ADELINA GINA:

"Ku e çuat Shpëtimin"

Kurti Publishing, New York 2002

 

 

 

KU E ÇUAT SHPËTIMIN

 

(Fragmente)

 

 

 

 

… Atë vit unë përfundova dramën që e titullova "Ajo, Ai dhe Ajo" dhe që më vonë u afishua me emrin "Dikush erdhi". Drama u vu në skenë nga trupa e Institutit të Lartë të Arteve. Studentët e vitit të fundit mbronin diplomën me këtë dramë. Drama u ndalua si vepër moderniste. Dy ditë me rradhë, salla e teatrit ishte mbushur plot, në skenë ishte ngjitur një copë jetë e ndaluar, një rini që guxonte të ëndërronte një jetë tjetër, që shpresonte. Ishin thyer kornizat e realizmit socialist. Jeta e saj qe e shkurtër. Në atë kohë unë fillova punën si gazetare. Miqtë e mi më këshilluan ta le me kaq, sepse mund të më prishte punën e gazetës.

Një natë, kur po ktheheshim nga një koncert, Shpëtimi më tha: "Më mirë me një dramë të ndaluar, se me një që shfaqet natë për natë dhe bëhet bajate. Ti kështu je më interesante. I pe sesi kthenin kokën njerëzit nga ty? Ata për ty po flisnin. Një vajzë e re me një dramë që çudit publikun. Ata akoma nuk kanë ardhur në vete, çfarë doje t'u thoshje ti, ata nuk e dinë. E mban mend atë natë. Ata ngrinë, nuk dinin ç'të bënin, pastaj pa pritur ata e kuptuan dhe të duartrokitën, nuk largoheshin. Gjithë salla ishte me ty. Mua më pëlqen të shkruaj drama. Kur ti shkruan një dramë, po unë që jam më i zoti se ty? Dëgjo, sa faqe kishte drama jote?". "Pesëdhjetë e pesë", thashë unë. "Mirë, sonte unë do të punoj deri vonë". Ne të dy jetonim tek halla, ajo kishte dy djemë, me të jetonte dhe gjyshja. Ai punoi gjithë natën dhe kur u ngrita në mëngjes e gjeta që po flinte mbi tavolinë. Ai shkruante direkt në makinën e shkrimit. Kudo ishin shpërndarë fletë të shtypura. U zgjua dhe murmuriti: "Mblidhi, janë pesëdhjetë e tetë". Kjo ishte drama. "Një midis katër dashurive", që ai e shkroi brenda një nate. Atë kohë ai ishte njëzet vjeç.

Atë ditë bëmë planin. "Dëgjo, më tha, merre dramën dhe çoje në Institutin e Lartë të Arteve. Do ta paraqitësh sikur është jotja, ti je e njohur tani, dhe mos thuaj se e ke shkruar brenda një nate, se, duke qenë mediokër, ata nuk e lexojnë fare. Ka nga ata aty që vetëm pse bërtasin me zë të lartë mendojnë se janë regjizorë të mëdhenj. Ti i di. Ata duan të vëne në skenë drama me njëzetepesë veta, ku secili thotë dy fjalë dhe kështu mbaron drama".

Dhe ashtu u bë. Atë ditë vesha një kostum vishnje. "Mblidhi flokët, më tha. Ata duhet të përqëndrohen më tepër tek drama, ti duhet të jeshë vetëm sfondi i saj".

Unë paraqita dramën e dytë. Drejtori i Institutit, një njeri i sjellshëm dhe i kulturuar, më priti mjaft mirë. U vendos që të bisedonim pasi ta lexonin dramën regjizorët. Nuk kaloi as një javë kur më telefonuan. Në telefon drejtori më tha: "Na ke befasuar, eja nesër. Të presim!". Mbylla telefonin dhe po qeshja me vete.

Të nesërmen shkuam të dy. Shpëtimi ishte i shqetësuar. "Unë do të pres përjashta, tha ai. Ki kujdes, je autorja". Në diskutimin e dramës përveç regjizorëve kishin ardhur për të dëgjuar disa pedagogë nga dega e pikturës dhe e muzikës. Më shtrënguan dorën me respekt, ishin si të elektrizuar. Ma dhanë mua fjalën në fillim. Dramën e kisha studiuar me imtësi, duhej ta mbroja. Pas fjalës sime regjizorët filluan të diskutojnë. Ajo i kishte tërhequr, për ta ishte interesante jo vetëm si mendim, por dhe si mënyrë të shkruari. Dialogu ishte krejt ndryshe nga ai i dramës tjetër. Në këtë çast unë e ndërpreva diskutimin. "Më falni pesë minuta"- iu drejtova auditorit dhe dola jashtë. Im vëlla ishte ulur tek shkallët. "Eja!" - i thashë dhe e tërhoqa nga krahu. "Po ne se lamë kështu!". "Nuk ka kuptim më loja, drama ësht pëlqyer". Njerëzit në sallë kthyen kokat. "Ky është Shpëtimi, autori i dramës. Unë jam motra e tij" - e prezantova unë. Njerëzit nuk dinin ç'të bënin: të qeshnin apo të vazhdonin të çuditeshin. Shpëtimi e kaloi druajtjen dhe menjëherë kaloi në thelbin e dramës, madje filloi të improvizojë aty për aty skena plotësuese. Fliste me pasion. Kishte një tension të madh mendimi, abstragonte në mënyre tepër origjinale. Tek ai çdo gjë fliste: sytë, duart, buzët, trupi.

Vonë mbaroi diskutimi i dramës. Në rrugë atë e rrethuan artistët. Ai ishte një çudi dhe drama e tij diçka po sillte. Kishte zgjuar mendjet. Atë ditë ne të dy ishim hare. Shëtitëm gjatë bulevardit dhe u ulëm tek parku Rinia. "Ti je dramaturg. Tani e tutje unë s'kam nevojë më për emrin, do të më thërrasin "motra e Shpëtimit". Dhe qeshëm sa u kënaqem. Njerëzit shëtisnin, kishte nga ata që ishin ulur në stola, mua më dukej se dhe ata ishin të gëzuar si ne. "Kur ta vëmë në skenë, do të marrim dhe Mirën. Ti mos i thuaj gjë që Era, personazhi kryesor, është ajo vetë, se Mira ka një mirësi pa kufi. Po të hysh në shpirtin e saj mbetesh brenda. Nuk del dot. Ka kaq bukuri sa mahnitesh. Mua më trondit dashuria e saj, e ka për të gjithë dhe ka kaq shumë". Unë e lashë të vazhdonte, ne të dy e donim shumë Mirën, duket në këto çaste ai donte ta kishte pranë, se ajo është e butë e dhembshur. Mira na solli ndërmend shtëpinë, nënën e sëmurë, babain që nuk i le asgjë mangut dhe Titin e vogël që e lëkund krevatin e nënës duke menduar se kështu i bën asaj qejfin. Ata të gjithë në një farë mënyre kishin sakrifikuar për ne që të bëheshim diçka, ne këtë e ndjenim. Papritur ai ishte bërë i famshëm, kudo po flitej për dramën e tij. Vëllimi me poezi iu kthye si i pabotushëm. Ai nuk u mërzit se e kishte rrëmbyer drama. Zë miq në Teatrin Popullor dhe në Teatrin e Operas dhe Baletit. Ndër kohë baletmaestri A.Alija, interesohet dhe e rregullon të punojë, krahas fakultetit, si libretisti i operas. U zgjidhën dy probleme, ai ekonomik dhe se këtej e tutje do të merrej me librete baleti dhe opere. Në Bulevardin e madh është një ndërtesë me kollona të bardha mermeri dhe shkallë të gjëra, është një nga punimet që të kujton kohën e prishjes me rusët, ata i lanë përgjysmë punimet e vonë i përfunduan specialistët vendas, këtu kishte salla komode, këtu punonte Shpëtimi. E kësaj periudhe është dhe drama që e titulloi "Shtëpia 1961". Zhurmë e madhe, një dramë ineresante, konflikt brenda një kampi, ku ndërthurren jetë njerëzish, po personazhet e Shpëtimit nuk mendojnë ashtu si do shteti në fuqi. Në dramë theksohesh ideja se në këto shtete totalitare ka dhunë dhe ajo shkatërron njeriun e thjeshtë. Frika dhe dyzimi i njeriut në këto shtete, tregon qartë se kemi të bëjmë me shtete mjerane, që mendojnë se bëjnë politikë të madhe. Edhe kjo dramë nuk kishte se si të vihej në skenë. Ajo qarkullon dorë më dorë, askush nuk merr guximin ta vërë në skenë. I kësaj periudhe është libreti i baletit "Kesiana", me temë nga ilirët. Agron Aliaj me një fytyrë, ku lexohet lehtë mirësia, përcillte me simpati, biles admirim, çfarë fliste Shpëtimi. Agroni bënte vërejtje, që ai të ndreqte diçka. Të nesërmen Shpëtimi i praqiste një libret të ri, një variant tjetër. Agroni mrekullohej dhe këtë gjë e shprehte, kjo e kënaqte Shpëtimin. Afër Teatrit të Operas e Baletit ka qenë një restorant, "Restorant Durrësi". Shpëtimi ulej me Agronin dhe pinte një gotë verë dhe ishin orë të këndshme për të. Flisnin për baletin, lëvizjet, Shpëtimi të çudiste me forcën e imagjinatës dhe të mendimit. E kapërcente kohën dhe të shpinte larg, ti shkoje bashkë me të dhe mrekulloheshe si një foshnjë. "Do të shkoj nga Agroni, më tha një pasdite, aty është dhe Greta e vogël që i bie pianos. Unë e dua Gretën Ajo është e mirë, e brishtë". Në dimër ai mbante një pallto të zezë me një shall të gjelbër të hapur. Kur shkoja ta takoja në Teatrin e Operas më thoshnin: "Ai djali me shallin e gjelbër". Kishte një lloj ekstravagance në atë veshje, por këtë nuk e bëri kurrë si qëllim në vetëvete. "Pastro këpucët", i thosha unë. "Si thua ti, të dukem si fshatar?". Fshatin nuk e donte. Një herë desha ta njihja me një shokun tim shkrimtar. "Jo nuk dua, tha, ai është fshatar. I ke parë si i ka buzët të plasuara, sikur ka ngrënë fiq mufka? Kështu i kanë të gjithë fshatarët". Shpesh, në ditë pushimi ose festash shkonim të dy në shtëpi. Nëna e sëmurë na priste në dritare, të gjithë gëzoheshin për ne. Mbaj mend, se si babai i binte violinës dhe unë e merrja nënën për të kërcyer. Këmbën e kishte mirë, por dora nuk i kishte ardhur plotësisht. Shpëtimi me Mirën këndonin ca këngë të vjetra italiane, që nëna i këndonte para se të sëmurej, ndërkohë Petriti kërkonte në komodinën e nënës. Ajo shpesh i thoshte: "Titole, shiko aty në komodinë se më duket se po prishet diçka!". Ai ishte më i vogli dhe ajo gjithmonë donte ta kënaqte atë, t'i jepte diçka, pastaj ai ishte më i urti nga ne të katër. Ne shpesh e ngacmonim se kur ishte më i vogël, nëna e porosiste, p.sh Petrit mos zbrit nga divani, dhe ai qëndronte aty deri sa t'i thoshte nëna zbrit. Ishte i shëndetshëm me trup të lidhur mirë dhe babai, meqenëse gjithë jetën kishte qenë i dobët, kënaqej kur e shikonte Petritin që bënte fiskulturë ose që luante futboll ose basketboll, madje një herë pa dashur Shpëtimi i derdhi në krah ibrikun me çaj të nxehtë. Nëna nuk ishte aty. Ne u trëmbëm. Ia hoqëm bluzën, bashkë me të i hoqëm dhe ca lëkurë. Petriti filloi të qajë. Ne i thamë se nuk duhej të qante kur të vinte nëna. Dhe vërtet, kur nëna ia mjekoi plagën, ai dridhej nga dhimbja, por zë nuk pati lëshuar. Kurse Mira qante për të. Në vitin e parë të shkollës ai kishte pasur për mësuese nënën dhe shpesh duke harruar i thoshte "me leje mësuese" nënës edhe në shtëpi. Babai megjithë ato telashe që i kishin rënë, interesohej se çfarë po shkruanim, si po na shkonte krijimtaria. Mua më kujtohet, se kur mora lekët e dramës ia çova të gjitha nënës, ajo më diktonte dhe unë shkruaja se çfarë duhej blerë për shtëpinë. Shkuam me Shpëtimin dhe i harxhuam të gjithë lekët, i blemë të gjitha. Ai i tha: "Kur të botoj, unë do të blej vetëm për ty. Unë e di që të pëlqen të vishesh bukur dhe e di se çfarë është e bukur për ty, pastaj do shkojmë në buzë të detit vetëm ne të dy". Ajo i mbushi sytë me lot. "Mjaft e mallëngjeve, ndërhyra unë, shkrimet e tua zor se do të shiten". Nëna i përkëdheli fytyrën.

*

* *

Erdhi marsi, së bashku me Shpëtimin shkuam në dyqan për të blerë dhurata për festat e nënës, 7 marsin - ditën e mësuesit dhe 8 marsin - ditën e nënave. Kur shkuam, gjetëm plotë njerëz, dikur nxënës të saj, që kishin ardhur për t'i uruar festën. Ajo ishte e gëzuar, por dukej tepër e lodhur. Unë merresha me punë shtëpije, sepse gjithë kohën barra i kishte rënë Mirës, ndërsa Shpëtimi rrinte tek krevati i nënës dhe i tregonte për planet e tij, për artistët që kishte zënë miq dhe se ai do të bëhej i famshëm, të gjithë do të flisnin për të. "Dhe padyshim edhe për ty, shtonte ai, se kuptohet ti je shumë, je nëna ime". Ajo e dëgjonte, kurrë nuk u ankua për sëmundjen, për dhimbjet, por nga një tip i hedhur gjithë humor ishte bërë e heshtur, melankolike, kushedi ç'mendonte me vete. Ne qendruam dy ditë dhe u kthyem përsëri në Tiranë. Kishte ardhur pranvera. Pemët rrugës kishin çelur. Kishte dhe shumë diell. Ashtu i ndritshëm, gjithë ngazëllim, ai sikur i nxiste për lulëzim mbase të parakohshëm. Fushat shtriheshin deri tek kodrat e buta, pas tyre ngjyrë jargavani mbyllnin horizontin malet.

Nuk kishte kaluar as një javë, kur babai na lajmëroi se nëna ishte rëndë, kishte kaluar një paralizë tjetër, që i kishte marr dorën dhe këmbën tjetër. U nisëm menjëherë për në shtëpi. Gjatë rrugës as njëri as tjetri nuk e hapi gojën. Kur mbërritëm e gjetëm në shtrat, të mbështetur me shumë jastëk. Mira dhe Petriti i rrinin tek koka. S'kam gjë, shqiptoi ngadalë kur e putha, do kalojë si e para dhe më shikoi me ato sytë si pëllumb. Unë i ledhatova faqet, i përkëdhela dorën e sëmurë, i rregullova flokët e zinjë, ajo nuk kishte as një thinjë, ishte dyzetegjashtë vjeçe, gëlltita lotët. Shpëtimi ishte zbehur. "Qesh pak, i tha ajo, apo ke frikë se të shkon buza shtrëmbër". Ai i buzëqeshi mes lotësh. Ku e gjente këtë forcë për të na dhënë kurajo?

Babai vente e vinte. "U lodh", tha për të. Ato ditë asgjë nuk fuste në gojë, kishte ardhur tezja, e motra. Vetëm kur i thosha unë të pinte pak lëng frutash pranonte, bënte sikur e pinte nuk donte të më dëshpëronte. Shpëtimi hapi albumet dhe të dy shihnin fotografitë tona, çdo fotografi shoqërohej nga ai me komente. Unë diçka po rregulloja, kalimthi dëgjova që ai e pyeti: "Kë do më shumë nga ne të katër?". "Ty", i tha ajo. "Përse?", e pyeti ai. "Se më ngjan mua", shqiptoi ajo. Në këto çaste kishte një afërsi të madhe midis tyre. U largova pa u ndjerë. Shpëtimi i ngjante nënës, vetëm ngjyrën e syve e kishte jeshile si babai. Nëna i kishte ngjyrë kafe. Gjëndja sa vinte po rëndohej, mjeku nuk dha shpresa. Babai bisedoi me mua dhe vendosëm që ta largonim Shpëtimin. Edhe Petritin e çuam në Berat, tek fëmijët e tezes. Atë natë përveç nesh me tezen ishte dhe një mike e nënës, një italiane. Nëna ishte e mbështetur në gjoksin tim Gjithë natën rënkoi dhe sytë i mbante mbyllur, kur zbardhi dita rënkimi pushoi, ajo hapi sytë. Më bëri shënjë nga dritarja. "Kumbulla", thashë unë. Ajo tundi kokën. Do të këpus një degë. Kishin çelur lulet e kumbullës. "Gjynah!", shqiptoi ajo. Në fytyrë filluan t'i rrëshqisnin lotë. Më shikonte në sy dhe shqiptonte emrin tim të fëmijërisë: "Lina, Lina Lina" dhe vari kokën tek supi im. "U qetësua!", thashë me vete. "Ma jep!", tha shoqja e saj dhe e shtriu mbi jastëk. "Dil nga dhoma!", më tha ajo. U binda verbërisht. Tek dera e dhomës u përmenda dhe thashë me vete: "Vdiq!". Kjo ishte vdekja.

Babai kishte shkuar të pinte një gotë raki. E kishte gdhirë tërë natën. Erdhi në atë moment. "Mbaroi", tha shoqja e nënës. "Ah! Si nuk u gjenda këtu", briti ai. "Mbaroi në krahët e Adelinës, tha tezja, mos të mbetet pishman". "Hajde, Mira!", i thashë unë. Ajo futi kokën tek unë dhe u shkreh në vaj. Shpëtimin e lajmëruam në mesnatë. Ishte endur rrugëve deri sa gjeti makinë dhe mbërriti herët në mëngjes. E pashë që hyri në rrugicën e oborrit, por nuk munda t'i dilja përpara. Hyri në dhomë dhe u ul tek këmbët e nënës. "Sa gjynah, sa e re!". Dhe qau me ngashërim me kokën në duar si një fëmijë. "Mos hyni në dhomë! - i thashë tezes. Lëreni vetëm me nënën! Më vonë do të ketë njerëz". Ishte 23 Mars 1972. Shtëpia, oborri u mbushën me njerëz, erdhën shumë. Nëna ishte një nga mësueset e vjetra të qytetit të vogël dhe kishte shumë të njohur, ish nxënësa, kolegë. Sipas zakonit, tek shtrati i saj, i vendosur në mes të dhomës, isha unë, e motra dhe gra të tjera të afërta të fisit. Dhoma ishte e mbushur plot me gra. Në një moment sesi ngrita kokën dhe më zuri syri tri gra. Ishin ato, sekretarja e partisë, drejtoresha dhe një vegël e tyre. M'u kujtuan të gjitha. "Po ju, çfarë doni këtu? Ikni! Ju e vdiqët nënën time, keni ardhur ta qani pasi e vratë. Përjashta!" iu drejtova treshes. Ato ngrinë, nuk dinin çfarë të bënin. "Mos ia vini re, tha tezja, eshtë e tronditur, ju lutem". Me zë të ulët mua më pëshpëriti: "Në vdekje vjen kushdo, nuk përzihet njeri, kështu është zakoni". Ndërsa unë iu përgjigja me zë të lartë "Po që të vijë vrasësi të qajë viktimën është në zakon? Ty të iku motra!" dhe iu drejtova persëri treshes: "Ikni, përjashta!". Ato u ngritën. Pëshpërima doli nga dhoma dhe u përhap nëpër shtëpi, në rrugë, kudo ku pati njerëz. Vështrova nënën, tani ajo dhe unë ishim të qeta. Nëna ime ishte nga qyteti i Beratit, vajzë e një prifti, që punonte në një nga kishat e qytetit. Kishte dhe një motër të martuar me tre fëmijë. Në vitin 1944 i shoqi u largua nga Shqipëria, tezja nuk pranoi të largohesh me të. Kështu, ai u fut në listën e të arratisurve. Tezja, megjithëse bëri ndarjen me gjyq, gjithë jetën e vuajti këtë. Nëna i ndihmonte me sa mundej, madje vajza e saj ndëjti tek ne katër vjet. Në një mbledhje të këshillit pedagogjik, nëna ishte një nga mësueset më të mira dhe punonte me pasion, e kritikuan se në lëndën e matematikës, në vend që të zhvillonte me nxënësit problema që kishin të bënin me luftën në Vjetnam, p.sh sa aeroplanë amerikanë u rrëzuan etj. jep problema me lule, lepurusha. Nëna u mbrojt, duke thënë se kishin të bënin me fëmijë të vegjël. Ndërkohë një nga treshja, quhej Luçiana dhe kishte ca këmbë të shtrëmbëra, ishte e re në moshë, po tepër karrieriste, duke dashur ta rëndojë më tepër nënën, sepse kështu e mësonte partia e saj, e pyeti: "Ku është burri i motrës, na fol për të. Përse është arratisur? Po vëllezërit e burrit përse kanë qenë në burg, për politikë?". Një mbledhje që vazhdoi me orë të tëra. Atë natë ajo erdhi shumë e tronditur në shtëpi. Filloi t'i shfaqej ndjenja e persekutimit. "Mos na dëgjojnë, thoshte, kontrolloni shtëpinë!". Shkoi tek e motra në Berat. Ajo, prapa një pikture, kishte fshehur një ikonë. "Hiqe, i tha nëna, do të vijnë të kontrollojnë dhe po ta gjetën të pret burgu!". Babai u mundua shumë që ta qetësonte. "Mos, moj Fotini, i thoshte, po na merr më qafë të gjithëve, qetësohu!". Në këtë gjëndje të tronditur i ra emboli celebrale.

Në varreza u shfaq përsëri vigjilenca revolucionare. Para se ta varrosnin dikush duhej të mbante një fjalim. Luçiana dhe organizata e partisë e zgjidhën problemin, vunë të fliste një fëmijë, që nuk u muarr vesh se çfarë tha se e mbytën lotët dhe përsëriste e persëriste: "Mësuese, mësuese.". Në krevatin e nënës atë natë fjeti Shpëtimi, ndërsa unë u shtrita në një dhomë me Mirën dhe Titin, Na zuri gjumi të katërve. Në mëngjes Shpëtimi tha: "Kur bie të fle, unë sikur vdes dhe kur zgjohem sikur ngrihem nga vdekja". Unë falenderova Zotin për qetësinë që na dha, thonë se shpirti i saj ishte pranë nesh atë natë. Gjithë ato ditë më rrinte para syve një moment, nëna ngriti dorën të bënte kryqin, dora i dridhej, nuk i bindej. "Ta bëj unë", i tha e motra, dhe i bëri kryqin.

*

* *

Ne u kthyem të dy në Tiranë. Ishte një prill me shira. Isha veshur krejt në të zeza, sipër mbaja një pardesy të bardhë. Në këtë kohë unë me Shpëtimin u lidhëm më shumë me njëri tjetrin. Kudo ishim bashkë, në restorant, biblotekë, rrugë. Edhe se flisnim pak për nënën, ajo gjithmonë ishte me ne. Shpëtimi kishte zakon që krijimet, para se t'i shkruante, m'i tregonte gjatë shëtitjes. Duket kështu e zhvillonte më mirë subjektin. Në një mbrëmje të tillë më tregoi se kishte vendosur të shkruante një dramë. "E kam të gjithë në kokë, duhet të ulem ta shkruaj. Tani më dëgjo, nëqoftëse je duke parë ndonjë, më thuaj që unë të mos flas kot. Si thua të filloj? Ngjarja zhvillohet në Itali. Viti 1943". Kjo ishte fraza e parë dhe vazhdoi të tregonte subjektin e dramës "Armiq", që më vonë do ta titullonte: "Në mes është deti". Punon çdo ditë, me orë të tëra, ndër kohë është lidhur me aktorët e Teatrit Popullor, bisedon me ta për dramën, flet për idetë, që ajo përcjell, për mënyrën se si duhet vënë në skenë. Në një nga këto ditë babai erdhi të na shihte. Shpëtimi doli me të, e çoi në të gjitha lokalet. Diku pinë një kafe, diku një konjak, në një tjetër raki. Pinte vetëm babai se Shpëtimi nuk pinte. E prezantoi me miqtë e tij artistë, muzikantë, piktorë, aktorë. Aktorët e rethuan me respekt babain. Para tij Sandër Prosi e quajti Shpëtimin babai i teatrit. Aso kohe ai ishte njëzetenjë vjeç. Ky qendrim e preku shumë babain. Ai, duke qenë tip i ndjeshëm, që preket dhe kur i lexon ndonjë poezi patriotike, patjetër që kjo atmosferë e gëzoi, e emocionoi.

Por kjo dalje nuk zgjati më shumë se dy ditë. "Tani u binde se çfarë djali ke? Ja ku e ke vajzën, dil me të. Unë nuk kam kohë, më duhet ta përfundoj dramën", i tha babait. Dhe kështu u bë. Gjatë gjithë muajit ai u mbyll dhe e përfundoi atë. Drama iu dha këshillit artistik, ndër kohë shtypi dha njoftimin se ne sezonin e shtatorit trupa e Teatrit Popullor do të vërë në skenë dramën "Armiq" të Sh. Ginës. Drama u shtyp në shumë kopje, njërën Shpëtimi ma dha mua. Unë e kisha lexuar fletë-fletë, por të lidhur jo. E hapa në faqen e parë. Titulli "Armiq" dhe poshtë tij ishte shkruar "Nënës time, autori". Tani e kisha të qartë punën e tij, nxitimin e tij. Në gjithë atë dhimbje ngushullimin e gjeti tek drama. Ai e derdhi veten në të. Erdhi qershori, erdhi sezoni i provimeve. Isha e shqetësuar se e dija që nuk ishte përgatitur se u muarr me dramën. Një mëngjes erdhi më mori nga gazeta. Ecëm për gjatë bulevardit. "Më trego pak për ata shkrimtarët e tu të realizmit socialist, kur kanë lindur, kur do të vdesin dhe çfarë kanë shkruar", tha Shpëtimi. Gjatë gjithë rrugës unë vetëm spjegoja, kur mbritëm tek godina e universitetit, më tha: "Ik se do të shkoj vetë në tempull". U ktheva në redaksi, prisja e shqetësuar. Aty nga dreka fotoreporteri më zgjati një fotografi. "Është interesante, do ta botojmë në këtë numur, vetëm se duhen retushuar pak basetat". Për çudinë time ishte Shpëtimi, që po fliste gjithë duar e xheste në provim. Ne u takuam në drekë, në restorant. Ai ishte i gëzuar. "E di si ndodhi?, tha. Pedagogu Dalan Shapllo, kur shkova të marr tezën, më tha: "Lëre tezën, Shpëtim, dhe hajde të bisedojmë për problemet e letërsisë. Ne jemi kolegë. Dhe kur erdhën ata të gazetës tënde, për të marrë ndonjë student të shkëlqyer, Dalani u tha për mua. Po të më kishte pyetur për ata shkrimtarët do të isha rrëzuar me siguri".

Në këtë kohë nuk e merrte pagën në Teatrin e Operas, sepse një ditë një shefe e muzikës i kishte trasmetuar një dëshirë të një partiaku, që aso kohe kishte shkruar ca drama të dobta, që të shkruante një libret baleti për një dramë, titullohej "Shtëpia në bulevard". Shpëtimi u nxe. "Thuaji atij se arti nuk është maternitet dhe se unë nuk mund të shkruaj për të gjitha ato femra që mbesin shtatzanë". Nuk e di se si ia ka thënë ajo, por di që Shpëtimit i prenë rrogën. Pas shumë përpjekjesh A. Alija dhe N. Zoraqi e rregulluan përsëri punën e rrogës dhe ai vazhdoi të punonte për libretet. Nikolla ishte një burrë tepër i ngadalshëm në të folur e në veprime. Dinte të dëgjonte kur bisedoje. Shpëtimi ulej shpesh me të në kafenenë e Pallatit të Kulturës dhe diskutonin bashkë për operën "Armiq". Nikolla, që ishte natyrë e qetë, dilte nga vetja dhe ndiqte si një film të nxituar mendimet e Shpëtimit. Nikolla më thoshte: "Ai nuk ka studiuar për muzikë, por me intuitë kap dhe gabimet. Më thotë këtu je mirë apo nuk je mirë. Është fjala për anën teknike të punës time. Ka shumë vesh për muzikë, është artist i lindur. Kam kënaqësi kur ai ulet aty afër meje dhe unë i bie pianos. Atë çfarë ai flet e kthej në tinguj. Gjithmonë e kam pasur bezdi të punoj kur dikush më rri pranë, kurse prania e tij është si një sfond tingujsh. E dua këtë djalë! Në këtë talent të madh ka dhe një njeri të madh. Rrallë ndodh që të përputhen të dyja. E di çfarë më bëri në Sarandë? Ti e di, që ndejtëm bashkë një javë. Dhoma na binte nga deti. Ngrihej herët në mëngjes, dilte në ballkon dhe shkruante. Kur zgjohesha më lexonte pjesë nga libreti i operas dhe më sugjeronte, këtu duhet një muzikë si kjo era që po i rrudh valët. Mirë, i thoshja unë, por akoma s'kam pirë kafe, s'kam ngrënë mëngjes. Unë jam njeri punëtor, por ai ma kalonte. Një ditë i thashë, kemi ardhur të shikojmë detin, të hamë peshk të freskët dhe të çlodhemi, pastaj të kthehemi në Tiranë dhe të përfundojmë operën. Unë kam shumë gjëra për të bërë dhe nuk kam kohë, nxitoj. E tha me kaq seriozitet sa unë heshta. Dhe ishte vetëm njëzetenjë vjec. Ajo që më ka mbetur si peng është se ai kurrë nuk pranoi ta qerasja, qoftë me një kafe. Vetë i pëlqente të më qeraste. Dhe unë pranoja, duke menduar se do ta bëja që dhe ai të pranonte, por kjo ishte e pamundur".

Kështu ishte ai në të vërtetë. Tek halla, ku ne qëndronim, për të ngrënë hanim jashtë dhe ai asnjëherë nuk pranoi të pinte qoftë dhe një gotë qumësht, dhe sa i lutej gjyshja. Kurse unë pranoja ç'do gjë që më ofronin, madje i kisha folur për këtë gjë. Se halla dhe gjyshja e donin shumë. Një natë, unë isha diku me sherbim, ai u kthye vonë. I ra derës mengadalë dhe priti, asnjë zë, Të gjitha dritat ishin shuar. U kthye mbrapsht. Për të mos i zgjuar e kaloi natën në buzë të Lanës. Kur e mori vesh halla u skandalizua. Po të isha unë me siguri dhe lagjen do ta ngrija nga gjumi po të ishte nevoja.

*

* *

Në teatër filloi puna, u ndanë rolet. Regjizori M. Luarasi, që mori përsipër vënien në skenë të dramës ishte optimist. Drejtori i teatrit, B Kosova, një burrë elegant me flokë të zeza, i veshur gjithmonë shumë pastër, e donte dhe e vlerësonte Shpëtimin. "Kurrë nuk kam menduar se ç'është e pastër dhe fisnike të gjendet tek një njeri, dhe sa i talentuar, sa shpresa na zgjoi", tregon ai për të dhe qesh. Ai me gjithë shpirt e ndihmonte Shpëtimin për t'u vënë drama në skenë, ai besonte në talentin e tij. Aktorët e rrethonin për natë, teatri zjente. Më kujtohet një aktor i vjetër, i talentuar, Kopi. Ai vishte gjithmonë një xhaketë ngjyrë qumështi dhe ishte krejt i thinjur, fytyrën e kishte të thatë me një hundë të gjatë. Kishte zakon që kur fliste theksonte çdo rrokje, kështu të bënte që të ndaloje në çdo çast kur ishim duke shëtitur. "Nuk vij kur je me të, i thosha Shpëtimit. Më vdiq me ato ndalesat e tij". Ai qeshte. "Po unë po e studioj se cilin rol do mari në dramë". Kjo ishte e vertetë, por kishte dhe një arësye tjetër. Kopi thoshte: "Shpë - ti - mi, e - ar - dhmja e ar - tit, gje - ni". Shpëtimi kënaqej. Ishte i ri. "E dëgjon, më thoshte, vetëm ti nuk më lavdëron". Në këtë kohë, në teatër, të gjithë flisnin, si të talentuarit ashtu dhe ata që ishin të patalentuar. Erdhi një çast që këta të dytët po flisnin më shumë dhe fakti ishte se jo vetëm ishin dhe më shumë në numër, por dhe i dëgjonin më shumë, ishte koha e mediokërve. Kishte madje ndonjë me titullin Artist i Popullit dhe me funksionin e sekretarit të partisë, që thërriste se në skenë po ngjitej një dramë pacifiste, po prishej vija e partisë. Dhe këto mendime i çonte në komitetin e partisë, deri në Komitetin Qendror. Erdhi një ditë, Shpëtimit nuk i thanë gjë, dhe mblodhën këshillin artistk. Vajti atje edhe një shkrimtar i njohur dhe e heshtën dramën. Regjizori M. Luarasi filloi punën me një dramë të huaj, "Orfeu zbret në ferr". Një ditë tek shkallët e Pallatit të Kulturës, isha me Shpëtimin, takuam Mihallaqin. "E le dramën?", e pyeti Shpëtimi. Tjetri nuk u përgjigj, ndërkohë Shpëtimi kishte në dorë një copë llastik dhe e lëvizte. "Të uroj suksese!" dhe u larguam. "Përse u solle aq butë, përse nuk u zure!", i fola unë e indinjuar. "Çfarë t'i thosha, ai është si kjo copa e llastikut, e zgjasin dhe e tkurrin të tjerët, është për të ardhur keq". Shpëtimi u mërzit se edhe në Teatrin e Operas e ndaluan operën "Armiq". Kompozitori me muzikën e dramës "Armiq" vuri në skenë operën "Komisari".

Përse e ndaluan dramën, çfarë kishte ajo? Drama "Armiq" qëndron e veçuar në krijimtarinë e viteve 70'- 80', nuk ka asnjë lidhje me realizmin socialist. Për të gjetur ndonjë afërsi tipologjike duhet të kalosh në një truall tjetër, kryesisht në atë të ekspresionizmit. Është e çuditshme se letërsia shqipe deri në këtë kohë nuk ka as një pikë afrimi me këtë rrymë dhe dihet se Shpëtimi nuk e njihte këtë rrymë, dhe se aso kohe të shkruaje një vepër ekspresioniste jo vetëm nuk ishte e lehtë, por konsiderohej madje si një faj penal nga diktatura. Është një reagim i natyrshëmi i shpirtit të artistit para tmerreve dhe absurditetit të realitetit totalitar që ishte i urrejtshëm dhe i neveritshëm për Shpëtimin. Drama e tij vë në pikëpyetje me një guxim të habitshëm disa nga kryedogmat zyrtare dhe përshkohet nga nota e protesës kundër arrogancës së diktaturës. Drama është e mbushur me tension, dhimbje, mëshirë për vuajtjet e njeriut nga dhuna shtetërore. Burimi i armiqësisë nuk janë dallimet etnike, popujt dëshirojnë marrëdhënie mirëkuptimi midis tyre. Burim i ndeshjes së ashpër nuk janë as klasat sepse ato mund të merren vesh. Vija e armiqësisë së vazhduar kalon nëpër kufirin ku përballohet e mira me të keqen etike, humanizmi me çnjerëzoren. Shpëtimi parandjeu dhe shprehu alegorikisht atë tension tragjik që shpërtheu gjatë viteve 70' në plenumet halucinante IV, V, VI dhe VII. Kjo ishte arsyeja që drama u ndalua nga lart. Parimi i tij drejtues ishte: artisti i bindet vetëm kërkesave të zërit të vet të brendshëm dhe përbuz dogmat dhe skemat zyrtare.

Pra, drama "Armiq", duke qenë rasti i parë dhe i vetëm në letërsinë shqipe i një vepre të ekspresionozmit, krijoi jo vetëm shumë zhurmë, por dhe famë për autorin. Ishte dhjetor, së shpejti do të ndërroheshin vitet. Shpëtimi kishte ikur në shtëpi, tek babai. Unë isha në punë. Gazeta ku punoja është në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Afër saj ndodhet gjykata e rrethit. Është një ndërtesë e vjetëruar nga koha. Zakonisht aty zhvillohen gjyqet ordinere. Gjithëmonë ka njerëz që kalojnë orët në seancat gjyqësore, ka dhe hajdutë të vegjël, prostituta. Të tillë publiku kishte edhe atë ditë kur shkuam unë dhe Sadija në gjyq. Ajo e dinte se atë ditë do të bëhej gjyqi i dy artistëve, i M Luarasit dhe i M.Jeros. Në sallë ishin ca tipa të rëndomtë, asnjë artist për be. U ulëm, prapa nesh një grua qante me ngashërim, ishte gruaja e Minushit, dramaturgut. Të pandehurit, sidomos Mihallaqi, ishin dyll të verdhë. Kryetar ishte Irakliu me vulën e injorancës në fytyrë. Prokurori, një bjond, hiqej si njohës i artit. Avokat nuk kishte, sepse në diktaturë ndodhin gjëra absurde. Para ca vjetësh ishin hequr avokatët. M.L akuzohej se kishte vënë në skenë dramën e Minushit "Njolla të murrme", një vepër revizioniste, dhe se kishte shfletuar literaturë të huaj, kishte parë skenografi revizioniste. Ai kishte studiuar në Hungari. Për ta vërtetuar këtë prunë si dëshmitar drejtorin e Biblotekës së Universitetit që dridhej. Kur foli Mihallaqi midis të tjerave tha: "Unë njoh një djalë të ri të talentuar, që nuk lexon në gjuhë të huaja, megjithatë vepra e tij është e një rryme të huaj, ekspresioniste". U mat të thoshte edhe emrin, por prokurori e ndaloi: "S'kemi nevojë për emra".

Gjyqi vazhdoi me Jeron dhe pastaj suallën dëshmitarët. Seanca u ndërpre. Të nesërmen nuk hyje dot. Lajmi ishte përhapur, gjithë artistët kishin mbushur sallën dhe sheshin para gjykatës.

U takuam në shtëpi për vitin e ri. Ia tregova ngjarjen. Ai deshi të mbrohesh me atë tezë, kur foli për ty. Aty nuk e lanë ta nxirte emrin tënd, por në hetusi e ka thënë. Shpëtimi heshti. Mesjetë, kjo ishte mesjeta. Dhe si për ta larguar këtë të keqe më tha: "Kam bërë goxha punë me Venemën". Ishte një dramë tjetër e tij që mbeti e papërfunduar. Me pak fjalë drama ishte kjo:

Nga vende të ndryshme të botës mblidhen specialistë të fushave të ndryshme për të eksperimentuar një revolucion socialist në një ishull. Gjatë rrjedhës së ngjarjeve spikeri njofton se vapori me të cilin ata udhëtonin u mbyt. Simbolika është e qartë, revolucioni socialist dështoi. "Me të vertetë beson se socializmi do të dështoj?", e pyeta unë e habitur (ishte viti 1973). "Po, tha ai. Nuk e shikon se çfarë dhune ka? Dhe ka po aq varfëri ekonomike!". Unë heshta. Të them të drejtën nuk mendoja se do të shëmbesh qoftë dhe pas tetëmbëdhjetë vjetësh siç ndodhi tek ne.

Shpëtimi e mbaroi fakultetin dhe filloi punën në Radio-Televizion, në redaksinë e kulturës, si skenarist. Ishte entuziast, "do të realizojmë filma televizivë, filma artstikë". Shpëtimi filloi të shkruajë skenarë, të bashkpunojë me regjizorin. Regjizori ishte një djalë i ri, asokohe ishte martuar me një poeteshë, ishte dashamirës ndaj nesh. Madje kur u lindi vajza, Shpëtimi i gjeti emrin. Një natë ne muarrëm ca ushqime me vete dhe shkuam tek shtëpia e tij. Duhet të kaloje tre ura, ai e kishte shtëpinë tek e treta. Na priti gjithë gëzim dhe ne u kënaqëm atë natë. Deri vonë u fol për Korçën, ku ata do të realizonin një film. Shpëtimi fliste për skenarin me entuziazëm, dhe këtë entuziazëm na e ngjiti edhe neve. Mevlani, regjizori, i propozoi atij që të nisen sa më parë, se në Korçë kishte filluar dëbora dhe se në skenar ajo është kudo. Ne qeshëm një copë herë. Unë e njihja Shpëtimin dhe kur ai ishte mirë shpirtërisht, kur e ndjente se e donin dhe e çmonin, ai bëhej copë. Atë natë mendova me vete: "Mevlani qënkërka me fat, gjeti një njeri". Kështu ata realizuan dokumentarin televiziv "Korça". Në të u fol për njerëzit e këtij qyteti, për dëborën, për pastërtinë e ambjenteve, të shtëpive. Duke folur për tekstilistet, në gjokset e të cilave uleshin zogjtë, spikeri tha: "Dhe mbi to dora e rëndë e udhëheqësit". Shpëtimi nuk më kishte thënë gjë më parë për këtë. Emisioni sapo u dha në ekran. U shqetësova. Tek hyrja e ndërtesës së Radio Televizionit ai po bisedonte me një grup xhiruesish. E tërhoqa nga krahu. "Je në vete, po kjo ç'ishte: "dora e rëndë e udhëheqësit"?". "Nuk e kanë kapur, tha ai, e dhanë". "Po mund ta kapin më vonë", thashë unë. "Po nuk jetohet me frikë", tha ai. Emisioni u pëlqye, askush nuk e përmendi "dorën e rëndë".

Atë kohë shkruajti skenarin për qytetin e naftëtarëve, Kuçovën. Të dy këta skenarë i dhanë krahë për të shkruar skenarin "Berati". Ato ditë kur xhiruan për Beratin, të gjithë grupin e çonte në mbrëmje tek babai. Aty flinin, hanin. Qyteti ynë është afër me Beratin. "Babain e kam artist, thoshte ai. Për të kuptuar se ç'film kemi bërë duhet të shohim qëndrimin e tij. Nëqoftëse përlotet, atëhere jemi mirë. Mos harroni të hapni ndonjë bisedë me temë mjekësore, se atij i pëlqen mjekësia, lexon shumë literaturë mjekësore".

Berati, qyteti i tij i lindjes, është dy mijë e pesëqind vjeçar. Skenari i Shpëtimit nuk fillonte me malin e Tomorrit me dëborë dhe Shpiragun me vija-vija, as me lumin e Osumit, që gjarpëron në mes të qytetit. Ai fillonte me kalanë dhe me emrat e ndryshëm të qytetit gjatë kohërave. Filmi kishte dritë, hapësirë. Qyteti i njëmijë dritareve, Berati ka shumë dritare dhe i ka të vendosura një mbi një. Komunikon jo vetëm me anë të rrugicave, por dhe me anën e dritareve. Unë e pashë filmin në studio dhe më pëlqeu. Atë ditë që do të trasmetohej ndodhesha në Gjirokastër, ishte tetor, dhe gjithmonë zhvillohej në këtë kohë festivali folkloristik, sepse Enveri kishte datëlindjen dhe Gjirokastra ishte vendlindja e tij. Kisha shkuar nga gazeta për të shkruar. Prisja me padurim orën kur do të jepej në televizion. Në vend të tij u dha diçka tjetër. I telefonova të nesërmen. "E ndaluan, kjo ishte fjala e tij e parë. Do të bisedojmë kur të vish". M'u prenë krahët. Kur u ktheva në Tiranë, në televizion filluan mbledhjet, e hodhën poshtë skenarin "Berati". Si të gjitha shkrimet e tij aty spikaste humanizmi, butësia. Mirëpo ishte një kohë e çmendur, që fabrikonte vetëm skenarë të tjerë, me armiq dhe sabotatorë. Krijimtaria e Shpëtimit ishte larg kësaj fryme. Me atë pastërtinë e saj ajo sikur tallej me këtë çorbë që po gatuhej dhe kështu "atë e goditën në mishin e butë, në sy, në gjymtyrë, kudo që ajo mund të jetonte". Kjo frazë është e Shpëtimit, kështu kishte shënuar sipër dorëshkrimit të skenarit "Berati", pas mbledhjes. Në ato mbledhje të gjata Shpëtimi papritur u ndodh jo vetëm pa shokë, por as dhe midis artistësh. Si ta mbronte "Beratin"? Ata po e shqyenin copa-copa. "Ç'është kjo që njerëzit lipin nga njeri tjetri?". Kishte aty një skenë shumë njerëzore, gratë marrin e japin nga njëra tjetra nëpërmjet dritares një tepsi, një okllai. "Pse kaq të varfër jemi ne?", tha duke diskutuar drejtori Edhe për pjesën e luftës pati debate. Kishte nje skenë të vogël, ku një plakë thotë: "Në luftë ne ngrohemi me zjarrin e shtëpive të djegura, në paqe ne lajmë rrobat me hirin e tyre". Është pacifiste, kundër luftës. "Gjermanët një shtëpi kanë djegur në Berat, këta po djegin gjithë Beratin", ka shënuar Shpëtimi në shënimet e mbledhjes.

Në mbledhje u ngrit vetëm një që e mbrojti. Ishte ajo Ana. Kështu nisi njohja e tyre. Ishte vajzë simpatike, bjonde, me sy kafe të errët, me buzë të kuqe, por pak e shkurtër. Aso kohe ishte e hollë në trup. Kishte mbaruar për filozofi, ishte e zgjuar, gjë që vihej re që në shikimin e parë. Familja e saj ishte e lidhur ngushtë me pushtetin. Ajo kishte vetëm një vëlla, nënën dhe të jatin. Atë kohë Shpëtimi nuk kishte treguar akoma për këtë marrëdhënie, nuk e di arsyen. Ai mbaroi kohën e stazhit dhe po përgatitej për në zbor. E përcolla. Ai do të qëndronte një muaj në shtëpi. Ishte i gëzuar Gjithmonë kur shkonte në shtëpi, ndihej mirë, i donte shumë Mirën dhe Petritin dhe përpiqej t'i gëzonte. Sidomos pas vdekjes së nënës, ai ishte tepër i kujdesshëm me ta. Mira kishte hyrë në punë provizore, në zyrën e gjendjes civile. Shkollën e kishte në mbrëmje se e ndryshoi që kur ishte nëna gjallë. Tani që ishte vetëm, e hante shtëpia, prandaj dhe babai e rregulloi në punë. Si gjithmonë, me atë shpirtin e sakrificës për ne, ajo i kishte mbledhur lekët për t'ia dhënë Shpëtimit kur të shkonte në zbor dhe një pjesë t'i harxhonin kur të ai të vinte në shtëpi. Ata "kishin bërë një festë të vërtetë", më tha më vonë ai. Shpëtimi i kishte treguar Mirës se donte Anën, i kishte folur për të dhe ajo ishte gëzuar, se ashtu është e ndërtuar Mira, lumturohet për të tjerët sikur të jetë vetë. Madje kur Ana shkoi në qytetin tonë për të takuar Shpëtimin, Mira e kishte rregulluar shtëpinë, por qilimin e mirë nuk e kishte shtruar akoma. Kur erdhi Ana në shtëpi, gjënë e parë që bënë ishte shtruarja e qilimit. E shtruan të dy me Shpëtimin. Ai tha: "Nuk dua të mërzitet Mira. Kur të vijë, ajo duhet të mendojë se ti e gjete shtruar. Kështu i pëlqen". Kur e prezantoi tha: "Motra më e mirë në botë. Vetëm një gjë nuk di, që lëviz si të jetë njeri i zakonshëm midis të zakonshmëve", dhe e përqafoi fortë. Mira e pëlqeu Anën, le që ajo kurrë nuk shan njeri, dhe kur është fjala për ndjenjat thotë: "Po përse ndërhyn, ai e di vetë". Ajo ka një zakon: kurrë nuk do të lëndojë njeri, është tepër delikate. Këtu ata puqen si karaktere, këtu ndahen me mua dhe me babain. Natën e fundit, të nesërmen Shpëtimi do të nisej për në Tiranë, babai ishte i sëmurë. Kishte dhimbje në veshka. Iu tha të dyve që ta çonin në spital, po as Shpëtimi dhe as Mira nuk deshën. "Po sikur të mos ketë gjë me rëndësi, si të turpërohemi", thoshnin ata midis tyre, pasi mendonin se babai, duke qenë merakli, mbase nuk është objektiv. "Unë po urinoj gjak", iu tha babai. Vetëm atëhere e çuan në spital. Mjekët e shtruan. Shpëtimi, të nesërmen, shkoi në spital. Nuk e lanë të futej brenda. "Po iki unë", i tha nga dritarja. "Udhë të mbarë!", i tha babai, dhe kështu u ndanë. Ai erdhi në Tiranë dhe së bashku filluam pëpjekjet që ai të mos shkonte në zbor. "Nuk e duroj dot. Do qeth flokët, do vishem ushtar, do bëj stërvitje, nuk mundem". Bisedoi me H. P., drejtuesin e një reviste ushtarake. I propozoi të shkruante për ta një skenar dhe për këtë të qëndronte në Tiranë. Ishim të dy kur ai e takoi atë për të marrë përgjigjen. Shpëtimi bisedoi me të, unë e prita pak më tutje. Kur erdhi i kishte ndërruar fytyra. Si sot i mbaj mend ato fjalë; "Ata nuk duan të më mbajnë këtu, në Tiranë. Nuk e di arësyen, po vras mendjen, por nuk po e gjej dot". Cilët ishin ata? Ishte fjala për M. P. B., për zëvendësministrin e saj, atij i ishte drejtuar njeriu i revistës për të hequr Shpëtimin nga zbori. Atëhere nuk u vura rëndësi, i kalova lehtësisht, por më vonë jam kthyer kushedi sa herë tek këto fjalë. Filluam përpjekjet në spitalin ushtarak. Meqenëse ai kishte kaluar dy paraliza faciale, kërkuam të nxirrnim një raport që ta shtynte shërbimin ushtarak. Në një nga këto ditë unë u njoha me Anën. Mora autobuzin e linjës së Laprakës, ishte ora nja dhjetë, në autobuz kishte pak njerëz. Isha e veshur me të zeza, akoma nuk e kisha hequr zinë e nënës. Më kaloi përpara një bjondinë. Nuk e di pse mendova se mos ishte ajo, tani ai më kishte folur për të, por unë nuk e kisha parë akoma. Në stacion ai po priste i ulur buzë rrugës, bjondja e kaloi atë. U takova me Shpëtimin, ai i thirri: "Eja Ana". Kjo qënkërka. Nuk di se çfarë ndjeva. I dhamë dorën njera-tjetrës. Dikujt duhej t'i telefononim. Hymë në një postë të vogël, që gjendet afër rrugës me plepa, që të çon tek spitali. Ana na priti jashtë. "Ku e gjete këtë?", i thashë unë. Ai mbushi sytë me lot, nuk foli. U pre në fytyrë. Nuk e di as vetë, po për të mbase unë do të doja një yll, superbukuri, ndërsa ajo ishte dhe e shkurtër, nuk di si u ndjeva. Mbase e zhgënjyer. Më vonë, ajo më tregoi këtë bisedë të bërë midis tyre. "Nuk më pëlqeu Adelina. Mendon se është më e mirë se unë?". "Nëqoftëse do të qëndrosh me mua, atë as me pupël mos e prek", më tha ai, dhe ishte kaq i vendosur. E kuptova se çfarë vendi zije ti tek ai. Dhe heshta".

………………………………….

 

Çdo ditë, kur unë shkoja në gazetë, kisha vënë re se një meso-burrë me mustaqe ecte pas meje. Një ditë unë u ktheva papritur dhe mustaqja u ndodh ngushtë, ndaloi në një vitrinë dyqani. Ky shoqërim zgjati nja dy muaj. Një ditë babai mori vesh, nga një miku i vet, se dokumentat e mia kishin kaluar në Shtëpinë botuse Naim Frashëri, se unë po largohesha nga gazeta. E shqetësuar, ia thashë kryeredaktorit. Ai e quajti të pavërtetë. Kishte kaluar një muaj nga ngjarja.

Kaloi dhe tetori. Në nëntor, në një mbledhje të posaçme, u shtrua problemi i një shkurtimi. Në mbledhje midis të tjerave kryeredaktori tha: "Nga kuadri na ka ardhur kërkesa se duhet të shkurtojmë një njeri. Unë personalisht mendoj për Adelinën, nëqoftëse nuk doni për të, cili prej jush do të largohet?", u tha ai shokëve të punës. Asnjë nuk po fliste. U bë nja dhjetë minuta pushim. Shkova poshtë në lokal për të pirë një kafe. Kishte njerëz plot. Afër banakut, sekretari i partisë së dikasterit, një i quajtur Kiço, po pinte kafe me një burrë zijosh Si nëpër mjergull m'u kujtua se këtë njeri e kisha parë në festivalin e Gjirokastrës dhe Sadija më pati thënë se ky është operativi që mbulon Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Ministrinë e Arsimit. Sekretari pëshpëriti: "Kjo është!". Zijoshi kthehu kokën nga unë.

Piva ngadalë kafenë dhe u ktheva në mbledhje. Unë e kisha të qartë se nuk ishte kryeredaktori që më hiqte. Kisha shkuar mirë me të. Ai ishte gazetar i zoti, i ecte pena, megjithëse gazeta ishte puna e fundit për të. Duke qenë se i ecte lapsi, puna e parë ishin fjalimet dhe raportet e ministrit, biles thonë se dhe raportet për kongreset e grave ai i bënte. Ne shpesh talleshim me të, duke thënë: "Ne gratë e Shqipërisë...", sikundër shkruante ai në këto raporte. Duhej nxehur dhe sulmuar ai. Asnjë nuk thotë "Iki unë". U çova dhe e sulmova me të padrejtë. "Ai që kërkon të më largojë nga puna je ti. Këtu nuk është fjala për shkurtim, as për paaftësi. Unë nuk e di arësyen e vërtetë, por di që është dora jote. Përse po e bën këtë, çfarë ankesash ke për mua? Përse e vure dorën tek unë? Këtë po e bën ti". Ai u tërbua. "Jo, jo, tha, por mbi ty rëndojnë gjëra të rënda". Dhe heshti sikur pati frikë se mos lëshonte fjalë të tjera. "E dëgjon?", iu drejtova Llukanit, një ushtaraku, që ishte i deleguar në këtë mbledhje nga partia, sepse e dija që Sofoja, duke qenë dhelpër, do ta mohonte më vonë. Llukani ishte burrë babaxhan. "Po, pohoi ai, na thuaj ç'janë këto gjëra të rënda, se as unë nuk i di". Sofoja heshti. Mua kjo më duhej, pikërisht kjo frazë. Në gjithë atë fatkeqësi më duhej dhe të luftoja. Isha e dobët fizikisht, por njeriu se si i gjen forcat, se si mobilizohet. Sofos i kishin thënë diçka për mua, prandaj ai veproi në atë mënyrë.

Në këto ujëra unë u nisa një mëngjes në Vlorë. Koha kishte filluar të ftohej dhe qielli ishte gri. Gratë e Lidhjes së Shkrimtarëve kishin organizuar një piknik, shkova dhe unë me to. Sapo mbërrita, u ndava nga Sadija dhe shkova të takoj Dhorin. Nuk e pata vështirë ta gjeja shtëpinë e tij. E ëma u trondit kur i thashë se cila isha. Pa më ftuar që të qëndroja, u ula dhe iu thashë se do prisja deri sa të vinte Dhori. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai erdhi. Ky ishte Dhori Hanxhari, me të cilin shkoi Shpëtimi atë ditë të lante rrobat dhe që ndodhi aksidenti, pra ky ishte i vetmi dëshmitar i ngjarjes. I gjatë dhe i hollë, me fytyrë të mprehtë, me sy pak tinzarë, kështu m'u duk në ato çaste. E përqafova dhe i thashë: "Jam motra e Shpëtimit, dua të flas me ty, dalim jashtë". U pa sy ndër sy me të ëmën. Lëvizi pak kokën, sikur deshi t'i thoshte të mos kishte merak. Dualëm. Në fillim u ulëm tek kafeneja e Turizmit. Porositi kafe. Mjedisi nuk m'u duk i përshtatshëm për bisedë, as ai nuk deshi. "Këtu punon motra dhe më njohin të gjithë. Ngrihemi!". Pagoi dhe dolëm. Shkuam në një rrugë, që as sot nuk e di se ku bie, mbaj mend vetëm se kishte një kanal të hapur dhe se rrihej pak nga kalimtarët Dhori filloi të tregojë ngjarjen. "Shpëtimi më mori për të larë ca rroba. Ishte vapë, desha të kthehesha, por ai më tha se do të më tregonte një vend ku kishte ndërmend të xhironte një film. Kur mbërritëm tek gropa e ujit unë u zhvesha dhe u shtrita mbi shkëmb. Më kishte zënë gjumi. Kur u zgjova pashë rreth e rrotull, ai nuk ishte. Hodha sytë në ujë dhe ai ishte atje. U mundova ta nxjerrë, nuk e nxorra dot, atëhere u nisa me vrap për në repartin ushtarak, që ishte më afër se reparti ynë. Rrugës takova një bari, ai shkoi dhe lajmëroi, erdhën dy ushtarë dhe e nxuarën".

Fillova të qajë. Ndeza një cigare. Aso kohe mësova cigaren, pija dy paketa në ditë. I thashë vetes: "Nuk është koha për lot, por për veprim".

"Dëgjo Dhori, unë jam motra e Shpëtimit, vëre veten në vend të tij dhe motrën tënde në vendin tim. Ti më tregove një ngjarje, po unë di dhe një histori tjetër. Kur ju të dy ishit tek vendi i ngjarjes kanë kaluar dy fshatarë për të bërë dru. Pas një gjysmë ore ose njëzetë minutash, kanë dëgjuar të thirrura, britma dhe kanë ardhur me vrap Unë e di se si ke thirrur ti!", pa i thënë se si. Ai tha: "Jo, unë nuk kam thirrur ashtu!". Dhe shtoi me gjysmë zëri: "Njeriu që pashë në ujë nuk m'u duk si Shpëtimi". Mbajta frymën, e lashë të fliste. "Kur hipa në autombulancë dhe pashë rripin e tij, u tmerrova". Unë nuk e pyeta më. Ndezëm nga një cigare dhe u ndamë.

Shkova të takoja Sadijen, ajo nuk më pyeti. E strukur në makinë, mendoja çfarë më kishte thënë Dhori.

U kthyem vonë në Tiranë.

Po çfarë dija unë, se kishte thirrur Dhori. Tezja që kam unë ka një vajzë që jetonte në Rëshen. Dikush që shkoi për ngushëllim, i kish treguar asaj këtë ngjarje: "Shkonim vetë i dytë për të bërë dru, poshtë tek lumi pamë dy djem të rinjë ushtarë. Njëri ishte shtrirë dhe kishte mbuluar fytyrën me gazetë, tjetri ishte i veshur dhe shikonte nga rruga. Pas njëzetë ose tridhjetë minutave dëgjuam britma, i lamë sëpatat dhe shkuam me vrap, thamë atyre djemëve të rinj diçka do t'u ketë ndodhur. Kur erdhëm, pamë një autombulancë dhe dy veta kishin kapur prej krahu njërin prej tyre, që thërriste: "Ku e çuat Shpëtimin?". I tërë vendi ishte i rrethuar". Kjo ishte fraza, që unë nuk e përmenda, por që Dhori e mohoi, duke thënë: "Jo, unë nuk kam thirrur ashtu!".

Mira dhe Petriti më prisnin. Ata e dinin pse kisha vajtuar në Vlorë. Ishim si një shtab i vogël. Ua thashë nja njëzetë herë, atyre sikur iu ngroh zemra. Babai vazhdonte të jetonte tek vëllezërit, por bënte përpjekje për të marrë shtëpi në Tiranë. Ishte viti i internimeve, burgimeve. Në një nga këto ditë tezja erdhi në Tiranë. Unë nuk i tregova se çfarë kishte thënë Dhori, por kërkova që të shkonim së bashku për ta pyetur vetë atë fshatarin që kishte dëgjuar Dhorin të thoshte: "Ku e çuat Shpëtimin?". U interesova për emrin dhe adresën ku jetonte fshatari që kishte treguar ngjarjen dhe u nisëm, se ajo ishte e njohur me njerëzit e tij, që jetonin pranë së bijës në Rrëshen.

Ishte një fushë e madhe, dikur më parë e mbjellë me misër dhe tani, që po vinte dimri, me kërcej të prerë misrash. Dukej e shëmtuar dhe e braktisur. Shtëpia ishte fillkat e vetme në atë fushë, ishte si një tip kulle, e lartë dhe me dritare-frëngji. Banorët e saj ishin nga malësia e Mirditës, prandaj mbase e kishin ndërtuar në atë mënyrë. Të zotët e shtëpisë, një grua e moshuar dhe i shoqi, na pritën mirë. Tezja u tha se donim të takonim Ndoin, kështu quhej fshatari, që kishte qenë në vendin e ngjarjes dhe ia kishte treguar njeriut të vet, që jetonte në Rëshen, ngjarjen, të cilën unë e dija nga goja e vajzës së tezes. Tani doja ta dëgjoja nga ai vetë. Ata dërguan dikë për ta thirrur, punonte aty afër. Kaloi kohë dhe ai nuk po vinte, unë u shqetësova. Tezja me të qeshur u tha: "Bëni gati darkën se sonte na keni këtu, ne nuk ikim pa takuar Ndoin, për të e kemi marrë rrugën".

Ai erdhi shumë vonë. Tregoi një ngjarje, por pa makina në vendin e ngjarjes dhe pa thirrjen e Dhorit "Ku e çuat Shpëtimin?". Na kërkoi të falur se atë natë diku do të shkonte. Nuk e pyetëm, e lamë të fliste vetë. Ishte thikë me dy presa. Tezja mbante variantin se e kishin vrarë. Na vunë të flinim në katin e dytë. Nga dritaret frëngji dukej nata sterrë e zezë. Isha bërë akull, as jorgani nuk më ngrohte. U ngrita dhe u vesha. Rashë e veshur me rroba. Nuk di po më hyri frika. Fushë, vetëm, natë. Ata të gjitha i bëjnë. Vinë më marrin dhe më vrasin, pastaj organizojnë një si punë aksidenti. Kaq isha futur në këtë ngjarje sa prisja me gjithë mend të hapej dera dhe të vinin të më merrnin, por edhe tezja nuk flinte. Ajo shuante dhe ndizte cigaret, shihja flakën e kuqe. "Kjo është e fortë, mendoja unë, ka parë më shumë". Më vonë, ajo më tha: "Eja këtu". U futa tek krevati i saj. "Po ti paskërke ngrirë!", tha ajo. "Kam frikë!", thashë unë. "Budallaqe, ai para se të vinte të na takonte, ka shkuar tek ata, prandaj u vonua dhe foli ashtu nëpër këmbë. Fli mos ki frikë, jam unë.zgjuar". Pastaj, sikur ta kishte kuptuar se çfarë mendoja, më tha: "Po nuk është kaq kollaj, unë të paktën disa njerëzve u kam thënë se ku po shkojmë, s'bëjnë dot gjë".

Shtëpia ra në qetësi. Kur kërciste ndonjë dërrasë unë mbaja vesh. Më dukej se dikush po ngjitej shkallëve, mbaja frymën nën jorgan dhe prisja. Isha brenda këtyre ngjarjeve, plus letërsia, librat që kisha lexuar me ngjarje të tilla më ngatërroheshin nëpër kokë. Thosha me vete: "Po unë akoma nuk e kam zbuluar të vërtetën dhe po të vdes tani, kush do ta gjejë atë?". Kisha marrë përsipër ta gjeja, isha përgjegjëse para familjes dhe sikur të vdisja në një shtëpi kullë, që ata ta mbyllnin mirë ngjarjen.

Vetëm kur zbardhi dhe pashë se isha gjallë, e kuptova se çfarë nate të tmerrshme kalova. Edhe tezja pati frikë, por e mbajti veten, nuk donte të më frikësonte. Ajo që vdes për kafe, as kafenë e mëngjesit nuk e piu. "Na vete vonë", tha dhe dualëm. Ishte herët, një mëngjes i mvrejtur dhe ata njerëz që na përcollën ishin si të ngrirë. Vetëm kur hipëm në makinë unë psherëtiva e lehtësuar.

Gjatë kthimit mendoja: "Ata po i kontrollojnë lëvizjet e mia. Duhen porositur Mira me Petritin që të jenë të kujdesshëm".

Nuk kishin kaluar as dy javë nga kjo ngjarje, kur Petriti më tregoi se kur po kthehej nga shkolla, në bulevard po ziheshin dy veta, u ndodha dhe unë rastësisht aty. Një burrë i moshuar m'u afrua dhe më tha: "Mos je nga Berati?". "Po", thashë unë. "E kuptova kur fole", tha burri dhe vazhdoi: "I kujt je?". I thashë emrin e babait. Burri tha: "Ashtu! po unë e kam mik". Ecëm një copë rrugë dhe ai më kërkoi që të takohemi pasdite. "Ky është njeri i sigurimit, thashë unë, si mendon ti?". "Dhe unë ashtu mendoj, tha Petriti, se unë as fola, ndërsa ai tha se më njohu nga jam nga e folura". Unë e di, im vëlla mezi flet, është tepër i heshtur, ta paguash si i thonë fjalës e nuk e nxjerrë një fjalë. "Po të tha si quhet?", e pyeta unë. "Po, e kishte emrin Piro dhe tha se ishte mësues dhe se punonte në një shkollë nate. Ka një shënjë në faqe", vazhdoi Petriti. Nuk kishte asnjë dyshim, ky ishte një provokator. Ja si po na vinin miqtë. E biseduam të tre. E porosita Titin të ishte i kujdesshëm. "Mirë, shko takoje, por ec vetëm në vende me dritë dhe ku ka njerëz". Atë kohë, në rrugën e Barrikadave, ka qenë një lokal i quajtur "Liria", plot tym dhe njerëz, një lokal i rëndomtë ku servirej birrë, raki dhe bërxolla me sallatë. Në këtë lokal e futi shoku i babait vëllain.Sa u ulën i zgjati paketën e cigareve. "Nuk e pi", tha Titi. Pastaj porositi dy dopjo raki dhe bërxolla. Petriti, në ndryshim nga Shpëtimi që hante vetëm pasta, që i vogël ka pasur dëshirë të pijë nga pak. Dhe kur e vë buzën në gotë të duket sikur nuk pi, por jo vetëm që pi, por dhe e mban pijen. Mbasi mbaroi dopjon shoku i babait midis të tjerave e kishte pyetur Petritin për vdekjen e Shpëtimit. Si ka mundësi që të mbytet në aq pak ujë e kishte provokuar ai. Petriti i ishte përgjigjur se i kishte rrëshqitur këmba dhe ishte rrëzuar. "Pse kaq budalla ishte ai?", kishte vazhduar provokatori. "Po ka pasur dhe plot raste të tilla", kishte thënë Petriti. Kur ishin ndarë e kishte porositur që të më kishte kujdes se unë blija shumë cigare.

Unë po prisja me zemër të ngrirë kthimin e tij. Gjatë asaj kohe kushedi sa herë mallkoja veten që e lashë ta takonte provokatorin. Petriti tregoi me hollësi për takimin. Ai e kishte kaluar provën. Qeshëm me shokun e babait, mësuesin, që i ofroi Petritit, një gjashtëmbëdhjetëvjeçari, cigare dhe raki. "Duket se ai nuk njeh as psikologjinë e mësuesit", thashë unë.

Më vonë kur ne morëm shtëpi dhe babai erdhi në Tiranë, vëllai e takoi rastësisht "shokun e babait", njeriun me shënjë, dhe e ftoi në shtëpi. Ai premtoi se do të vijë dhe u zhduk. Babai tha se kurrë s'kishte njohur një njeri të tillë. Petriti nuk e takoi më njeriun me shënjë. Gjithmonë, kur bie fjala se nuk është mirë të pish, ai thotë: "Po sikur unë të mos e mbaja dopjon atë natë, çdo të bëhesh, pra duhet të mësohesh të mos dehesh, se ku i dihet si vjen puna".

Kjo ishte një vdekje e çuditshme. Një muaj pas saj dhe babai kishte bërë përpjekjet e veta. Me anë të njerëzve të tij gjeti mundësinë t'i shkonte Prokurorit të Përgjithshëm në shtëpi. Ai e priti mirë dhe dëgjoi ankesën e babait. Babai i tregoi ngjarjen si ia kishin thënë. Ajo ndodhi më 15 gusht, rreth orës 12 e 30 minuta. Rreth orës një të asaj dite është nxjerrë nga uji, i kanë hedhur sipër një kanotiere dhe e kanë lënë shtrirë përdhe deri në orën nëntë te darkës, që të vinte mjeku ligjor. Kjo zonë i takonte Krujës. Mjekun mezi e gjetën, prandaj dhe e lanë aq orë mbërdhe. Pastaj ai është çuar në spitalin civil, ku i është bërë autopsia. Babai shtroi dy çështje. Pakujdesia e hetusisë së Krujës, sepse pas dy ditësh Mani solli copa sapunësh, gjë që këtë duhet ta kishte bërë hetusia. Duke e lënë kaq gjatë, natën, ajo hetusi nuk kishte çfarë të shihte dhe se Dhori Hanxhari, i vetmi dëshmitar në vendin e ngjarjes nuk u muarr në pyetje, por iu dha leje të shkonte dy javë në shtëpi se ishte tronditur. Prokurori i quajti të drejta ankesat e babait, ia kërkoi me shkrim dhe kur babai ia dorëzoi ato në zyrë, ai i kërkoi babait lejen që të rihapej varri, për t'u bërë përsëri ekspertiza. Babai pranoi. Kaloi një muaj, asnjë përgjigje. Babai shkoi në Prokurorinë e Përgjithëshme. Atje i thanë se prokurori ishte transferuar në Vlorë dhe se çështja i kishte kaluar zevendës prokurorit. Ai i kishte tërhequr vemendjen hetusisë së Krujës për neglizhencë dhe i tha babait se hetusia e Krujës nuk pranon të rihapet varri. Çështja u mbyll. "Diçka duhet bërë, tha babai, që çështja të hapet. Për mendimin tim, largimi i prokurorit ka të bëjë me ngjarjen". Kështu ai i drejtoi hetusisë së Krujës një ankesë, ku paraqiste një dyshim të tillë: "Mbase ka ndodhur një vrasje me motive dashurie. Dhori e ka dashur Anën më parë dhe tani për motive xhelozie e ka mbytur Shpëtimin". Nuk kaloi shumë kohë pas ankimit dhe ne na thirrën në hetusinë e Krujës. Sapo kishim mbërritur kur nga një makinë e kuqe zbriti Ana. Babai hyri në hetusi, unë nuk zbrita nga makina. Ajo erdhi dhe u ul me mua në makinë. Ndezëm nga një cigare, unë rrija si mbi gjëmba, se ajo mbase do të më pyeste dhe do të hapej biseda që ajo po përdorej për të zbuluar ngjarjen. Dihesh se dyshimi i babait ishte vetëm një pretekst për të hapur procesin. Afër makinës kaloi një djalë i veshur pastër e me kujdes, ajo hapi derën e makinës dhe nxitoi drejt tij. Ai i buzëqeshi. Ajo iku me të. Në makinë harroi çantën. Isha vetëm unë dhe Ramizi, shoferi i gazetës. Nuk e di se çfarë më shtyu, por unë hapa çantën e saj dhe ndodhi më e pabesueshmja: aty gjeta një fletë të shtypur, një pjesë nga dramat e Shpëtimit. Personazhi fliste për një vetvrasje dhe se i ishte mërzitur jeta. Unë ngriva. Po kjo ku e gjeti kjo këtë fletë! Përse i duhet me vete? Që ishte shkrimi i Shpëtimit nuk kishte asnjë dyshim, kuptohej sepse ishte stili i tij konciz. Në kohën që po e fusja në çantën time letrën vështrimi im u ndesh me atë të Ramizit. Vetëm kaq. Ai bëri sikur nuk vuri re gjë, nuk e di se çfarë ka menduar, por me siguri në fytyrën time ka parë shprehjen se unë kisha të drejtë. Ana erdhi pas pak dhe mori çantën. "Cili ishte ai djali?" e pyeta unë. "Shefi i hetusisë, e kam pasur shok", tha ajo dhe doli. Rrija brenda në makinë, prisja babain. Kaloi një orë. Pranë makinës vente e vinte një djalë i ri nja njëzetë e pesë vjec, dukej i shqetësuar. Iu afrua si pa mend makinës, u pamë sy ndër sy dhe u zbraps. Bëri dhe një xhiro në atë copë vend dhe hyri përsëri në ndërtesën e hetusisë. Pas tri orësh babai erdhi i shoqëruar nga dy veta. U përplas në makinë, buzët i ishin shkrumbëzuar."Nisemi!", tha. Gjatë rrugës ne të dy nuk këmbyem asnjë fjalë. Në shtëpi ai tregoi se çfarë ndodhi në hetusi. "Gjatë gjithë kohës më mbajtën me cigare, më pritën me respekt. Ishte kryehetuesi dhe një hetus i ri. Kërkova të lexoj ngjarjen në dosje. Ishte po ajo histori, që Dhori nuk e nxorri dot, u nis dhe gjeti rrugës një bari, as në dosje nuk figuronte emri i tij. Meqenëse mungonte mjeku ligjor e lanë tek vendi i ngjarjes deri më nëntë të mbrëmjes. E çuan në spitalin civil dhe i bënë autopsinë. "Unë iu shtrova këto çështje, tha babai. Përse nuk u pyet dëshmitari kryesor, Dhori, po u la të shkonte me pushime në shtëpi se ishte shumë i shqetësuar. E dyta, ju shkuat atje në orën nëntë të mbrëmjes. Çfarë patë ju, se Mani na solli copat e sapunit nga vendi i ngjarjes? Në këtë kohë kryehetusi më tha: "Pa të rrijë urtë ai, Mani, se i hedhim hekurat. Se kemi dëgjuar që ka thënë poshtë e përpjetë se ka parë lezione tek Shpëtimi". Unë protestova, kjo është gënjeshtër. Mani ka ardhur ditën tjetër, pas varrimit dhe s'kishte si të thoshte gjëra të tilla. E treta dua të di se çfarë nxorri autopsia". Thirrën mjekun ligjor. Ai tregoi se çdo organ ishte në rregull dhe se vetëm kishte pirë pak ujë. "Dëgjo, i thashë, sipas ligjeve të fizikës, kur hapen alveolat ose pihet tamam ose nuk pihet fare". "Epo kishte pak lëng, tha doktori, mbase ishte ushqim". Pyetje pas pyetjesh ai, doktori, filloi ta ndjej veten keq, sa i kërkoi leje hetusit të dilte jashtë se po i dhimbte koka. "Lëre, i thashë, është më i shqetësuar se unë i ati". Kur doktori doli, kryehetuesi më tha: "Ky ka përgjegjësi nëqoftëse nuk e ka bërë autopsinë mirë, i hedhim hekurat!". Doktori ishte ai djali, që vërtitej i shqetësuar pranë makinës. "Mendimi im është ky, tha babai. Ai, doktori, nuk ka bërë autopsi, ka hedhur vetëm firmën. Emri i bariut nuk figuron, është personazh i trilluar. Më thanë se kur shkuan e gjetën të veshur me mbadhje të bardha dhe sipër i kishin hedhur një kanotiere të bardhë. Ti ke thënë se ai kishte mbadhje blu dhe kanotiere të verdhë. Ata u përpoqën të më thonë se mbase ka vuajtur nga epilepsia dhe ka rënë në gropën e ujit. Këtë ua mohova katgorikisht.

Pastaj kaluan tek varianti i vetëvrasjes. "Jo, u thashë, im bir e donte jetën, me vete kishte marrë të punonte dramën, ai nuk thyhej lehtë". Anës unë nuk ia zura në gojë se çfarë gjeta në çantën e saj dhe se ku e kishte gjetur ajo fletën, por dhe ajo nuk më tha gjë. Të dyja e kaluam ngjarjen.në heshtje.

 

 

……………………..

 

* *

Kishin kaluar dy vjet, erdhi përsëri 15 gushti. Kisha vendosur të shkoja vetë në vendin e ngjarjes. Rrugën e dija, kisha qenë para se të ndodhte ngjarja. Ushtari, që qëndronte tek dera, më shoqëroi tek oficeri i rojes. Iu paraqita se cila isha dhe kërkova të shkoja në vendin ku vdiq im vëlla. Dy veta, një ushtar dhe një oficer, erdhën me mua. Të tre do të bënim atë rrugë, që bëri Shpëtimi me Dhorin para dy vjetësh. Rruga ishte gjithë pluhur, ishte vapë. Nuk ishte e asfaltuar, në të kalonin makina ushtarake. "Ku shkojnë këto?", pyeta unë. "Në Krujë, tha oficeri, këtu kalojnë vetëm makina ushtarake, sepse është zonë e ndaluar". Rruga ishte sipër, poshtë gjarpëronte lumi i Ndroit, i hollë, i ngushtë, si një përrua. "Kaq pak ujë ka gjithmonë?", e theva unë heshtjen. "Jo, por gjatë verës ky thahet dhe ngelet me fare pak ujë". Në të dy anët e lumit shtrihej një zallishte gjithë gurë të bardhë e gri. Ulemi, dhe oficeri më tregoi një gurë buzë rrugës. "Faleminderit, po nuk jam lodhur" thashë unë, se kisha hall ta llogarisja tamam kohën. Kishim mbi një gjysmë ore që ecnim. "Ju e dini vendin?", pyeta unë, ashtu kot. "Ushtarët e quajnë tani Shkëmbi i Studentit", tha oficeri. As lumi, as rruga nuk më kishin tronditur kaq sa kjo fjalë. "Vendi i Shpëtimit", thashë me vete, as i gjallë as i varrosur.

Ecëm dhe ca. "Këtu është!", shqiptoi mengadalë oficeri. Aty poshtë zvarrisej vija e hollë e lumit. Ishte dhe një gropë uji. Për të zbritur nga rruga për të vajtur atje ishte shumë e vështirë. Buza e rrugës ishte gjithë ferra dhe dheu rrëshqiste. Tamam shteg dhish. Më mbajtën të dy nga duart, oficeri dhe ushtari, deri sa zbrita. Ishte një gropë uji sa një dhomë. Sapo fillonte kishte aty një shkëmb të sheshtë, dhe një shkëmb shumë të lartë në fund të saj. Ky ishte vendi që kishte zgjedhur Shpëtimi për të xhiruar një film. E pamundur! Pastaj Dhori ishte mjek, ç'mendim do t'i jepte atij? Oficeri dhe ushtari ishin larguar pak më tutje.

Qetësi. Vija e lumit, ku Mani gjeti copat e sapunit, vinte deri tek gropa. Futa këmbën në të, jo më shumë se 25-30 cm e thellë. Iu afrova gropës, ajo ishte me ujë të kthjellët dhe dukej se ishte e thellë. Në këtë vend të gjitha mund të bëhen, vend pusí. Kisha ecur mbi dyzet minuta, pra, po të llogarisje gjithë rrugën që bëri atë ditë Shpëtimi, ishte rreth një orë. Pra një orë rrugë për të larë ca ndërresa, një orë në piskun e vapës. Dhori i thotë të kthehen, po Shpëtimi i mbush mendjen se është një vend fantastik. Pastaj thirrja: "Ku e çuat Shpëtimin?". Shpëtimi e pruri Dhorin apo Dhori e pruri Shpëtimin? Si u gjend autombulanca në këtë vend. Sipas Dhorit, Shpëtimi është hequr i pari me autombulancë, se tha: "Kur pashë rripin e tij unë u trondita". Në hetusi nuk del autombulanca.

Thuhet se ngjarja ndodhi rreth orës 12 e 30, mbase dhe më parë, po një gjë dihet se atë kohë ka rënë zjarr dhe studenëtët kanë shkuar të shuajnë zjarrin. "Kur u kthyem ne, treguan shokët e tij më vonë, muarëm vesh se çfarë i kishte ndodhur Shpëtimit". Ç'ishte ky zjarr? Për të larguar vemendjen nga ngjarja? Për mendimin tim dhe zjarri ka qenë i planifikuar, u dogjën ca mullarë me kashtë. Mendoja se ky vend do të më trondiste, përkundrazi po më ndihmonte të zgjidhja enigmën. Një vend pusí. Shpëtimi nuk kishte bërë një orë rrugë për të ardhur për të vdekur. Ata diçka kanë bërë. Po se çfarë, unë akoma nuk e kisha të qartë.

E çoja mendjen në të gjithë rrethanat, kujtoja të gjitha ndodhitë, bisedat, biles edhe fallin e zonjës me të zeza. Mendoja, mos ajo bënte hipnozë dhe kisha folur unë dhe ajo kishte mbledhur prej meje ato që tha. Unë tani më shumë ruaja tim vëlla, sekretin e tij se veten. Mendoja se ata, që kishin dorë në këtë lojë, po të merresh vesh, të parin që do të zhduknin do të ishte ai, im vëlla.

Tani që shikoja ujin, vendin, unë nuk mund të mësohesha me idenë se Shpëtimi nuk jeton. Po çfarë duhet bërë akoma, por që duhet bërë me kujdes?

"Motër, m'u drejtua ushtari, është mirë të ikim, si thua?. Dëgjova vetëm atë "Motër..." dhe sikur erdha në vete. Dikur im vëlla, më thërriste shpesh si me shaka "motër". E përqafova ushtarin, mbështeta kokën në supin e tij dhe qava. "Të shkuara", shqiptoi ai pas pak. Kjo fjalë, e thënë në një rrethanë tjetër, do të më kishte bërë për të qeshur, por në këto çaste, edhe pse e papërshtatshme për ngjarje të tilla, ushtari ishte i tronditur, ajo sikur më ngrohu. Pra kishim kaluar një të keqe ose një sëmundje, por jo vdekje. Mes lotësh i buzëqesha, u dhashë dorën të dyve dhe u ngjitëm lart, ngjitja ishte më e vështirë, dheu ishte i rrëshqitshëm dhe ferrat të gërvishtnin. Bënte vapë. Ishte 15 gusht i vitit 1976.

……………………………

 

Është një bllok me kapakë të zinjë, që Shpëtimi e kishte me vete. Ështe një lloj ditari me data dhe ngjarje të dhëna shkurt. Pas ngjarjes, Ana na e kërkoi, se në pjesën më të madhe flitej për të. Nuk ia dhashë. Para se të fillonte zborin, Shpëtimi ishte në qytetin e vogël, në familje. Nga ditari del se atje ka shkuar për ta takuar dhe Ana. Aty thuhet se ajo herë pas here shkon në postë. Shpëtimi shkruan: "si zakonisht, biseda me nënën e shqetësuar".

Ajo, që të bën të mendosh, është data katër korrik. Me një shkrim të imët, se edhe shkrimin e ndryshoi sipas një stili të vetin, ai shkruan: "Natë. Një makinë që më ndjek. U fsheha në një kanal. Njerëzit që më kërkojnë. Qentë që lehin për mua". Mbetesh e çuditur. Është koha kur ndodhet në zbor. Kjo ngjarje i ka ndodhur vetë Shpëtimit apo është ndonjë fragment nga drama e tij, nuk e di. E kam lexuar me dhjetëra e dhjetëra herë, prapë nuk di ta spjegoj.

Ky bllok, së bashku me dramën që kishte marrë ta shkruante në zbor, u ruajt qysh atë ditë nga Madu Marko. Kur ia dorëzoi Petritit, vëllait, ai i kishte thënë: "Kur të dal që këtej do të flas". Një ditë, duke qëndruar tek dritarja e redaksisë, pashë të ulur tek ndërtesa e një arke kursimi, aty në rrugën e Durrësit, Madun. Ai e kishte mbaruar zborin. Zbrita nga kati i tretë dhe shkova e takova.

Ai binte era raki. "Paske pirë", i thashë me keqardhje. "Po ç'të bëj tjetër?", tha dhe më shikoi i dëshpëruar me ata sytë e tij të zinjë. "Shko në shtëpi", e këshillova. "Më kanë caktuar në Vlorë, më kanë hequr nga Tirana. Duhet të punoj atje". "Do të të përcjell?", e pyeta. "Jo, jo, tha ai, shkoj vet. Do të flasim, tha ai, do të vij të të takoj në gazetë". I tunda kokën. Madu nuk erdhi të më takoj. Pas ca kohësh, kur vendosa ta takoja vetë, më thanë se e kishin arrestuar. Kurrë nuk e mora vesh se çfarë dinte ai që donte ta thoshte jashtë telave të kampit ushtarak. Atë ditë, që e pashë, nuk ishte koha për të bërë të tillë bisede, m'u dhimbs si të ishte im vëlla. Dukej i dëshpëruar. Mbase atë kohë e ndiqnin. Ai shkruante poezi dhe kishte mbaruar për gazetari së bashku me Shpëtimin. Ishin vitet kur më tepër se kurrë u arrestuan artistë. U arrestua Visari, poet; Maksi, Edisoni, Aliu, piktorë; Minushi, dramaturg; Mihallaqi, regjizor; Sherifi, këngëtar. Dhe në këtë kohë vdes dhe Shpëtimi.

Ishin kohë të rënda, nuk dije me kë rrije, kush ishte ai që të paraqitej si mik e shok. Vazhdonin të krijonin skenarë me armiq dhe njëkohësisht vazhdonin plenumet halucinante të partisë. Shqipëria zvarisej me portretet e udhëheqësve nëpër festa zyrtare. Portrete të mëdhenjë, që i mbanin punëtorët, katër veta një portret. Të gjitha fytyrat si të prera me një gërshërë, mediokër, makutër, vrasës, tek tuk ndonjë dhelpër. Në darkë kryeqyteti i kishte udhëheqësit në fasadat e ndërtesave, si të ishin artistë kinemaje. Bëhej një lloj reklame me ta. Shpesh nga vendi ku vendosej portreti mund të gjykoje se si do t'i vinte filli këtij apo atij.

Mbrëmjeve dilnim me tim shoq, ai kishte intuitë për këtë punë. "E shikon se ku e kanë vendosur K. Hazbiun?", më tha një natë. Kishte rënë pak shi, portreti ishte lagur. Kadriu kishte më pak drita se të tjerët. Me atë hundën e gjatë dhe me sytë si dhelpër, në atë gjysmë errësirën e lagësht dukej se po e përgatisnin ta çonin diku. Nuk kaloi shumë dhe ai u shpall agjent. Ndërsa kur rreth M.P.B. u ngrit një mur, Çezari tha: "E patën tani. Ky mur është ogur i keq!". Thuhesh se aty bëheshin punime. Ku u dihet atyre se ç'bëjnë? Vetëm një gjë dihet, se të gjitha punët e tyre janë të zeza. Sa herë që kaloja aty pranë mallkoja me vete: "U përmbysshi, o zot!". Kishin terrorizuar një popull të tërë, madje dhe pushtetarët partiakë i kishin frikë.

Çezari mbase është një nga rastet e rralla që iu kundërshtoi atyre. Në vitet 70-të atë e thirri nëndrejtori i sigurimit të shtetit Servet Backa, autor i proceseve fallso të zhvilluara në ato vite, ku u dënuan njerëz të pafajshëm. Backa (ne e thërrisnim midis nesh "kolonja", sepse lyhej me erëza e pudrosej) kërkoi ta rekrutonte. "Të mësojmë ne si të provokosh", i tha ai. "Të bëhem spiun?", tha Çezari. "Kurrë!". Sytë e kuq të Backës u përflakën: "Po ne ç'jemi?".

E porositi se dënohej me ligj po të fliste për këtë propozim dhe çështja sikur u mbyll. Pas disa vjetësh, Backa u hakmor. Çezari nga shef katedre në Universitetin e Tiranës, shkoi punëtor në minierën e Kurbneshit. Për dhjetë vjet me rradhë iu hoq e drejta e botimit. Ata janë të tmerrshëm edhe në hakmarrjen e tyre. Është e vështirë t'u rezistosh. Shpesh me të qeshur ai më thotë: "Ti u martove me mua se doje të sfidoje Sigurimin e Shtetit".

Shtëpia ku banoja tani që isha e martuar është afër shtëpisë së diktatorit, Enverit. Rreth e rrotull saj ka rrugë të pastëra, vila të bukura, ndërtesa trekatëshe italiane. Ky është blloku. Këtu jetojnë ata që e quajnë veten shërbëtorë të popullit dhe jetojnë mirë. Kurse ne, zotërit e këtyre shërbetorëve, që na mungojnë shumë gjëra, duke mos përmendur lirinë, duhet të jemi të lumtur. Pse jo, ne ka kush na mbron. Gjithë ditën rreth e rrotull vërtiten civilët e bllokut, ata sigurimsat, që duken që atje larg se ç'janë. Mbaj mend njerin me një sy, që vërtitej gjithë ditën si qen. Unë gjithmonë e shikoja tek syri që i mungonte dhe ai nervozohej. Një ditë prej ditësh, tek cepi i rrugës ata vunë një stol dhe rreth e rrotull mbuallën ca pemë, medemek si maskim, dhe atje uleshin e përgjonin kur lodheshin nga bredhjet. Fëmijët, të cilëve iu dukej si lojë kjo gjë, nuk i linin rrehat, iu zinin stolin, ose luanin syllambyllazi, prapa pemëve që kishin vën.ata.

*

* *

Kur erdhi demokracia, arrita ta botoj dramën e Shpëtimit "Armiq". Ndërkohë fillova përpjekjet për ta vënë atë në skenë. Mendoja se erdhi një kohë tjetër. Në teatër më pritën mirë, isha e njohur, por kjo nuk mjaftonte. Aso kohe një kritik shkruajti: "A do gjendet vallë një regjizor për ta vënë në skenë këtë dramë novatore?". Të gjithë vraponin pas limonatave të kohës, kush të shante më shumë regjimin e kaluar. Ishte tamam si në tregun fshatar ku shiten qepë, hudhra, presh, lakra. Drama e Shpëtimit ishte larg banaliteteve. Ata që do të ndjeheshin të nderuar që Shpëtimi t'ua jepte vetëm për ta lexuar, jo për ta vënë në skenë, tani as nuk e përfillën dramën. Pra akoma nuk kishte ardhur koha për këtë dramë. Ajo që ndodhi në Shqipëri nuk ishte përmbysje, ishte vetëm një kalim shpëtimi. Kush do ta bënte atë? Të përndjekurit politikë? Shumica e tyre nëpër burgje ose në punë të rënda për të mbijetuar ishin kthyer në vegla të sigurimit të shtetit. Nga kush do t'i vinte e keqja diktaturës? Pati dhe njerëz që mbetën të ndershëm, por ishin pak. Deri dje ata, pesëlekshit, kështu i quante populli spiunët, që merreshin me përgjime, merrnin ndonjë pare të vogël. Tani me ardhjen e demokracisë atyre u dhanë dyqane, lokale, deri dhe toka, pra iu ndanë pasuritë e popullit si shpërblim për punën që kishin bërë.

Më kujtohen ato ditë të ftohta, kur ne mësuesët shkonim nëpër greva, nëpër mitingje. Në tribunat ku flitej kundër diktaturës shihnim ca njerëz të dyshimtë, që sikur dikush t'i kishte mbledhur me dorë. Filluan të mbushen rradhët e Partisë Demokratike. Ata, që ishin të flaktët e Partisë së Punës, u bënë tani të flaktët e Partisë Demokratike. Më kujtohet S., një mësuese. Në një nga këto ditë Fredi, dhe ky mësues, duke e parë se ajo po bëhej copë për detyrat e Partisë së re, në sy të të gjithë mësuesve i tha: "Kam dëgjuar se ti ke punuar për sigurimin e shtetit, është e vërtetë?". Ajo heshti. Kot e pati ai se më vonë ajo u bë dhe drejtoreshë shkolle. Ky ishte shpërblimi për meritat e vjetra. Ndërsa K. Grillo që nuk më jepte punë në gazetë sepse nuk kishte besim politik tek unë, në këtë kohë u bë drejtor i Institutit të Studimeve Pedagogjike.

I zhgënjyer ishte prapë njeriu i thjeshtë, i panjollosur. Veglat e sigurimit të shtetit ishin gjithandej. Me sa duket nxuarën ca lista të reja me emra jo shumë të njohur për publikun. Një strategji dhe reparte të reja u vunë në veprim. Kjo dorë e zezë është shumë e vështirë të pritet, mbase duhet dhe kohë për këtë.

*

* *

Ne të tre, unë Mira dhe Petriti jemi bërë me fëmijë. Unë kam një vajzë dhe një djalë. Mira dhe Petriti kanë nga dy djem. Mira është farmaciste, ndërsa Petriti është inxhinier mekanik. Babai është plak. Si gjthmonë jemi të lidhur me njeri tjetrin dhe gjithmonë flasim për Shpëtimin.

Kur fëmijët ishin të vegjël, kisha krijuar një përrallë ku vëllai ngrihet nga vdekja se atë e donin shumë njerëzit, dhe se ai i donte shumë ata. Sa herë që ua tregoja ata më thoshnin me shaka, e dimë përmendësh. Vajza ime ka sytë e Shpëtimit, shkruan dhe mirë. Djali i Petritit ka emrin e tij, po ne e thërrasim Timi, ndërsa djali i Mirës, Elisi është i zgjuar si ai, dajë Shpëtimi. Në gjithë këto vite pritjeje dhe dëshpërimi, unë u bëra mbështetje për ta, por ajo që na e zbuste plagën me dashurinë e saj, me mirësinë e saj ishte Mira. Çudi se si janë krijuar ca njerëz: me një zemër kaq të madhe dhe janë aq delikatë, kaq të sakrificës për të tjerët, kur vetë kanë më tepër nevojë për mbështetje. Ajo kurrë nuk zëmërohet dhe di të falë. Duke pasur shumë tipare nga Shpëtimi, ajo sikur na e plotëson mungesën e tij. S'di ç'të them, por babai, unë dhe Petriti e ndjejmë mirë veten me të. Fëmijët tanë, gjithë atë butësi, atë njerëzi që vjen prej saj e shprehin me dy fjalë: "Sa e mirë është tezja. Ajo se si është!". Dhe lëpijnë buzët sikur Mira të jetë çokollatë. Ndërsa në shprehjen e babait "kam Mirën unë", ne të dy me Petritin zbehemi, po s'kemi ç'bëjmë. Babai ka të drejtë. Në nëntor 94' ai bëri një operacion, hoqi një veshkë, që kishte kohë që nuk funksiononte. Ndëjti rreth dy muaj në spital. Ne të tre ishim atje çdo moment. Nga mëngjesi deri në orën dy qëndronte Mira me të, nga ora tre deri në shtatë të mbrëmjes isha unë dhe gjithë natën deri në mëngjes qëndronte Petriti. Por kuptohet barra më e rëndë si gjithmonë i takonte Mirës. Ajo i gatuante, i lante dhe i hekuroste ndërresat. Kur kishte ndonjë nevojë dhe unë isha atje, ai thoshte: "Lëre se ma bën Mira kur të vijë, e bën me merak ajo".

Një ditë vajta para orarit tim, hapa me ngadalë derën, grrilat ishin mbyllur, babai po flinte. Hodha sytë në krevatin tjetër, edhe Mira po flinte. E tërhoqa ngadalë derën, ajo qetësia e tyre ishte kaq e plotë sa të vinte keq ta prishje.

*

* *

Në Shqipëri nuk erdhi ajo që prisnim. Çezari shkroi në këtë kohë disa artikuj. I botuan nja dy, për të tjerët i thanë se është shpejt, nuk ka ardhur koha. Dhe në shtyp ishin ata, prapë ata. Çezarit ndër kohë iu krijua mundësia për të shkuar në Itali, ku përfundoi përkthimin e Ferrit të D. Aligerit. Më vonë, që andej shkoi në Amerikë. Tre vjet unë qëndrova vetëm me fëmijët, vazhdoja punën në një shkollë të mesme. Në kohën e diktaturës shpesh pata probleme. Kur vinte puna se duhej shkurtuar një mësuese, ose kur vinte një drejtoreshë, që ishte dhe ajo mësuese letërsie si unë, njeriu që dilte tepër, që ishte kandidat për t'u hequr isha si gjithmonë unë. Më hoqën nja tri herë, por përsëri, me përpjekje e luftë u ktheva, se në ato kohë kishte dhe njerëz të mirë që na ndihmuan mua me tim shoq. Me siguri tani arsyeja e vërtetë ishte qëndrimi politik i tim shoqi. Atëhere më hoqën për Shpëtimin, tani për Çezarin.

Nxënësit më donin dhe më ruanin. Një ditë takova njërin prej tyre, po nisej për në Spanjë. "Ne, mësuese, po çuditemi që tani, që ka ardhur demokracia, nuk po ta dëgjojmë zërin. E di, kur flisje shpesh në klasë, ne thoshnim: "Mos i tregoni njeriut". Të ruanim, kishim frikë për ty, ti nuk flisje hapur, por ti flisje dhe gjithmonë ke vepruar. Nuk harrojmë se si e nxore përjashta atë, Arbenin, djalin e R. Alisë. Sa frikë kishte ai në lëndën tënde. Ne jo, ai po". Qeshëm të dy. Ai më kujtoi një orë letërsie. E kisha ngritur Arbenin në tabelë, ai mësonte mirë. Duke folur për një shkrimtar, që diktatori e kishte ngritur lart, ai tha: "Po ai nuk është ndonjë gjë!". Unë ndërhyra. "Kush ta ka thënë këtë? Është mendimi yt apo i babait tënd? Se unë ju them ato që thotë babai yt, po nëqoftëse ai ka mendim tjetër, të na i thotë dhe neve". Klasa heshti, mbajti frymën. Nuk e di çfarë ka thënë në shtëpi. Kujtuam dhe ngjarje të tjera dhe u ndamë.

Tani në demokraci nuk po më sillnin shqetësime, por me sa dukej nuk isha as për këta, të rinjtë.

Një ditë drejtori më tha: "Pse nuk bën dokumentat për të dalë me gjashtëdhjetë përqind? Rri rehat". Ky ishte aso kohe një si pension i parakohshëm që jepej me qëllim që të hapeshin vende pune për të tjerë. Kështu unë dola në pension në kohën e demokracisë. Kishim një koleg, që në kohën e grevave dhe demostratave e merrja me zor. "Duhet të vish, i thosha, në të gjithë kohët mësuesët e letërsisë kanë qenë në krye të lëvizjeve përparimtare". Unë dola në pension të parakohshëm, ai shkoi në presidencë. Kohë e çuditshme!

*******

.

 

 

-----------------------------7d629f29c80132 Content-Disposition: form-data; name="userfile"; filename="" Content-Type: application/octet-stream