbi prej guri të kuq, me përmasa prej përbindshi që ngjante me një paruke të madhe. Përse bëheshin të gjitha këto dhe çfarë dijenish zotronin në fushën e mekanikës këta arkitektë të zhdukur, të cilët zgjidhën probleme mjaft të vështira madje edhe për inxhinierët më të mirë të kohës sonë?

Po të krahasojmë të gjitha të dhënat, del se misteri i ishullit të Pashkëve nuk është ndoshta i pazgjidhshërn. Si çelës për zgjidhjen e kësaj enigme mund të jenë njerëzit që erdhën nga Peruja me trape. Në këtë ishull, qytetërimi i lashtë ka lënë gjurmë që nuk ka mundur t'i zhdukë as vetë koha. Ishulli i Pashkëve paraqet në vetëvete majën e një vullkani të vjetër të shuar. Rrugë të shtruara nga banorët e lashtë të qytetëruar të çojnë në vendet e zbarkimit në bregdet, që janë ruajtur mirë, dhe kjo provon se thellësia e ujit rreth ishullit nuk ka ndryshuar deri në ditët tona. Ishulli nuk është mbeturinë e një kontinenti të mbytur, po një ishull i vockël e i braktisur, i cili ka qenë po kaq i vogël dhe i vetmuar edhe atëhere, kur ishte qendër kulturale e Oqeanit të Qetë.

Midis ishullit të vogël në formë konike ndodhet krateri i një vullkani të shuar, ndërsa në fundin e kraterit ndodhen disa ofiçina të çuditshme për thyerjen e gurit dhe skalitjen e skulpturave. Krateri ka po atë pamje që ka pasur disa shekuj më parë, kur e braktisën skulptorët dhe arkitektët e lashtë , të cilët u turrën me të shpejtë në kepin lindor të ishullit, ku, sipas gojdhënës, të ardhurit vranë gjithë burrat e rritur të ishullit. Ngaqë puna e këtyre skulptorëve u ndërpre papritmas, ne tani kemi një ide të qartë mbi ditën e zakonshme të punës në kraterin e ishullit të Pashkëve. Sëpatat e gurta të skulptorëve, të forta si strall, shtrihen të braktisura në vendet e punës dhe provojnë se ky popull i kulturuar nuk e njihte hekurin, ashtu sikundër nuk e njihnin atë as skulptorët e Kon-Tikit, kur u larguan nga Peruja, duke lënë pas vetes statuja të tilla gjigante prej guri në pllajat e Andeve. Gurore gjenden kudo në ato vende, ku njerëzit e bardhë legjendarë me mjekër shkëpusnin nga shpati i malit copa të mëdha shkëmbi të gjata 9-12 metra, duke përdorur sëpata prej një guri edhe më të fortë. Copat gjigante të shkëmbit, që peshonin disa ton, mbarteshin në një distancë prej shumë kilometrash, nëpër një vend jo të rrafshtë, para se të vendoseshin më këmbë si figura të mëdha njerëzish, apo viheshin njëri mbi tjetrin, duke krijuar tarraca dhe mure misterioze.

Shumë statuja të mëdha të papërfunduara qëndrojnë deri më sot atje ku filluan t'i bënin - në thellimet e mureve të kraterit, në ishullin e Pashkëve. Ato tregojnë se si ecte puna në fazat e ndryshme. Figura më e madhe, që ishte pothuajse gati, kur skulptorët u detyruan të iknin, kishte një gjatësi prej 22 metrash; nëqoftëse kjo skulpturë do të ishte përfunduar dhe do të ishte vendosur në vend, koka e këtij kolosi prej guri do të ndodhej në një nivel me çatinë e një ndërtese tetëkatëshe. Çdo statujë e veçantë ishte skalitur nga një copë monolite shkëmbi, ndërsa gropat e punës për skulptorët, që ndodhen rreth figurës së gurtë të shtrirë, tregojnë se për skalitjen e statujës punonin disa vetë njëkohësisht. Statujat në ishullin e Pashkëve shtriheshin mbi kurriz, me duar të përkulura në bërryle, me shuplakat e duarve në bark, tamam si kolosët prej guri në Peru. Statujat përpunoheshin në punishte deri në detajet më të vogla dhe vetëm pastaj nxirreshin dhe dërgoheshin në vendin ku do të vendoseshin. Në fazën e fundit të punës në gurore, figura gjigante qëndronte e fiksuar në shkëmb vetëm me anën e një rripi të ngushtë guri, që ndodhej nën kurriz; Pastaj e thyenin edhe këtë rrip guri, duke vendosur më parë nën statujë trungje të mëdha, në nënyrë që ajo të mos rrëzohej.

Një sasi e madhe statujash ishte vendosur poshtë, në fundin e kraterit, të mbështetura në shpatin e tij. Po shumë kolosë të rnëdhenj ishin nxjerrë përsipër dhe ishin mbartur disa kilometra nëpër një vend që kalohet me vështirësi; atje vendoseshin mbi një pllakë guri, ndërsa në kokë vendosej një copë tjetër gjigante shkëmbi prej lave të kuqe. Vetë mbartja e këtyre kolosëve është një mrekulli, dhe ky fakt nuk mund të mohohet, ashtu sikundër nuk mund të mohohet edhe fakti se arkitektët e zhdukur të Perusë lanë në Ande gjigantë prej guri po kaq të mëdhenj, që janë dëshmi e mjeshtërisë, së tyre të pakapërcyeshme. Më shumë monolitë, madje më të mëdhenjtë, u zbuluan në ishullin e Pashkëve, ku skulptorët kishin përpunuar stilin e vet të veçantë; por, përfaqësuesit e po të njëjtit qytetërim të zhdukur ngritën figura të tilla njerëzore gjigante në shumë ishuj te tjerë të Oqeanit të Qetë, që ndodhen afër Amerikës, dhe kudo monolitet mbarteshin në një distancë të madhe nga guroret në vendin e shenjtë. Në ishujt Markezë kam dëgjuar legjenda që tregojnë se në ç' mënyrëi mbartnin gjigantët prej guri. Meqenëse këto legjenda përsërisin pikë për pikë tregimet e banorëve vendës mbi mbartjen e kolonave prej guri në portalin e madh në ishullin Tongatabu, mund të supozojmë se po i njëjti popull përdorte të njëjtën metodë edhe për mbartjen e statujave në ishullin e Pashkëve.

Puna e skulptorëve në gurore kërkonte shumë kohë, po ajo kryhej vetëm nga disa specialistë. Mbartja e statujave të përfunduara bëhej më shpejt, po ajo donte një numër më të madh njerëzish. Në ato kohë, për të cilat bëhet fjalë, ishulli i vogël i Pashkëve ishte i pasur me peshq, ndërsa plantacionet e mëdha me patate të ëmbla peruane kultivoheshin me kujdes. Specialistët mendojnë se, në këto kohë shumë të mira, ishulli mund të ushqente një popullsi prej 7 ose 8 mijë vetësh. Për të ngritur statujat e mëdha lart, nëpër shpatin e pjerrët të kraterit, mjaftonin një mijë vetë, ndërsa pesëqind vetë mjaftonin për ta mbartur statujën në vendin e caktuar.

Ata thurnin litarë shumë të fortë prej kërpi dhe fijesh bimore dhe, duke e fiksuar kolosin prej guri në ca korniza druri, turma e tërhiqte mbi cilindra të bërë prej trungjesh dhe gurësh të vegjël të rrumbullaktë, të cilët lyheshin me rrënjët e bimës taro, në mënyrë që kornizat të rrëshqisnin më lehtë.

Që njerëzit e lashtë të qytetëruar përgatisnin me mjeshtëri litarë të trashë të fortë, e tregojnë në mënyrë bindëse zbulimet e bëra në ishujt e Detit të Jugut dhe aq më tepër ato të bëra në Peru, ku europianët e parë zbuluan ura ajrore të gjata 100 metra, që kalonin përmes përrenjve të vrullshëm dhe grykave të maleve dhe që ishin bërë me litarë të thurur, të trashë sa beli i një burri të rritur.

Kur kolosi prej guri vinte në vendin e caktuar, dilte një çështje tjetër: si të vendosej. Një grup ishullarësh ndërtonte me gurë dhe rërë një shtroje të posaçme me shpate të pjerrëta nga njëra anë dhe me një shpat thikë në anën tjetër. Figurën gjigante e ngjisnin sipër, duke e tërhequr nëpër shpatin e pjerrët me këmbët perpara. Kur statuja mbërrinte në majën e shtrojes së lartë, ajo mbështetej nëpër shpatin thikë dhe rrëshqiste drejt e poshtë në bazament, që ishte një gropë e gërmuar që më parë. Zverku i gjigantit prekte majën e shtrojes së lartë, ku ngjisnin edhe një gur të madh cilindrik, të cilin e vendosnin në kokën e statujës. Pastaj shtroja e lartë shkatërrohej. Të tilla shtroja të larta të gatshme ka në disa vende në ishullin e Pashkëve dhe ato vazhdojnë të presin statujat e mëdha, që nuk do të vijnë kurrë. Kjo teknikë ishte e habitshme, po ajo nuk ka asgjë të mistershme, po qe se ne do të heqim dorë nga nënvleftësimi i aftësive mendore të njerëzve të lashtësisë dhe do të marrim parasysh se ata mund të kishin shumë kohë dhe forcë punëtore.

Po pse i bënin këto statuja? Pse duhej të shkonin në një gurore tjetër, shtatë kilometra larg punishtes së kraterit për të nxjerrë gurë të kuq të një lloji të veçantë, që ta vendosnin në kokën e figurave? Si në Amerikën e Jugut, ashtu dhe në ishujt Markezë shpeshherë e gjithë statuja ishte e skalitur prej guri të kuq, i cili merrej shumë larg. Kapelet e kuqe ishin një shenjë karakteristike për njerëzit e shtresës së lartë në Polinezi dhe në Peru.

Le të përpiqemi në fillim të sqarojmë se cilët njerëz paraqisnin këto statuja. Kur erdhën për herë të parë në ishullin e Pashkëve, europianët panë në breg disa "njerëz të bardhëª misteriozë dhe, gjë që ishte krejt e jashtëzakonshme për këto fise, midis tyre kishte burra me mjekra të kuqe të gjata pasardhës të grave dhe të fëmijëve që bënin pjesë në populIsinë e parë të ishullit dhe që u mëshiruan. nga pushtuesit. Vetë ishullarët thoshnin se disa nga stërgjyshërit e tyre kishin qenë të bardhë, ndërsa disa të tjerë kishin lëkurë ngjyrë kafe. Ata kishin llogaritur me saktësi se, që nga koha e ardhjes së këtyre të fundit nga disa ishuj të tjerë polinezianë, kishin kaluar 22 breza, ndërsa të parët kishin ardhur me anije të mëdha nga lindja, 57 breza më parë (domethënë afërsisht midis viteve 400 dhe 500 të erës sonë). Njerëzit që erdhën nga lindja quheshin "veshëgjatëª, pasi ata i zgjatnin veshët e tyre, duke varur në bulat e veshëve ndonjë peshë të rëndë, në mënyrë artificiale. Prandaj veshët e tyre vareshin gjer në supe. Këta "veshëgjatëª misteriozë u vranë, kur në ishull erdhën ´veshëshkurtërit"; po të gjitha statujat prej guri në ishullin e Pashkëve kishin veshë të gjatë, që vareshin deri në supe, si veshët e vetë skulptorëve.

Legjendat e inkasve në Peru tregojnë se Dielli-Mbret, Kon-Tiki, kishte qenë sundimtar i njerëzve të bardhë me mjekra, të cilët inkasit i quanin "veshëmëdhenj", për shkak se i zgjatnin veshët e tyre në mënyrë artificiale dhe u vareshin deri në supe. Inkasit theksonin se statujat gjigante, të braktisura nëpër Ande, ishin ngritur pikërisht nga njerëzit ´veshëmëdhenjª të Kon-Tikit para se ata të çfaroseshin pjesërisht dhe të detyroheshin pjesërisht nga inkasit të merrnin arratinë në betejën e zhvilluar në një ishull të liqenit Titikaka.

Le të bëjmë tani konkluzionin: njerëzit e bardhë ´Veshëmëdhenjª të Kon-Tikit, që u zhdukën nga Peruja dhe u nisën në perëndim, kishin një përvojë të madhe për krijimin e statujave gjigante prej guri, ndërsa njerëzit e bardhë "veshëgjatë" të Tikit erdhën në ishullin e Pashkëve nga lindja dhe njihnin mirë po të njëjtin art, në të cilin ata, me të ardhur, u treguan mjeshtra të përsosur, pasi në ishullin e Pashkëve nuk mund të zbulosh asnjë gjurmë sado të vogël të zhvillimit shkallë-shkallë: të kësaj mjeshtërie.

Duke krahasuar statujat e mëdha prej guri në disa ishuj i të Detit të Jugut me statujat e të njëjtit lloj në Peru, shpeshherë gjejmë midis tyre një ngjashmëri më të madhe se sa midis monolitëve të ishujve të ndryshëm të Detit të Jugut. Në ishujt Markezë dhe në Taiti, këto statuja njihen me emrin e përbashkët Tiki. Ato paraqesin stërgjyshërit që u bënë të famshëm në historinë e ishujve dhe që u barazuan pas vdekjes me perënditë. Nuk ka dyshim se këtu qëndron edhe shpjegimi i kapeleve të kuqe të çuditshme në kokat e statujave të ishullit të Pashkëve. Siç u përmend edhe më sipër, në gjithë ishujt e Polinezisë mund të takoje njerëz të veçantë dhe familje të tëra, të cilët kishin flokë të kuqërremtë dhe lëkurë të bardhë: vetë ishullarët thoshnin se pikërisht këta njerëz ishin pasardhësit e njerëzve të parë të bardhë që populluan ishujt. Në disa ishuj pjesëmarrësit e festave fetare e lyenin lëkurën me bojë të bardhë dhe flokët me bojë të kuqe për të ngjarë me stërgjyshërit e tyre të lashtë. Në ceremoninë e përvitshme që bëhej në ishullin e Pashkëve, pjesëmarrësi kryesor i festës priste flokët, që të mund të lyente kokën me bojë të kuqe. Ndërsa kapelet e stërmëdha prej guri të kuq në statujat gjigante të ishullit të Pashkëve ishin skalitur në një formë që është karakteristike për stilin e krehjes së ishullarëve; sipër tyre ishte një nyje e rrumbullaktë, që i përgjigjej nyjes së vogël tradicionale, në të cilën burrat lidhnin flokët e tyre në majë të kokës.

Statujat e ishullit të Pashkëve kishin veshë të gjatë, për arsye se edhe vetë skulptorët kishin veshë të gjatë. Për paruket zgjidhej me qëllim guri i kuq, për arsye se vetë skulptorët kishin flokë të kuq. Mjekrat ishin me majë dhe të dala përpara, për arsye se vetë skulptorët mbanin mjekër. Fytyrat e statujave kishin tiparet karakteristike të racës së bardhë: hundë të drejtë, të ngushtë dhe buzë të holla, e të dalluara mirë, pasi dhe vetë skulptorët bënin pjesë në grupine popujve të Malajës. Statujat kishin koka të mëdha dhe këmbë të vogla joproporcionale, ndërsa shuplakat e duarve i mbanin të kryqëzuara në bark, për arsye se pikërisht në këtë formë ishin mësuar t'i bënin skulptorët këto statuja gjigante në Peru. I vetmi zbukurim i statujave të ishullit të Pashkëve ishte rripi që shtrëngonte barkun e tyre. Një rrip të tillë simbolik e gjejmë në çdo statujë në gërmadhat e qytetit të lashtë të Kon-Tikit, pranë liqenit Titikaka. Ky është brezi ylber, emblema legjendare e Diellit-Mbret. Në ishullin Mangareva ekzistonte një mit, në bazë të të cilit Dielli-Perëndi hoqi ylberin, që ishte rripi i tij magjik, dhe zbriti nëpër të nga qielli në ishullin Mangareva për ta populluar me fëmijët e tij lëkurëbardhë. Dikur, në të gjithë këta ishuj, sikundër edhe në Peru, dielli konsiderohej si paraardhësi më i lashtë.

Shpesh ne rrinim në kuvertë, nën qiellin me yje, dhe flisnim pa pushim për historinë enigmatike të ishullit të Pashkëve, megjithëse trapi ynë ishte drejtuar mu në zemër të Polinezisë dhe ne nuk kishim asnjë shpresë për ta parë këtë ishull të vetmuar me sytë tanë. Po në ishullin e Pashkëve ka kaq shumë gjurmë që të shpien në lindje, saqë dhe vetë emri i tij i lashtë mund të shërbejë si çelës për zgjidhjen e enigmës.

Ky ishull u shënua në hartë me emrin "Ishulli i Pashkëve", për shkak se një hollandez e zbuloi ishullin të dielën e Pashkëve. Harruam të themi se vetë banorët vendës kishin për atdheun e tyre emra më kuptimplotë. Polinezianët kanë jo më pak se tri emra për këtë ishull.

Njëri nga këta emra është Te-Pite-te-Henua, që do të thotë ´Kërthiza e ishujve". Ky emër poetik, që është, sipas mendimit të vetë polinezianëve, më i vjetri, e vë ishullin e Pashkëve në një pozicion të veçantë kundrejt të gjithë ishujve të tjerë, që ndodhen më tutje në perëndim. Në pjesën lindore të ishullit, afër vendit legjendar të zbarkimit të ´veshëgjatëve" të parë, qëndron një sferë guri, e punuar me kujdes, që quhet "Kërthiza e artë" dhe konsiderohet si "kërthiza" e vetë ishullit të Pashkëve. Fakti që stërgjyshërit me shpirt poeti të polinezianëve e skalitën emblemën e ishullit në formën e një kërthize në bregun lindor dhe e kundruan ishullin më të afërm me Perunë si "kërthizëª të ishujve të panumërt, që ndodhen më tutje në perëndim, kishte një rëndësi simbolike. Po të marrim parasysh se gojëdhënat polineziane bëjnë fjalë për zbulimin e ishujve dhe e quajnë atë si ´lindje" të tyre, kjo tregon në mënyrë bindëse se pikërisht ishulli i Pashkëve kundrohej si hallka ndërmjetëse midis gjithë ishujve dhe atdheut të tyre të parë.

Emri i dytë i ishullit të Pashkëve, Rapa-nui, do të thotë Rapa e Madhe; ka gjithashtu një Rapa-iti, ose Rapa e Vogël, që është një ishull me të njëjtën madhësi larg, në perëndim të ishullit të Pashkëve. Të giithë popujt kanë një zakon mjaft të natyrshëm: ta quajnë atdheun e tyre të parë, për shembull, Rapa e Madhe, ndërsa atdheun e dytë Rapa e Re ose Rapa e Vogël, madje edhe kur këto vende kanë një madhësi të barabartë. Banorët e Rapës së Vogël kanë ruajtur deri në ditët tona gojëdhëna, në të cilat thuhet se banorët e parë të ishujve të tyre erdhën nga Rapa e Madhe - ishulli i Pashkëve, që ndodhet në lindje dhe më afër Amerikës. Kjo tregon se në fillim emigrimi është bërë nga lindja.

Emri i tretë dhe i fundit i këtij ishulli kyç është Mata-Kite-Rani dhe do të thotë ´Syri (që) shikon (në) qieIl". Në vështrimin e parë, kjo mund të duket e çuditshme. Po ne mund të themi pa u gabuar edhe për ishujt e tjerë malorë të lartë, si Taiti, ishujt Markezë apo Havaje, se ata vështrojnë në qiell, e jo pastaj për ishullin e Pashkëve që është pak a shumë i ulët. Po fjala ´rani" (qielli) ka te polinezianët një kuptim të dyfishtë. Kjo fjalë shënon edhe atdheun e parë të stërgjyshëve të tyre, tokën e shenjtë të Diellit-Mbret, mbretërinë e braktisur malore të Tikit. Dhe është shumë kuptimplotë fakti që, nga një mijë ishujt e shpërndarë nëpër oqean, pikërisht ishulli i Pashkëve, që ndodhet më afër Amerikës, u quajt syri që, shikon nga ana e atdheut. Të habit edhe më shumë fakti që emri Mata-Rani, që në Polinezishte do të thotë "syri i qiellit", është i afërt me emrin e lashtë të një vendi në Peru, që ndodhet në bregdetin e Oqeanit të Qetë, përkundrejt ishullit të Pashkëve, në rrëzë të Andeve, pikërisht atje, ku lart, në male, ndodhej kryeqyteti i vjetër i shkatërruar i Kon-Tikit.

Vetëm ishulli i Pashkëve na jepte mjaft tema për bisedë, kur rrinim në kuvertë, nën qiellin me yje, dhe e ndjenim veten pjesëmarrës të të gjitha atyre ngjarjeve parahistorike. Ne na dukej sikur, që nga koha e Tikit, nuk kishim bërë gjë tjetër, veçse kishim lundruar nëpër dallgë, nën diell dhe yje, duke kërkuar tokë.

Ne nuk ushqenim respektin e përparshëm ndaj dallgëve dhe oqeanit, sepse, si i njohëm ata, mësuam se ç'mund të presësh prej tyre, duke lundruar me trap. Madje edhe peshkaqeni u bë për ne diçka e zakonshme, pasi njohëm zakonet dhe sjelljen e tij të përditshme. Ne e kishim harruar tani harpunin e dorës dhe madje as që largoheshim nga cepi i trapit, kur vinte ndonjë peshkaqen afër. Përkundrazi, kur peshkaqeni rrëshqiste i qetë gjatë trungjeve, përpiqeshim ta zinim me dorë në fletën e kurrizit. Më në fund kjo gjë u shndërrua në një lloj krejt të ri sporti: në lojën "Kush e tërheq shokun" pa litar.

Kur ndonjë peshkaqen binte në kuvertën tonë, papagalli shqetësohej shumë. Ai dilte me të shpejtë nga kabina prej bambuje dhe me një shpejtësi të çmendur ngjitej nëpër mur, derisa zinte një pikë vrojtimi të parrezikshme në çatinë me gjethe palme. Dhe rrinte atje, duke tundur kokën, ose ecte poshtë e përpjetë gjatë trarit të çatisë, duke bërtitur nga frika. Papagalli ishte bërë një marinar i shkëlqyer dhe gjithëmonë ishte plot humor dhe gaz. Ne ishim shtatë vetë në trap: gjashtë njerëz dhe papagalli i gjelbër. Natën papagalli futej në kafaz, i cili ndodhej nën çatinë e kabinës, ndërsa ditën shetiste rëndë-rëndë nëpër kuvertë, apo qëndronte i varur nëpër litarët e velës, duke bërë ushtrimet më të habitshme akrobatike. Në fillim në litarët e velave ne kishim disa temdera, po ato shkaktonin fërkimin e litarëve dhe i zëvendësuam me nyjet e zakonshme marinare. Kur litarët e velave, nga veprimi i diellit dhe i erës, filluan të liroheshin, na u desh që të merreshim me përforcimin e direkëve të rëndë si hekuri, prej druri mangri, të cilët po përkuleshin gjithnjë e më shumë dhe kishte rrezik të ngatërroheshin me litarët dhe të binin poshtë. Në çastin më kritik, kur po tërhiqnim me të gjitha forcat litarët, papagalli filloi të thërriste me zërin e tij të çjerë:

- Tërhiq-tërhiq - ho-ho-ho-ho, ha-ha-ha! - ai na bëri edhe ne të qeshnim, ndërsa vetë u shkul gazit

dhe, nga gëzimi, filloi të shkundet dhe të përdridhet nëpër litar.

Në fillim radistët tanë nuk e donin papagallin.

Ndodhte që ata rrinin në kabinën e radios, me kufjet magjike në veshë, duke vendosur lidhje me ndonjë radioamator. Papritmas kufjet heshtnin dhe ata nuk kapnin dot asnjë zë, sadoqë mundoheshin të kontroIlonin fijet dhe të shtypnin sustat. Në këtë kohë, papagalli rrinte dhe çukiste fillin e antenës. Kjo ndodhte shpesh sidomos ditët e para, kur antena ngrihej lart e lidhur me një balon ajri. Po një herë papagalli u sëmur rëndë. Ai rrinte i mërzitur në kafaz dhe dy ditë nuk vuri ushqim në gojë. Radistët tanë u penduan për mallkimet e tyre, ndërsa papagalli u pendua për mëkatet që kishte bërë. Që nga kjo ditë Torstjeni dhe Knuti u bënë miq të ngushtë të papagallit dhe ai filloi të flinte gjithmonë në kabinën e radios. Kur papagalli erdhi për herë të parë në trap, ai kishte si gjuhë amtare spanjishten. Bengti thoshte se papagalli filloi të fliste spanjisht shumë kohë para se të mësonte të përsëriste pasthirmat e preferuara të Torstejnit në gjuhën norvegjeze.

Gjatë dy muajve gëzimi i papagallit dhe pendët e tij të bukura na sollën shumë gaz, po një ditë papagalli po zbriste nëpër litar nga maja e direkut dhe pikërisht në këtë çast një dallgë e madhe e goditi trapin nga prapa. Ishte shumë vonë, kur kuptuam se papagalli nuk ishte më në trap. Ne nuk e pamë asgjëkundi, ndërsa "Kon-Tiki" as mund të kthehej dhe as mund të ndalej. Nëqoftëse ndonjë send binte nga trapi në ujë, ne nuk kishim mundësi të ktheheshim për ta marrë dhe për këtë gjë u bindëm në disa raste.

Natën e parë pas ngordhjes së papagallit ishim shumë të mërzitur, pasi e dinim se e njëjta gjë mund të ndodhte me secilin prej nesh, po të binte në ujë, duke bërë roje vetëm pranë rremës së drejtimit.

Ne vumë disa rregulla më të rrepta kujdesi, zëvendësuam litarin e shpëtimit, që përdornim kur bënim roje natën, dhe i mbushëm mendjen njëri-tjetrit se nuk mund ta quanim veten të sigurtë vetëm e vetëm sepse çdo gjë kishte shkuar mirë gjatë dy muajve të parë. Një hap i pakujdesshëm, një lëvizje e pakujdesshme, edhe në mes të ditës, dhe ne mund të përfundonim atje, ku kishte përfunduar papagalli i gjelbër.

Ne pamë disa herë fshikëza të bardha të mëdha të vezëve të kalmarit, që lëkundeshin mbi rrudhat e kaltëra si vezë struci apo kafka të bardha. Vetëm një herë pamë nën këtë fshikëz një molusk që përdridhej. I shikonim këto sfera të bardha si dëbora, që notonin afër nesh, dhe në fillim na dukej sikur mund t'u afroheshim me barkë dhe t'i kapnim. Kur u këput litari i rrjetës së planktonit dhe rrjeta prej mëndafshi mbeti prapa duke notuar pas trapit, ne ishim optimistë dhe lëshuam barkën në ujë, duke e lidhur me litar, në mënyrë që të kthehej më lehtë. Po u habitëm, kur pamë se era dhe dallgët nuk e linin barkën të afrohej dhe se litari i lidhur te trapi frenonte shumë në ujë. Asnjëherë nuk mundëm të afroheshim duke vozitur në atë vend, ku porsa kishte qenë trapi. Nganjëherë deri te sendi që donim të kapnim mbeteshin vetëm disa metra, po në këtë çast litari tendosej dhe "Kon-Tiki" na tërhiqte me vete, në perëndim. "Ajo që bie në ujë, humbet", - ky ishte përfundimi që arritëm dalëngadalë dhe që nuk e harruam kurrë deri në fund të lundrimit tonë. Po qe se donim të mbeteshim gjallë, duhej të mbaheshim fort pas "Kon-Tikit", derisa ai të mbështeste bashin në tokë në anën tjetër të oqeanit.

Pas humbjes së papagallit, kabina e radios u shkretua. Po të nesërmen në mëngjez dielli tropikal filloi të shkëlqente mbi Oqeanin e Qetë dhe zija jonë mori fund. Disa ditë më vonë nxorëm shumë peshkaqenë dhe, sa herë që gjenim në stomakun e peshkaqenit, midis kokave të tonëve dhe të peshqëve të tjerë, ndonjë sqep të zi të përkulur, mendonim se ai ishte sqepi i papagallit. Po, kur e shikonim nga afër, dilte se ai ishte sqepi i ndonjë kalmari të tretur.

Që në fillim të lundrimit të dy radistët tanë kishin mjaft punë në kabinën e tyre. Porsa u gjendëm në rrymën e Humboltit, nga arkat me bateri filloi të pikojë ujët e detit dhe na u desh ta mbulonim kabinën

e radios, që dëmtohet nga lagështia, me një beze të gomuar, që të shpëtonim nga prishja çdo gjë që mund të dëmtohej. Pastaj radistëve iu desht të vrisnin mendjen për të zgjidhur problemin se si mund të ngrihej në trapin tonë një antenë pak a shumë e gjatë. U përpoqën ta lëshonin antenën lart, duke e lidhur me një balonë tabake, po, nga era e fortë, balona u zhyt në kreshtën e dallgëve dhe u zhduk. Atëhere filluan ta lëshonin antenën lart me anën e një balone ajri, po dielli tropikal hapte vrima në balonë, kështuqë ajo shfryhej dhe binte në oqean. Pastaj ata patën disa shqetësime për shkak të papagallit. Kësaj duhet t'i shtojmë edhe faktin se vetëm pas një lundrimi prej dy javësh në rrymën e Humboltit, ne dolëm nga zona e vdekur e Andeve, në kufitë e së cilës valët e shkurtëra janë po aq memece dhe pa jetë, siç është ajri në një arkë të zbrazët sapuni.

Po një ditë valët e shkurtëra papritmas depërtuan dhe sinjalet e Torstejnit i dëgjoi një radioamator në Los Anxhelos, tek po merrej me radiodhënësin e vet, duke u munduar të vendoste lidhje me një amator tjetër në Suedi. Amerikani pyeti se i ç'sistemi është radiodhënësi ynë dhe, pasi mori përgjigje, e pyeti Torstejnin se kush është dhe ku banon. Kur dëgjoi se Torstejni banon në kabinën prej bambuje të një trapi në Oqeanin e Qetë, u dëgjuan disa kërcitje të çuditshme dhe Torstejni u ngut të njoftonte disa hollësira. Porsa njeriu në eter erdhi në vete,. ai na transmetoi se e quanin Hall, ndërsa të shoqen Ana, se e shoqja ishte me origjinë suedeze dhe do të lajmëronte familjet tona që ishim shëndoshë e mirë.

Atë mbrëmje na u duk shumë e çuditshme që një njeri krejt i huaj, me emrin Hall, një kinooperator i panjohur, një nga banorët e shumtë të Los Anxhelosit të largët, ishte njeriu i vetëm në botë, pa llogaritur veten tonë, i cili dinte se ku ndodheshim dhe se ishim shëndoshë e mirë. Duke filluar nga kjo natë, Halli, ose Harold Kempelli, dhe miku i tij Frenk Kyeves rrinin roje çdo natë dhe kapnin sinjalet e trapit tonë, ndërsa Hermani merrte telegrame falënderimi nga shefi i byrosë së kohës të SHBA, për shkak se dy herë në njëzet e katër orë transmetonte me shifër njoftime meteorologjike nga ky rajon, për të cilin njoftimet ishin shumë të rralla, ndërsa buletinet mungonin fare. Më vonë, Knuti dhe Torstejni vendosnin lidhje pothuajse çdo natë me radioamatorë të tjerë, ndërsa këta të fundit i çonin të falat tona në Norvegji.

Vetëm disa ditë, kur ne ndodheshim midis oqeanit, radiostacioni ynë nuk punoi fare, pasi në kabinën e radios u grumbullua shumë ujë i kripur. Radistët tanë u robtuan duke u marrë ditë e natë me vidat dhe saldatriçen, ndërsa radioamatorët e largët mendonin se trapi ishte mbytur. Pastaj, një mbrëmje, sinjalet e L12B u dëgjuan në eter dhe për një çast kabina e radios filloi të gumëzhinte si një çerdhe grerëzash, pasi disa qindra radioamatorë amerikanë filluan t'i përgjigjeshin thirrjes sonë. Dhe me të vërtetë, kur futeshim në zotërimet e radistëve tanë, na dukej sikur rrinim në një çerdhe grerëzash. Kabina ishte e lagur nga uji që depërtonte nga të gjitha anët; mbi një trung balse ishte shtruar një qilim i vogël gome, mbi të cilin uleshin radistët, po, nëqoftëse ndokush prej nesh prekte çelsin e Morsit, ai ndjente menjëherë goditjen e rrymës elektrike në pjesën e prapme dhe në majat e gishtave. Kur ndonjëri prej ne "të huajve" përpiqej të vidhte lapsin në kabinën e pasur me lloj-lloj gjërash, flokët i ngriheshin përpjetë si iriq, sepse nga copa e lapsit fillonin të shkëputeshin shkëndija të mëdha. Vetëm Torstejni, Knuti dhe papagalli mund të lëviznin pa pësuar gjë në këtë cep të kabinës dhe ne ngulëm një copë kartoni për të shënuar kufirin e zonës së rrezikshme për të tjerët.

Një episod tjetër na mbeti në kujtesë si kontrast me të gjithë jetën tonë në trap. Ne kishim dy aparate fotografike, ndërsa Eriku kishte marrë me vete rezerva kimikalesh për t'i çfaqur fotografitë rrugës, kështuqë ne mund të fotografonim përsëri atë që nuk dilte mirë. Pas vizitës së peshkaqenit-balenë Erikut nuk po i durohej më dhe një mbrëmje treti kimikalet sipas udhëzimeve dhe çfaqi dy filma. Negativët dolën me njolla e rrudha. Filmi ishte prishur. Me anë të radios ne kërkuam këshilla dhe radiogrami ynë u kap nga një radioamator. Ai na njoftoi se solucioni ynë ishte tepër i ngrohtë. Ai tha se nuk duhej përdorur ujë me temperaturë mbi 16º C, përndryshe negativët do të kishin rrudha.

E falënderuam për këshillën dhe pas matjeve që bëmë, pamë se temperatura më e ulët rreth nesh ishte temperatura e rrymës oqeanike, e barabartë me afro 27º. Hermani ishte inxhinier frigoriferësh dhe unë, duke u tallur, i propozova ta ulte temperaturën e ujit deri në 16º. Ai kërkoi leje të përdorte shishen e vogël me acid karbonik, që kishte mbetur pa u harxhuar pas fryrjes së barkës prej gome; pastaj bëri disa fokuse në një tenxhere metalike, të mbuluar me dyshekë dhe një beretë të leshtë. Papritmas mjekra si furçë e Hermanit u mbulua me kokrriza dëbore dhe ai erdhi në kabinë me tenxheren në dorë, ku ndodhej një copë e madhe akulli të bardhë.

Eriku filloi përsëri shfaqen e filmave dhe përfundimet qenë të mrekullueshme.

Megjithëse fjalët-hije që na vinin nëpër eter, me anë të valëve të shkurtëra, ishin një luks i panjohur në kohën e Kon-Tikit, prapëseprapë dallgët e oqeanit poshtë nesh vazhdonin të ishin po ato që kishin qenë në lashtësi, dhe e shtynin trapin tonë prej balse me këmbëngulje në perëndim, siç kishin bërë 1500 vjet më parë.

Pasi kishim bërë gjysmën e rrugës sonë drejt ishujve të Detit të Jugut, koha filloi të ishte më e qëndrueshme dhe herë pas here vinin stuhi të mëdha shiu, ndërsa pasati e ndryshoi drejtimin e vet. Ai frynte vazhdimisht nga juglindja, derisa kaluam një pjesë të madhe të rrymës ekuatoriale. Pastaj ai filloi të largohej gjithnjë e më shumë nga lindja. Më 10 qershor arritëm pikën më veriore nën këndin 6º dhe 19' të gjerësisë jugore. U gjendëm kaq afër ekuatorit, saqë na dukej se po largoheshim edhe nga ishujt Markezë, që ndodhen më në veri, dhe po humbisnim në oqean pa hasur tokë. Por pastaj pasati u largua edhe më shumë dhe filloi të fryjë jo nga lindja, po nga verilindja dhe na çoi nëpër një kurbë drejt jugut, drejt gjerësive të botës së ishujve.

Ndodhte shpesh që drejtimi i erës dhe i dallgëve mbetej i pandryshuar disa ditë me radhë; atëhere harronim fare se cili kishte radhën e rojes dhe kujtoheshim, vetëm natën, kur roja qëndronte vetëm në kuvertë. Kjo ndodhte për shkak se, kur era ishte e vazhdueshme, rrema e drejtimit lidhej fort dhe "KonTiki" ecte me velë të mbushur me ajër, pa ndihmën tonë. Në këto raste, roja e natës mund të rrinte e qetë te dera e kabinës dhe të vështronte yjet. Nëqoftëse kostelacionet ndërronin pozicionin e tyre në qiell, kjo donte të thoshte se ai duhej të dilte e të sqaronte se mos ishte zhvendosur rrema apo era kishte ndërruar drejtim.

Ne u habitëm, kur pamë se sa lehtë ishte të drejtoje trapin në bazë të yjeve. Disa javë me radhë vrojtuam. lëvizjen e tyre nëpër kupën e qiellit. Të them të drejtën, natën, përveç yjeve, nuk ke se çfarë të shikosh. Ne e dinim se ku duhej të ndodheshin çdo natë kostelacionet e ndryshme; kur iu afruam ekuatorit, në horizontin e veriut filloi të dukej kaq qartë Harusha e Madhe, saqë u trembëm se mos çfaqej edhe ylli polar, të cilin mund ta shikonim vetëm në rast se kishim kaluar ekuatorin. Po me të filluar pasati verilindor, Harusha e Madhe u zhduk përsëri.

Polinezianët e vjetër kanë qenë lundërtarë të mëdhenj. Ditën orientoheshin me diellin, ndërsa natën me yjet. Ata kishin shumë njohuri për trupat qiellorë. Ata e dinin se toka është e rrumbullaktë dhe në gjuhën e tyre kishte fjalë që emërtonin koncepte të tilla të ndërlikuara, si ekuator, tropikët e veriut dhe të jugut. Në ishujt e Havajeve kishin gdhendur hartën e oqeanit në lëkurën e kungujve të mëdhenj, ndërsa në disa ishuj të tjerë bënin harta të hollësishme me thupra të thurura, te të cilat fiksoheshin guaska për të shënuar ishujt, dhe degë për të shënuar rrymat më të rëndësishme. Polinezianët njihnin pesë planetë, të cilët i quanin yje endacakë dhe i dallonin nga yjet e palëvizshme, që kishin në gjuhën e tyre afro 300 emra të ndryshëm. Në Polinezinë e lashtë, lundërtari i mirë e dinte se në çfarë pjese të qiellit del ky apo ai yll dhe ku duhet të ndodhet ai në kohë të ndryshme të natës dhe në stinë të ndryshme të vitit. Ata e dinin se çfarë yjesh e arrijnë zenitin mbi këtë apo atë ishull dhe në këto raste ishujt quheshin me emrin e atyre yjeve, që për çdo natë dhe për çdo vjet e kishin zenitin sipër tyre.

Polinezianët dinin jo vetëm që qielli me yje është një busull e madhe e ndritshme, që vërtitet nga lindja në perëndim, po kuptonin gjithashtu se yjet e ndryshme mbi kokën e tyre tregojnë gjithmonë se sa larg kanë shkuar në veri apo në jug lundërtarët., Kur polinezianët hetuan dhe vendosën sundimin e tyre mbi mbretërinë ishullore, që përmbledh gjithë pjesën e oqeanit afër Amerikës, ata vendosën rrugë komunikacioni midis disa ishujve dhe këto rrugë u përdorën nga shumë breza pasardhës. Gojëdhënat historike tregojnë se si lundronin udhëheqësit nga Taiti në ishujt Havaje, të cilët ndodhen 2 mijë milie detare në veri dhe disa gradë në perëndim. Në fillim timonieri, në bazë të diellit dhe të yjeve, e drejtonte anijen për në veri, derisa yjet mbi kokën e tij i tregonin se anija ndodhej në gjerësinë e ishujve Havaje. Atëhere ai kthehej me një kënd të drejtë dhe drejtohej për në perëndim derisa çfaqeshin zogjtë dhe retë, të cilat i tregonin rrugën për në ishujt e afërt.

Ku i morën polinezianët dijenitë e tyre të gjera astronomike dhe kalendarin e tyre të llogaritur me

një saktësi të habitshme? Sigurisht, ata nuk i huazuan nga melaneziasit apo malajasit që banonin në perëndim. Por po ai popull i lashtë i qytetëruar që u zhduk - "njerëzit e bardhë dhe me mjekër"- i cili u transmetoi kulturën e vet të çuditshme actekëve, majave dhe inkasve në Amerikë, krijoi një kalendar çuditërisht të ngjashëm me këtë dhe zotëronte të tilla njohuri astronomike, për të cilat në Europë, në ato kohë, as që mund të ëndërronte njeri.

Në Polinezi, sikundër edhe në Peru, si fillim i vitit kalendarik merrej dita, kur kostelacioni i Plejadës çfaqet për herë të parë në horizont, dhe në të dy vendet ky kostelacion mbahej si mbrojtësi i bujqësisë.

Në Peru, atje ku ky vend malor ulet në drejtim të Oqeanit të Qetë, deri në ditët tona janë ruajtur në një shkretëtirë rëre gërmadhat e një observatori jashtëzakonisht të vjetër astronomik, që është kujtim i po atij populli të qytetëruar misterioz, që gdhendte kolosët prej guri, ngrinte piramidet, kultivonte pataten e ëmbël dhe kungullin dhe e fillonte vitin me lindjen e Plejadës. Kon-Tiki i njihte mirë yjet, kur u nis me velën e tij në Oqeanin e Qetë.

Më 2 korrik, roja e natës nuk pati fat të rrinte rehat, duke studjuar qiellin me yje. Pasi fryu për disa ditë me radhë një pasat i lehtë verilindor, filloi të frynte një erë e fortë dhe deti u shqetësua shumë. Vonë në mbrëmje, filloi të ndriste hëna dhe frynte një erë e freskët në drejtimin tonë. Ne matëm shpejtësinë e lëvizjes, duke Ilogaritur sa sekonda na duhej për të lënë prapa ashklën që hodhëm në ujë në bashin e trapit, dhe pamë se kishim vendosur një rekord. Ndërsa shpejtësia mesatare ishte barazi me 12-18 ´ashklaª, nëse shprehemi në zhargonin tonë, kësaj here ne kishim një shpejtësi prej 6 ´ashklashª, dhe një çurk gurgullues uji të ndritshëm vraponte pas pupës së trapit.

Katër vetë po gërhitnin në kabinën prej bambuje, ndërsa Torstejni po rrinte duke transmetuar me Mors. Unë po bëja roje pranë timonit. Para se të vinte mesi i natës, vura re një dallgë krejt të jashtzakonshme, e cila, duke u rrukullisur, po vërsulej drejt nesh nga ana e pupës, duke e mbuluar të gjithë horizontin prapa. Pas kësaj dallge dallova kreshtat e shkumëzuara të dy dallgëve të tjera po kaq të mëdha, që ecnin fill pas së parës. Sikur të mos e kishim kaluar këtë vend pas pak kohe, unë do të isha bindur se po shikoj shkulmet e larta që vërsuleshin kundër cektinës së pabesë. Porsa dallga e parë na u afrua si një mur i gjatë, duke u ngritur në dritën e hënës, unë lëshova një britmë paralajmërimi, e ktheva me të shpejtë trapin në pozicionin më të përshtatshëm dhe prita ç'do të ndodhte.

Kur na zuri dallga e parë trapi u ngrit mbi kreshtën që u përplas atë çast pas tij dhe çdo gjë përreth nesh filloi të fishkëllente dhe të ziente. Ne lundronim midis kaosit të shkumëve që gurgullonin, ndërsa vetë dallga e fuqishme u rrokullis nën ne. Bashi u ngrit lart i fundit, kur dallga kishte kaluar, dhe filluam të rrëshqisnim me pupë poshtë në humnerën e madhe, midis dallgëve. Sakaq u vërsul kreshta e lartë e dallgës tjetër dhe ne përsëri u ngritëm përpjetë, dhe currilat e tejdukshme të ujit u versulën nga prapa, kur u ngjitëm në kresht. Tani trapi u kthye me bort nga dallgët dhe ishte e pamundur ta drejtoje. Dallga tjetër u afrua dhe u ngrit si një mur i ndritshëm, cepi i sipërm i të cilit u përplas mbi ne porsa na mbërriti. Kur dallga mbuloi trapin, mua nuk më mbeti gjë tjetër veçse të kapem fort pas hurit prej bambuje që dilte nga çatia e kabinës. Po qëndroja kështu, duke mbajtur frymën dhe duke e ndjerë se si trapi u hodh përpjetë dhe çdo gjë rreth meje u rrokullis e tërhequr nga gjiret fishkëlluese të shkumës. Pas një çasti "Kon-Tiki" u gjend përsëri sipër ujit dhe po rrëshqiste qetësisht poshtë, nëpër anën e pjerrët të dallgës. Pastaj dallgët përsëri u qetësuan dhe u bënë normale. Tri dallgët e mëdha vraponin para nesh, ndërsa pas pupës shihnim në dritën e hënës vargun e arrave kokos që lëkundeshin sipër ujit:

Dallga e fundit e goditi me forcë kabinën, kështu që Torstejni, që ishte në kabinën e radios, fluturoi me këmbë përpjetë, ndërsa të tjerët u zgjuan të trembur nga zhurma; nga poshtë trungjeve dhe përmes mureve në kabinë u fut ujë. Nga ana e majtë, në pjesën e bashit të kuvertës, shtroja prej bambuje ishte grisur dhe në këtë vend nxinte një vrimë, e ngjashme me vrimën e vogël të një predhe; koshi i zhytjes u ngjesh pas bashit, po sendet e tjera nuk u dëmtuan fare. Asnjëherë nuk arritëm ta shpjegonim me siguri se prej nga erdhën këto tri dallgë të mëdha. Ndoshta, ato qenë shkaktuar nga ndonjë lëvizje tektonike e fundit të oqeanit, pasi këto lloj lëvizjesh janë mjaft të zakonshme në këto rajone (1).

Dy ditë më vonë përballuam shtrëngatën e parë. Shtrëngata filloi kështu. Era pushoi fare dhe ca re të bardha puplore, të cilat në kohën e pasatit po ecnin sipër nesh, nëpër kaltërsinë e qiellit, u shtynë papritmas nga një mur i zi resh të dendura, që vinin nga jugu, që prapa horizontit. Pastaj filluan të frynin erërat nga të gjitha anët, kështuqë roja te timoni nuk kishte mundësi ta drejtonte trapin. Porsa arrinim ta kthenim pupën sipas drejtimit të ri të erës dhe porsa vela fryhej dhe dilte përpara, menjëherë era frynte nga një anë tjetër dhe vela humbiste konturet e saj krenare e fillonte të përplasej ku të mundej, duke rrezikuar ekipazhin dhe ngarkesën. Pastaj era filloi të frynte papritmas vazhdimisht nga ajo anë, prej nga vinte shtrëngata. Kur retë e zeza u grumbulluan sipër nesh, era u forcua shumë dhe dalëngadalë u shndërrua në një uragan të vërtetë.

Brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër, dallgët rreth nesh filluan të ngriheshin në një lartësi prej pesë metrash, ndërsa kreshta të veçanta ngriheshin me fishkëllimë në lartësinë 6-8 metra, kështuqë kur ne binim në humnerën midis dy dallgëve ato ishin në nivelin e majës së direkut tonë. Ne po mbaheshim me vështirësi në kuvertë të gjunjëzuar ndërsa era e shkundte murin prej bambuje dhe fishkëllente e ulërinte, duke prekur litarët.

Për të ruajtur kabinën e radios, mbuluam me beze të gomuar murin e prapmë dhe anën e majtë të kabinës. Ngarkesa e pafiksuar u lidh mirë, ndërsa velën e ulëm dhe e mbështoIlëm rreth bumit Prej bambuje. Kur qielli u mbulua nga retë, oqeani u bë i zi dhe i tmerrshëm e nga të gjitha anët u mbulua me kreshta të bardha. Brezat e gjatë të shkumës shtriheshin në anën e dallgëve të gjëra, që rrihej nga era dhe atje ku dallgët përplaseshin e thyheshin, çfaqeshin skërka të gjelbëra, të cilat vazhdonin të shkumëzonin për një kohë të gjatë në oqeanin e zi - të kaltër. Kur dallgët thyheshin, kreshtat e tyre i merrte era dhe mbi oqean binte një shi i kripur stërkalash. Më në fund filloi një shi i fortë tropikal, i cili godiste sipërfaqen e oqeanit me furi dhe ne nuk shikonim më asgjë. Uji që na rridhte nga koka dhe mjekra, kishte shije të kripur, ndërsa ne, të zhveshur, duke u dridhur dhe të mbledhur kruspull, duke u rrëzuar herë pas here, vazhdonim të endeshim nëpër kuvertë dhe të kujdeseshim që të gjithë litarët të ishin në rregull dhe ta përballonin me sukses shtrëngatën. Kur pamë në horizont shenjat e para të shtrëngatës që po afrohej dhe pastaj afrimin e saj, në fytyrat tona mund të lexoje vetëm një ndjenjë pritjeje plot ankth dhe shqetësim. Po kur shtrëngata shpërtheu dhe ´Kon-Tikiª kapërceu lehtë dhe me gjallëri të gjitha pengesat që i dolën rrugës, shtrëngata u shndërrua për ne në një sport emocionant. Ne po sodisnim elementet e tërbuara të natyrës, duke parë se trapi ynë prej balse, që po i përballonte me sukses, qëndronte vazhdimisht si tapë mbi kreshtat e dallgëve, ndërsa pjesa më e madhe e ujit të tërbuar kalonte gjithmonë disa centimetra poshtë nesh. Në këtë kohë oqeani ngjante shumë me malet. Na dukej sikur gjatë kësaj shtrëngate u gjendëm nën qiell të hapët, në një pllajë të lartë malore të zhveshur ngjyrë hiri. Megjithëse ndodheshim në zemër të tropikëve, sa herë që trapi rrëshqiste poshtë e lartë nëpër shkretëtirën shtëllunga-shtëllunga të oqeanit, na dukej se po rrëshqisnim që nga mali përmes gropave të dëborës dhe shkëmbinjve.

Në një mot të tillë, roja pranë timonit duhej të ishte shumë vigjilente. Kur dallgët më të pjerrta kalonin nën pjesën e përparme të trapit, trungjet në pupë dilnin fare jashtë ujit, po në çast uleshin përsëri për t'u ngjitur pastaj në një kreshtë të re. Dallgët ecnin nganjëherë kaq afër njëra tjetrës, saqë e dyta na arrinte, kur e para e mbante ende bashin e trapit lart; atëhere mbi timonierin përplaseshin me zhurmë përrenj të tërë uji, i cili rrotullohej në mënyrë të çrregullt, po, pas një sekonde, pupa ngrihej dhe uji zhdukej, duke u larguar midis trungjeve, si midis dhëmbëve të pirunit.

Ne llogaritëm se, kur deti ishte i qetë dhe kur dallgët më të mëdha ecnin pothuajse gjithnjë me intervale prej 7 sekondash, për çdo njëzetekatër orë në pupën tonë binin afro 200 ton ujë, po ne nuk e vinim re këtë gjë, pasi uji rridhte qetësisht nën këmbët e zbathura të timonierit dhe zhdukej midis trungjeve. Po, kur kishte shtrëngatë, gjatë njëzetekatër orëve në trap binin më tepër se 10 mijë ton ujë, po të marrim parasysh se çdo 5 sekonda në trap përplaseshin disa dhjetëra litra ujë. Nganjëherë dallga përplasej në trap me një gjëmim shurdhues, si të rrufesë, dhe roja futej gjer në brez në ujë. Në këtë rast atij i dukej sikur po kalonte nëpër një lumë të rrëmbyeshëm kundër rrymës. Trapi dukej sikur për një çast ndalonte, duke u dridhur, ndërsa pastaj masa e madhe e ujit, që shtypte pupën, largohej në formën e kaskadave të mëdha pas bortit.

Hermani ndodhej vazhdimisht në kuvertë me anemometrin në dorë, duke matur forcën e shkulmeve të uraganit, që vazhdoi për njëzet e katër orë. Pastaj uragani dalëngadalë u shndërrua në një erë të fortë me shkulme të rralla ere, për shkak të të cilave oqeani rreth nesh vazhdonte të gurgullonte. Trapi ynë, i shtyrë nga era, vazhdonte të ecte në perëndim, duke u rrukullisur nga dallga në dallgë. Për të matur më me saktësi forcën e erës, duke u ndodhur poshtë, midis dallgëve që ngriheshin, Hermani, posa i paraqitej mundësia, ngjitej në majën e direkut që lëkundej, ku i duhej të kapej sa më fort.

Porsa moti u përmirësua pakëz, të gjithë peshqit e mëdhenj u bënë si të harbuar. Oqeani afër trapit ishte mbushur me peshkaqenë, tonë, makrela të praruar dhe disa bonitë të trembur; të gjitha këto kafshë rrëshqisnin nën trap ose notonin në dallgët afër nesh. Midis tyre zhvillohej një luftë e pandërprerë për jetë a për vdekje. Kurrizet e peshqve të mëdhenj dilnin sipër ujit duke u përdredhur, grabitqarët shkëputeshin papritmas nga vendi dhe hidheshin në ndjekje, ndërsa uji rreth trapit shpeshherë ngjyrosej nga gjaku. Kryesisht luftonin tonët dhe makrelat e praruar; këta të fundit notonin në kope të mëdha, të cilat lëviznin shumë më shpejt se zakonisht dhe gjithë kohës tregoheshim vigjilentë. Palë sulmuese ishin tonët; shpeshherë shihnim se si një peshk me peshë 70-80 kg. kërcente lart në ajër, duke shtrënguar në nofulla kokën e gjakosur të ndonjë makreli. Ndërsa makrela të praruar të veçantë iknin me vrap nga tonët, që i ndiqnin këmba këmbës, kopeja e makrelave nuk prapsej para armikut, megjithëse disa prej tyre përdridheshin në ujë me plagë të mëdha, të gjakosura, në qafë. Herë pas here xhindoseshin edhe peshkaqenët dhe ne shikonim se si i ndiqnin dhe zinin tonët e mëdhenj, për të cilët peshkaqeni është një armik me forcë më të madhe.

Nuk dukej asnjë peshk i vogël pilot. Ata ose ishin fshehur në ndonjë vrimë të trapit, ose ishin ngrënë nga tonët e harbuar. Ndoshta ishin larguar nga fusha e betejës. Ne nuk guxonim ta fusnim kokën në ujë për të parë poshtë trapit.

Filloi të mbante përsëri kohë e mirë, po nuk ishte kaq e qëndrueshme si më parë. Herë pas here erëra të forta dhe krejt të papritura sillnin me vete shira të fortë, të cilët i prisnim me shumë gëzim, pasi një pjesë e mirë e rezervave tona të ujit kishte filluar të prishej dhe kishte shijen e ujit të ndenjur të kënetës. Kur shiu nuk binte me aq forcë, mblidhnim ujin që rridhte nga çatia e kabinës, dhe rrinim lakuriq në kuvertë, duke u kënaqur nie ujin e freskët, që na hiqte kripën.

Peshqit-pilotë përsëri erdhën në vendet e tyre të zakonshme pranë trapit. Po ne nuk mund të themi në ishin miqtë tanë të vjetër që u kthyen pas mbarimit të betejës së përgjakshme, apo ishin bashkudhëtarë të tjerë të rinj, që i kishim fituar në betejë e sipër.

Më 21 korrik, era papritmas ra përsëri. Atmosfera ishte shumë e rëndë dhe përreth u bë qetësi e madhe; nga përvoja e mëparshme e dinim se çfarë mund të ishte kjo. Dhe me të vërtetë, pasi fryu disa herë me forcë dhe tërbim nga lindja, perëndimi dhe jugu, era u bë e freskët dhe filloi të fryjë nga jugu, ku horizonti përsëri u mbulua nga re të zeza dhe të frikshme. Hermani qëndronte vazhdimisht në kuvertë me anemometrin në dorë, i cili tregonte më shumë se 15 metra në sekondë, kur papritmas dysheku alpin i Torstejnit fluturoi pas bortit. Ngjarjet që u rrukullisën gjatë disa sekondave të afërme zunë shumë më pak kohë se sa ç'duhet për t'i treguar.

Hermani, duke u munduar të kapte dyshekun në fluturim e sipër, u zmbraps dhe u rrëzua në ujë. Midis zhurmës së dallgëve ne dëgjuam një thirrje të dobët për ndihmë dhe pamë kokën dhe dorën e Hermanit që çante ujin dhe në të njëjtën kohë një siluetë të paqartë dhe të gjelbër që vërtitej aty afër. Hermani po mundohej me të gjitha forcat të kthehej në trap, duke luftuar me dëshpërim kundër dallgëve të larta që e ngrinin dhe e largonin nga borti i majtë. Torstejni, që ndodhej në pupë pranë rremës së drejtimit, dhe

unë, që ndodhesha në bash, qemë të parët që e pamë Hermanin dhe na shkuan djersë të ftohta nga tmerri. Ne bërtitëm me sa zë kishim: "Një njeri po mbytet!" dhe u turrëm drejt litarit më të afërm të shpëtimit. Për shkak të zhurmës së oqeanit, të tjerët nuk e dëgjuan klithmën e Hermanit. Po tani brenda një çasti në kuvertë çdo gjë u gjallërua dhe u vu në lëvizje. Hermani ishte një notar i mrekullueshëm dhe, megjithëse e kuptuam menjëherë se jeta e tij ishte në rrezik, prapëseprapë kishim shumë shpresë se ai do të mund të afrohej deri te trapi para se të ishte tepër vonë.

Torstejni, që qëndronte më afër cilindrit prej bambuje, rreth të cilit ishte mbështjellë litari i barkës së shpëtimit, e kapi atë me nxitim. Ishte i vetmi rast gjatë gjithë kohës së udhëtimit, që litari ishte ngatërruar dhe në një kohë shumë të papërshtatshme. Çdo gjë ndodhi brenda disa sekondave. Tani Hermani ndodhej në një vijë me pupën e trapit, po disa metra larg saj dhe mund të shpresonte për shpëtim, nëqoftëse do të afrohej te rrema e drejtimit dhe do të varej te ajo. Meqenëse nuk mundi të kapej pas të dalave të trungjeve, zgjati dorën te lopata e drejtimit, po ajo i rrëshqiti nga duart. Dhe ja ai ndodhej tani pikërisht atje, prej nga, sikundër e dinim nga përvoja, asnjeri nuk kthehej më. Ndërsa unë me Bengtin po lëshonim barkën në ujë, Knuti dhe Eriku u përpoqën t'i hidhnin Hermanit gomën e shpëtimit, po era ishte kaq e fortë, saqë e kthente vazhdimisht përsëri në trap. Të gjitha përpjekjet për ta hedhur gomën e shpëtimit nuk patën sukses, ndërsa Hermani ndodhej larg, prapa rremës së drejtimit, dhe përpiqej me dëshpërim të mos mbeste prapa trapit, po çdo shkulm ere e shtonte distancën. Ai e kuptoi se tani e tutje kjo distancë do të rritej gjithnjë e më shumë, po kishte edhe një shpresë të vogël: te barka, e cila tani ishte në ujë. Sikur mos të ishte litari që vepronte si fren, me siguri barka prej gome mund t'i afrohej njeriut që po notonte; ishte punë tjetër në do të mund të kthehej barka prej gome në "Kon-Tiki". Madje tre vetë në një barkë gome kishin një farë shprese për të shpëtuar, ndërsa një njeri i vetëm në oqean nuk ka asnjë shpresë.

Papritmas pamë Knutin që u hodh nga trapi dhe u zhyt me kokë poshtë në oqean. Në njërën dorë mbante gomën e shpëtimit dhe notonte duke u mbështetur mbi të. Sa herë që koka e Hermanit dilte mbi kreshtën e dallgës, Knuti zhdukej, dhe sa herë që dilte Knuti, zhdukej Hermani. Po ja, ne i pamë kokat e të dyve njëkohësisht: ata notonin drejt njëri tjetrit dhe të dy mbaheshin pas gomës së shpëtimit. Knuti tundte dorën; meqenëse në këtë kohë e kishim nxjerrë barkën prej gome në bort, që të katër kapëm litarin dhe filluam të tërhiqnim me të gjitha forcat gomën e shpëtimit, pa i hequr sytë nga ai send i madh dhe i zi që dukej në ujë pas dy notarëve. Kjo kafshë misterioze nxirrte herë pas here mbi kreshtën e dallgës një trekëndësh të madh të gjelbër - të zi; ajo për pak sa nuk e trembi për vdekje Knutin, kur .po notonte drejt Hermanit. Vetëm Hermani e dinte se trekëndëshi nuk ishte ndonjë përbindësh deti, po cepi i fryrë i dyshekut alpin të Torstejnit, që nuk përshkohej nga uji. Dysheku nuk qëndroi shumë kohë në ujë pas daljes së dy shokëve tanë në trap. Ai që e mori me vete dyshekun në thellësi të oqeanit, humbi një pre më të çmueshme.

- Sa mirë që nuk isha brenda në dyshek, - tha Torstejni dhe kapi përsëri rremën e drejtimit.

Ç'është e vërteta, atë mbrëmje s'para na pëlqenin shakatë me kripë. Ende na kalonte një dridhje nervore nëpër trup. Po kjo dridhje e ftohtë përzihej me ndjenjën e ngrohtë të gëzimit që përsëri ishim gjashtë vetë në trap.

Atë ditë si Hermani, ashtu edhe ne të tjerët , i thamë Knutit shumë fjalë të mira.

Nuk kishim shumë kohë për të menduar për atë që ndodhi; sa më tepër nxihej qielli sipër nesh, aq më e fortë bëhej era dhe, para se të errej, na u turr një shtrëngatë e re. Goma e shpëtimit, që ishte lidhur me një litar të gjatë, ndodhej tani në ujë, prapa pupës. Nëqoftëse gjatë shtrëngatës ndokush prej nesh do të binte nga trapi, ai kishte mundësi të kapte gomën e shpëtimit që notonte prapa rremës së drejtimit. Kur u bë natë, na mbuloi një errësirë e papërshkueshme, e cila nuk na lejonte të shihnim as këtu e as aty në trap, dhe as oqeanin. Duke kërcyer në errësirë nga dallga në dallgë, nuk dëgjonim gjë tjetër veç ulërimës së erës në direkë dhe në litarë dhe shihnim se si shkulmet vërsuleshin mbi muret elastike të kabinës prej bambuje me aq forcë, sa dukej sikur edhe pak e do ta merrnin me vete. Por kabina ishte mbuluar me beze të gomuar dhe ishte fiksuar mirë me litarë e me kunja. "Kon-Tiki" endej nëpër dallgët e shkumëzuara dhe trungjet lëviznin si tastierat e pianos poshtë e lart sipas lëvizjes së dallgëve. Ne habiteshim që rrymat e ujit nuk futeshin përmes vrimave të gjera në dyshemenë e kabinës. Këto vrima shërbenin si caliqe, nëpër të cilët kalonin vazhdimisht poshtë e lart rrymat e ajrit të lagësht.

Pesë ditë me radhë moti qe i paqëndrueshëm: herë frynte një uragan i vërtetë, herë era dobësohej fare. Oqeani ishte mbushur me lugina të gjera, të mbështjella nga tymi i dallgëve të kaltëra gri dhe të shkumbëzuara, kreshtat e të cilave dukeshin të zgjatura dhe të shtypura nga era. Ditën e pestë, në qiell u dukën ca copa të kaltëra dhe, sa më tepër që uragani largohej prej nesh, aq më tepër retë e zeza mizore ja lëshonin vendin qiellit të kaltër ngadhnjimtar.

Shtrëngata na nxori shumë telashe: rrema e drejtimit ishte thyer, vela ishte shqyer, ndërsa karenat e lëvizshme vareshin të lira dhe përplaseshin si pesha mbi trungjet, kështuqë të gjithë litarët, me të cilët ishin fiksuar nën ujë, u holluan nga fërkimi. Po as ne vetë, as ngarkesa nuk pësuam gjë.

Pas dy shtrëngatash "Kon-Tiki" u trondit shumë. Nga tendosja gjatë ngritjes nëpër kreshtat e larta të

dallgëve, të gjithë litarët ishin zgjatur, ndërsa, nga lëvizia e vazhdueshme e trungjeve, litarët ishin ngulur në dru. Kishim bërë shumë mirë që kishim ndjekur mësimet e inkasve dhe kishim hequr dorë nga litarët çeliktë, të cilët, gjatë shtrëngatës, do ta kishin sharruar gjithë trapin në copa të vogla. Sikur të kishim në fillim trungje balse krejt të thatë, që kanë veti të larta lundruese, trapi me kohë do të ishte ngopur me ujë deti dhe do të ishte zhytur në oqean së bashku me ne. Lëngu i drurëve të porsaprerë shërbente si një pengesë për depërtimin e ujit në drurin të balsës. Po tani litarët ishin dobësuar shumë, ishte rrezik të shkelje midis dy trungjeve, pasi, po të përplaseshin, të copëtonin këmbën. Në kiç dhe pupë, ku nuk kishte kuvertë bambuje, na duhej duke përkulur gjunjët, të hapnim këmbët për të qëndruar në dy trungje njëkohësisht. Pupa, e mbuluar me alge të njoma, u bë e rrëshqitshme si gjethet e bananeve. Në vendet e kalimit hapëm. midis algeve një rrugë të përhershme, ndërsa për rojen te timoni vumë një dërrasë të gjerë. Dhe megjithkëtë, kur dallga e ngrinte perpjetë trapin, ishte shumë vështirë të qëndroje ne këmbë. Në anën e majtë, një nga të nëntë trungjet e mëdhenj përplasej ditë e natë mbi ronzhinat, duke lëshuar një tingull të shurdhër. Filluan të kërcisnin në mënyrë mizore edhe litarët që lidhnin majat e dy direkëve të pjerrët, meqenëse foletë e direkëve ndodheshin në dy trungje të ndryshme dhe lëviznin pavarësisht nga njëri tjetri.

Ne e zgjatëm rremën e drejtimit duke i lidhur copa të gjata dru mangre, që është i rëndë si hekuri. Eriku dhe Bengti ndreqën velën. "Kon-Tiki" përsëri ngriti kokën me krenari dhe nxori gjoksin përpara në drejtim të Polinezisë, ndërsa rrema e drejtimit vallzonte prapa pupës, mbi dallgë, të cilat, me fillimin e motit të mirë, u bënë përsëri të urta dhe të sheshta. Po karenat kurrë nuk e rifituan formën e tyre të mëparshme. Ato nuk i përgjigjeshin presionit të ujit, me të giithë forcën e tyre të mëparshme, Pasi ishin zhvendosur dhe vareshin të pafiksuara poshtë trapit. Ishte e kotë të kontrolloje litarët në fund të trapit, pasi ata ishin mbuluar krejt nga alget. Kur kontrolluam gjithë kuvertën prej bambuje, pamë se vetëm tre nga litarët kryesorë ishin këputur; ata ishin mbledhur dhe shtrënguar pas ngarkesës kur ishin këputur. Ishte krejt e qartë se trungjet kishin thithur një sasi të madhe uji, po ngarkesa ishte paksuar dhe kjo ekuilibronte humbjen e aftësisë lundruese. Pjesa më e madhe e ushqimeve dhe e ujit të pijshëm, si edhe e baterive të thata të radistëve tanë ishte shpenzuar.

Megjithatë, pas shtrëngatës së fundit, ishim plotësisht të bindur se trapi nuk do të shpërbëhej dhe do ta kalonte distancën e shkurtër që na ndante nga ishujt që ndodheshin përpara. Tani një gjë ishte më kryesore: si do të përfundonte udhëtimi ynë.

"Kon-Tiki" do të ecte vazhdimisht drejt perëndimit derisa të përplasej me kiç nëpër shkëmbinjtë e bregdetit ose në ndonjë pengesë tjetër të palëvizshme, e cila do ta ndalonte. Udhëtimi do të përfundonte vetëm atëhere, kur i gjithë ekipazhi do të dilte shëndoshë e mirë në bregun e njërit prej ishujve të shumtë polinezianë që ndodheshin përpara..

Kur kaloi shtrëngata e parë, u bë fare e qartë se ku mund të ndalonte trapi. Ne ndodheshim në një distancë të njëllojtë nga ishujt Markezë dhe nga arkipelagu Tuamotu. Nuk përjashtohej mundësia që të kalonim qetë-qetë midis këtyre dy grupeve me ishuj, pa parë as njërin, as tjetrin. Ishulli më i afërt nga grupi i ishujve Markezë ndodhej 300 milje në veriperëndim, ndërsa ishulli më i afërt i arkipelagut Tuamotu ndodhej 300 milje në jugperëndim. Era dhe rryma ishin të paqëndrueshme, po, në përgjithësi, na çonin drejt perëndimit, drejt portave të gjera të oqeanit, midis këtyre dy grupeve me ishuj.

Ishulli më i afërt në drejtimin veriperëndimor ishte Fatu-Hiva, ai ishull i vogël malor, i mbuluar me xhungla, ku dikur kisha banuar në një kasolle të ndërtuar mbi hunj në breg dhe kisha dëgjuar tregimet poetike të plakut mbi stërgjyshin heroik, Tikin. Nëqoftëse ´Kon-Tikiª do të ndalej në këtë breg, do të takoja atje shumë të njohur, po vështirë të takoja plakun. Ai me siguri kishte vdekur prej kohësh, i bindur se do të takohej me paraardhësin e vet, Tikin. Nëqoftëse trapi do të drejtohej drejt zinxhirit të ishujve malorë Markezë, zbarkimi do të ishte shumë i vështirë. Ishujt e këtij grupi ndodhen larg njëri tjetrit dhe oqeani përplaset lirisht mbi shkëmbinjtë e thepisur, kështuqë ne duhej t'i hapnim sytë mirë dhe të përpiqeshim. të futeshim në grykat e gjireve të pakta, që përfundojnë gjithmonë me një rrip të ngushtë plazhi.

Nëqoftëse trapi do të drejtohej nga rifet prej korali të arkipelagut Tuamotu, atje oqeani, në një hapësirë të madhe, është i mbuluar nga një numër i madh ishujsh. Po ky grup ishujsh njihet edhe me emrin Arkipelagu i Ulët apo i Rrezikshëm, meqenëse ka lindur nga koralet dhe përbëhet nga rifet e nënujshme të pabesa dhe atolet e mbuluara me palma, që ngrihen vetëm. dy-tri metra mbi sipërfaqen e ujit. Rife të rrezikshme rrethojnë si një unazë mbrojtëse çdo atol dhe perbëjnë një pengesë serioze për lundrimin në këtë rajon. Por, megjithëse atolet Tuamotu janë krijuar prej koralesh, ndërsa ishujt

Markezë janë mbeturina të vullkaneve të shuara, të dy grupet e ishujve janë populluar nga i njëjti popull polinezian dhe familjet mbretërore kudo e konsiderojnë Tikin si stërgjyshin e tyre.

Që me 3 korrik, kur ndodheshim njëmijë milje larg Polinezisë, vetë natyra na tregoi, siç ju kishte treguar dikur lundërtarëve primitivë peruanë që kishin ardhur këtu me trapa, se përpara, midis oqeanit, ndodhet toka. Kur ishim larguar njëmijë milie nga brigjet e Perusë, herë pas here shihnim tufa të vogla fregatash. Në gjerësinë perëndimore 100º ato u zhdukën dhe ne filluam të shikonim vetëm disa zgalemë të vegjël, që, jetojnë në oqean. Po më 3 korrik, në gjatësinë Perëndimore 125º, fregatat u çfaqën përsëri. Duke fiIluar nga kjo ditë, ne shikonim shpeshherë tufa të vogla fregatash. Ato fluturonin lart në qiell dhe binin mbi kreshtat e dalIgëve, duke kapur peshqit fluturues që kërcenin në ajër, të ndjekur nga makrelat e praruar. Dhe meqenëse këta zogj nuk vinin nga Amerika që ndodhej prapa nesh, atdheu i tyre duhej të ndodhej në anën tjetër, përpara.

Më 16 korrik, natyra na dha një shenjë edhe më ,bindëse. Atë ditë. nxorëm një peshkaqen 3 metra të gjatë, i cili volli një yll deti të madh dhe të patretur, që e kishte gëlltitur diku aty afër, në breg.

Të nesërmen te ne erdhën mysafirët e parë nga ishujt e Polinezisë. Për ne qe një ngjarje e shënuar, kur pamë në horizont, në drejtimin perëndimor, dy fulmarë të mëdhenj, të cilët filluan të fluturonin ulët sipër direkut. Duke shtrirë krahët e gjatë një gjysmë metri, fulmarët u vërtitën sipër nesh, pastaj mblodhën krahët dhe u ulën në ujë, afër trapit. Makrelat e praruar menjëherë u vërsulën te ky vend dhe filluan të vërtiten afër këtyre zogjve të mëdhenj notues, po asnjëra palë nuk e prekte tjetrën. Këta ishin lajmëtarët e parë të gjallë që na sollën përshëndetje nga Polinezia. Në mbrëmje nuk u larguan, po vazhduan të rrinin sipër ujit dhe pas mesit të natës dëgjuam se si vërtiteshin rreth direkut, duke lëshuar klithma të ngjirura.

Peshqit flutures që binin mbi trapin tonë ishin tani më të mëdhenj dhe i përkisnin një Iloji tjetër. Këtë lloj e njihja nga peshkimi, që kisha bërë me banorët e ishullit Fatu-Hiva gjatë brigjeve.

Tri ditë e tri net e mbajtëm drejtimin për në Fatu-Hiva, po pastaj filloi të frynte një erë e fortë verilindore dhe na shtyu në jug, në drejtim të atoleve Tuamotu, jashtë kufive të rrymës ekuatoriale, dhe tani rrymat oqeanike filluan e u bënë të paqëndrueshme. Sot dukeshin, të nesërmen zhdukeshin. Nganjëherë rryma ecte si një lumë i padukshëm, duke u degëzuar në të gjitha drejtimet. Nëqoftëse rryma ishte e shpejtë,

dallgët bëheshin më të forta dhe temperatura e ujit zakonisht binte një gradë. Drejtimin dhe forcën e rrymës ne e masnim çdo ditë në bazë të diferencës midis vend-ndodhjes së trapit të llogaritur nga Eriku dhe të vend-ndodhjes të përcaktuar në bazë të dIelli (2).

Në prak të Polinezisë era na la shëndenë dhe na çoi te një degë e qetë e rrymës, e cila na shtiu frikën, pasi shkonte në drejtim të Antartikut. Asnjë ditë nuk pati det të qetë, sikundër nuk pati gjatë giithë udhëtimit tonë, dhe nëqoftëse era ishte shumë e dobët, ne varnim në direk të gjitha rreckat tona për të shfrytëzuar edhe erën më të vogël. Nuk na ndodhi asnjë ditë, që të lëviznim prapa në drejtim të Amerikës. Rruga më e shkurtër ka qënë për 24 orë 9 milje detare, ndërsa shpejtësia mesatare për 24 orë gjatë gjithë kohës së udhëtimit ishte, në përgjithësi, e barabartë me 42,5 milje.

Megjithkëtë, pasati nuk ishte aq mizor sa të na braktiste në çastin e arritjes së qëllimit. Ai filloi përsëri kryerjen e detyrave të veta, duke e shtyrë anijen, e cila bëhej gati të futej në një vend të ri të jashtëzakonshëm.

Ditë për ditë tufat e zogjve të detit shtoheshin dhe vërtiteshin kot më kot sipër nesh në të gjitha drejtimet. Një mbrëmje, kur dielli po perëndonte vumë re se zogjtë ishin shumë të shqetësuar. Ata fluturonin në perëndim dhe nuk donin t'ia dinin as për ne dhe as për peshqit fluturues. Nga maja e direkut vumë re se, duke fluturuar sipër nesh, ata vërsuleshin në të njëjtin drejtim. Ndoshta kishin parë nga sipër ndonjë gjë që ne nuk e shihnim dot, ose ndoshta udhëhiqeshin nga instinkti. Sidoqoftë, zogjtë fluturonin në një drejtim të caktuar, drejt shtëpisë, në ishullin më të afërt, në vendin e çerdheve të veta.

Kthyem rremën e drejtimit dhe e drejtuam trapin në atë anë, ku u zhdukën zogjtë. Edhe pasi ra

nata dëgjonim klithmat e tufave të mbetura prapa, të cilat fluturonin sipër nesh, në sfondin e qiellit

me yje, pikërisht në atë drejtim që ndiqnim edhe ne tani, Kjo ishte një natë e mrekullueshme, hëna ishte pothuajse e plotë, për të tretën herë gjatë lundrimit të ´Kon-Tikitª.

Të nesërmen, sipër nesh pati edhe më shumë zogj, po në mbrëmje nuk kishim nevojë që të na tregonin rrugën. Në këtë kohë kishim vënë re në horizont një re të çuditshme të palëvizshme. Retë e tjera dukeshin të vogla, si shtëllunga të lehta leshi, të cilat çfaqeshin në jug dhe të shtyra nga pasati, fluturonin nëpër kupën e qiellit, duke u zhdukur pastaj prapa horizontit, në perëndim. Të tilla re, të shtyra nga pasati, kisha parë dikur në ishullin Fatu-Hiva, të tilla re po shihnim tani ditë e natë mbi bortin e -Kon-Tikitª. Po reja e vetmuar në horizont, në jugperëndimin tonë, nuk lëvizte, ajo qëndronte pezull në ajër, si një shtyllë e palëvizshme tymi, ndërsa re të tjera fluturonin tutje.Polinezianët e dinin se nën këto re ndodhet toka. Kur dielli tropikal nxeh rërën, formohet një rrymë ajri e ngrohtë, e cila ngrihet lart dhe, në shtresat më të ftohta të atmosferës, avujt e ujit që ka rryma kondensohen,

Reja na shërbente si drejtim, po ajo u zhduk, kur perëndoi dielli. Era ishte e qëndrueshme dhe vetë "Kon-Tiki" me rremën e drejtimit të fiksuar mirë, pa ndihmën tonë, sikundër ndodhte shpeshherë në mot të mirë në oqean, e mbante vetë drejtimin. Tani detyra e vetme e rojes ishte që të ngjitej në majën e direkut dhe të rrinte për një kohë të gjatë në çanakmaçin* që ditët e fundit ishte pastruar si asnjëherë, për të parë në dukeshin shenjat se i qenë afruar tokës.

Gjithë natën sipër nesh dëgjoheshin klithmat shurdhuese të zogjve. Hëna ishte pothuajse e plotë.

*Çanakmaçin - vend për qëndrimin e rojës në majë të direkut të anijes

1) 1 Tri dallgët e mëdha, që përshkruan Hejerdalli, janë, me sa duket, "Tsunamiª - dallgë të mëdha që shkaktohen. gjatë tërmeteve në det, lëvizje tektonike të fundit të detit, vatra e të cilave ndodhet nën fundin e detit ose në pjesën e bregut, në tokë. Këto dallgë përshkojnë oqeanin me një shpejtësi mesatare prej 200 metrash në sekondë. Kështu për shembull, dallga e tërmetit që ndodhi në Japoni në vitin 1854, arriti në San Françisko pas 12 orësh e gjysmë; në vitin 1868, një dallgë e shkaktuar nga një tërmet në Peru, pas 12 orësh e gjysmë arriti në ishujt e Havajeve, ndërsa pas 19 orësh në Zelandën e Re dhe pas 24 orësh në Japoni. Gjatë kalimit nëpër pjesë më të cekta të oqeanit, shpejtësia e lëvizjes së dallgëve ngadalësohet deri në 140 metra në sekondë në një thellësi prej 2000 metrash dhe deri në 16-20 metra në sekondë në thellësinë 25-50 metra. Duke iu afruar bregut, dallga arrin një lartësi të madhe, që i kalon nganjëherë 20 metrat, dhe, duke mbuluar bregdetin dhe duke u rrukullisur, bën shkatërrime të mëdha dhe mund të shkaktojë vdekjen e disa dhjetëra mijë njerëzve.

Dallgët që përshkruan Hajerdalli, duke gjykuar në bazë të drejtimit të tyre vinin nga brigjet e Amerikës së Jugut.

2) Përcaktimi i vend-ndodhjes së anijes në det bëhet në fillim në bazë të "llogaritjes". Për këtë qëllim duhet të dihet shpejtësia e lëvizjes, e cila nxirret me anën e lokut, dhe drejtimi i lëvizjes së anijes, që përcaktohet me anë të busullës. Në "Kon-Tiki" nuk kishte lok dhe shpejtësia e lëvizjes përcaktohej në bazë të ashklave që përmenden në tekst: Po edhe duke llogaritur plotësisht shpejtësinë dhe drejtimin, rezultati nuk del krejt i sigurtë, pasi të dhënat e lokut janë jo shumë të sakta dhe, përveç kësaj, është e pamundur të llogaritet me saktësi zhvendosja e anijes nga era dhe rryma. Prandaj është e nevojshme që të përcaktohet sa më shpesh vend-ndodhja e anijes në bazë të diellit apo të yjeve me ndihmën e kompasit. Për këtë qëllim duhet ditur gjithashtu me shumë saktësi koha, e cila tani përcaktohet, duke kapur sinjalet e posaçme të kohës që transmetojnë radiostacionet e mëdha; më përpara, koha përcaktohej me anë të disa orëve ekzakte: kronometrave.

______________________________

Tor Hejerdall: Një Udhëtim me "Kon-Tikin". E përktheu Çezar Kurti. Shtëpia Botuese "Naim Frashëri". Tiranë 1970.

-----------------------------7d6290fc80132 Content-Disposition: form-data; name="userfile"; filename="" Content-Type: application/octet-stream